Sot në Suharekë nis edicioni i 16-të i ‘Festarit’

Sot më 25 shtator në Suharekë nis edicioni i 16-të, i festës së të rinjve dhe vjeljes së rrushit ‘Festari’, shkruan KultPlus.

Ky festival është festë e rinisë ngase bartës të projektit janë të rinjtë e kësaj komune, ndërsa ‘Festari’ cilësohet edhe si festë e artë sepse gjatë kësaj feste krijohen vlera të reja shpirtërore, humane, artistike e sportive.

‘Festari’ sivjet ka një program shumë dimensional dhe gjithëpërfshirës. Ky festival tashmë është tradicional dhe realizohet në javën e fundit të muajit shtator. Rrushi dhe përpunimi i verës është karakteristikë mijëvjeçare e trevës së Suharekës, andaj edhe ‘Festari’ përkon me gëzimin e vjeljes së rrushit dhe përpunimin e verës.

‘Festari’ nis sot më 25 shtator ndërsa përfundon më 1 tetor./ KultPlus.com

Festa e rrushit në Berat (FOTO)

Një nga kantinat e njohura për prodhimin e verës në Berat ka organizuar festën e vjeljes së rrushit, festë që çel fazën e prodhimit të verës në zonën, që prodhon më shumë verë dhe mban edhe markën e cilësisë.

Të ftuarit kanë provuar të vjelin rrush, të pinë verën si dikur me kanë prej balte, të shijojnë muzikën tradicionale dhe sidomos të ndjekin konkursin e famshëm të shkelëseve të rrushit.

Ishte një argëtim më vete ky konkurs ku morën pjesë gra e vajza të ftuara në këtë festë. Në fund një prej tyre u shpall fituese si shkelësja më e mirë e rrushit. Në këtë festë ishin të ftuar deputetë, aktorë dhe personalitete të tjera.

Zona e Beratit njihet për verën e saj cilësore dhe sidomos kantina Cobo me markën e saj ka arritur të marrë çmime duke u renditur ndër verërat më të mira shqiptare, përcjell konica.al./ KultPlus.com