“Kundër rrymës”, një histori për Sabiha Kasimatin, miken e peshqve është libri i ri me ilustrime që u promovua në Tiranë. Historia e jetës së biologes dhe iktiologes tregohet përmes ilustrimeve nga perspektiva e peshqve, të cilët Sabiha Kasimati i studioi, duke synuar që fëmijët edhe të rinjtë e sotëm të ndërgjegjësohen për regjimin socialist edhe terrorin e ushtruar mbi intelektualët e kohës. Bashkautorët Vytene Muschik dhe Lina Itagaki rrëfejnë punën për realizimin e këtij botimi.
“Çdo gjë filloi rreth një vit më parë. Në një projekt që po punonin në Autoritetin e Dosjeve të Sigurimit bashkë me kolegen, gazetaren Fatmira Nikolli, mësova për herë të parë emrin e saj. U befasova me punën e saj. Ishin dhjetë shkencëtarë edhe një grua. Kur shkuam në Korçë, pamë liceun francez të asaj kohe, ku ka qenë vetëm një grua Sabiha Kasimati. Më pas folëm për ekzekutimin në vitin 1951, ku u ekzekutuan 22 intelektualë edhe ishte vetëm një grua, Sabiha Kasimati. Më pas kur studiova fatin e saj, faktet, arrita të kujtoj se është shumë e rëndësishme që të flasim për të kur diskutojmë për diktaturën në Shqipëri. Për të krijuar këtë histori, dialogët, punuam një grup me lituanin dhe Shqipërinë. Në fund autori në Lituani, Marius Marcinkevicius, na ndihmoi me tekstin edhe i erdhi një ide shumë e mirë, që dialogët të shihen nga pikëpamja e peshqve. Kishte shumë rëndësi që ky libër të bazohej në fakte të vërteta, por edhe të përdornim fantazinë tonë, për të krijuar dialogët, që mund të ndodhnin në atë atmosferë”, shprehet autorja Vytene Muschik.
“Në fillim nuk kishim asgjë veç fjalëve… Kur krijon një libër me ilustrime duhet që të krijosh edhe strukturën bazë. Ishin thjeshtë skica, e më pas nisa që të rivizatoj me laps edhe letër, edhe duke mbushur me ngjyra përmes kompjuterit. Është libri im i pestë që mbështetet mbi ngjarje historike, edhe kur punojë për këtë e zhvendos veten në kohë, duke pas parasysh edhe veshjen, mjetet që ka përdor edhe vet Sabihaja në atë kohë…”, thotë autorja Lina Itagaki.
Ndërsa, historiani Uran Butka pasi sjell edhe një herë në vëmendje, vlerat intelektuale të shkencëtares Sabiha Kasimati, ndalet tek libri me kujtime i Nexhmie Hoxhës, në të cilin ajo nuk flet për pushkatimin e shkencëtares.
“Zotëronte disa gjuhë të perëndimit edhe të Lindjes, në mënyrë të veçantë frëngjishten. Kujtohet dhe sot i vajza e parë liceistë. Në vitin 1936 nisi studimet e larta, shteti i akordoi bursë në Fakultetin e Torinos. Nexhmia në kujtimet e saj flet për Sabiha Kasimatin si një pedagoge, por nuk thotë asgjë, sesi përfundoi, edhe për faktin që ngriti dorën në plenumin e komitetit qendror për pushkatimin e saj”, shprehet studiuesi edhe historiani Uran Butka.
Pas shpërthimit që ndodhi më 19 shkurt të vitit 1951 në Ambasadën e ish-Bashkimit Sovjetik në Tiranë, edhe pse nuk kishte asnjë të plagosur autoritetet e asaj kohe fajësuan 22 intelektualë të rinj që punonin në Tiranë, duke përfshirë mes tyre edhe të vetmen grua Sabiha Kasimatin. Përpos kësaj, pasardhësja Ina Kasimati bën apel, që vlerat e Sabiha Kasimatit, të njihen edhe si shkencëtare në nivel europian.
“Në dorë kemi një libër dedikuar Sabiha Kasimatit për ta parë edhe një këndvështrim, jo vetëm për studiues edhe intelektualë, por edhe për të rinjtë, që duan që të kuptojnë atë kohë. Sot po bëhen hapa të mira në njohjen edhe pranimin më shumë të figurës së Sabiha Kasimatit, si shkencëtare, sepse njihej si e vetmja grua e pushkatuar, e para grua që ndoqi mësimet në lice. E njohin si emër, por jo për vlerën e punës së saj. Ne ndihemi shumë mirë, që një nga vlerat e saj sot ka marrë një dritë më shumë. Por sigurisht, që jo vetëm si familjare, por edhe si biologe, mendoj se vlera e saj duhet që të ketë dritë më shumë, ende është i pazbuluar botimi i saj “Peshqit e Shqipërisë”. Para se të pushkatohej, libri ka dalë në botim edhe kjo është e dokumentuar. Është e rëndësishme që figura e saj të njihet edhe në nivel europian”, shprehet pasardhësja Ina Kasimati.
Botimi i librit “Kundër rrymës” u mundësua nga “Konard Adenauer” në kuadër të Ditëve të Kujtesës” në këtë edicion të pestë të organizuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë./ Shqiptarja.com / KultPlus.com