Qytetet në sytë e Rron Qenës prezantohen në ekspozitën “Udhët që më njohin”

Temperaturat e larta të ditës së mërkurë, 17 korrik, nuk ndaluan që oborri i Galerisë Kombëtare të mbushej plot me njerëz, për të parë 37 piktura, secila ndryshe prej tjetrës e me shumë ngjyra, nga ekspozita “Udhët që më njohin”, të artistit Rron Qena. Qena i cili ka lindur në vitin 1979, që tashmë jeton dhe vepron mes Prishtinës e Bremenit të Gjermanisë ka hapur mbrëmë ekspozitën e tij me piktura nga qytete të ndryshme.

Lidhja e tij me pikturën fillon nga marrëdhënia e ngushtë me babain e tij, Agim Qena, karikaturist i njohur në Kosovë. Një nga seritë e tij më të hershme në vitet e 90, e titulluar “Gjumi”, përfshinë skicimin dhe analizimin e anëtarëve më të afërte familjes së tij, derisa ata flinin.

Kapjet e momenteve plot jetë të pamjeve të lagjeve, të këndeve të qyteteve, portretet me dedikime të njerëzve të dashur, janë perceptime të potencialit frymëzues në ambientin që e rrethon deri sa të shkëndijë magjia e frymëzimit. Qasja me qëllim njohje dhe studimi më të thellë të gjuhës së ngjyrave, evoluon në mjeshtëri pikturimi dhe përbën sintaksën vizuele të pikturës së Qenës.

Cikli i Qenës “Behind the Walls” merr frymëzimi nga muret e larta dhe shumëngjyrëshe të shtëpive në Shkodër, që ngjajnë me pikturat e afreskut. Ky cikël thellohet në temat e izolimit, mbylljes dhe kuriozitetit për atë që fshihet mbrapa këtyre barrierave. Rron Qena i lidh këto vepra me historinë e Shkodrës dhe izolimin e Kosovës, shkruan KultPlus.

Të mërkurën, oborri i Galerisë Kombëtare u mbush plot me studiues të artit, fytyra të njohura të Republikës së Kosovës, gazetarë e artdashës. Në hapje të ekspozitës, kuratori Lulzim Zeqiri dhe piktori Rron Qena, përshendetën të pranishmit, duke iu uruar që të kalojnë sa më mirë.

“Street in Bremen”, “Dardania”, “Mbrapa mureve”, “Blue Road”, “Rrugës për shtëpi”, “My friends are Musicians”, “Almas House”, “Park in Berlin”, “View from Sunny Hill”, “Muret e Shkodrës”, “Në Muzg”, “Prishtina”, “Muharrem Qena”, “Armata”, “Melihate Qena”, “Hana Sleeping”, ishin disa prej emrave të pikturave të ekspozitës.

Kuratori Zeqiri tha për KultPlus se aplikimi për këtë projekt ka qenë në janar të këtij viti, ku është përzgjedhur Rron Qena dhe se prej janarit kanë biseduar se si do konceptohet dhe si do të përzgjedhen pikturat.

“Nuk ka qenë e vështirë sepse ideja ka qenë e bazuar në një periudhë të caktuar të jetës së Rronit, jo në krejt punimet specifikat janë se kur një artist e lë vendlindjen për një arsye të caktuar, shkon në një vend tjetër dhe vendoset të jetoje atje, se si e përjeton ndryshimin kultural dhe vendin ku jeton”, tha Zeqiri për KultPlus.

Ndërkaq, Qena tregoi se piktura e parë dhe më e veçanta ndër të gjitha që ishin të prezantuara në Galeri, ishte “Sleeping Hana” pasi ishte motra e tij, që ai e kishte pikturuar derisa ajo po flinte.

“Piktura e parë ka qenë “Sleeping Hana”, ajo është motra ime duke fjetur, kur isha më i vogël kam vizatu njerëz derisa kanë qenë në gjumë që kanë qenë si model për mua, pasi që nuk kanë lëviz shumë”, tha Qena për KultPlus.

