Joe Biden e akuzon për gjenocid Putinin

Joe Biden ka akuzuar Rusinë për kryerjen e gjenocidit në Ukrainë, duke thënë se Vladimir Putin ka kryer krime lufte, përcjell KultPlus.

Biden ka qenë vazhdimisht i hapur në denoncimin e vrasjes me shumicë ruse të civilëve ukrainas, duke e etiketuar Putinin si “kriminel lufte” në mes të marsit.

Hetime të shumta janë duke u zhvilluar për mizoritë ruse në Ukrainë, të cilat përfshijnë rrënimin e Mariupolit dhe ekzekutimet e civilëve në periferi të Kievit, Bucha.

Prokurori në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë hapi një çështje në shkurt duke thënë se kishte “një bazë të arsyeshme për të besuar se në Ukrainë janë kryer si krime lufte ashtu edhe krime kundër njerëzimit”.

Për të vërtetuar një gjenocid, sipas Konventës së Gjenocidit të vitit 1948 thuhet se një një njeri ose dikush i akuzuar duhet të shkatërrojë tërësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar. /KultPlus.com

Finlanda e Suedia po përpiqen të anëtarësohen në NATO, kërcënohen nga Rusia

Ndërsa Finlanda dhe Suedia konsiderojnë anëtarësimin në NATO, Kremlini ka paralajmëruar se zgjerimi i aleancës nuk do të sjellë më stabilitet në Evropë.

“Ne kemi thënë vazhdimisht se vetë aleanca është më shumë një mjet për konfrontim. Kjo nuk është një aleancë që siguron paqe dhe stabilitet dhe zgjerimi i mëtejshëm i aleancës, natyrisht, nuk do të çojë në më shumë stabilitet në kontinentin evropian”, tha sot zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Zyrtarët e NATO-s i thanë CNN se diskutimet për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në bllok janë bërë jashtëzakonisht serioze që nga pushtimi i Rusisë. Zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA thanë se çështja doli në takimin ministror të NATO-s të kësaj jave, ku morën pjesë ministrat e jashtëm nga Stokholmi dhe Helsinki.

Qeveria finlandeze do të paraqesë një dokument sigurie që përfshin një anëtarësim të mundshëm në NATO për diskutim parlamentar të mërkurën, njoftoi të hënën Ministri i Jashtëm i vendit.

“Kjo i jep Parlamentit tani një mundësi për të diskutuar të gjitha aspektet e anëtarësimit të mundshëm në NATO dhe/ose zgjidhje të tjera të sigurisë. Dhe më pas bazuar në atë debat, sigurisht, qeveria do të nxjerrë përfundimet së bashku me Presidentin e Republikës”, u tha Pekka Haavisto gazetarëve përpara takimit të Ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg.

Haavisto shtoi se ishte “e rëndësishme” që Suedia fqinje po ndjek një “proces të ngjashëm” për të cilin ai pret të marrë kohë. “Por sigurisht që ne shkëmbejmë informacione gjatë gjithë kohës dhe, shpresojmë, nëse marrim lloje të ngjashme vendimesh, ne mund t’i bëjmë ato në të njëjtën kohë”, tha ai./ KultPlus.com

Protestoi kundër pushtimit në Ukrainë, gazetarja ruse punësohet në Evropë

Gazeta gjermane ‘Die Welt’ ka punësuar gazetaren ruse Ovsyannikova, 43 vjeç, e cila protestoi kundër pushtimit të Ukrainës nga Rusia, gjatë edicionit të lajmeve në mbrëmje.

E përditshmja gjermane deklaroi se gazetarja ruse do të jetë një korrespondente e pavarur për Die Welt, duke raportuar lajme nga Ukraina dhe Rusia, si dhe do të jetë një bashkëpunëtore e rregullt në kanalin e saj televiziv të lajmeve.

