Shkrimtari Salman Rushdie ka mbajtur një fjalim publik, nëntë muaj pasi u godit me thikë dhe u plagos rëndë në skenë.
Ai ka paralajmëruar se liria e shprehjes në Perëndim është nën kërcënimin më të rëndë në jetën e tij.
Rushdie e dha një video-mesazh për British Book Aëards, ku iu dha çmimi “Freedom to Publish” mbrëmjen e së hënës. Organizatorët thanë se çmimi në fjalë “pranon vendosmërinë e autorëve, botuesve dhe librashitësve që mbajnë qëndrim kundër intolerancës, pavarësisht kërcënimeve të vazhdueshme me të cilat përballen”.
Ndërsa Rushdie nga ana tjetër theksoi se “ne jetojmë në një moment, mendoj unë, në të cilin liria e shprehjes, liria e botimit nuk ka qenë në jetën time nën një kërcënim të tillë në vendet e Perëndimit”, shkruan Associated Press, transmeton Klankosova.tv.
“Tani jam ulur këtu në SHBA, më duhet të shikoj sulmin e jashtëzakonshëm ndaj bibliotekave dhe librave për fëmijët në shkolla,” tha ai. “Sulmi ndaj idesë së vetë bibliotekave. Është jashtëzakonisht alarmant, dhe ne duhet të jemi shumë të vetëdijshëm për të dhe të luftojmë kundër tij shumë fort.”
Rushdie, 75 vjeç, u verbua në njërin sy dhe pësoi dëmtim nervor në dorën e tij kur u sulmua në një festival letrar në shtetin e Nju Jorkut në gusht. Sulmuesi i tij i dyshuar, Hadi Matar, është deklaruar i pafajshëm për akuzat për sulm dhe tentativë për vrasje, transmeton Klankosova.tv.
Rushdie kaloi vite të tëra duke u fshehur me mbrojtjen e policisë pasi Ajatollah i Madh i Iranit Ruhollah Khomeini lëshoi një fetva, ose dekret, në vitin 1989 duke bërë thirrje për vdekjen e tij për blasfeminë e supozuar të romanit “Vargjet Satanike”, transmeton Klankosova.tv.
Në fjalimin e tij, Rushdie kritikoi gjithashtu botuesit që ndryshojnë librat me dekada të vjetër Ai tha se botuesit duhet të lejojnë që librat “të vijnë tek ne nga koha e tyre dhe të jenë të kohës së tyre”.
“Dhe nëse kjo është e vështirë për t’u marrë, mos e lexoni, lexoni një libër tjetër”, tha ai./KultPlus.com