Ruzhdi Mehmeti, doajeni gjilanas që i fali jetën teatrit

Isak Bilalli

Krijimtaria artistike në kohë shtrëngatash e kolosit të skenës që vuri themelet e teatrit profesionist të Gjilanit

I shoqëruar nga familja, me nipër e mbesa në Kanadanë e largët jeton fizikisht Ruzhdi Mehmeti, një emër jo pak i njohur për artdashësit gjilanas dhe më gjerë, i cili me zemër dhe me shpirt vazhdon të jetojë diku në teatër, në skenë, bashkë me ata që dashurojnë artin dhe të bukurën.

Natyrshëm, distanca dhe mosha e bëjnë të jetë më mallëngjyes e më emocional sa herë që flet me te për tema të ndryshme ku në të shumtën dominojnë vetëm dy – atdheu dhe teatri.

E thënë më drejtpërdrejtë janë këto tema që vazhdojnë të preokupojnë dhe ta mbajnë të trazuar shpirtin kërkues të mjeshtrit të skenës që tërë jetën ia dedikoi emancipimit kulturor të shoqërisë kosovare.

Ata që e kanë pasur fatin të bashkëpunojnë dhe ta njohin sado pak Ruzhdiun, e dinë që emri i tij është simbioze e përkushtimit, mjeshtërisë dhe të aplikimit të një disipline të fortë në ekip që përshkon kufijtë e një rregulli pothuaj ushtarak në punë.  Regjisura dhe aktrimi i tij janë vetë jeta e tij që me dedikim maksimal nuk ngurroi të mos kursej asgjë nga vetja, vetëm e vetëm të jetë në shërbim të teatrit dhe kauzës kombëtare. 

Përgjatë karrierës së tij të bujshme, kritika letrare me meritë e ka vlerësuar si një gjigand të skenës i cili me shfaqjet që ka nxjerrë në dritë ka rrëmbyer vetëtimthi zemrën e publikut si dhe çmimet më të larta në të gjitha nivelet kudo që ka përfaqësuar. Të gjitha këto të arritura kolosale u bënë të mundura falë dashurisë që Ruzhdiu kishte për fjalën e shkruar, për skenën, për letërsinë, artin, për emancipimin kulturor dhe gjithë këto vlera i shfaqi në mënyrën më të bukur, më të dinjitetshme dhe më të saktë.

Me pak fjalë, Ruzhdiu mund të quhet si një nga kalorësit më të denjë që i shërbeu ngritjes intelektuale e kulturore të shqiptarëve në Anamoravë dhe më gjerë, si fanar ndriçues i fjalës shqipe në nxitjen e frymës së rimëkëmbjes së ndjenjës së identitetit kombëtar e kulturor.

Harku kohor në të cilën veproi dhe krijoi Ruzhdiu është i gjatë, por marrë për bazë turbulencat politike të kohës veprimtaria e tij ishte e shtrirë në kohë shtrëngatash e fortunash të forta në të cilën kërkohej takt, zgjuarsi dhe trimëri për të percjell mesazhin revolucionar dhe atdhedashës që shqiptarët donin ta dëgjonin dhe ta shihnin në skenë.

Pjesa dominante e krijimtarisë së tij është zhvilluar nën shtypjen e fjalës së lirë që vinte nga regjimi gjenocidal i Beogradit  si dhe pjesa tjetër nën tytat e automatikëve te po këtij regjimi vrastar. Kreativiteti dhe guximi i tij intelektual i mundësuan që të i përgjigjej kërkesës së kohës dhe të qëndronte me artin e tij përballë këtyre shtrëngatave.

Për nga karakteri dhe mënyra se si ushtronte zejen e tij, padyshim që Ruzhdiu ishte një nga gjeneralët e skenës që fjala e tij peshonte rëndë por jo vetëm sepse edhe në jetën publike ishte po aq burrë i fjalës, i besës dhe i punës. Këto vlera unike, talentin e tij  dhe profesionalizmin e pashoq, me shumë krenari e elokuence Ruzhdiu e përcolli edhe tek gjeneratat e reja duke i mësuar se si duhet shtrydhë i gjithë potenciali intelektual e njerëzor në shërbim të artit.

