Poeti Sadik Bejko thurte vargje nën thembrën e regjimit komunist: Pluhuri i qymyrit më mbuloi për gjashtë vite

Era Berisha

Ishte 22 nëntori i këtij viti dhe acari kishte shungulluar rijetësimin e përhershëm në Prishtinë. Rrebeshi i shiut më shoqëroi gjatë gjithë rrugës për të takuar një nga personat më të veçantë në jetën time. E gjeta të ulur në karrigen e Galerisë së KultPlus, të përqendruar kryekëput në telefonin e tij që e përdorte disi me vështirësi. Nuk e shqetësova menjëherë pasi që doja të ngrohesha pak nga ai i ftohti që më kishte hyrë gjerë në palcë të shpirtit. Kaluan disa minuta dhe vendosa që t’i afrohem e t’i prezantohem se kush jam. U përshëndetëm me një shtrëngim duarsh, të tilla ato që kishin përjetuar çmos. I dallova që në prekjen e parë – ishin duar të skalitura prej rrufeve të jetës.

Figura e poetit Sadik Bejko mu qartësua para syve, ndërsa sytë e tij disi mbanin një portret prej fëmije, mbushur plot shpresë. Po ta shihje nga jashtë, dukej si një njeri i zakonshëm, por shpirti i tij atë ditë më foli shumë. U hap si pena ngjyrë zezë mbi fleta të bardha. Ashtu ish edhe jeta e tij; bardhezi.

Në një intervistë për KultPlus, një nga poetët më të shquar të Shqipërisë, Sadik Bejko, ka rrëfyer shumë. Poezia për të është frymë dhe ai ka vazhduar të frymojë edhe atëherë kur të shkruaje poezi nën një regjim komunist ishte pak a shumë sikurse të mbinin lule të egra në një fushë betoni. Kundërshtimi i tij i qetë kishte lulëzuar në një mënyrë të atillë që i falte jetë vargjeve të lira. Heshtja e tij i përkiste një ritmi lirik që bazohej komplet mbi një natyrë meditative. Shtypja u bë metaforë, mbikëqyrja një nëntekst. Pëlhura e frikës e kishte kapur atë për krahësh. Ai u internua nga regjimi komunist për vargjet e guximshme që pëshpëritnin për shpirtin njerëzor. Sikurse shumë shkrimtarë, edhe ai u dënua për nxitje dhe përhapjen e kulturës borgjeze në Festivalin e Njëmbëdhjetë të Këngës më 1972.

Parimet shtetërore të cenonin derisa të zhvishnin edhe ashtin. Ishte një realitet i ashpër për shumëkënd, që ndaloi kreativitetin e shumicës. Duhej t’i përuleshe me fytyrë në tokë atij autoriteti. Është një luftë për të ruajtur shpirtin njerëzor kur ideologji specifike kërkojnë fshirjen e individualitetit. Por qëndrueshmëria e pastër i bënte ballë censurës. Poezia e Bejkos ka bartur peshën e shtypjes, duke e lejuar atë që të fluturojë deri në qiellin e pakufishëm, një qiell që në realitet, ai e shihte rrallë.

Që në atë kohë ishte shpallur në kundërshtim me disa nga parimet shtetërore. Tekstet e tij nxitën dyshime të forta në autoritetin e lartë të asaj kohe, por teksti i këngës “Një kujtim nga deti” me interpretim nga Lefter Agora, i solli edhe dënimin me punë të rënda në minierë për gjashtë vite me radhë të jetës së tij. Brenda asaj miniere, çdo natë, poeti Bejko përdorte dorën për të shkruar poezi dhe çdo ditë përdorte po atë dorë për të rrënuar thellë brenda minierës.

Por, e vërteta nuk mund të heshtë kurrë. Shpirti i tij luftarak ishte ai që nuk e pranoi dorëzimin, ndonëse prangat e jetës donin ta shtypnin fortë. Fjalët e tij u bënë si dallga uji në shkretëtirë dhe u dorgjën në vargje. Rebelimi i tij shfaqej në gjakosjet e duarve që preknin gurë të palëkundur. Është vështirë të ëndërrosh kur tunelet e atij vendi kishin hapësirë vetëm sa për të futur trupin apo kur errësira bëhet pjesë e pandashme e përditshmërisë. Ishte një dënim i dhënë kundër guximit për të ëndërruar. Megjithatë, gjatë disa netëve, poeti Bejko i gdhendte vargjet në kujtesë e herë të tjera shkruante rreshta që zgjonin zjarre poetike. Ai gërvishte nga çasti në çast copëza shprese.

Ishte vetëm 31 vjeç kur pluhuri i qymyrit iu ngjitë në lëkurë, por, ai qymyr, ajo aromë që iu bë pjesë e pandashme e jetës, nuk ia errësoi dritën e imagjinatës së tij. Dinjiteti i tij nuk iu përkul hijes së jetës. Ai udhëtoi përtej mureve mbytëse edhe kur trupi i tij i mavijosur donte pushim. Sikurse në poezitë e tij, ai thurte histori lirie, dashurie, që i jepnin forcë zemrës së tij që nuk rreshti dot së shkruari. Edhe pse ky kapitull e qëndisi poetin Bejko ndryshe, me ndihmën e disa miqve dhe shkrimtarit Ismail Kadare, arriti që të dilte nga aty dhe t’i rikthehej përsëri arsimit dhe pasionit, e që sipas vetë poetit Bejko, nëse atëherë shteti donte të bënte një spastrim, as Zoti nuk do të mundte ta shpëtonte dot, e jo më Kadareja.

Përderisa kujton fëmijërinë e tij që e konsideron si të mirë, poeti Bejko na tregoi se si nisi të shkruante poezi si fëmijë në shkollën tetë vjeçare.

Poezitë i kam shkruar sipas motiveve të këngës popullore në fillim fare. Pastaj, duke u rritur, në shkollën e mesme pedagogjike në Elbasan, kishim një rreth letrar. Në atë rreth letrar gjithmonë më inkurajonte mësuesi i letërsisë. Ne na bënte anëtar të bibliotekës. Ne i shkruanim me dorë, profesori i zgjidhte dhe ishte një gazetë e shkollës në të cilën publikoheshin poezitë tona. Aty, fillova të ndërgjegjësohesha që isha i aftë të shkruaja poezi. Kisha filluar të lexoja autorë/poetë të rëndësishëm në bibliotekë dhe mund të them se isha nxënësi më i mirë në klasë për letërsi. Letërsia në një farë mënyre u bë pasion pastaj. E kam vështirë ta kujtoj poezinë e parë sepse as nuk jam ulur ta shkruaj. E kam shkruar në kujtimet e mia. Ishte një këngë popullore e thjeshtë dhe nuk e regjistrova askund. Atëherë si fëmijë mendoja se poezitë nuk mund të shkruheshin dhe besoja se ato ekzistojnë si këngë në ajër. Këngët këndohen në mjedis dhe unë nuk guxoja të mendoja se poezia ime do të bëhej këngë. Ishte diçka fëmijërore”, thotë ai, i cili tutje tregon se disa nga poezitë më të mira pati filluar t’i shkruante nga viti i fundit i shkollës së mesme, të cilat më vonë edhe i regjistroi diku. Pastaj, në Shkollën e Lartë, nisi t’i botonte poezitë nëpër gazeta.