Tutje, ai tha se nuk ka pasur vështirësi në realizimin e pikturave, pasi ka pasur motiv, duke shtuar se pikturat janë realizuar nga Berlini, Bremeni, Pogradeci, Shkodra e Prishtina.

“Jam shumë i lumtur sonte sepse është shumë nxehtë dhe njerëzit përsëri kanë ardhur, më vjen shumë mirë”, u shpreh ai në fund.

Ekspozita do të mbetet e hapur deri më 1 shtator të këtij viti/KultPlus.com

Sonte në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Rron Qena vjen me ekspozitën “Udhët që më njohin”

Galerinë Kombëtare të Kosovës sonte do të bëhet hapja e ekspozitës personale “Udhët që më njohin” të artistit Rron Qena, kuruar nga Lulzim Zeqiri.

Filozofisë së tij artistike Rron Qena i rri gjithmonë pranë, duke e formuar nga afër karakterin bashkë me veprat e tij. Nga ky qëndrim ai përsosë stilin e shprehjes figurative dhe qasjes së tij origjinale në pikturë. Akti krijues brenda kornizës së pëlhurës, nëpërmjet tregimit të guximshëm personal synon thellësitë e përjetimit, si përvojë, si kujtesë, si ftesë për komunikim ndërnjerëzor. Muza e tij mbetet gjithmonë bindja e tij për të bukurën, si model nga i cili nuk i shmangë sytë.
Kapjet e momenteve plotë jetë të pamjeve të lagjeve, të këndeve të qyteteve, portretet me dedikime të njerëzve të dashur, janë apriori vrojtime dhe përceptime të potencialit frymëzues në ambientin që e rrethon deri sa të shkëndijë magjia e frymëzimit. Është reflektimi elokuent karshi motivit dhe elementeve të cilat e bëjnë peisazhin urban, apo pasqyrojnë psikologjinë e portretit në punimet e tij. Ky observim i kujdesshëm i marrëdhënies së gjatë me hapësirën dhe kohën e forcon intuitën e tij krijuese kudo që ai gjendet. Qasja me qëllim njohje dhe studimi më të thellë të gjuhës së ngjyrave, evoluon në mjeshtëri pikturimi dhe e përbën sintaksën vizuele të pikturës së tij.
Rrugët e Prishtinës, Berlinit, Shkodrës, Bremenit, nuancë pas nuance shtrohen në pëlhurën e tij, për të na shpier në një gjeografi që nuk vijëzon kufi, e cila na merr me vete në udhëtim për të parë dhe ndjerë forcën e imagjinatës dhe pasurinë e botës së artistit. Në këto udhëkryqe lagjesh e metropolesh përparësi merr fryma e njeriut të lirë, njeriu i cili mezi shihet në labirinthin e qytetit, në mes makinave dhe kaosit, por që e dijmë se diku pas fasadave apo nën hije të parqeve ai vazhdon të shkruaj fatin e tij. Këtij njeriu të lirë pikturat e Rron Qenës i japin shpirt bohemi dhe e nxjerrin jashtë mbrëmjeve të dal me shokët, të hapërojnë të dehur nën ritmin e perkusioneve, udhëve dhe vendeve ku emërtimet nuk kanë rëndësi.

Ekspozita hapet të mërkuren, 17 korrik, nga ora 19:00 deri në 21:00/ KultPlus.com



EUICC të hënën sjellë ekspozitën “Fading under the sky” nga Rron Qena

Të hënën duke filluar nga ora 19:00 në hapësira e Qendës Informative dhe Kulturore të BE-së , do të hapet ekspozita “Duke u venitur nën qiell” nga Rron Qena, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë Rron Qena, do të prezantojë një seri pikturash të frymëzuara nga qyteti, qielli, atmosfera dhe rrethina, të transformuara në ngjyra të errëta dhe të lehta. Në perspektivën artistike të Qenës, vendi, qyteti dhe populli i tij ngadalë po veniten ndërsa qielli vazhdon të shkëlqejë.