Të shumtë janë aktorët e regjisorët e rinj që nëpër etapa të ndryshme kohore që ky kolos i madh i skenës i piketonte nga grumbulli i amatorëve dhe i ushqente me dashuri për teatrin dhe në këtë mënyrë ju ndihmonte të  vijëzonin dalëngadalë rrugëtimin e tyre drejt një karriere në shërbim të skenës dhe artit.

Kishte edhe të tillë të cilët shkelën dërrasat e teatrit dhe kishin vullnetin për të përkaluar këtë dashuri në profesion, që Ruzhdiu i mori dhe i përgatiti zellshëm për të fituar të drejtën e studimit në akademinë e arteve në Prishtinë e gjetiu, të cilët sot janë figura eminente të ekranit dhe skenës.

Para se të zbërthejmë shpirtin artistik e edukues të Ruzhdiut, të ndalemi në gjenezë, pikërisht tek karriera e hershme të tij për të kuptuar lexuesit se kush është në të vërtetë ky artist dhe si e filloi karrierën e tij drejt këtij suksesit te madh.

Cili ishte rrugëtimi i regjisorit  Mehmeti, për të qenë avokues i ri-ngritjes së vetëdijes intelektuale e kulturore respektivisht cila ishte karriera e hershme e adoleshentit që e donte teatrin pa kushte?

I inspiruar nga ambiciet dhe sukseset e dëshmuara të të vëllait regjisorit të famshëm Fetah Mehmeti, Ruzhdiu nuk e fshehte dëshirën e flaktë të tij të bëhej një ditë alfa dhe omega e Teatrit. Këtë dëshirë të zjarrtë nuk e fshehu asnjëherë, ngaqë me kureshtje të madhe ndiqte nga afër dhe me shumë zell e delikatesë punën e të vëllait duke ju ngjitur si hije, në prova, në shfaqje, në premiere kudo që ai realizonte projekte të ndryshme qoftë në teatrin e Shkupit, Beogradit, Prishtinës apo Gjilanit. Ishte ndikimi i vëllait, i cili lundronte konkurrencën e fortë të artit teatral në ish Jugosllavi që i dha kurajon dhe përgatitjen Ruzhdiut të bëhej një emër i madh i teatrit dhe skenës në Kosovë dhe më gjerë.

Që në adoloshencë të hershme mund të thuhet se Ruzhdiu e kuptoi dhe e lexoi saktë substancën dhe finesat e zanatit të regjisorit dhe të aktorit duke ndjekur me kërshëri mënyrën se si punohej në teatrot  e mëdha në ish Jugosllavi, si ndërtonin aktorët rolet dhe si ustallaret e punës ndërtonin konceptin regjisorial për një shfaqje të nivelit të lartë. Aksesi si vrojtues, zgjoi tek ai kreativitetin dhe vullnetin e hekurt për të punuar vepra të mëdha artistike dhe me kalimin e kohës u vërtetua që ai ishte një emër qe i duhej teatrit në Gjilan dhe Kosovë.

Ne fillim të viteve “70 si gjimnazist iu përvesh punës si aktor amator në teatrin e Gjilanit në cilësinë e ndihmës regjisorit dhe rolit kryesor në shfaqjen “Fosilet” e Azem Shkrelit duke u shpallur si aktori më i mirë ne kompeticionin rajonal të asaj kohe në Preshevë. Po në këto kohë, sfidoi veten duke realizuar regjisurën e shfaqjes “Kush nuk vdes nuk është njeri” vetëm me nxënësit/kolegët e Gjimnazit ku vijonte mësimet, shfaqje e cila në një mënyrë apo tjetër, për të ishte bileta hyrëse në botën e artit e kulturës.

Arritjet profesionale te Mehmeti një gur kilometrik që tejkaluan pritshmeritë e të gjithëve.  

Interesimi dhe përkushtimi i treguar  gjimnazistit ambicioz në aktivitete extrakurrilare të kohës ishte evident, fakte që i binden njerëzit e kulturës të investonin në Ruzhdiun duke i ofruar punë me orar të plotë në teatrin e qytetit si aktor si dhe vendosën të subvenciononin studimin e avancuar të tij në Akademine e Arteve, respektivisht ndjekjen e studimeve paralele në shkollën e artit dramatik në Prishtinë.