Poezia e tij e parë e botuar gjeti dritën në janarin e vitit 1965 në gazetën Drita. Në atë vit, nisi t’i botonte disa cikle me poezi dhe kështu pastaj i filloi dëshira për të qenë në një radhë me poetët e tjerë të moshës.

Por, që kjo dashuri që i lindi qysh fëmijë t’i shndërrohej gjatë jetës në diçka ndëshkuese, nuk e kishte menduar aspak. Poeti Bejko më pas kujton pjesëmarrjen e tij si redaktor për poezinë/këngën në Radio Televizionin e Shqipërisë. Këngët e shkruara nga ai në Festivalin e Njëmbëdhjetë lidheshin ngushtë me pasionin e tij.

Atëherë doli nevoja për një redaktor të poezisë sepse mendonin që do të duhej të forcoheshin poezitë që bëheshin këngë për festival. Prodhoheshin gjatë gjithë dymbëdhjetë muajve poezi, dhe unë i redaktoja, shkruaja. Por, më tepër dhe bëhesha miq me shumë nga ta në Tiranë dhe i ftoja që të merrnin pjesë me tekstet e tyre, e disa të tjerë afroheshin vetë. Unë kisha qenë edhe në edicionet paraprake të festivalit, mirëpo tek i njëmbëdhjeti më kujtohet se kisha tre tekste”, thotë ai.

Teksti i parë ishte me Françesk Radin, një tekst që fliste për trishtimin e luftës që bëhej në Vietnam. Ajo ishte luftë e dëmshme për shumëkënd. Konsiderohej se ishte këngë lirike që fliste për një grup djemsh që kanë dalë nga liqeni i Tiranës e po këndojnë kur nga radioja dëgjojnë bombat duke rënë. Pra, ishte një poezi e lehtë por si një lloj proteste e fshehur në të njëjtën kohë.

Kënga e dytë ishte një poezi e vetë poetit Bejko të cilën e kishte pëlqyer shumë kompozitori i shquar Kujtim Laro. Ata punonim bashkë dhe poezitë i lexonin bashkë dhe poezia e Bejkos doli në këngë dhe titulli iu vendos me emrin “Një degë e blertë”.

Pastaj, kënga e tretë ishte një kujtim nga deti dhe në poezi/këngë kujtohej mrekullia e detit, bukuria e vajzave. Prapë, ishte një këngë lirike por muzika e lehtë të tilla i donte poezitë. Atë e këndoi një këngëtar nga Saranda, Lefter Agora.

Sipas poetit Bejko, ishte fat i madh që të tri këto këngë të futen në Festivalin e Njëmbëdhjetë.

“Nga të gjitha këto, preferoja këngën ‘Një degë e blertë’. Ajo lindi nga një histori e imja sepse ishte shkruar si poezi për të fejuarën time e cila pastaj u bë gruaja ime që është sot. Ishte një kënaqësi e madhe sepse atë ditë, ajo ishte në sallë dhe e ka ndjekë drejtpërdrejt poezinë dedikuar asaj. Çdo njeri që punon në një zyrë, kërkon që të jetë i suksesshëm si punonjës, pra të fitojë dashurinë e shefave por edhe audiencës. Nuk kisha ndërmend t’i vihesha kundër regjimit. Çdo njeri që punon në një zyrë, nuk ka ndërmend ta rrëzojë Qeverinë. Neve na thanë atëherë që “Ju e sfiduat shtetin”, mirëpo ne nuk ishim të atillë. Doja thjeshtë të fejohesha, të isha njeri i mirë, doja që miqtë e mi t’i pëlqenin këngët që shkruaja. Isha i ri dhe mendoja që të kaloja një jetë të mirë. Ajo që erdhi pastaj qe një fatkeqësi. Mund të thuhet se ka qenë si një rrufe në qiell të kthjellët sepse s’kisha bërë gjë, dhe nuk kisha në mend të bëja diçka kundër regjimit të asaj kohe”, thotë ai.

Atë vit, poeti Bejko kishte tri ngjarje të rëndësishme. E para ishte fejesa me gruan, e dyta qe festivali i njëmbëdhjetë ku pati sukses me tri këngë si dhe e treta ishte krijimi i librit “Rrënjët”, i cili u prit shumë mirë. Ai është një libër që edhe sot mbahet ndër librat themelorë të krijimtarisë së tij.

“Këto ngjarje për një njeri të thjeshtë që ka punuar një punë të thjeshtë, nuk mund të ketë asnjë mision kundër shtetit. Por, neve kështu na gjykuan. Dhe, na gjykuan pa të drejtë. Thanë për arsye se në atë kohë, këngët që nuk ishin politike, këngët që nuk bënin propagandën e shtetit, quheshin këngë sfiduese për shtetin. Edhe në atë kohë, dhe tani, nuk e mendoj që ishte e drejtë. Gjithë shkrimtarët e mëdhenj kanë shkruar poezi lirike për natyrën, për detin, bukurinë, dashurinë. Këto janë motive të përjetshme. Por, ndryshe i gjykuan. Gjykimi ishte shumë i rëndë. Normalisht ka pasur të tjerë që kanë pësuar më shumë e më keq nga unë. Sherif Merdani, këngëtari që këndonte këngët që ia jepnin, u burgos pa të drejtë. Atëherë shteti të drejtonte se çfarë të këndosh, ku ta këndosh dhe kur ta këndosh, dhe Sherifi këtë punë bënte. Një regjisor tjetër që ishte personalitet i lartë, kishte bërë disa nga spektaklet më të bukura në Tiranë. Punoi shumë por e hoqën nga puna dhe e burgosën. Pas burgut, u bë bojaxhi dhe lyente mure deri në 91-shin. Gruaja e tij po ashtu nuk performoi më në skenë. Pati piktorë që vranë vetën, pra ishte një periudhë ku shumë personalitete”, rrëfen ai.

Dhe, në atë kohë gjithçka u përmbys. Ai u dënua gjashtë vite në minierë, një periudhë e rëndë për të. U internua nga regjimi komunist për vargjet e guximshme lirike që nuk përkonin asnjëherë me partinë, ndërsa shumë poetë të tjerë e bënin dhe kjo ishte një rrugë shpëtimi për ta. Ai beson se e njëjta gjë do të ndodhte edhe nëse ai do i thurte lavde partisë, pasi që, nëse shteti të piketonte, atëherë nuk mund të kishe asnjë shpëtim.

“Të gjithë shkrimtarët në një sistem të dhunës siç ishte ai, duhet të dinë të përshtaten me sistemin. Në këto punë që bënim, ne secili do të duhej patjetër që t’i thurnim diçka regjimit. Tani në mendjen time, mendoj se nuk kam ditur të jem shumë diplomat, i lakueshëm pas kohës. Unë nuk jam nga ata që mburrem se nuk e doja komunizmin, jo. Mendoj se duhej ta gëzoja jetën time dhe ashtu kanë bërë shumë të tjerë të cilët e kanë kapërcyer gardhin. Nga ana tjetër, ajo koha etiketonte disa njerëz dhe i dënonte. Edhe sikur të bëja këngët më të bukura për partinë, nëse ata prapë do më etiketonin, ata prapë do të më dënonin. Atëherë vetëm një teatër ekzistonte dhe të gjitha këngët kontrolloheshin para se të këndoheshin. “Ky nuk është i yni, këtë gjë duhet ta sakrifikojmë”, thoshin ata. Sakrifica, dënimet, dhuna, bëheshin për të ngjallë terror, dhe për t’i vënë në rresht të tjerët që të kishin frikë të punonin. Pra, mendoj se nuk kam bërë mirë që nuk kam shkruar për partinë, por nga ana tjetër, edhe sikur ta bëja, mund të dilje i kryqëzuar. Dhe unë nuk e dija pse u dënova. Ata thjeshtë më shënjestruan”, tregon Bejko.

