Librin, që në fillimin e vet, e bën të qartë se është një libër modern, një libër që thyen kanonet klasike të narracionit e të karaktereve . Kjo ka ardhur, mendoj unë, se libri juaj është më tepër i natyrës eseistike, një diskutim letrar për rolin e librit (‘të shkronjave’) në këtë botën tonë; është diskursi për rolin e rëndësishëm shpirtëror, intelektual, diell-ndriçues, të shkrimësisë; në këtë vështrim, libri juaj është një himn për librin e vertetë, përmes rrëfimit të kalvarit që i duhet të përshkojë autori për të arritur plotshmërine e vetvetës përmes shkrimësisë.
Kjo nënkupton dhe të kundërten e kësaj, është një polemikë për ta ndërgjegjësuar shkrimtarët, por dhe vetë lexuesit, për rendësinë e letërsisë së realizuarë, letersisë së vertetë.
Libri në fakt kthehet kështu në një him për vetë Librin, për letersinë e vertetë, duke e bërë të qartë përgjegjshmërinë e vështërsive të procesit krijues për të arritur letersinë e vertetë.
Libri juaj është një libër origjinal, a one-off book, i shkruar me një kapricio të guximshme, për të krijuar një vepër të pangjashme me librat e tjerë. Ky guxim është për t’u lavdëruar, me gjithë riskun që mbart në vetvete.
Libri kërkon që të lexohet nga një lexues i kujdesshëm dhe i mirëorjentuar në lexime. Nuk është libër për lexuesit e lehtë.
Ju uroj suksese juve dhe librit. Shkronjat e këtij libri duhet të jenë të kënaqura nga autori që i ka trajtuar ato me përgjegjësine e krijesave të gjakut të vet dhë të ADN-së së vet. Rudolf Marku/ KultPlus.com
Libri poetik i Rudolf Markut, “Rrathë të brendashkruar”, botuar së pari nga Shtëpia Botuese “Onufri”, Tiranë, në vitin 2020, botohet këto ditë në Athinë, Greqi, prej Shtëpisë Botuese prestigjioze të vendit fqinj, Vakxikon Publishing House, një Shtëpi botuese që ka publikuar më parë autorë si Elitis, Kavafis, Seferis, Pablo Neruda e shumë emra të tjerë të majave të poezisë greke dhe botërore.
U kujtojmë lexuesve se po ky libër poetik i Rudolf Markut pat qenë botuar në vitin 2021 dhe në Texas, Dallas, prej Mundus Artium Press, me një tirazh mbi 5000 kopje, dhe ka pasur review të suksesshme e tepër favorizuese nga kritika amerikane.
Libri është botuar bilingual, greqisht-shqip, dhe është përkthyer nga Petros Çerkezis, i krahasuar dhe me variantin anglisht të poezive.
Më poshtë po sjellim dy Book Review të shtypit grek në lidhje me botimin e Rudolf Markut në Greqisht.
Poezia e Rudolf Markut është Arti më i shenjtëruar, është një religjion që nuk posedon Tempuj, dhe është gjeometri e asaj që nuk shpjegohet, është himn i udhëtimi të Argonautëve modern drejt rrugës së pafundësisë, por janë dhe endjet e brendshme të shpirtit dhe Himni i Natyrës që mbart të Bukurën dhe Përjetësinë.
Që të shkelësh në Tokë (me siguri), njëra këmbë duhet të qëndrojë jashtë saj, na thotë Nobelisti ynë Odysseas Elytis. Por këmbën tjetër, në çdo tokë që ai shkel, në atë të Londrës a të Ballkanit, Rudolf Markut ia ka rrëmbyer Universi, Gjithësia.
Ekziston një muzikë e brendshme gjithë harmoni, e lirë nga dogmat, me guximin kokëkrisur të lakuriqësisë, me guximin e goditjeve vertikale, me qëndisjet e fjalës.
