Qyteti i Shkodrës po përjeton ditët e bukura festive të Karnavaleve që nisën të premten dhe përfundojnë të dielën me Paradën e Karvanit.
Agjencia Telegrafike Shqiptare ishte e pranishme në Shkodër me fotoreporterin Agim Dobi për të kapur momentet më interesante të Karnavaleve dhe për të përcjellë atmosferën e gëzueshme që ato sollën në qytet.
Qindra qytetarë, të mëdhenj dhe të vegjël, i janë bashkuar nismës së bashkisë së Shkodrës për ta shndërruar qytetin në një “ballo me maska” për tre ditë e tre netë rresht, ndërsa aktivitetet e planifikuara kanë angazhuar dhjetëra të rinj e të reja.
Prej disa ditësh fëmijë, të rinj e të rritur, nxënës e mësues, artistë, instrumentistë e akrobatë, artizanë e bejtexhinj, punonjës të hotelerisë e kulinarisë, fotografë e dizenjues po përfshihen në atmosferën e karnavaleve.
Nga e premtja deri sot ata garuan me krijimtarinë dhe imagjinatën e tyre, ndërsa një juri profesioniste do të vlerësojë me çmime më të mirët.
E shtuna nisi me Paradën e të rinjve, ndërsa vijoi me performanca artistike nga shkollat, ndërsa pasdite pati aktivitete në punëtori, krijim i maskave, Facepainting, Kllounata.
Atmosfera vijon me shfaqjen e dritave në fasada ndërsa deri pas mesnate grupe shëtitëse artistësh me veshje e maska veneciane vizitojnë baret e restorantet e qytetit.
Aktiviteti kryesor i së dielës do të jetë parade e Karvanit.
Shkodra është qyteti që e ka festuar më herët Karnavalen. Festimet e para i përkasin gjysmës së dytë të shekullit XIX, saktësisht vitit 1860, duke krijuar një traditë solide që vazhdoi deri në vitin 1946, ku për shkak të regjimit komunist, u ndalua së festuari për t’u rikthyer sërish si traditë pas viteve ’90./atsh/KultPlus.com








