Xhevahir Spahiu, Rudina Çupi dhe Rovena Rrozhani fitues të ‘Fondit të Krijimtarisë Letrare’

Xhevahir Spahiu, Rudina Çupi dhe Rovena Rrozhani janë fitues të fondit nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, që mbështet veprat për botim.

Autori Xhevahir Spahiu me librin e tij “Një mijë dashuri” u shpall fitues në “Fondin e Krijimtarisë Letrare” ndërsa autoret Rudina Çupi dhe Rovena Rrozhani u shpallën fituese të “Fondit të Krijimtarisë Letrare për Fëmijë”.

14 vepra aplikuan këtë vit në QKLL për “Fondin e Krijimtarisë Letrare për Fëmijë” dhe një ditë më parë juria e kryesuar nga Persida Asllani, me anëtarë Flori Kasaj dhe Beti Njuma përzgjodhën tri veprat që do të mbështeten këtë vit nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit për botim.

I mirënjohuri Xhevahir Spahiu u shpall fitues për librin “Një mijë dashuri” me motivacionin “Poezitë shpalosin bukurinë e jetës, duke përdorur një gjuhë estetike dhe fëminore plot muzikalitet dhe figurshmëri. Me larmi tematike nga historia kombëtare te natyra dhe jeta fëminore, ato sjellin ndjesi ë prekshme dhe vlera njerëzore”. Rudina Çupi u shpall fituese për librin “Ë-Ngrënësi dhe Ë-Vënësi” me motivacionin “kombinon rrëfimin dhe edukimin gjuhësor për fëmijët me një ligjërim të pasur dhe ilustrime tërheqëse. Libri edukon dhe argëton, duke nxitur dashurinë për gjuhën shqipe”.

Ndërsa autorja Rovena Rrozhani u shpall fituese për librin “Hana, vajza që kapi diellin” me motivacionin “vepra sjell historinë frymëzuese të një vajze që triumfon mbi të keqen, duke tërhequr lexuesit e vegjël në një udhëtim motivues. Gjuha e zgjedhur dhe ilustrimet dinamike  nxisin imagjinatë dhe kënaqësinë e leximit”.

“Dhimbja është turpëruese” nga Rudina Çupi, poezia fituese në konkursin e poezisë ‘KultStrofa’

Rudina Çupi

Njerëzit RIBËHEN. Bëhen të bukur, të latuar.
(Bebet së shpejti do të lindin duke qeshur:
shkenca do ta bëjë lumturinë të mundur,
i ke parë: ka aq mjekë që merren me lëkurën
sa ka gra që merren me lek-kurën?)
Dija është rrudhë.
Vuajtja është turpëruese.
Të varfrit janë strukur.
Të dehurit janë rralluar.
Po arti, pse hesht?!

2.

Njerëzit i keqpërdorin këshillat:
“Rrno vetëm për me tregue” nuk është thjesht një titull,
të gjithë mbajnë sytë nga “jeta e treguar”
ekranet janë ricikluese, ripërtypëset e mëdha të jetëve.
Njerëzit – rripa patatesh që skuqen një vaskë vaji gëluese
tërë yNDYRË a SHERRbet
si ushqimet e majme të fast-fund-eve,
se fundja, fjala, si buka, kalon përmes gojëve
dhe nga të dyja – fjala është më pak mbushëse.
Letërsi e përdorur në zorrë është kjo?

3

Ja, bota – toka e poetëve të përzënë.
Avionë, anije, trena ekspresë, makina, jahte
dhe shumë agjenci turistike
për njerëz që udhëtojnë gjithnjë e më vetëm
(siç udhëtonim në ëndërrime e në fantazitë letrare).
Paçka se nuk është epokë akullnaje, por e shkrirjes globale
jovertebrorët – jomadhështorët: poetët do të zhduken nga bota porsi dinozaurë. / KultPlus.com