Në përmbledhjen ‘Rrathë të Brendashkruar’ ka poezi që klithin, që ulërijnë, që të tërheqin me forcë, që të bëjnë të qash dhe poezi të tjera, që pajtojnë Lashtësinë me të Ardhmen dhe gjithashtu Njeriun me Fatin e vet, poezi që na prekin, na magjepsin, që na bëjnë të buzëqeshim ose na trishtojnë, sepse Tirana ‘nuk është më qytet ku ke dëshirë të jetosh’, siç thuhet në një parafrazim të poetit anglez John Betjeman.
Dhe vetë poeti thotë:
Pa e ditur se shiu bie prej vitesh më parë, Tridhjet’ e ca vite, me rrebesh dhe furtunë, Tridhjet’ vite që njerëzit nuk ngren sytë nga yjet, Tridhjet’ vite që njerëzit janë më t’vetmuar se kurrë!
Ndërsa një javë më parë se të botohej libri, poeti, kritiku dhe botuesit Nestoras Poullaikos pat shkruar kështu në një artikull që paralajmëronte botimin së shpejti të poezive të Rudolf Markut në Greqi:
Rrathë të Brendashkruar: poezia e Markut, është muzika e shpirtit të tij. Buron spontanisht dhe është e menjëhershme. Kjo poezi ka teknikë tepër shqiptuese dhe shkruhet si frymë; për këtë arsye shpaloset në letër, dhe jo në mekanizma qe nuk kanë shpirt. Marku adhuron të bukuren dhe hyn në të përmes fjalës plot hir, gjen çelësin e duhur që të hap portën mistike, jo vetëm të subjektit cilësor, por edhe të detajit krijues që është i lidhur dhe e ndërtrupëzuar me metaforën dhe simboliken.
Peizazhet e tij janë të pafundme;- është gjeografia globale, është tërë universi… Arkitektura e veprës së tij është e projektuar nga dëshirat e njeriut modern. Kombinon të vërtetën me të bukuren, fantazinë me të vërtetën… Poeti i çargjë fjalët plot e përplot me emocion, duke kombinuar elementët historikë me përditshmërinë, për të arritur metaforikisht shprehjen e njeriut modern!
Fituesi i edicionit të parë të Çmimit Kadare me romanin “Tre divorcet e zotit Viktor N.” vjen rishtas për lexuesin shqiptar me një tjetër roman të spikatur. Kritikët e cilësojnë si romanin më të mirë të autorit, e të tjerë e rendisin mes atyre që qëndrojnë në plejadën e letërsisë shqie. Heroina e romanit të Rudolf Markut tërhiqet në tokën shqiptare, për të tejkaluar Penelopën greke.
Ai që kishte nisur si një udhëtim njohës dhe eksplorues, do të ndryshonte kryekëput jetën e Rozës, adoleshentes së bukur gjermane. Gjatë kthimit me shoqet nga Amerika në Dubrovnik, një violinist i famshëm do t’i vardisej gjimnazistes së lindur dhe rritur në Mynih, por do të ishte pikërisht një shqiptar që do t’i rrëmbente zemrën. Martini, një inxhinier simpatik dhe sportiv i diplomuar në vendin e saj, nuk i premtoi asnjë gjë nga ato që përjetoi vajza e re në tokën e huaj, por në fund të fundit, askush nuk ishte i përgatitur për atë që iu bëri komunizmi të përjetonin.
Edhe pse duket sikur tematika e historive, vuajtjeve, dhimbjeve, privimeve dhe humbjeve të jetëve që solli diktatura komuniste në vendin tonë janë përfolur dhe shkruar, romane si ai i Rudolf Markut kumbojnë fort duke treguar se dritëhijet dhe të pathënat janë akoma të shumta. Kanë qenë aq të shumta fatet tragjike njerëzore, sa gjithmonë mbetet diçka e re për t’u thënë e parrokur më parë, por mbi të gjitha ky autor sjell dimensione krejt të reja.
