“Rruga 42” premierë në New York

“Rruga 42” (42nd Street) është një mondramë e shkruar dhe e drejtuar nën regjinë e Diar Xanit, regjisorit nga Kosova dhe e luajtur nga Yllka Lota.

Me datë 18 dhe 24 qershor, publiku shqiptar në New York mund të ketë kënaqësinë që të shijoj një shfaqje shqiptare me tematikë emigracioni. Rrugë e përjetuar nga një numër i madh shqiptarësh, që vazhdon edhe në ditët e sotme. Emocion që të dridhë shpirtin sepse për të lënë atdheun dhe çdo gjë pas është sakrificë që nuk përshkruhet me fjalë.

Këtë e kishte përjetuar edhe regjisori Diar Xani, i cili thotë se në këtë tekst secili e gjen veten, “tema për emigrant nuk vdes asnjëherë e sidomos në New York është gjithmonë e freskët sepse këtu emigrojnë nga e gjithë bota. Prandaj, në këtë tekst çdo kush e gjen veten. Duke u nisur nga ata që s’kanë mundur të gjejnë një punë, të tjerët që nuk kanë arritur të gjejnë një shtëpi për tu vendosur apo edhe dikush që s’ka rritur të gjejë as dashurinë. E gjitha është përmbledhur në një fjalë mëshireje, ‘Ju marrtë Amerika me të mirë’.

Kjo monodramë është rrugëtim plotë sakrifica, por që e gjithë forcën personazhi e gjen te besimi në vetvete dhe te një telefonatë e herëpashershme me nënën.

Aktorja Yllka Lota, është mishëruar me personazhin duke i përjetuar edhe më herët disa nga sfidat e trajtuara në tekst. Andaj, sipas saj ky rol është një ndër rolet më të veçantë për të,  duke pasur parasysh se është e vetmja aktore në skenë, i vetmi zë që duhet të përçoj te publiku emocionin dhe mesazhin.

“Kjo është monodrama e parë për mua dhe ndjehem shumë e përmbushur nga kjo dëtyrë që kam, një histori që duhet ta përcjellë e vetme te publiku. Çdo rol ka vështirësite e veta, por ky kërkon më shumë energji fizike dhe psikologjike. Përcjellja dhe vazhdimësia e emocioneve që duhet të zgjoj te publiku më bën që të transformohem e tera brenda këtij personazhi kompleks dhe e ndjej që sado pak secili do e gjej veten te Liberta, ashtu siç e gjeta unë”,  u shpreh Lota.

Ndër tjerash, dramaturgja dhe asistentja e kësaj shfaqjeje Saranda Rugova, thotë se tekstin e Diarit e kishte lexuar pikërisht në fillimët e saj në New York dhe e kishte prekur si realitet  si dhe si ngjarje e trajtuar në këtë monodram.

Rugova thotë se, kjo shfaqje duhet të shenojë nismë të tjera si realizim i teatrit shqiptar në New York, “Monodramën e Diarit e kam lexuar me një frymë dhe pastaj e kam rilexuar përsëri. Realitet i hidhur, i vështirë të cilin e përjetojnë një pjesë e madhe e rinisë sonë. Rruga e mërgimit, përveç dhimbjes se braktisjes se familjes, shoqërisë dhe të vendit, është po ashtu sfidë në vete gjetja e vetvetes në një vend të huaj.”

“Rruga 42” kishte filluar si ide që nga viti 2018, mirëpo nuk kishte arritur të inskenohet gjerë tani. Regjisori dhe shkruesi i kësaj monodrame kishte përjetuar gjëra të ngjashme dhe nga ai dëshpërim i thellë kishte vendosur që realitetin e tillë ta ve në skenë.

“Isha në tren duke udhëtuar për në punë. Dhe e kam shkruar ashtu siç e ndjeja duke e rishikuar më vonë. Tani i erdh momenti ta inskenojmë me ndihmën e disa artistëve  të tjerë në New York. Jam jashtëzakonisht i kënaqur që para publikut shqiptar këtu do të kemi mundësinë të pasqyrojmë artin tonë të shumënevojshëm”, tha Diar Xani.

Pjesa tjetër e ekipit të shfaqjes pa ndihmën e të cilëve nuk do të ishte realizuar kjo monodramë, është Blerina Mucolli dhe Arenc Leka./KultPlus.com