Ovsyannikova, një redaktore në televizionin rus të Channel One, u shfaq në setin e lajmeve të mbrëmjes së saj kryesore Vremya (Time) në mars duke mbajtur një poster që lexonte “No War” në anglisht. Ishte një ngjarje shumë e pazakontë në Rusi, ku media shtetërore kontrollohet rreptësisht.

Pas protestës së saj, ajo u ndalua dhe u mor në pyetje për 14 orë përpara se të lirohej dhe u urdhërua të paguante një gjobë prej 30,000 rubla (280 dollarë).

Por ajo mund të përballet me ndjekje të mëtejshme, duke rrezikuar vite burg sipas ligjeve të reja. / KultPlus.com

Kurti përfshihet me liderët botërorë për të dërguar mesazh të fortë uniteti dhe solidariteti në Ukrainë (VIDEO)

Në një video të shpërndarë nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, janë të përfshirë liderë nga e gjithë bota që po dënojnë agresionin rus nga Vladimir Putin në Ukrainë, shkruan KultPlus.

“Më shumë se 10 milionë njerëz duhej të largoheshin nga bombat e Putinit dhe të kërkonin strehim brenda Ukrainës ose në vendet fqinje. Dje bota u bashkua me një mesazh të fuqishëm uniteti dhe solidariteti. Të dashur popull ukrainas, qëndroni të fortë. Ne jemi me ty. Ne #QendrojmëPërUkrainën”, shkruhet në postimin e Ursula Leyen.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili shihet përkrahë liderë botërorë përfshirë këtu kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson dhe vetë Volodymyr Zelenskyn, shihet duke thënë se Kosova është rreshtuar krahë shteteve më demokratike të botës dhe i ka vënë sanksione Rusisë.

“Kosova është bashkuar së bashku me vendet më demokratike në botë për t’i vënë sanksione ndaj Rusisë. Që të qëndrojmë me Ukrainën, ne jemi zotuar që të pranojmë 5 mijë refugjatë ukrainas dhe gjithashtu kemi shprehur gatishmërinë tonë për t’i strehuar 20 gazetarë nga Ukraina”. /KultPlus.com

Serbia voton ‘pro’ pezullimit të Rusisë nga OKB, Rama: Lajm i mirë për rajonin

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara të enjten pezulloi Rusinë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut për shkak të raporteve për “shkelje të rënda dhe sistematike dhe abuzime të të drejtave të njeriut” nga pushtimi i trupave ruse në Ukrainë, raporton Reuters, përcjell KultPlus.

Për këtë çështje ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke folur për rrështimin e Serbisë me Perëndimin.

“Pezullimi i Rusisë nga Human Rights Council në OKB refuzim i fortë për të pranuar shkeljen brutale të çdo lirie e të drejte dhe krimet mizore të luftës në Ukrainë.Rreshtimi i Serbisë përsëri me Perëndimin në këtë përshkallëzim të ri kundër agresionit rus, lajm i mirë për rajonin!”, ka shkruar ai.

Propozimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u votua pro nga 93 anëtarë, derisa 24 vende votuan kundër dhe 58 të tjera abstenuan. /KultPlus.com

OKB-ja pezullon Rusinë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara të enjten pezulloi Rusinë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut për shkak të raporteve për “shkelje të rënda dhe sistematike dhe abuzime të të drejtave të njeriut” nga pushtimi i trupave ruse në Ukrainë, raporton Reuters, përcjell KultPlus.

Propozimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u votua pro nga 93 anëtarë, derisa 24 vende votuan kundër dhe 58 të tjera abstenuan.

Befasia në këtë votim ishte rreshtimi i Serbisë përkrah vendeve perendimore, duke votuar “pro” pezullimit të Rusisë nga OKB-ja.

Pezullimet janë të rralla. Libia u pezullua në vitin 2011 për shkak të dhunës kundër protestuesve nga forcat besnike të liderit të atëhershëm Muammar Gaddafi.