Plotë gjashtë vite të jetës, poeti Bejko i kaloi poshtë tokës. Dhe ai nuk ishte aspak i përgatitur për aso punë, ngaqë nuk ishte njeri që kishte bërë ndonjëherë punë të rënda fizike. Ishte jashtëzakonisht e vështirë për të, një goditje që e rëndoi shumë fizikisht dhe emocionalisht, e që si e thotë edhe ai vetë; ia mori nderin.

“Mora vesh që regjimi kishte një problem me mua, kishte një armiqësi me mua. Shteti nuk më donte dhe kjo ishte një gjë shumë e keqe për mua. Atëherë nuk ekzistonte mundësia që të largoheshe dhe s’kishte çfarë të bëje. Goditja është poshtërim. Kur një njeri ka një punë të mrekullueshme, dhe të të heqin nga aty për të bërë një punë ndëshkuese, është diçka që të poshtëron, të merr nderin, të nëpërkëmb. Kur dilja ndonjëherë jashtë, ishte një autobus urban i qytetit dhe dalloja që njerëzit nuk uleshin në karrige afër meje, sikurse kisha ndonjë sëmundje të rëndë. Unë s’i vë faj njerëzve por atëherë ashtu ishte. Kishin frikë nga unë. Pra, kur vajta në një qytet, isha si një dele e zezë. Ishte një dënim moral, por ishte edhe dënim fizik”, thotë ai, i cili tutje tregon se minierat e qymyrgurit atëherë ishin të atij lloji që duheshe të punoje me duar e me këmbë shtrirë, sikurse ata skllevërit që portretizohen nëpër filma.

Atij i merrej fryma nga ajo aromë që i hynte gjithkund nga poshtë e lartë. Duhej të lahej fortë, me sapun, dhe ai kujton se atëherë bënte ftohtë e binte shpesh borë, dhe nuk kishte asnjë mundësi që ai ti terte flokët e lagura. Por, disi e përballonte këtë gjendje të rëndë morale dhe fizike.

Libri i parë me poezi, “Rrënjët”, 1972.

Në ndërkohë, ai na rrëfen se para dënimit, kishte shumë njerëz që e dashuronin poezinë e tij dhe ai më së miri u identifikua me librin “Rrënjët”. Shteti i atëhershëm kishte mundësinë që të të quante edhe njeriun e tij po donte. Dhe, kishte atë fuqi që ta merrte çdokënd nën pronën e vetë.

“Shteti e qonte librin në çdo bibliotekë, edhe tek fshati më i largët. E qonte në biblioteka të reparteve ushtarake dhe papritur libri kishte një tirazh me pesë mijë kopje. Sot, mezi bëhen pesëqind kopje për një libër. Njerëzit e kishin lexuar dhe e kishin pëlqyer poezinë time. Nuk ishte poezi politike, por e lehtë, meditative, lirike. Ishte poezi e qetë dhe kjo lloj poezie iu hyri në zemër njerëzve. Pati njerëz që thoshin pastaj “shikojeni autorin e librit “Rrënjët”. Nuk është ndonjë mrekulli, por në atë klimë që doli libri, si në një kundërshtim me poezitë e forta, u mbajt si libër i mirë”, thotë Bejko.

Ndëshkimet për shkrimtarë të ndryshëm kanë qenë të njëpasnjëshme që kanë rezultuar deri në vetëvrasje por edhe vrasje nga shteti. Ka të tjerë që kanë bërë burgje. Shkrimtari Bejko, pothuajse, e konsideron veten me fat që është gjallë, por, prapë ai dënim e rëndoi shumë rëndë.

“Unë nuk jam prej guri, jam njeri dhe kam pasur momentet e mia të ligështimit. Ka pasur momente që kam humb ekuilibrin tim. Por, pata miq që më ndihmuan të dalë nga miniera. Kur shteti të piketonte, nuk të lëshonte. Kishte dënime të shumta, nga një shkallë në tjetrën. Puna ime ishte pa afat. Vajtja ime atje ishte me shumë rrezik. Këto ishin shkalla e parë për tu futur në burg dhe kjo të linte në një ankth dhe një pikëpyetje për fatin e familjes tënde. Njeriu ndonjëherë duhet të presë që të ndryshojë fati, pastaj fati ndryshoi. Unë në atë kohë, gjithçka mund të bëja, por nëse shteti nuk hiqte dorë nga ty, ti s’mund të shpëtoje dot”, thotë ai.

Telegrami i dërguar me rastin e lindjes së djalit

Në ndërkohë, po bëhesha gati ta pyesja se si e murr lajmin për lindjen e djalit, dhe në atë çast poetit Bejko i cingëroi telefoni. Po e thërriste djali i tij, për të parë se çfarë po bënte babai. Ndala regjistrimin e zërit dhe po mendoja për çudirat që ndodhin në jetë, të cilat dinë të vijnë në momentet më të rralla, e krijojnë kujtime të paharrueshme. E tillë qe kjo që u krijua atë natë. Poeti Bejko mbylli telefonin dhe dukej se u kuptuam me sy se kjo që ndodhi nuk duhej kaluar pa u diskutuar.

Vazhduam tutje diskutimin në të cilin ishim thelluar shumë. Poeti Bejko fliste me duar, rrëfente me sy. Dukej se kujtimet i vinin valë-valë dhe e rrethonin qenien e tij para meje. Shpesh, ia shihja sytë e përlotur por që asnjëherë nuk e lëshuan folenë e tyre. Zëri i tij i thellë vazhdoi tregimin tutje.

Ishte 15 shkurt, data në të cilën kishte lindur djali i parë i poetit Bejko dhe lajmin ai e mori nëpërmjet një telegrami, një moment për të cilin ai pati kushtuar edhe një poezi. Është evidente që poezia e tij buron nga brendësia dhe çasti.

“Ishte muaji i parë në minierë dhe isha akoma i paskalitur për punën aty. Më dhembnin shumë krahët sepse përpara kisha vënë në punë muskujt për lapsin, tani vëra në punë muskujt për minierë. Flisja gjithmonë me gruan e cila ishte në një hotel. Atëherë duhej të bëhej një lajmthirrje që të tregonim se do të bisedonim në telefon. Nëna e saj i rrinte pranë gruas sime. Mund ta kisha marr që në fillim, e të kisha ikur bashkë me të, por ajo kishte një rrezik, pasi që në muajin e fundit të shtatzënisë nuk duhej të lëvizte. Andaj, duhej të rrinte në Tiranë derisa të lindte. Atëherë vajti nëna e saj me të dhe qëndruan në hotel. Mbaj mend se ishte muaji shkurt dhe kishin filluar të dalin lulet e bajames në luginën në Tepelenë dhe kam shkruar një poezi që tregonte për mallin tim për të. Por, i ynë është gëzimi dhe gëzimin duhet ta pranojmë, por edhe hallet, vuajtjet, të këqijat janë të tonat. Njeriu duhet që t’i pranojë të mirat e kësaj bote por duhet t’i pranojë edhe të këqijat. E gjitha varet sesa të fortë jemi dhe sa fuqi kemi brenda për t’i kaluar ato. Kështu që e prisja djalin me këto lloj mendimesh dhe atë ditë më 15 shkurt kur më lindi djali, binte një shi si sonte këtu. E zymtë ishte dita. Vajta në postë për të bërë një telefonatë dhe mora një telegram ku mora vesh se më lindi djali. U habita. Kishte rënë errësira por isha shumë i lumtur. Nuk mund të flisja dot në telefon atë natë por kisha tre shokë në dhomë dhe rrugës u futa në një market dhe bleva dy shishe me pije, bleva çokollata e biskota. Kërceja nëpër pellgje me ujëra si i dehur dhe nuk i kontrolloja ndjenjat. Isha në eufori”, rrëfen Bejko.

