‘Rruga pa emër’, premiera e komedisë së zezë në skenën e teatrit ‘Aleksandër Moisiu’

Teatri profesionist “Aleksandër Moisiu” i Durrësit shfaqi premierë komedinë e zezë “Rruga pa emër”, e shkruar posaçërisht për trupën  durrsake nga autori Cosmin Pana me regji të rumunit Vlad Trifas.

Trupa prej 7 aktorësh u ngjit në skenë duke sjellë copëza jete të ditëve të sotme, ku rendja drejt parasë, pasurimit të shpejtë, nxjerr në pah shumë raporte të cenuara njerëzore dhe humbjen e vlerave. Regjisori e ka konceptuar shfaqjen si një film brenda teatrit.

“Është një copëz jete e dy personazheve me gjithë peripecitë që ka dhe sillet në formën e një filmi në teatër, që po ndiqet shumë në Rumani dhe regjisori ynë Vladi ka bërë një punë të jashtëzakonshme me ne”, tha aktori Xhejni Fama.

“Një eksperiencë shumë e bukur, një vënie ndryshe. Nuk dua të zbuloj shumë, por është një shfaqje që nuk e kanë parë herë tjetër. E bukura është se kjo shfaqje është shkruar për trupën tonë. Edhe autori i shfaqjes që erdhi dje ishte shumë i emocionuar dhe u shpreh se kishim kaluar pritshmëritë e tij”, tha aktorja Mimoza Marjanaku.

Jo vetëm nga ana regjisoriale, por dhe skenografia e shfaqjes “Rruga pa emër” sjell risi për publikun duke e zhveshur skenën e teatrit nga format klasike dhe sjellë një shfaqje që të përfshin me thjeshtësinë dhe njëkohësisht dramat e forta që mbart. Në një botë ku personazhet shpesh jetojnë një jetë të diktuar nga rrethanat, duhet të prekësh fundin që të mundesh të kthehesh pas nëse të ofrohet një shans i dytë.

“Bota është e fokusuar te pasuria, të mirat e shpejta materiale që kanë dhe pasojat e veta dhe kemi harruar që njeriu kënaqësinë mund ta gjejë dhe tek gjërat e vogla.”, tha Xhejni Fama. 

“Unë kam rolin e nënës. Nuk jam munduar të ndjek asnjë model tjetër. Kam bërë veten”, tha Mimoza Marjanaku.

Publiku e duartrokiti gjatë shfaqjen e cila do të ngjitet në skenë dhe tri netët në vazhdim./tch/ KultPlus.com