Fondacioni Hajde, Ministria e Kulturës dhe Komuna Skenderajt, kanë shpallur projektin fitues për konservimin dhe restaurimin e Shtëpisë së Kulturës në Runik.
Ky projekt është cilësuar si një hap i rëndësishëm drejt rikthimit të Shtëpisë së Kulturës në Runik si një qendër bashkëkohore kulturore dhe një simbol i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore në vend.
Sipas një njoftimi ky vendim është marrë pas një pune disa mujore, projekt ky që paraqet një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe komunitetit të pavarur.
“Procesi i punës për detyrën projektuese për ShKR ka nisur me organizimin e punëtorisë me komunitetin e fshatit të Runikut përmes të cilit janë identifikuar nevojat dhe dëshirat e komunitetit rreth së ardhmes së Shtëpisë së Kulturës. Më pas, janë organizuar takime të shumta me grupin tonë punues për finalizimin e detyrës projektuese bazuar në rekomandimet e nxjerra nga punëtoritë. Në përfundim, është hapur thirrja publike për projek-propozime përmes së cilës kemi pranuar tri projekte të cilat janë vlerësuar me kujdes nga juria profesionale. Sot, kemi kënaqësinë të shpallim vendimin unanim të jurisë: Vendi i parë-“ARS ATELIE” dhe vendi i dytë-“DIEFORM””, thuhet në njoftim.
Juria për përzgjedhjen e këtij projekti është përbërë nga ekspertë lokalë dhe ndërkombëtarë në fushën e Trashëgimisë Kulturore, Arkitekturës, Artit dhe Kulturës:
Donjetë Murati – Sociologe, Florina Jerliu – Prof. Asoc. Dr. në Fakultetin e Arteve, Universiteti i Prishtinës, Jürgen Mayer – Arkitekt dhe Artist, Petrit Halilaj – Artist dhe Themelues i Fondacionit Hajde, Merita Augustini – Udhëheqëse e Divizionit për Trashëgimi Arkeologjike dhe Arkitekturale dhe Sali Shoshi – Drejtor i CHWB.
Me këtë rast juria profesionale ka konklduar:
-Projekti fitues përputhet më së miri me ambicien e Fondacionit Hajde! për të krijuar një qendër të hapur dhe dinamike për angazhim dhe shprehje kulturore dhe shoqërore në Runik.
-Propozimi respekton kujtesën kolektive dhe strukturën origjinale historike që ka mbetur nga Shtëpia e Kulturës së Runikut, duke e plotësuar me dimensione të reja që lehtësojnë mënyra bashkëkohore të ndërveprimit.
-Projekti është në harmoni me kushtet materiale në dispozicion, duke ftuar artikulime dhe përshtatje të reja përmes dialogut të ngushtë me komunitetet e Runikut.
-Projekti fitues ka potencialin të rrezatojë përtej Runikut, duke zgjeruar kuptimet kolektive se çfarë dhe për kë mund të jetë një hapësirë publike./ KultPlus.com