Nga ana tjetër, zorshëm mori lejen për të parë djalin, të cilin e ka mbajtur gjatë gjithë udhës në tren për në Gjirokastër pas lindjes. I lodhur nga puna në minierë dhe krahët e tij të rraskapitur në atë moment ishin zhdukur nga dëshira për ta mbajtur sa më afër djalin e tij.

“Problemi ishte se mua më quanin të dënuar rëndë, sikurse kisha bërë ndonjë gjë të madhe. Dhe shefat e mi më shkonin me sy të keq. Kur kërkova leje për të parë djalin, nuk ma dhanë. Më thanë që duhej të shkoja të merrja leje në degën e policisë dhe i thashë që nuk jam njeri i dënuar nga policia e as nga gjyqi. Iu luta atyre dhe i thashë që jam në dorën e tyre dhe nëse nuk më leni atëherë do iki nga puna. Më së fundi, më dhanë leje pas shumë kërkesave. Ishte një gjë atëherë që gruan pas lindjes, nuk e nxirrnin dot pas shtatë ditëve. Atë ditë që vajta, e morëm bashkë gruan me nënën e saj. Shkuam në një hotel dhe aty kishte pak ngrohje, ishte mirë. Të nesërmen u nisëm sepse nuk kishte rrugëdalje tjetër. Unë nuk kisha para të merrja një taksi. Atëherë një taksi kushtonte sa një pagë mujore. Asnjëherë s’kam qenë njeri parali. E vendosëm të iknim nga Tirana në Ballsh. Aty doli për të na marr një mik dhe ai kishte makinat e tipit që kishin vetëm tre vende. Ishte vjehrra që hyri përpara, ishte gruaja që e zinte makina dhe e zëri gjumi menjëherë prapa. Pastaj, udhës për në Gjirokastër, gruaja ime ishte e lodhur shumë dhe unë mbaja djalin në gjoks me dy duar. Atëherë nuk kishim ndonjë shportë për ta mbajtur. Kështu shkuam deri në qytetin e Gjirokastër pas gjashtë orëve. Sigurisht, ishim të gëzuar por edhe shumë të lodhur. Doja ta bëja të lumtur gruan time por nuk e bëra dot. Ky është një peng i imi”, tregon ai.

Familja e Sadik Bejkos

Gjithashtu, ajo se çka u bë një frymëzim i tij i përhershëm për të qenë krijues i poezisë, ka qenë shtytja e shkrimtarit Sterjo Spasse, i cili para se të hynte poeti Bejko në minierë, i kishte thënë që duhet të vazhdonte të shkruante gjatë tërë jetës. I kishte thënë që poezinë duhej ta kapi edhe kur ai mendon se ai ka rënë shumë poshtë.

“Unë e kisha mik dhe ai ishte një njeri që më donte shumë. Ishim lidhur shumë pasi që djali i tij më kishte mua shok klase në Shkollën e Lartë. Aty u bëmë miq. Ai më tha: “Shiko, ti pësove fatkeqësi por jeta është e bukur prapë. Poezia ekziston prapë. Mirësia ekziston prapë. Mos e errëso veten. Mos i shiko të këqijat e kësaj bote por shiko poezinë, bukurinë e mirësinë. Duhet të kapesh nga e mira, se po u kape nga e keqja, keq të shkon.” Kjo për mua ishte shumë frymëzuese pasi që ka shumë njerëz të cilëve iu errësohet jeta dhe shohin vetëm anën e zezë”, thotë Bejko.

Brenda punës në minierë, poeti Bejko ka potencuar se e ka parë vdekjen me sy në çdo moment. Sipas tij, minierat janë vende të këqija. Ai kujton rastet kur edhe ka qenë i bllokuar komplet. Mban mend që hapësira ka qenë afro një metër dhe lartësia afro gjysmë-metri.

“Njëri sup takonte tavanin dhe tjetri sup takonte dyshemenë. Mezi ecën. Në moment bllokohesh aty dhe nëse aty nuk e ke mendje, mund të ndodhë asfiksimi, e edhe vdekja. Pra, duhet të marrësh frymë, të qetësohesh, pastaj mundësisht, me pak ndihmë nga ndonjë shok, të dalësh nga ajo situatë. Janë disa situata të tilla në minierë. Unë kam parë punëtorë me eksperiencë që fillonin të ulërinin keq, me një zë jonjerëzor. Ishte një zë i egër prej bishe dhe gati sa s’qanin burrat. Duhej t’i flisje shumë atyre pasi që na trishtonin edhe ne të tjerëve. Pra, miniera është një vend i vështirësive që ta merr frymën. Mund të të bjerrë një bllok guri e të të zinte. Kjo më ka ndodhur dhe mua disa herë. Pranë meje, kam parë njeri që ka lënë krahun aty. Kam parë tjetrin që i ka rënë blloku në mes të trupit dhe nuk është bërë më njeri. Kam pasur fat që unë kam shpëtuar. Ata të gjithë kanë qenë më të shkathët se unë, kishin shumë reflekse por unë isha një gjë e ngathët në atë punë. Fati më ka ruajtur mua”, thotë ai.

Frida Bejko dhe Sadik Bejko, kur ai punonte në minierë si minator

Në ndërkohë, bashkëshortes së poetit Bejko i thanë se duhej të ndahej nga ai. Por, ajo nuk hoqi dorë dhe u “dënua” gjithashtu për shkak se zgjodhi të jetë në një rrugëtim me të. Megjithatë, poeti Bejko nuk ndalej së reshturi për të treguar admirimin, guximin, forcën dhe dashurinë që ajo kishte për të, dhe anasjelltas.

“Gruas time i kanë thënë zyrtarisht që të ndahej prej meje. Ka vajtur të kërkuar punë por i thanë që për të punuar duhet ta lësh burrin. Në Tiranë i thanë lëre burrin dhe rri në Tiranë pasi që ajo nuk ishte e dënuar. Vajti pastaj në Gjirokastër tek qyteti i saj, nëna e saj ishte mësuese dhe babai i saj i ndjerë kishte qenë luftëtar partizan dhe ishte i njohur aty. Ata ishin qytetarë të atij qyteti dhe në këto qytetet e vogla, familjet njihen me njëra-tjetrën dhe aty kërkoi punë. I kërkonin që të më linte mua por ajo nuk më la. Ka kërkuar punë prapë dhe iu thoshte atyre se nuk mund ta linin një nënë me fëmijë, pa bukë. Atëherë e quan të punonte në një ndërmarrje si normiste ku gratë bënin triko, bluza. Atje ajo maste punën sa punonte dhe merrte rrogën por ishte me zbritje shumë ajo rrogë sepse i thoshin që ajo s’kishte arsim profesional, ndonëse ajo kishte arsim të lartë, por jo adekuat për atë vend. Atë punë e bëri për trembëdhjetë vite dhe pastaj me ndërhyrje të miqve, mezi filloi punën në bibliotekën e qytetit të Gjirokastrës. Unë jam i lumtur për këtë sepse e di që në atë kohën e Enver Hoxhës, shumë ushtarakë, gjeneralë, shkrimtarë, kanë prishur familjet e veta. Edhe fëmijët t’i mohonin. Por, për fatin tim të mirë, gruaja ime qëlloi tjetër”, tregon Bejko.