“Hapje e stinës së letërsisë për të huajt”, do ta cilësonte shkrimtari Marsel Hila romanin “Zemra është një vend i vetmuar”, në promovimin e tij në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës. Sipas tij, duhet më shumë sensibilizim, për të marrë përsipër trajtimin e fateve tragjike të të huajve që komunizmi i izoloi në Shqipëri.
“Është një inagurim i madh që personazhi kryesor është një i huaj që vuan padrejtësisht. Duhet ta përgëzoj autorin dhe inkurajoj të tjerët ta ndjekin, pasi kjo tokë rezervon surpriza. Është një mision t’i sjellësh këto personazhe në letërsi, e kryesisht gratë”, vazhdoi ai më tej.
Autori i disa vëllimeve poetike, romaneve, shkrimeve publicistike dhe përkthyes i shumë shkrimtarëve të njohur të shekullit XX, njëkohësisht fitues i dica çmimeve letrare, vendos në qendër të veprës një heroinë, një grua dhe nëpërmjet historisë së saj sjell tmerret e një kohe, por pavarsëisht se deri ku shkon e keqja, fundin e rezervon shpresa. Autori thotë se romani ka shtrirje kohore dhe gjeografike. Ngjarjet vendosen në disa qytete, si Berlini, Dubrovniku, Lezha e Shkodra, dhe në tre periudha kohore, para, gjatë dhe pas komunizmit. Heroina e romanit, është më shumë se Penelopa e famshme e antikitetit grek që priste Odiseun nga lufta, pasi e goditur nga përdhunimi dhe shkelja e dinjitetit njerëzor, kapej më fuqishëm pas dashurisë për burrin e saj të mbyllur në burgjet e komunizmit, duke e pritur atë për 3 dekada.
Siç do të vlerësonte kritiku Bujar Gjoka, romani ka në sfond luftën, por në vetëvete trajton dashurinë. Duke cituar Kunderën, që thoshte se nëse e keqja harrohet ka tendencën të përsëritet në formë edhe më të tmerrshme, Gjoka u shpreh se ne ende gjendemi në një zhgjëndërr sepse ëndrra e pas viteve ’90 nuk ishte e tillë. Sipas tij është i nevojshëm ky kthim pas, ky digresion estetik, për të kujtuar. “Mbeti shumçka, por prapë ne kemi pengje që duhet t’i ndajmë me njëri-tjetrin. Duhet t’i ndajmë siç ndahet buka, siç ndahet koha, siç ndahen kujtimet. Është padyshim romani më i mirë i Rudolfit: udhëton në ferr për të sjellë dritë, udhëton në makabritet për të sjellë dashuri, udhëton në shkatërrimin e qenies njerëzore për të dhënë shpresë”.
Pedagogu dhe kritiku letrar, Gëzim Basha në parathënien e librit shkruan se është romani më i mirë i Rudolf Markut por padyshim hyn edhe në romanet më të mirë të letërisë shqipe, në jo vetëm 3 dekadat e fundit. Dy kozmopolitë në një vend të izoluar, të cilët paguajnë një tagër të rëndë thotë më tej kritkiu, duke e cilësuar si një roman për fatet njerëzore.
“Me një prozë poetike plot precizion, ky roman fatidik eksploron pasojat që shkaktojnë tek individi kthesat e papritura të fatit, traumat e mbijetesës nën peshën e poshtërimit, rrëzimet e befta dhe përpjekjet e mundimshme për ta ruajtur integritetin personal si esence humane, jashtë ethosit politik të ditës”, shkruan Basha.
Autori falenderoi miqtë e tij, por edhe botuesin Henri Çili për sensibilitetin që ka për të promovuar letërsinë shqiptare, duke iu dhënë hapësirë autorëve në vend. Sipas tij, krijohet një disproporcion në kurrizin e letërsisë shqipe, duke u fokusuar te të huajt apo nobelistët, që sipas Markut është tregues i psikologjisë së izolimit që shqiptarët ende nuk e kanë hequr prej trupit të tyre. “Nuk është një një libër për diktaturën, qëndron mbi politikën”, thotë autori.