Rezoluta e miratuar nga drafti i Asamblesë së Përgjithshme prej 193 anëtarësh shpreh “shqetësim të madh për krizën e vazhdueshme të të drejtave të njeriut dhe humanitare në Ukrainë”, veçanërisht për raportet për abuzime të të drejtave nga Rusia. /KultPlus.com

Thirrja e Klitschkos për Perëndimin: Çdo euro që e këmbeni me Rusinë është gjak ukrainas

 

Kryebashkiaku i Kyivit, Vitali Klitschko, u ka kërkuar politikanëve europianë që të ndërpresin të gjitha lidhjet tregtare me Moskën, duke thënë se pagesat ndaj Rusisë janë të mbuluara me “gjak” dhe ndihmojnë për të financuar ushtrinë e saj.

“Çdo euro, çdo cent që merrni ose dërgoni në Rusi ka gjak; janë para të përgjakshme dhe gjaku i këtyre parave është gjaku i Ukrainës. Gjaku i popullit ukrainas”, tha Klitschko, raporton BBC.

Klitschko gjithashtu përshkroi “gjenocidin e ukrainasve” pas një vizite në Bucha këtë javë.

Ai thotë se pa civilë të vdekur, duke përfshirë një grua të moshuar, dhe një makinë me një flamur të bardhë dhe shkronjat “fëmijë” nga jashtë që ishin qëlluar dhe kishte gjak brenda. / Gazeta Express / KultPlus.com

Zelensky viziton Buchan, thotë se Rusia ka kryer gjenocid në Ukrainë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka vizituar Buchan, pas shfaqjes së imazheve të civilëve të vrarë.

Ai vizitoi rrugën në të cilën një kolonë ruse ishte në pritë, si dhe foli me banorët vendas, raporton BBC.

Zelensky përsëri tha se Rusia ka kryer krime lufte dhe gjenocid në Ukrainë.

Ai u pyet nga gazetarët nëse ende ka gjasa që të vazhdojnë negociatat për paqe, ku u përgjigj: “Po, sepse Ukraina duhet të ketë paqe. Ne jemi në Evropën e shekullit të 21-të. Ne do të vazhdojmë përpjekjet diplomatike dhe ushtarake”. /Zëri / KultPlus.com

Regjime gjenocidale në Ukrainë, Kurti: Rusia duhet të mbajë përgjegjësi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar për luftën dhe gjenocidin që po ndodhë në Ukrainë nga pushtimi rus, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Twitter”, i pari i ekzekutivit ka shkruar se autorët e masakrave duhet të sillen përpara drejtësisë dhe të mbajnë përgjegjësi.

“Varrezat masive, njerëzit e vrarë brutalisht me gjymyrë të humbur, shtëpi të djegura dhe qytete të kthyera në rrënoja janë të gjitha skena të njohura nga regjimet gjenocidale. Autorët e Masakrës Bucha duhet të sillen para drejtësisë dhe Rusia duhet të mbajë përgjegjësi”, ka deklaruar Kurti.

Ukraina ka akuzuar Rusinë për kryerjen e vrasjeve në qytetet afër Kievit, duke përfshirë Bucha, Irpin dhe Hostomel, me presidentin Volodymyr Zelenskyy që i cilësoi forcat ruse si “vrasës, torturues dhe përdhunues” që po kryenin “gjenocid” në vendin e tij. /KultPlus.com

Zelensky për bisedimet e paqes: Për momentin vetëm fjalë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka dhënë një përditësim mbi bisedimet e paqes midis Kievit dhe Moskës, përcjell KultPlus.

Presidenti deklaroi se se bisedat po vazhdojnë, por “për momentin ka vetëm fjalë, asgjë konkrete”.

Zelensky gjithashtu tha se trupat ukrainase po përgatiten për bombardime të reja nga Rusia në rajonin e Donbasit.