Gazeta “Drita” nëntor 1972, 5 poezi për dashurinë, kur duhet të shkruaje për partinë

Për të shpëtuar nga miniera, poetit Bejko i thanë të trokasë në derën e Kadaresë. Ai trokiti në kohën kur Kadare ishte drejt kulmit të suksesit dhe ai nëpërmjet miqve të tij i ndihmoi poetit Bejko që të dilte nga aty. Por, ata veçse njiheshin, ngaqë poezinë e parë të poetit Bejko, e ka botuar Kadareja në gazetën Drita. Kadare ishte redaktori kryesor i gazetës dhe sa herë që poeti Bejko ka vajtur atje, ai ia ka botuar poezitë.

“Ai më ka nxitur për të shkruar poezi gjithmonë. Janë të shkruara lajmet se pse Sadik Bejko nuk po e bën dot një libër. Kisha vështirësi për të botuar libër. Kisha atë marrinë time për të mos shkruar poezi politike. Duhej të bëja poezi politike që të më botohej libri por unë gjeta një rast shumë të mirë tjetër për të botuar librin tim. Në vitet 71’- 73’ ishte periudha e liberalizmit dhe u hoqën kërkesat e rënda politike. Libri im doli në këtë situatë dhe e kam botuar prapë librin me redaktim dhe me heqjen e dy-tri poezive. Dhe është e rrallë që librat e asaj kohe të ribotoheshin prapë në këtë kohë. Qe e tillë sepse e botuan në një moment që nuk pagova harraq. Kadareja sigurisht ka qenë njeriu që më ka ndihmuar për këtë punë. Nga të gjithë redaksitë e Tiranës të asaj kohe, u bë një spastrim, disa nuk u kthyen më kurrë. Dhe në atë periudhë nuk na shpëtonte dot Zoti, e jo më Kadareja. Dhe, tani pas gjashtë vitesh, unë prapë s’doja të shkoja tek ai por miqtë e mi insistuan që unë të shkoja. Më quan tek dera e tij dhe ata i trokitën në derë, më thanë t’i kërkoja ndihmë se ndryshe do mbetesha në minierë. Ata ikën dhe doli Kadareja e më ftoi brenda. Më pyeti për shëndetin e për punët. Ai bëri dy-tri telefonata të rëndësishme me drejtuesit e Kuvendit Popullor. Njëri nga ta ishte miku i Kadaresë. Mua në ndërkohë më kishin hequr të drejtën e profesorit në arsim dhe Kadareja ndërhyri prapë dhe më qoi në arsim. Ajo ishte kohë peripecish. Ishte e vështirë shumë”, thotë Bejko.

Sipas tij, dalja nga miniera u bë nëpërmjet një lutjeje të thjeshtë. Poetit Bejko i thanë që të largohet nga ai vend, mirëpo pikëpyetjet e shumta iu futën në kokë, dhe ato ishin të mëdha.

Pyesja veten cila është e ardhmja ime. Menjëherë vajta në zyrën e Kuadrit, aty ku janë të gjitha dokumentet. I them atij punonjësit se u lirova nga miniera. Doja ta kisha dosjen time e Kuadrit me notat e mia të Shkollës së Lartë dhe gjithë punët që kisha bërë deri në atë kohë. Më thanë mua se s’kisha kuadër, s’kisha dosje. Më thanë shko nga këtu. Nuk dija ku të shkoja. Kisha humbur shumë. Ikja nga miniera por ishte një pikëpyetje tjetër se ku do shkoja pastaj”, tregon tutje ai, i cili më pastaj dalëngadalë iu rikthye jetës, dhe u fut në arsim me pak vonesë.

Sadik Bejko në periudhën e minierës

Libri për poetin Bejko mbetet një arratisje nga dënimet që ai i përjetoi, përfshirë këtu edhe vitet 1967-69 kur ka qenë ushtar në brigadë pune. Ushtarët e brigadës së punës, ishin bij të atyre familjeve që quheshin armik i popullit. Ushtari i brigadës së punës nuk mbante pushkë, por kazmë e lopatë e punonte në fermë, si bujk. Më 1967 nga drejtor shkolle e poet, e çuan ushtar bujk në afërsi të qytetit Burrel.

Për atë periudhë ai pati botuar një cikël me poezi për kohën që ka kaluar aty, dhe pastaj u pat shpërblyer edhe me një çmim kombëtar.

“Edhe ushtria ime ka qenë një gjë tronditëse për mua. Kam vajtur tek ata të cilëve iu kishin pushkatuar baballarët dhe ishin të njohur si armiq të popullit. Unë vajta të punoja me ta. Isha drejtor shkolle në Berat, kisha mik Kadarenë dhe rrinim çdo pasdite bashkë. U habita që vajta atje por unë kam pasur një lloj force. Aty ku isha bëra disa poezi por ato nuk ishin më të fortat, ishin ushtarake, për miqësinë në minierë, për ndarjen nga gruaja e familja, për ndarjen nga vendlindja. Ishin poezi njerëzore dhe ishin rreth shtatë poezi të tilla. Ishte bërë një konkurs aty pasi që ishte 25 vjetori i krijimit të Ushtrisë. Konkursi kërkonte një cikël poezish dhe aplikova aty me shkrim dore, në një zarf me një pullë. Më thërret komisari i gjithë fermës së Veriut në Burrel, i cili qe i vetmi që kishte televizor në gjithë vendin. Ai ishte i mirë dhe bënte punën e vetë. Unë isha një ushtar i thjeshtë atëherë por fitova çmimin kombëtar. Megjithatë, në vështirësi u bë ajo punë. Gjeta forcën në vështirësi për të bërë poezi”, rrëfen Bejko.

Dhe tashmë që i kemi ardhur fundit të kësaj interviste, poeti Bejko ka shpalosur se momentalisht e ka një libër në “thes”, por për të cilin akoma nuk dëshiron të tregojë shumë.

“Libri është si ai fëmija në bark, që kur të lind, do i vendoset emri. Do të shkojë të trokasë nëpër dyert e shtëpive botuese në Tiranë dhe kush të ma hap, do e them merre”, më përgjigjet Bejko me një ton humori, që në disa momente gjatë kësaj interviste, e shfaqte krejt natyrshëm.

Tashmë kur ne e realizuam këtë intervistë, ai ka qenë i pranishëm në Kosovë dhe me mua ka ndarë një paralele mes vuajtjeve të Shqipërisë, Kosovës dhe konceptit të lirisë.