“Është një libër për të keqen që ka pasur dhe ka shoqëria shqiptare, për njëlloj ashpërsie të pazakonshme. Për një ferr që ne e kemi ndërtuar me duart tona. Një shoqëri që është më e vrazhdë se ferri i Dante Aligherit”, shprehet Marku. Romani është një fiction mbi realitetin. “Personazhet i kam njohur realisht dhe historia e tyre më ka prekur dhe më ka shtyre për të shkruar këtë libër”, shton ai duke theksuar se nuk ka pretenduar të vërtetën, pavarësisht se letërsia dhe arti kanë një borxh estetik ndaj të saj./bota.al / KultPlus.com
Përderisa në jetën e përditshme vitet shihen si ngjarje, në letërsi gjithçka ‘dokumentohet’ sipas ndjenjave. Kësisoj, periudhat e ndryshme të letërsisë shqiptare janë kurorëzuar me emra shkrimtarësh, të cilën guxuan ta sfidojnë veten, për t’i bërë të tjerët të gjejnë veten në fjalën e tyre të shkruar.
Shumë shpesh, ky ‘sfidim’ doli përtej përshtypjeve të lexuesve dhe hyri suksesshëm në shinat e vlerësimeve profesionale. Në vitin e brishtë të botës dhe të lulëzimeve të krijimtarisë, vargu i Rudolf Markut u kurorëzua duke u vlerësuar me një çmim, i cili u dhurua për herë të parë në Shqipëri.
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit çmoi poezinë e Rudolf Markut, duke e bërë që ky autor të fitoj çmimin “Poeti Laureat Shqiptar”.
Juria profesionale vlerësoi se vargu i tij ka arritur të shpreh me një gjuhë të përshtatshme atë që mbetet përherë te njeriu, duke dalur përtej konteksteve historike, politike e gjeografike. Ndër të tjera, Markut nëpërmjet këtij çmimit iu vlerësua edhe përkthimi i shumë kryeveprave të poezisë botërore në gjuhën shqipe.
Andaj, KultPlus për intervistën e fundvitit në mesin e shumë personazheve të suksesshëm, ka zgjedhur edhe Poetin Laureat shqiptar. Shkrimtari Rudolf Marku përveç që ka një penë që flet shumë nëpërmjet saj, ai tregohet edhe tejet modest për këtë sukses, duke e parë këtë arritje më shumë si një vlerësim për poezinë shqipe.
“Çmimi “Poet Laureat” do të jetë një përmendje për rivlerësimin e madh të rolit të poezisë, sidomos në një vend si i yni, ku poezia ka qenë që në fillimet e para të shkrimit, në ballë të artikulimit të madh shpirtëror”, nis rrëfimin e tij Marku.
Tutje, teksa flet për këtë çmim, Marku vlerëson se poezia është duke u nënvlerësuar nga zhanret e tjera artistike.
“Ka kohë që poezia tek ne ka filluar të shihet si diçka e dalëmode, e shkuar, e vjetër, si ballot te Rostovët- do thoshte një poet i njohur ballkanik. Mirëpo, letërsia dhe artet gjithmonë kanë provuar se janë përtej modave dhe trendeve të përkohshme. Në krye të gjithë arteve ka qëndruar poezia- si një totalart- si ngjyra e të gjitha ngjyrave”, shprehet Rudolf Marku.
Marku si poeti i parë Laureat shqiptar do të promovojë për dy vite radhazi poezinë shqipe, teksa këtë e sheh si përgjegjësi në vete. Mirëpo, përbrenda një shoqërie me tipare jo të mira, poezia për të mbetet një shërim.