Ukraina propozoi një plan që nuk do të shihte baza ushtarake të huaja në territorin e saj, si dhe një fund të ambicieve të saj të aleancës ushtarake.

Është paralajmëruar edhe një referendum i mundshëm nga Ukraina. /KultPlus.com

CNN: Rusia ka filluar tërheqjen e disa prej forcave të saj nga rrethi i Kievit

Televizioni amerikan CNN po raporton se Rusia ka filluar tërheqjen e disa prej forcave të saj ushtarake nga rrethina e Kievit.

Gazetari i CNN, Jim Sciutto, ka raportuar disa nga forcat ruse kanë filluar tërheqjen e disa forcave të saj nga rrethina e Kievit.

“Rusia po fillon tërheqjen e disa prej forcave të saj nga rrethina e kryeqytetit ukrainas Kiev”, ka shkruar ai.

Duke cituar dy zyrtarë të lartë amerikanë, gazetari Sciutto thotë se tërheqja është një ndërrim i strategjisë ruse.

Një numër i madh i makinave ushtarake me flamuj rusë raportohet se po tërhiqen nga drejtimi i Kievit.

Zëvendësministri rus, Aleksander Fomin, sot deklaroi se kanë vendosur që të ndërprejnë aktivitetin e tyre ushtarak në drejtim të Kievit. / KultPlus.com

Rusëve u lejohet sërish përdorimi i Facebook dhe Instagram

E njëjta gjykatë e Moskës që javën e kaluar ndaloi përdorimin e Facebook dhe Instagram në Rusi tani ka vendosur se qytetarët mund të përdorin platformat e mediave sociale përsa kohë që aktivitetet janë të ligjshme, sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS.

Më 21 mars, Gjykata e Tverskoy ndaloi përdorimin e platformave duke i cilësuar ato si organizata “ekstremiste” pas një kërkese të prokurorit të përgjithshëm.

Kompania mëmë “Meta” u akuzua për promovimin e thirrjeve për dhunë ndaj trupave ruse në Ukrainë.

Edhe përpara vendimit të Gjykatës, të dy shërbimet ishin bllokuar zyrtarisht për përdoruesit në Rusi, megjithëse ato mbetën gjerësisht të disponueshme përmes shërbimeve VPN.

VPN-të i lejojnë përdoruesit e internetit të anashkalojnë censurën e qeverisë për të hyrë në faqet e ndaluara.

Duke pasur parasysh statusin e tyre të errët ligjor, shumë individë që përdorën dy rrjetet sociale për të fituar para, kishin frikë për jetesën e tyre pas masave të rrepta qeveritare./ KultPlus.com

Aktori nga Hollivudi shkon në Ukrainë

Ylli i Hollivudit, Sean Penn ka vizituar Ukrainën, edhe pse vendi ka hyrë në ditën e 34-të të luftës.

Penn, i cili po ndihmon me programe bamirësie për refugjatët ukrainas, postoi një fotografi në Twitter, së bashku me guvernatorin e Lviv, Maksym Kozytskyy.

Ndryshe, një muaj më parë, aktori u fotografua në një konferencë shtypi në Zyrën Presidenciale në Kiev teksa punonte në një dokumentar në Ukrainë. /KultPlus.com

Lufta e Rusisë i ka kushtuar Ukrainës më shumë se 560 miliardë dollarë deri më tani

Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës i ka kushtuar kësaj të fundit 564.9 miliardë dollarë deri më tani për sa i përket dëmtimit të infrastrukturës, humbjes së rritjes ekonomike dhe faktorëve të tjerë, përcjell KultPlus.

Luftimet kanë dëmtuar ose shkatërruar 8,000 km rrugë dhe 10 milionë metra katrorë banesa, ka thënë Ministrja e Ekonomisë, Yulia Svyrydenko në një postim në mediat sociale.