“Vuajtjet tona kanë qenë të karakterit shoqëror të një pushteti distopik të dhunshëm, të mbrapshtë që i merrte frymën një populli dhe i hiqte lirinë, të ardhmen dhe të drejtën për të jetuar si njeri. E varfëronte, e terrorizonte dhe ndëshkonte njerëz pa faj, një nga ta jam unë. Kosova ishte tjetër. Kishte mungesë të lirisë dhe ishte e pushtuar nga regjimi serb. Dërgonte policinë me dhunë, vriste njerëz. Bënte gjyqe politike, bënte spastrime të njerëzve. Ishte regjim represiv. Kosova e ka pasur jashtëzakonisht më të rëndë nga ne. Ne e pësonim nga i yni dhe Kosova e ka pësuar nga tjetër njeri”, thotë ai.

Sipas tij, vuajtjet e Kosovës nuk mund të krahasohen me ato të Shqipërisë, dhe ai e konsideronte fat të madh që në këtë moshë ka ardhur në Kosovë, ngaqë si i ri e ëndërronte të vinte mirëpo rrethanat nuk ia mundësuan.

Krejt në fund të intervistës, biseduam më gjerë rreth letërsisë në Kosovë. Poetit Bejko i pëlqen shumë Ali Podrimja, të cilin edhe e ka pasur mik të mirë. Ai po ashtu ka përmendur edhe shkrimtarët e tjerë si: Azem Shkreli, Eqrem Basha, Sali Bashota, Ibrahim Kadriu e Mehmet Kraja. Ndërsa, e përfunduam bisedën mbi madhështinë që qëndron prapa poezive të Martin Camajt./ KultPlus.com

‘Mikja, zemra ime, ku je?’

Poezi nga Sadik Bejko:

Mikja, zemra ime, ku je?
Ku jemi ne? Të kam menduar,
Po të shkruaj nën Pandemi
Mos jemi avulluar. Të sëmurë,
bërë si retë e tjerrura brigjeve,
të padukshëm për cilindo tani.
Dikur, harruar vetes, u dhuruam te kohërat tona.
Te ato që shkuan e vanë,
kohëra që gjaku
u shterrte në atë që quhej “atdhe”.
U blatuam nga ç’ish vetja jonë.
Tash kocka.
Nuk na njeh njeri.
Tash atdheu na qenkej tjetër.
Dhe kuptime, jetë na janë tjetër.
Vetja, e vockëla, ish vetja jonë ku mbeti?
Ku.. ku ndodhet ajo ish “e bukura” jonë?
Kush? Pyet kush?
Kush do të dijë për të tani?
Mikja ime, (ku je?) M’u zgjove
Të kërkova nën Pandemi./KultPlus.com

Mitologjia romantike dhe sonetet e Filip Shirokës

Nga Filip Shiroka, një poet i periudhës së vonë të romantizmit, kanë ardhur 18 sonete, shumica e tyre botuar në gazetën Abania të Konicës. Faik Konica ka pasur mendimin se “sonetet e tingëllueshme” të Filip Shirokës ia vlejnë të përmblidhen në një vëllim më vete. Edhe pse Konica shpreh një konsideratë të tillë të lartë (dhe këtë e thotë gati njëzet vjet pasi ishte shkëputur nga gazeta e tij Albania), Shiroka prapë për gjykimin e sotëm të studiuesve mbetet një poet modest. Shumë nga poetët e shkollës poetike të Veriut si Pjetër Zarishi, Leonardo de Martino dhe më pas të tjerë, si: Ndre Mjeda, Lazër Shantoja, Mark Ndoja, Arshi Pipa etj kanë lëvruar sonetin dhe kjo për arsye të formimit të tyre të veçantë kulturor.

Mbase ato çfarë e tërheqin Filip Shirokën drejt sonetit ishin thjeshtësia, madhështia e qetë, stoicizmi, forca dhe mençuria meditative, të cilat të çojnë mbi stuhitë emocionale romantike. Ideali i sonetit, sipas klasikëve dhe klasicistëve, ishte ideali i masës dhe i qetësisë që e angazhonin poetin për të dhënë tablo të qeta me tonalitete meditative. Mbi këto parime vijnë sonetet me natyrë përshkruese dhe filozofike të Shirokës, sonetet si: “Maji”, “Dimni” dhe ndonjë tjetër. Tipi tjetër i soneteve të tij, sonetet glorifikuese, lavdëruese i kanë më të qarta ndikimet nga drejtime letrare të klasicizmit dhe neoklasicizmit. Të një madhështie disi mě klasike janë sonetet mbi Skënderbeun, “Bota katolike”, “Shqypnija”, “Te Vorri i Skander Begut”, “Burri”.

Siç dihet, soneti për klasikët dhe përgjithësisht për neoklasicizmin, kërkonte pjesëmarrjen e mitiologjisë. Mitologjia i jepte thellësinë, dekoracionin madhështor, qetësinë fisnike, njëkohësisht forcën, qëndresën, stoicizmin. Klasicizmi i matur, i drejtpeshuar në këto tema ose tipe të sonetit me natyrë filozofike dhe natyrë glorifikuese, spikat ndjeshëm te Shiroka, që në fund të fundit, prapë mbetet një poet romantik. Mund të themi se me Filip Shirokën paralajmërohet Ndre Mjeda me poemat “Lisus”, “Scodra” dhe “Liria”.

Tek Filip Shiroka shohim fillimet e neoklasicizmit shqiptar.

Në një tip tjetër sonetesh, autori shpreh ndjenjat intime më të thella, por duke i dhënë në formën e sonetit, kjo lloj ndjeshmërie intime nuk është shpërthyese, mundohet që të jetë një ndjeshmëri e theksuar, shumë e zgjeruar, por përsëri e mbajtur në tonet e rreptësisë që kërkon forma klasike e sonetit. Prap sonetet që trajtojnë tema intime mund të themi se kanë formën e jashtme klasike, por janë të ndërthurur dhe të mbrujtur me ndjeshmërinë romantike. Në mënyrë të veçantë, kjo ndjeshmëri romantike shpërthyese, vërehet sidomos tek sonetet “Nanës sime”, “N’dek të mikut tem”.

Sonetet e tij janë të formës klasiciste, por me përmbajtje romantike, sa gati-gati është karakteristike një skemë: soneti nis me dy katrena përshkruese, një tercetë të ndërmjetme dhe terceta e fundit është ajo që vendos ekuilibrin, qetësinë. Dhe kjo arrihet nëpërmjet një mendimi filozofik.

Filip Shiroka shkroi sonetin e tipit klasik-romantik, pra, të tipit të përzier. Të tillë janë sonete për Ibrahim Temon, për Leonardo de Martinon, mësuesin e tij, soneti “Një lutje”, drejtuar dom Ndoc Nikajt.

Ky lloj soneti shprehte ndjenjat personale, ndjenja miqësie, lëvrohej në mjediset intelektuale, me njerëz të barabartë për nga rangu, ku u bëhej thirrje ndjenjave miqësore, dëshirës për komunikim. Sonetin letër, (Një lutje) në formën epistolare, e kanë lëvruar para tij edhe Ndue Bytyçi e Leonardo de Martino. Tek ky sonet shohim veç toneve të kërkesës, të lutjes, dhe tone të ironisë, tone të vetëqortimit, të talljes me vetveten. Është ajo natyra e qytetarit të Shkodrës, i cili bën humor sa të bukur, aq edhe të hidhur me veten.