“Jetojmë në një shoqëri materialiste dhe të pushtuar nga Amnesia, në një shoqëri me një banalitet arrogant dhe me një mendjetrashësi të shpërblyer me poste të larta dhe me vlera monetare marramendëse. Poezia është antidoti i kësaj, është antikorpi i këtij virusi moral dhe shpirtëror. Të flasësh për poezinë dhe bukurinë e saj do të thotë se ke folur padashje dhe për mospranimin e banalitetit në çfarëdo forme që shfaqet ky banalitet”, vlerëson shkrimtari.
Përveç këtij çmimi, ky vit ishte i frytshëm për Rudolf Markun edhe në aspektin e botimeve artistike. Vëllimi poetik “Rrathë të brendashkruar” dhe romani “Pritja” u shtuan përgjatë 2020-ës në raftet e artdashësve të këtij autori.
“Ashtu si pjesën më të madhe të Poezive të librit “Rrathë të brendashkruar”, i kam shkruar brenda vitit 2020, edhe romanin “Pritja” e kam shkruar këtë vit. Çuditërisht vitet e mbrapshta në planin njerëzor janë vite të mbara në krijimtari”, shprehet për KultPlus Rudolf Marku.
Përderisa nga Covid-19 e gjithë bota jetoi në një ‘cenzurë’ të rrjedhës jetësore, Rudolf Marku këtë ndjenjë në raport me letërsinë e kishte shijuar qyshmoti. Në vitin 1973 vëllimi poetik “Shokët e mi” ndalohet nga qarkullimi, duke i gdhendur në kujtesën e shkrimtarit dallimet mes lirisë dhe censurës në krijimtari.
“Censura e paimagjinueshme që iu imponua krijuesve shqiptarë sidomos në vitet 1973 deri në vitet 1987-1988, bëri që letërsia shqipe, në pjesën më të madhe të saj, të asfiksohej dhe të denatyralizohej. Këtë censurë të pakrahasueshme me asnjë censurë tjetër në botë nuk duhet ta harrojnë gjykatësit e rremë puritanist moralizues të letërsisë”, vlerëson Rudolf Marku.
Por, anipse shumica e autorëve iu nënshtruan një ‘ndalese’ letrare, Marku i sheh ata dhe ato si krijuesit më të rëndësishëm të periudhës post diktatoriale.
“Duket se përvoja e censurës të jep përgjegjësi më të madhe për ta vlerësuar dhe menaxhuar – dhe jo për ta shpërdoruar- lirinë për krijimtarinë dinjitoze, po ashtu si ai që ka provuar urinë ekstreme që ia di më mirë vlerën bukës”, thotë Marku, duke aluduar për brezin e tij.
Në anën tjetër, Rudolf Marku pajtohet me domosdoshmërinë e shkrimit, botimit dhe shfaqjes të periudhës së komunizmit nëpërmjet artit. Ai thekson se kjo pjesë e historisë shpesh harrohet, madje as nuk shkruhet mjaftueshëm për të.
“Është një fenomen i natyrshëm i letërsisë serioze që periudhat traumatike të popujve të jenë në qendër të krijimtarisë letrare. Lufta e dytë botërore është tema e mijëra librave, filmave, pikturave. Tema e komunizmit tek ne sapo ka filluar të shkruhet. Mendoj se është një temë që ka për të prekur, me të drejtë, fantazinë krijuese të shumë breza shkrimtarësh shqiptar të ardhshëm”.
Në anën tjetër Marku përveç që i ka rezistuar kohës së censurës komuniste, ai tani po i bën ballë edhe largësisë gjeografike ndaj Shqipërisë. Por jetesa në Angli nuk po ndikon fare në ‘afrinë’ e frymëzimeve artistike në gjuhën e tij.