Ngjyrat e zbehtë tregojnë ndjenjën e mbytjes nga problemet shoqërore dhe politike, apo nga ndërtesat klaustrofobike, ndërsa ajo që mbetet për njerëzit është bukuria e qiellit që mbizotëron me ngjyrat qetësuese dhe rezistencën e saj.

Rron Qena, ka lindur dhe është rritur në Prishitnë, si dhe deri më tani ka hapur disa ekspozita personale por edhe kolektive./ KultPlus.com

Piktura e Rron Qenës ekspozohet në Blanden Art Museum në Iowa (FOTO)

Një nga pikturat e Rron Qena ka zënë vend brenda hapësirës së Blanden Art Museum në Iowa të Amerikës, shkruan KultPlus.

Drejtori i këtij muzeu, Eric Anderson ka publikuar një fotografi ndërsa mban në duar pikturën e artistit kosovar.

Suksesi është arritur me ndërmjetësimin e Soma Book Station në Prishtinë, kur nga Iowa e Amerikës erdhën përfaqësuesit në Prishtinë.

“Piktura ka qenë në Soma dhe përfaqësuesit e Muzeut e kanë marrë sepse iu ka pëlqyer. Ne e kemi hapur hapësirën tonë për punën e Rronit dhe artistëve tjerë, dhe kësisoj po ndihmojmë që në të ardhmen të kemi edhe ekspozita dhe të ndihmojmë në afirmimin e artistëve tanë’ tregon për KultPlus Nol Shala nga Soma.

Veprat e piktorit Qena konsiderohen si shumë të veçanta andaj ai vitin e kaluar kishte prezantuar ekspozitën e tij “Fading”, e cila portretizonte qytetin e mbingarkuar e të ndotur të Prishtinës. / KultPlus.com

Një Prishtinë e zbehur vjen përmes fuqisë artistike të Rron Qenës (FOTO)

Gili Hoxhaj

Artisti Rron Qena dëshmoi stilin e tij të veçantë edhe në ekspozitën personale të titulluar “Fading”, e cila u hap sonte në Galerinë Monet në Prishtinë.

Kjo ekspozitë e rikujton më së miri nivelin e ajrit të ndotur që kishte kaluar parametrat e lejuar, dimrin e kaluar. Pamja e mjegulluar e cila kishte mbuluar gati çdo cep të Prishtinës, nuk kishte se si të kalonte pranë syve të artistit Rron Qena pa e nxitur edhe kreativitetin e tij. Një shpirt Rroni kësisoj pati shkëndijën e flaktë. Ai për pothuajse një vit punoi për të reflektuar këtë gjendje përmes dhjetë pikturave të cilat i prezantoi në këtë ekspozitë.

Ishte pikërisht kjo pamje e cila e kishte zhytur brushën e piktorit në të hirtë, duke e zbehur kaltërsinë e qiellit. Megjithatë qielli kishte zënë pak hapësirë në pikturat e tij, të cilat në anën tjetër paraqitnin një qytet të mbingarkuar nga ndërtesat.

Pikturat e tij vijnë në një ambient të mjegulluar për vizitorët mirëpo duke përçuar një mesazh të pastër. E gjithë kjo shprehje e veçantë e pikturës nuk ka se si të tingëllonte më mirë tek vizitorët e kësaj ekspozitë derisa plotësohej me këngët emblematike të Muharrem Qenës në sfond, xhaxhait të Rronit.
“Rron Qena i përket një gjenerate të artë të artistëve të Kosovës. Së bashku me gjeneratën e Rronit kemi provuar të debatojmë dhe të analizojmë sepse arti nuk ka kuptim nëse jepet si i përkryer. Me Rronin kemi pasur debatet më të ashpra sepse në atë kohë mendonim se piktura si medium shumë klasik nuk ofron aq mundësi sa mediumet e tjera por Rroni me kokëfortësinë e tij ka vazhduar deri më sot dhe besoj që do të vazhdojë edhe më tutje” tha profesori Mehmet Behluli në ceremoninë hapëse të kësaj ekspozite, shkruan KultPlus.