Ndër sonetet lavdëruese, glorifikuese, poetizuese për figura të caktuara historike, veçojmë sonetin “Burri” (Pyrrhus), për Pirron e Epirit. Nën titullin e sonetit, ashtu siç ndodh pothuajse tek të gjitha vjershat apo sonetet e tij, vjen gjithmonë një citim nga një autor i njohur, këtë radhë nga Ovidi, autor latin. Citimi i shpeshtë i autorëve latinë, francezë, italianë, dashuria për kulturën latine, flet përsëri për një përbërës klasik në kulturën e Filip Shirokës dhe të shkrimtarëve të qarkut katolik të Shkodrës, të cilët ishin edukuar me kulturën e lashtë klasike. Duhet të vëmë re se në këtë sonet Pirroja, i përmendur dhe në poezi të tjera, si tek poezia “Për mëmëdhenë” e Mihal Gramenos, mbahet si një nga figurat e lashtësisë shqiptare, sepse miti i figurave të shquara është në natyrën e romantizmit shqiptar. Miti pellazgjik, miti i Lekës së Madh, i Pirros së Epirit, i Skënderbeut janë evokime mitologjike dhe drejtimi nga mitologjia është sa shenjë e romantizmit shqiptar, po aq edhe romantizmit shqiptar. Miti pellazgjik, miti i Lekës së Madh, i Pirros së Epirit, i Skënderbeut janë evokime mitologjike dhe drejtimi nga mitologjia është sa shenjë e romantizmit shqiptar, po aq edhe e klasicizmit dhe e neoklasicizmit. Këtë gjë do ta shikojmë edhe më vonë te Ndre Mjeda, kur shkroi poemat “Liria”, “Lisus”, “Scodra”.

Tek vargjet e para Pirroja u thotë ushtarëve unë jam shqipja, por krahët jeni ju dhe shkon të luftojë me Romën, që të merret vesh se ç’burra janë shqiptarët. Ai mendon se shqiptarët janë guximtarë, luftëtarë të nderuar dhe Pirroja ka qenë një mbret luftëtar. Ky nuk është nga sonetet e tij më të shquara, por sidoqoftë këto lloj sonetesh ndihmonin shumë në krijimin e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve.

Vihej dhe një lidhje midis epokave historike, që pushtimi si vazhdimësi i kishte ndërprerë dhe mohuar. Krijohej një sfond, një bazament historiko-mitologjik, në mënyrë që e sotmja dhe e nesërmja të kishin ku të mbështeteshin dhe të merrnin forcë. Ky është një nga sonetet e tij më “të ftohta”.

Në këtë vazhdë vijnë edhe sonetet për Gjergj Kastriotin. Janë gjithsej 4 sonete për të. Soneti “Gjergj Kastrioti” është shkruar më 1879, dhe cikli “Te vorri i Skandër Begut” që përbëhet nga tre sonete janë shkruar përkatësisht më 1896, dhe dy të tjerët më 1900. Shiroka është në hullinë e gjithë rilindasve që iu drejtuan figurës së Skënderbeut, njërit nga mitet më qendrore të romantizmit shqiptar. Edhe këtu autori si në çdo rast iu drejtohet autorëve të shquar nga letërsia botërore, duke i cituar vargjet e tyre gjithmonë në gjuhën origjinale.

Tek soneti “Gjergj Kastrioti”, Skënderbeut del si mbrojtës i Europës, kalorës i krishtërimit. Toni këtu është i lartë, lavdërues, por soneti shkon i qetë. Vihet re se Skënderbeun e ka vlerësuar dhe armiku. Ai i kishte vënë emrin e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Vetë Skënderbeu në vargun e fundit thotë që është luftëtari parë Europës.

Është në përgjithësi një sonet i shkruar rrjedhshëm, bukur, me ton luftarak. Por Sonet fisnikërisë së butë, jo i shpërthimeve të pakontrolluara romantike, tone solemne, por të qeta, sonet lavdërues, por jo bërtitës, jo ulëritës. Edhe në këtë rast kemi të bëjmë me një sonet romantik për nga idetë, por klasik për nga tonaliteti, vetëpërmbajtja e ndjenjave të autorit dhe e thellësisë së figurës së dhënë. Te ndryshme janë tre sonetet e tjera mbi Skënderbeun. Ky cikël prej tri sonetesh mban titullin “Te vorri i Skanderbegut”. Megjithëse janë shkruar në kohë të ndryshme, autori përsëri ka ditur t’u japë një lidhje të brendshme. Besnik i vetvetes, autori prapë citon autorë të shquar: Ciceronin në rastin e parë, në rastin e dytë Pirron dhe në rastin e tretë Beranzheně. Ky i fundit poet francez. Referimet nga autorë të mëdhenj duan të sjellin përsëri tonalitetin e ngritur, por njëkohësisht klasik dhe duan të përforcojnë idenë që shpreh autori nëpërmjet soneteve të tij.

Sipas autorit edhe yjet edhe hëna edhe dielli do të mbeten dëshmitarë të lavdisë së këtij njeriu dhe kurrë shkëlqimi i tij nuk do të shuhet. Edhe ari i shkruar mbi varrin e tij asnjëherë nuk do të venitet. Një sonet himnizues me tone të ngritura, por gjithmonë i përmbajtur sipas modeleve që imponon vetë forma e sonetit. Ajo që vihet re është se vargu i fundit i sonetit të parë rimerret si vargu i parë i sonetit të dytë dhe vargu i fundit i sonetit të dytë rimerret si varg i parë i sonetit të tretë. Kjo teknikë përdoret në kurorën prej sonetesh, 15 sonete të lidhura bashkë, ku vargun i fundit i sonetit të mëparshëm përsëritet në krye të sonetit pasardhës. Ai nuk ka arritur që të realizojë një gjë të tillë, se do t’i duheshin edhe 12 sonete të tjera. Sidoqoftë ai ka tentuar dhe ka arritur deri në tre të tilla.

Siç dihet nëpërmjet Skënderbeut lavdërohej e kaluara në favor të së ardhmes. Soneti i fundit del nga tonet e qeta, të drejtpeshuara, klasiciste. Ndiejmë aty thirrjet, fyerjet “o barbarë”, ose “nuk hup jo shqiptari”. Toni në sonetin e tretë nga një ton klasik, këmbehet me atë romantik. “Shqypnisë”, i ka kushtuar dy sonete, ku rimerret vargu i fundit i sonetit të parë si vargu i parë i sonetit të dytë. Sonetet përsëritim temat e mitologjisë romantike për Shqipërinë, të thëna që nga Vaso Pasha: Shqipëria e lavdishme dikur, sot e mjerë, Shqipëria e bukur… Shqipëria nënë luftëtare, e dashur, por e përgjakur. Autori puth duke qarë plagët në gjoksin e saj. Është një ndjeshmëri romantike, tonet janë retorike, ndjenja theksohet deri në thirrje. Eksklamacionet nuk janë karakteristika të neoklasicizmit, por të poetëve romantikë. Ja ndonjë nga strofat:

Greku dhe Bullgari, Serbi e Mali i Zij,

qi dashtnij t’diftoin… ata t’kan varrumun,

me njerzt’vet, me shkolla edhe me priftinj!

Disa nga sonetet e Shirokës pikëzojnë ndjenja dhe ide universale, gjendje njerëzore të përsëritura në të gjitha kohërat, që mbeten edhe për sot të pëlqyeshme. Këtu shohim përparësinë që ka tema filozofike mbi atë patriotike. Idetë, qëllimet e poezisë së miteve mbi Shqipërinë e lashtë, mbi Skënderbeun, i shërbyen një momenti të caktuar historik.