Rusia vazhdon të thotë se po kryen një “operacion special ushtarak” në Ukrainë me qëllim të çmilitarizimit të vendit.

Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë kanë thënë se ky tregim është një justifikim për një pushtim të paprovokuar. /KultPlus.com

Reutersi përgënjeshtron Rusinë manipuluese, imazhet e postuara nuk janë të bombardimit të Serbisë nga NATO

Një fotografi e shkrepur në vitin 2003, shfaq qiellin e Bagdadit duke shndrit natën si pasojë e raketës që shpërthen mbi një ndërtesë, e ajo është shpërndarë në llogarinë e misionit të përhershëm të Rusisë në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), duke tentuar të manipulojnë sërish – kinse është fotografi nga bombardimet e NATO-s në Kosovë, që i dhanë fund luftës së Sllobodan Millosheviqit, shkruan Reuters.

Llogaria e verifikuar shpërndau imazhin gjatë 24 marsit me tekstin: “më 24 mars 1999 koalicioni i NATO-s të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, kryen agresionin e paprovokuar dhe ilegal kundër Republikës Federale të Jugosllavisë që zgjati 78 ditë”, transmeton Telegrafi.

Fotografia e përdorur në postim mund të shihet në Getty Images me një kërkim të thjesht që shkruhet: “Zjarr në ndërtesën e Këshillit të Ministrave të Saddam Husseinit, gjatë valës së parë të sulmeve në operacionin ‘Liri Irakut’, e shkrepur më 21 mars të vitit 2003 në Bagdad, Irak.

Ndryshe Shtetet e Bashkuara së bashku me NATO-n filluan bombardimet mbi caqet ushtarake të Serbisë gjatë vitit 1999, për të ndalë vrasjet masive të civilëve shqiptarë në Kosovë si dhe dëbimin e një milion qytetarëve.

NATO që më 24 mars filloi sulmet kundër makinerisë së ushtrisë dhe policisë së Sllobodan Millosheviqit, duke e goditur për 78 ditë derisa Serbia u dorëzua dhe u largua përfundimisht nga Kosova. /KultPlus.com

Rusia konfirmon numrin e ushtarëve të vrarë në Ukrainë, publikon shifrat e saj

Ministria e Mbrojtjes ruse këtë të premte ka pranuar se gjatë luftimeve në Ukrainë kanë humbur jetën 1351 ushtarë rusë.

Mediat e huaja bëjnë me dije se ky është përditësimi i parë që në momentin që ministria ruse pranoi se 498 ushtarë rusë ishin vrarë në aksion dhe 1,500 ishin plagosur në fillim të marsit.

Një shifër e konfirmuar e viktimave ruse është e mbuluar nga mjegulla e luftës, por nga analistët pritet të jetë shumë më e lartë.

Ndërkohë nga ana tjetër zyrtarët e inteligjencës amerikane dhanë këtë javë një vlerësim “konservator” se më shumë se 7,000 ushtarë rusë ishin vrarë në luftimet në Ukrainë që nga fundi i shkurtit, një numër që do të tejkalonte numrin zyrtar të vdekjeve midis ushtarakëve rusë për dy vitet e luftës së parë çeçene . e cila mbahet mend si një fushatë veçanërisht brutale dhe e rastësishme.

Ministria shtoi se Rusia do të vazhdojë me operacionin e saj derisa të arrijë objektivat e vendosura nga Presidenti Vladimir Putin, raportoi RIA./abcnews.al/ KultPlus.com

Kievi po mbijeton me akses të pandërprerë në ushqim, ilaçe dhe mallra

Një qytet në luftë ka nevojë për më shumë se vetëm armë.

Për të mbijetuar, një qytet ka nevojë për akses të pandërprerë në ushqim, ilaçe dhe mallra të tjera kritike.