Profesori Behluli tregoi për KultPlus se punën me Rron Qenën e kishte filluar në Akademi para vitit 1999, për të vazhduar më pas edhe jashtë Akademisë, të cilën në atë kohë e përshkruan si shumë klasike.

“Në atë kohë kushtet kanë qenë pak më ndryshe, akademia jonë ka qenë shumë klasike dhe nuk ka pranuar shprehje ndryshe dhe të reja dhe ne thjeshtë kemi dalë prej akademisë dhe kemi provuar të debatojmë”, tregoi profesorit Behluli për KultPlus.

Behluli e përshkruan Rronin si fanatik të mediumit, ndërsa brenda provon të qëndrojë sa më i freskët dhe gjithnjë në kërkim të formave të reja.
“Nganjëherë mendoj së është shumë e vështirë ta gjesh formën e re shprehëse, se sa të merresh me diçka që është eksploruar, eskplatuar maksimalisht. Pikërisht ta gjesh veten të freskët aty, është një mrekulli” tha profesori Behluli.

Piktori Rron Qena tregon për KultPlus se ideja e titullimit dhe përmbajtjes së kësaj ekspozitë ka ardhur si pasojë e smogut të vitit të kaluar. Mes mendimeve të tij për Prishtinën e mjegulluar në ajrin e ndotur ai krijoi këtë ekspozitë të veçantë.

“Në një moment jam ndjerë i zhgënjyer prej Prishtinës dhe kam menduar se nuk mund të krijojë diçka më shumë këtu. Mandej mendova se nuk mund të ndihem i zhgënjyer sepse ky është vendi ku unë po jetoj. E hapa dritaren dhe gjithçka çka pashë ishte mjegull, mandej edhe provova ta pikturoj Prishtinën në mjegull. Ajo mjegull mua më ndihmoi në venitjen e stilit tim të pikturës por edhe ta tregoj qytetin tonë pak si më të zbehur, i cili edhe pse po ndërtohet mjaft duket gjithnjë e më i zbehur”, është shprehur Rron Qena për KultPlus.

Bukuria që e karakterizonte këtë qytet, pothuajse është mbuluar tërësisht nga ndërtimet, të cilat sipas piktorit po e zhdukin këtë qytet.
“Gurthemeli i kësaj ekspozite është qyteti i humbur i Prishtinës sepse me të gjitha këto mbindërtime jemi duke e zhdukur qytetin. Këtu më nuk ka hapësirë, madje edhe ecja në këtë qytet është gjithnjë më e vështirë. Pikërisht këtu është dhimbja të cilën unë e kam reflektuar”, përfundoi Rron Qena.

Veprat e veçanta të kësaj ekspozite do të qëndrojnë brenda Galerisë Monet deri më 4 dhjetor, sa edhe do të qëndrojë e hapur kjo ekspozitë. / KultPlus.com

Rron Qena sonte hap ekspozitën personale

Veprat e tij konsiderohen shumë të veçanta dhe pikërisht magjia e tyre është rrumbullakuar në një ekspozitë personale të artistit Rron Qena, shkruan KultPlus.

Qena sonte do të prezantohet me ekspozitën personale në Galerinë Monet në Prishtinë duke filluar nga ora 19:00. Datat për këtë ekspozitë janë rezervuar prej 21 nëntorit deri më 4 dhjetor. Kjo ekspozitë është titulluar “Fading”./ KultPlus.com

Rron Qena me ekspozitë personale (FOTO)

Veprat e tij konsiderohen shumë të veçanta dhe pikërisht magjia e tyre është rrumbullakuar në një ekspozitë personale të artistit Rron Qena, shkruan KultPlus.

Qena do të prezantohet me ekspozitë në Galerinë Monet në Prishtinë, dhe datat për këtë ekspozitë janë rezervuar prej 21 nëntorit kur është edhe hapja dhe veprat e tij mund të shihen deri më 4 dhjetor. Kjo ekspozitë është titulluar “Fading”/KultPlus.com