Bashkëveprimtarët flasin për Ruzhdiun si njeri që nuk e kishte synim plotësimin e normës së punës dhe marrjen e rrogës, ai kërkonte gjithmonë diçka më shumë, gërmonte shumë më thellë se sa të tjerët, gjithnjë ishte në kërkim të një sfide më të madhe. Kjo përqasje e tillë e tij ne fillim të karrierës u vu re, sepse që nga viti i punësimit zyrtar të tij, viti 1975 gjithmonë iu besuan rolet kryesore dhe ju vendos barra më e rëndë në të gjitha shfaqjet që ishin në repertoar për më shumë se një dekadë. Shumë shpejt përgjegjësitë e tija u konvertuan në suksese, secili më i fortë se tjetri, gjë që e vërteton historiografia e teatrit të Gjilanit ndër vite ku kritikët e kohës e quanin e ardhmja e teatrit të qytetit dhe gjeniu i skenës.  

Aspak e çuditshme, sepse ai edhe me rolet episodike ka arritur të përpunojë rolin deri gati në perfeksion dhe kjo është dëshmuar edhe me rrëmbimin e çmimit të parë për rol episodik në shfaqjen “Dasëm Lufte” te Minush Jeros, çmim të cilin e fitoi bindshëm në festivalin republikan të Jugosllavisë në Kullë të Vojvodinës. Këto arritje ishin shpresëdhënëse për karrierën në rritje të këtij aseti i cili ne çdo instancë njihte vetëm sukses dhe arritje maksimale.

Në punën e tij, Ruzhdiu kishte objektiva të kristalta dhe arrinte pothuasje të sfidohej në çdo sferë të artit skenik, sepse shpejt krahas roleve kryesore filloi tashmë më një ritëm solid të zhytej edhe në botën e regjisurës duke filluar me realizimin e shfaqjeve të shumta që morën vëmendjen e menjëhershme të kritikës dhe publikut.

Si regjisor, ai ishte krejt ndryshe nga të tjerët, rruga qe ai zgjidhte për të përçuar mesazhin përbënte elementë vetëshpjegues, ku në të shumtën konteksti kohor justifikonte veprimin dhe përmes simbolikës së largët arrinte të nxiste publikun të lexonte mes rreshtave. Përmes regjisë ai dinte shumë mirë të artikulonte brengën, dhimbjen si dhe dëshirën që publiku mëtonte të prekte dhe një gjë të tillë e realizonte me shumë delikatesë, sepse ai dinte të guxonte profesionalisht.

Qershia mbi tortë është realizimi monumental i shfaqjes “Princi i Hijeve” i autorit Mehmet Kraja vepër e cila mund të quhet edhe piku i karrierës profesionale të kohës.  

Festivali i tetarove amatore të Jugosllavise së asaj kohe ishte kompeticioni më i fortë kuturor në të cilin festival dominonte rivaliteti mes shkollës së artit të Beogradit dhe Zagrebit, në të cilin rivalitet sporadikisht në horizont mund të dukej ndonjë teatër nga republikat e tjera por shumë vështirë të kapeshin nga radarët shfaqjet e ardhura nga Kosova. Regjisori Mehmeti me “Princin e Hijeve” arriti jo vetëm te fitoje nominim në këtë garë titanesh por arriti ta magjeps publikun dhe të rrëmbejë çmimet më të dalluara te festivalit. Princi i Hijeve u shpërblye me çmimin e parë në nivel federativ për kostumografinë më të mirë, roli kryesor i luajtur nga Muharrem Sylejmani si roli më i mirë i realizuar që u stolis me maskën e artë, gjithashtu muzika e shfaqjes u dallua si muzika më e mirë e festivalit. Suksesi i arritur përveç se ishte suksesi më i madh i karrierës së regjisorit poashtu ishte edhe vlerësimi më i lartë që kishte pranuar ndonjëherë qyteti i Gjilanit si teatër në perfaqësimin Krahinor dhe Federativ të kohës. Thënë shkurt e shqip, shtylla kurrizore e këtij suksesi me të cilin krenohej atë botë Kosova kishte një emër dhe ai ishte Ruzhdi Mehmeti.