Ndërkohë që Kievi ka shmangur shkatërrimet më të këqija të Rusisë, të cilat janë afër rrafshimit të Mariupolit dhe Kharkivit me tokë, kryeqyteti mbetet çmimi kryesor për diktatorin rus Vladimir Putin, i cili dëshiron të rrëzojë qeverinë kombëtare.

Qyteti është tani një kështjellë që ka qenë e pashpresë për forcat e tejzgjatura ruse për ta kapur në një sulm të drejtpërdrejtë. Në vend të kësaj, ata janë përpjekur të marrin nën kontroll zonat periferike dhe të shkëputin qytetin nga zinxhirët e tij të furnizimit, duke e shpërthyer në nënshtrim me raketa dhe artileri.

Ata kanë qenë vetëm pjesërisht të suksesshëm. Rusët janë ngritur në veri dhe veriperëndim, por nuk kanë arritur të bëjnë përparim domethënës në lindje, jug dhe jugperëndim. Si rezultat, zinxhirët e furnizimit civil të Kievit po punojnë me një kapacitet të reduktuar, por ato mbeten kryesisht të paprekura. /KultPlus.com

Federata Ruse përjashtohet nga Këshilli i Evropës

Federata Ruse sot është përjashtuar nga Këshilli i Evropës, sipas një procedure që nisi me 25 shkurt, vetëm një ditë pasi filloi pushtimi i Ukrainës me ndërhyrje ushtarake.

Ish-kryeministri suedez, Carl Bildt, në hapësirën e tij virtuale në Twitter, ka publikuar fotografinë nga momentet kur është hequr flamuri rus nga mesi i flamujve të shteteve anëtare të KE-së.

“Flamuri rus u hoq në Strasburg. Një epokë shprese në Evropë mori fund edhe zyrtarisht”, ka shkruar ai në mbishkrimin e fotografisë. / KultPlus.com

Zelensky paraqet video pikëlluese nga lufta përpara Kongresit Amerikan: Mbylleni qiellin në Ukrainë (VIDEO)

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka lëshuar një video emocionuese përpara Kongresit Amerikan, ku jepen pamje se si Ukraina ishte në kohë paqeje dhe se si duket tani kur po pushtohet nga Rusia, shkruan KultPlus.

Kongresi Amerikan e priti me duartrokitje paraqitjen e Zelenskyt në një ekran gjigant, derisa ai po vazhdon të qëndrojë me gjithë familjen e tij në shtetin të cilin e udhëheq.

Sot janë shënuar 21 ditë nga fillimi i luftës në Ukrainë, ndërsa Zelensky ka paraqitur një video emocionuese në të cilën kërkohet mbyllja e qiellit në Ukrainë.

Si pjesë e fjalimit të tij në Kongresin Amerikan, Presidenti Volodymyr Zelensky ka lëshuar një video emocionuese që mbulon pamjet nga Ukraina në kohë paqeje me pamjet e tre javëve të fundit.

NATO ka refuzuar të zbatojë një zonë ndalim-fluturimi, duke thënë se kjo mund ta tërheqë aleancën ushtarake në një luftë të drejtpërdrejtë me Rusinë.

Me një violinë që luan në sfond, pamjet përfshijnë tekstin: ‘Kjo është një vrasje’.

Videoja pikëlluese lëshohet nga minuta 20:20. /KultPlus.com

Rusia ka vendosur sanksione ndaj presidentit Biden

Rusia ka vendosur sanksione ndaj presidentit amerikan, Joe Biden, ka thënë Ministria e Jashtme ruse.

Sanksionet do të aplikohen për Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, Këshilltarin amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan dhe shefin e CIA-s, William Burns.

Ministria ka thënë se edhe të tjerë do të preken nga sanksionet./REL/ KultPlus.com

Elbenita Kajtazi merr pjesë në koncert humanitar për Ukrainën: Të gjithë së bashku kundër luftës

Opera Shtetërore e Hamburgut i ka kushtuar tre koncerte Ukrainës dhe civilëve ukrainas, me ç’rast paratë e mbledhura nga këto koncerte do t’i kontribuojnë pikërisht këtij shteti që po kalon kohëra të vështira, KultPlus.

