Muzeu “Marubi” kujton Rrok Zojzin, themeluesin e etnografisë institucionale shqiptare

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” terhoqi sot vëmendjen e artdashësve ndaj një personaliteti si Rrok Zojzi, falë të cilit mendohet që koleksioni i negativëve prej xhami të Kolë Idromenos i përbërë prej 1296 fotografish, u bë pjesë e Institutit të Antropologjisë. Koleksioni tashmë është digjitalizuar krejtësisht dhe me një cilësi të lartë, kjo falë bashkëpunimit ndërmjet Muzeut “Marubi” dhe Institutit të Antropologjisë.

Rrok Zojzi lindi në Shkodër më 1910 dhe vdiq në Tiranë më 1995. Në vitin 1947 u emërua në krye të Sektorit të Etnografisë, të cilin e drejtoi deri në vitin 1976. Historianët e etnografisë shqiptare e konsiderojnë Zojzin si babanë e etnografisë institucionale shqiptare.

Ai u mor me studimin, mbledhjen dhe arkivimin e kulturës tradicionale shqiptare, e cila sot përbën fondin më të pasur të kësaj gjinie. Nën drejtimin e tij u krijuan pjesa dërrmuese e muzeve etnografikë në të gjithë Shqipërinë.

Fushat e kërkimit, ushtruar nga Zojzi, prekin thuajse të gjithë gamën e kulturës tradicionale. Kontribut të vazhdueshëm Zojzi dha në mësimdhënie dhe në publicizimin e dijes etnografike në median e kohës. Nën drejtimin e tij u formuan pjesa më e madhe e breznisë së etnografëve shqiptarë të periudhës së komunizmit./atsh/KultPlus.com