Çfarë bëri më veçantë regjisori Mehmeti kur e punoi kryeshfaqjen e kohës?

Ruzhdiu kishte një metodikë pune unike. I shoqëruar gjithmonë nga cigarja dhe kafeja kalonte shumë kohë vetëm në përsiatje me tekstin që e kishte subjekt analize. Studimin e bënte deri ne detajet më të vogla të mundshme si dhe e analizonte me sy kritik periudhën kohore dhe kontekstin historik. Gjatë kësaj “heshtje” që realisht ka qenë studim intensiv i lëndës deri në detajin më të vogël ishte vendimi i tij për të përzgjedhur rolet. Kështu bëri me Princin, por kësaj radhe e ndjente që ishte momentumi për të shpërthyer.

Ruzhdiu përzgjodhi Muharrem Sylejmanin në rolin e Princit i cili ishte trupshkurtër dhe jo fort i shëndetshëm. Provat intensive bënë arritjen objektivit te tij ku kërkohej të dobësohej edhe më shumë për të dalë në skenë me një Princ shumë thatanik që për nga karakteri duhej të lëvizte vetëm rreth boshtit të tij. Trajektorja e plakut Dhear ishte menduar të përshkonte rrugë vetëm të drejtë, i cili ecte me një shkop në formë V (lexo Victory). Mos të harrojmë që ka qenë viti 1983 dhe regjisori përmes plakut Dhear përshkruante rrugën e drejtë dhe pakthim të popullit (lexo populli i Kosovës) dhe krejt realizimi regjisorial me të gjitha elementët u vlerësua me konsideratat më të larta nga juria profesionale e asaj kohe. Si arriti të përçojë këtë mesazh krejt nëndheshëm dhe të dal fitues nga ky konkurrim në Jugosllavinë e asaj kohe, gjë e cila mbetet akoma enigme!!!

Fatkeqësisht sot arkiva e teatrit të qytetit nuk ka asnjë video incizim, për ta prekur sado pak ndjesinë e kësaj shfaqje por posedon vetëm fotografi të cilat mbase mjaftojnë deri diku për ta rikujtuar madhështinë që ka dhuruar “Princi i Hijeve”.  Sipas atyre që kanë patur privilegjin ta kenë pare shfaqjen, tregojnë se publiku ka përjetuar emocione tmerrësisht të forta krenarie dhe madhështie që asnjë shfaqje tjetër nuk ka arritur të prek këtë zenit të arritur.

Periudha post-Princ deri në fillimet e viteve “90 kur filloi shpërbërja e Jugosllavisë, gjeti Ruzhdiun të përfshirë edhe në aktivitete, role dhe realizime të ndryshme artistike qe i realizoi në bashkëpunim me Televizionin e Prishtinës TVP. Si bashkëpunëtor i jashtëm, udhëheqësia e televizionit publik ia besoi Ruzhdiut një mori projektesh apo cikël emisionesh artistike të ndryshme, skeçe të shumta televizive, pjesëmarrje në programet festive të TVP, pjesëmarrje në realizimet ekskluzive etj.

Me aplimkimin e masave të dhunshme dhe mbylljen e TVP-së për shqiptarët, Ruzhdiu pa asnjë ngurrim u rreshtua në ballë të rezistencës aktive kulturore por tashmë me mision dhe objektiva konkrete për të qëndruar stoik në përballje me armikun në çdo lloj forme. Caku i radhës i pushtetit serb nuk mund të mos ishte Teatri dhe punonjësit e saj në Gjilan, e për rrjedhojë Ruzhdiu bashkë me kolegët e tjerë u hodhën në rrugë.

Në Gjilan e Anamoravë, nën drejtimin e fituesit të çmimeve më prestigjioze të kohës, filluan nismat e rezistencës aktive të cilat ndiqeshin hap pas hapi nga agjentura dhe sigurimi i pushtetit serb. Normalisht që kjo gjë nuk e trembi aspak patriotin Mehmeti, për më shumë reprezaljet e pushtetit ishin shtysë për të krijuar më shumë në mbarëvajtjen e rezistencës dhe mbajtjes gjallë të jetës kuturore. Ruzhdiu erdhi natyrshëm ne krye te karvanit për krijimin e teatrit alternativ  “Aleksandër Moisiu” në Gjilan, të cilin e udhëhoqi deri në prag të fillimit të bombardimeve të NATO-s në Kosovë.