Pjesëmarrësit kanë qenë artistët ukrainas Natalia Klitschko, Andrei Bondarenko dhe artistë të tjerë siç janë Klaus Florian Vogt, Gregory Kunde, Guanqun Yu, Franco Vasallo dhe artistja shqiptare Elbenita Kajtazi.

Kajtazi përmes një postimi në “Facebook”, është shprehur shumë e lumtur që po dhurohen para për këtë kauzë të madhe.

“Një mbrëmje për t’u mbajtur mend, të gjithë së bashku kundër luftës në Ukrainë. Jam shumë e lumtur që deri më tani janë dhuruar shumë para për këtë kauzë të madhe. Po lutem dhe shpresoj që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt”. /KultPlus.com

Kryeministri ukrainas bën thirrje për përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i Evropës

Kryeministri ukrainas Denys Shmyhal tha se Ukraina është në zjarr ndërsa kërkoi që Rusia të përjashtohej nga Këshilli i Evropës.

“Për 18 ditët e fundit bota më në fund hapi sytë,” tha Shmyhal, duke iu referuar veprimeve ruse në Ukrainë.

Tiny Kox, president i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, tha se këshilli do të shqyrtojë nëse për herë të parë në historinë moderne një shtet anëtar mund të përjashtohet.

Kox tha se pasojat e pushtimit të ushtrisë ruse do të debatohen në orët e ardhshme dhe të martën.

Federata Ruse u bë shteti i 39’të anëtar i Këshillit të Evropës më 28 shkurt 1996, sipas faqes së internetit të Këshillit të Evropës.

“Më 25 shkurt 2022, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës vendosi të pezullojë Federatën Ruse nga e drejta e përfaqësimit në Komitetin e Ministrave dhe në Asamblenë Parlamentare, në përputhje me nenin 8 të Statutit të Këshillit të Evropës.”, shton faqja e internetit. / KultPlus.com

Musk e sfidon Putinin në duel ‘një me një’, fituesi e merr Ukrainën

Njëri nga njerëzit më të famshëm në botë dhe njohësi i teknologjisë, Elon Musk, ka sfiduar “një me një” liderin e Rusisë, Vladimir Putin, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Twitter”, Musk ka sfiduar Putinin “një me një”, dhe fituesi do të marrë Ukrainën.

“Me këtë e sfidoj Vladimir Putinin në luftime ‘një me një’”, shkroi ai, duke përdorur alfabetin rus në postim.

Musk gjithashtu shtoi: “Basti është Ukraina”, duke shkruar edhe emrin e vendit në gjuhën ruse, e duke e pyetur më pas se “A pajtohesh me këtë përballje?”.

Ky postim ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale dhe përdorues të shumtë kanë supozuar se kjo është një tjetër shaka nga pronari i SpaceX. /KultPlus.com

Zelensky paralajmëron se Rusia do të sulmojë anëtarët e NATO-së

Lufta në Ukrainë po vazhdon, derisa sot po bëhen 18 ditë që kur filloi okupimi rus në këtë vend, transmeton KultPlus.

Për këtë çështje, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, po vazhdon të kërkojë ndihmë nga superfuqitë, për të ndalur luftën.

Zelensky tha se ai kishte paralajmëruar NATO-n se pa sanksione parandaluese, Rusia do të fillonte një luftë dhe se Moska do të përdorte Nord Stream 2 si armë.

“Tani po e përsëris përsëri: nëse nuk e mbyllni qiellin tonë, është vetëm çështje kohe para se raketat ruse të bien në territorin tuaj, në territorin e NATO-s, në shtëpitë e qytetarëve të NATO-s”, tha Zelensky në një fjalim të fundit me video.

“Tani është e qartë,” tha ai. /KultPlus.com