Një rrugë në Napoli do të ketë emrin e Donika Arianiti Komnenin, vejushës së heorit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Komisioni i toponimeve të qytetit të Napolit i kryesuar nga kryebashkiaku Luigi de Magistris, me propozim të Acli ka vendosur pllakën me emrin e saj në Santa Chiara, duke treguar kështu forcimin e lidhjeve të miqësisë mes popullit napolitan dhe atij shqiptar.
Shumë familje shqiptare në shek. XII deri në shek. XVI u detyruan të largohen nga vendi për shkak të pushtimit osman. Për të mos iu nënshtruar sundimit ata u strehuan në Italinë e Jugut.
Donika Arianiti Komneni jetoi në rezidencën e fisnikëve D’Alessandro në Santa Chiara nga viti 1469, si e veja e udhëheqësit shqiptar Gjergj Kastriot Skënderbeu, që luftoi me mbretin Ferdinand I, i përshkruar dhe në derën e bronztë të Maschio Angevin.
Ajo jetoi nën mbrojtjen e sundimtarëve napolitanë dhe Mbretërisë së Napolit, vendi që mirëpriti shqiptarët që erdhën nga Ballkani, duke gjetur mbrojtje dhe duke u integruar plotësisht duke ruajtur traditat e tyre etnike.
“Vendimi për të vendosur këtë pllakë tregon jo vetëm të kaluarën e rëndësishme historike të qytetit të Napolit, por dhe thirrjen për të qenë një vend i mikpritjes për kultura dhe tradita të ndryshme. Kjo vendos një lidhje të thellë kulturore, që ka rrënjë prej shekujsh mes këtij qyteti dhe popullit shqiptar”, tha kryebashkiaku i Napolit, de Magistris. / KultPlus.com