Nëpër salla “teatri” të improvizuara, bodrume të qytetit, lokale dhe nëpër garazha,  pa skenografi adekuate, pa mjete financiare, pa mbështetje logjistike, vetëm me amatorë të zellshëm Ruzhdiu arriti të realizojë shfaqje teatrale tejet cilësore që e ushqyen mjaftueshëm komunitetin artdashës. Si unikale për nga realizueshmeria mbeten shfaqjet “Gjergjezi” e autorit Beqir Musliu , “Pas Vdekjes” e Çajupit, “Bileta e Llotarisë” e Dionis Bubanit, “Heronjtë e Kombit” e Ymer Shkrelit, “Klasa IV/5 etj.

Keto vepra teatrale u krijuan në rrethana dhe kondita të paimagjinueshme që vetëm dikush si Ruzhdiu mund të i bënte, por plasimi te spektatori ishte po aq i paimagjinueshëm dhe i vështirë për te mos thënë i pamundur. Për ta çuar shfaqjen teatrale tek spektatori u desh të përdoren objektet shkollore nëpër fshatra e qytete, salla të improvizuara, objektet e shtëpive të kulturës etj të cilat kërkonin më shumë se zotësi për të realizuar artistikisht një shfaqje. Gjatë kësaj periudhe aktivitetet kulturore survejoheshin me llupë nga regjimi gjenocidal serb, dhe përkundër presionit nga policia ka patur shfaqje që është reprizuar në rrethin e Anamoravës deri në 60 herë në lokacione të ndryshme, për të cilat pushteti i burgoste dhe ndëshkonte pamëshirshëm organizatorët e bartësit, te cilat aktivitete kishin një emër të përveçëm e ai ishte Ruzhdi Mehmeti.

Trupa e drejtuar nga Ruzhdi Mehmeti nuk ushqente spektatorin me shfaqje teatrale e aktivitete letrare vetëm në Komunën e Gjilanit por edhe në komunat tjera të Kosovës deri në Ulqinin e largët e gjetiu, organizime në të cilat ai shkonte me shumë vullnet si pjesë e eventeve kulturore të sistemit paralel në Arsim e Kulturë.

Ruzhdiu, aq sa i donte dërrasat e skenës dashuronte edhe filmin dhe kjo dashuri ishte e dyanshme, sepse syri i kamerës e pranonte aq natyrshëm si një aktor virtuoz i filmit aq sa e donte ky filmin. Edhe rolet që ka luajtur në filmat e metrazhit të shkurtër apo filma televiziv të kohës janë role që spektatori i ka vlerësuar me nota superlative. Te kujtojmë rrethanat e kohës kur kasetat filmike qarkullonin shtëpi më shtëpi, dorë më dorë për të parë në ekran një realizim në gjuhën shqipe, dhe njerëzit prisnin me padurim të shihnin diçka më shumë në mbushjen e boshllëkut kulturor.

Rolet e Ruzhdiut në këto projekte filmike mbeten sot e asaj dite si role të pavdekshme që janë skalitur në memorien publike si role që pasuruan kolazhin artistik të industrisë së filmit për të cilin mund të themi pa pike dyshimi që e dha kontributin e tij gjatë kohës kur arti kishte më së shumti nevojë për te.

Për punën e realizuar, Ruzhdiu sot ndjehet i plotësuar por në të njëjtën kohë i mërzitur që mbase mund të kishte dhënë më shumë për artin në Gjilan dhe Kosovë, edhe pse ai në njëfarë mënyre përjetoi të njëjtin fat që përjetoi Kosova deri në çlirimin e saj. Pengu i tij është se pas largimit për në Kanada nuk ka arritur t’i rikthehet aktivisht krijimtarisë artistike në vendlindje edhe pse ai viziton Kosovën rregullisht, por dëshirat e tij varen nga gjendja shëndetësore dhe rrethanat që i imponohen nga faktori moshë.

Ai vazhdon se menduari që disi duhet bërë më shumë për dy temat që vazhdojnë ta preokupojnë shpirtin e tij – teatrin dhe atdheun./ KultPlus.com