“Çdo shkrimtar jeton në gjuhën në të cilën shkruan. Naim Frashëri ka shkruar në shqipen më të kulluar duke jetuar në Stamboll pjesën më të madhe të jetës së vet! Po ashtu dhe Konica dhe Noli. Pastaj dhe vetë Bota, në kuptimin gjeografik, po bëhet gjithnjë e më e vogël në kuptimin e komunikimit modern. Me avion, më duhen veç dy orë e gjysmë të vij në Tiranë nga Londra. Më kanë thënë se nga Tirana duhen të paktën nja 4 orë udhëtim me makinë që të arrish në Sarandë a Gjirokastër!”, shpjegon Rudolf Marku.
Për gjendjen e letërsisë, Rudolf Marku vlerëson se siç ka qenë prezente përherë, edhe tanimë frymon rreziku i tërheqjes pas krijimeve të lehta. Për të, kundërshtarët ndihmojnë nëpërmjet fjalëve të tyre, duke ua bërë me dije autorëve se ku kanë gabuar; ndërkaq vlerësuesit e drejtë të një vepre janë kritikët dhe studiuesit e letërsisë. Por, Marku gjendjen e vlerësimit të veprave te ne e sheh përtej këtij realiteti të duhur.
“Te ne, hierarkinë e vlerave letrare e përcaktojnë kanalet televizive, me të njëjtat ligje që përcaktojnë përse duhet të blihet më parë një detergjent nga një tjetër a një lavatriçe më parë nga një lavatriçe tjetër”, vlerëson shkrimtari nga Shqipëria.
Në anën tjetër, ai thekson se në trojet shqiptare ekziston një letërsi e mirëfilltë dhe e mbushur me vlera. Por, gjendja është ndryshe në rrafshet institucionale
“Te ne kritika dhe institutet e studimeve të letërsisë; sidomos shkollat dhe universitetet kanë një përgjumje të dhimbshme ose ç’orientuese”, shprehet autori i romanit “Pritja”.
Teksa po lë pas vitin e brishtë të 2020-ës, Rudolf Marku ka plane për vitet që do të vinë. Ai do t’ia dhuroj autorësinë e tij disa veprave poetike si dhe do të përmbledh tre antologji.
Antologjia e parë synohet të jetë në përbërje të 185 poezive të autorëve shqiptarë e të huaj (po aq ditë sa një vit shkollor) dhe t’iu drejtohet nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve universitar.
“Vepra e dytë do të jetë një antologji e poezisë moderne shqiptare e Luftës së Dytë, nga 1960 deri në vitin 1991”, thotë Marku për antologjinë e dytë.
Ndërsa antologjia e tretë do të jetë një vepër gjithëpërfshirëse për poezinë shqipe nga fillimet e deri tek poezia bashkëkohore.
Në anën tjetër, përveç si ‘përmbledhës’ të krijimeve të të tjerëve, Rudolf Markun do ta shohim edhe me libra të tjera me autorësinë e tij. / KultPlus.com
Shkrimtari shqiptar në Londër, Rudolf Marku u shpall dje nëpërmjet një ceremonie mbajtur në Ministrinë e Kulturës, Poeti Laureat shqiptar.
Ai është autor i disa vëllimeve poetike, romaneve, shkrimeve publicistike dhe përkthyes i shumë autorëve të njohur të shekullit XX. Poezitë e Rudolf Markut janë përkthyer dhe botuar në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht dhe në disa gjuhë të tjera.
Përgjatë dy viteve, 2020-2022, ai do të jetë në krye të një fushate për të promovuar poezinë shqipe. Komiteti i këtij vlerësimi e shoqëroi vendimin me këtë motivacionin: “Ka arritur të ndërtojë një vepër të pasur dhe koherente përtej konteksteve historike, politike dhe gjeografike në të cilat ka jetuar poeti, duke shprehur me gjuhën e përshtatshme atë çka është e qëndrueshme te njeriu. Në motivacionin për Poetin Laureat është vlerësuar edhe shërbimi i çmuar që i ka bërë ai kulturës kombëtare, duke sjelle në shqip shumë nga kryeveprat e poezisë botërore”./ KultPlus.com