“Bota katolike” përbëhet nga dy sonete. Është një poezi me karakter fetar, i kushtohet misionit të Papës dhe misionit të kryqit si shpëtimtar i njerëzimit. Drejtori i Albanias, Faik Konica, i hapi vend këtij soneti në revistën e tij të vitit 1902. Shqiptarët kërkonin ndihmën e Papës dhe Evropës së krishterë për shkëputjen nga Turqia. Nëpërmjet këtij soneti përkushtimor dhe përlëvdues për Vatikanin dhe krishtërimin, sigurisht, bëhej dhe politikë.

Shiroka modest, ky poet dhe inxhinier hekurudhash, si njeri kishte një përbërës të urtë dhe racional në tipin e tij. Kjo cilësi karakteristike del nga letrat, nga biografia e tij, nga marrëdhëniet që ka pasur me rilindasit e tjerë, nga sjelljet atdhetare, shoqërore dhe në shfaqjet e jetës së përditshme. Ai ishte një romantik i ngrohtë, i zjarrtë, por dhe njeri që arsyetoi, që vlerësoi shfaqjet universale, të përjetshme, dhe dha mendime përtej pamjeve të përditshmërisë. Kjo përmasë universaliteti, e do të thoshim herë-herë një përmasë e ftohtësisë klasike, e përshkonin në tipologjinë e sjelljes njerëzore, por dhe në mënyrën e poetizimit.

Këto dy cilësi, ndjenjat e zjarrta dhe barazpesha, janë tipare të soneteve të tij.

Marrë nga profili i Sadik Bejko. / KultPlus.com

Krijimtaria 50-vjeçare poetike e Ismail Kadaresë

Sadik Bejko

Në prag të 82 vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare (28 janar 1936) shtëpia botuese “Onufri” publikoi veprën e plotë poetike të këtij shkrimtari. Kjo përmbledhje e zgjedhur nga vetë autori, përmban rreth 160 tituj nga poezitë dhe poemat më përfaqësuese të poezisë së tij. Janë përfshirë poezi të shkruara mbi 60 vjet më parë duke u mbyllur me poemën “Tirana në dimër’, 2005. Veç përzgjedhjes nga librat e njohur si: “Ëndërrimet” 1957, “Lirika”, botuar rusisht, Moskë 1961, “Shekulli im”, “Përse mendohen këto male”, “Motive me diell”, “Koha”, “Ftesë në studio” janë përfshirë dhe poezi të panjohura, nxjerrë nga arkivi privat i shkrimtarit.

Në fund të librit jepen shënime mbi disa nga poezitë dhe poemat, shënime për kohën dhe vendin kur janë shkruar dhe botuar, për atë që lënda e disa prej poezive ka paralajmëruar vepra në prozë të autorit, ose shënime mbi prekjet a përpunimet që kanë pësuar herë pas herë disa nga poezitë dhe poemat.
Ko përmbledhje e plotë e poezive dhe poemave të Kadaresë, duke ndjekur rendin kronologjik të kohës së krijimeve, jep mundësi për të vërejtur evoluimin në artin, në stilin e autorit; poezitë regjistrojnë çaste të gjalla nga jeta e autorit, sjellin atmosferën e kohës, elemente intimë të biografisë, çaste kohore të së përditshmes, që, duke u shndërruar në poezi, bëhen lëndë e përjetshme.
Botime të këtij lloji me përfshirjen e pjesës më të qëndrueshme nga githë krijimtaria e poetit, lënë shteg për të medituar, për të sintetizuar mendimin mbi karakteristikat, të veçantat e kësaj krijimtarie. Kritika ka vënë në dukje se Ismail Kadare ka qenë nga poetët më me emër, poet që bashkë me dy-tre autorë të tjerë në krah të tij, në vitet ’60 të shekullit që shkoi, sollën risi e nivel të lartë cilësor në poezinë shqipe. Ata e nxorën poezinë nga dogmatizmi ideologjik i skajshëm, nga steriliteti stilistilk e gjuhësor, nga ngushtësia e rëndomësia tematike ku e kishin katandisur poetët paraprijës.
Mjeshtëria dhe freskia në organizimin gjuhësor të poezive të Kadaresë, pasuria shpërthyese imagjinative, imazhet e animizuara dhe të hiperbolizuara gjer në skajshmëri e tronditën stilin e rrafshët të të shkruarit për kohën, por dhe shënuan risi që nuk i gjeje në gjithë fondin e mëparshëm të poezisë shqipe. Thekset e tij përçmuese ndaj prapambetjes në formë e në mendim, ndaj një stili të vjetëruar në Shqipërinë e kohës së qerreve që tërhiqeshin nga buaj, sollën një frymë emancipimi, një çlirim të shprehjes poetike që u bë frymëzuese për brezat e poetëve të kohës së tij
Ismail Kadare, edhe kur u botuan romanet, (në vitin 1963 u botua romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur’) edhe kur jashtë Shqipërisë proza e tij cilësohej e nivelit botëror, ka qenë poeti më në zë i kohës së tij.

Poezia e tij u dallua nga të tjerët për temën e qytetit. Në një vend që i përkiste qytetërimit bujqësor, me një gjuhë paksa futuriste ndonjëherë më perceptime surreale ai solli trenat, sirenat, aeroportet, pejsazhet urbane, pamje nga qytetet Gjirokastër, Tiranë, Moskë, Paris, Helsinki, Stamboll, Frankfurt, Amsterdam, Kopenhagë… Me një rebelim stilistik e gjuhësor të tillë ai po shkundte pluhurin e një folklorizmi të dyfishtë në poezinë e kohës, atë të një poezie rurale, të një poezie gjoja me motive popullore dhe folklorizmin e poetëve proletarë të realizmit socialist me traktorë e me tezgjahë, poezinë e fjalëve të bukura por pa substancë. Me kohë tema e qytetit hyri me filozofinë e lëvizjes rrethore, me qytetërimin si polis, si përgjegjësi për të sotmen dhe të nesërmen. Ismail Kadareja ka qenë shkrimtari që u dha jetë dhe interpretim në përputhje me interesimet mendore e ndjesore të kohës së vet disa prej simboleve universale si: Kali i Trojës, Piramida, Saharaja, Laokonti, Akullnaja, Kështjella. Ledi Makbeth Hamleti, Prometeu… Riaktivizimi i simboleve universale dhe i miteve historike, në veçanti i figurave prej historisë dhe miteve shqiptare sillte dhe një poezi të nënteksteve falë shumëkuptimësisë dhe universalitetit që buron nga një lëndë e tillë.

Është folur për një ngrysje, për një ashpërsim të klimës në këto poezi, për qiej të mvrenjtur, për ngrica dhe acar, për shira të vazhdueshëm, për një dramë gjer në përçudnim të pejsazhve (qiejt e ngrysur pa lejlekë/ dhe shirat pa ylber në mes), për vjeshtën, akujt, dimrat që janë deri në titujt e disa poezive. Qielli i Tiranës, qielli socialist, është “pa formë si tru idioti”, “grija funebre” e qiellit të ish-kampit socialist pasohet nga dimri me akuj dhe acar dhe “me një plenum në mes”. Ky ashpërsim i motit mesdhetar të Shqipërisë nuk është manierë. Nga tipar i formës kthehet në një nga përbërësit thelbësorë të stilit.

Pavarësisht mjeteve a teknikave të tilla, poezia e Kadaresë mbeti gjithmonë e kthjellët, larg çdo errësimi kuptimor. Nënteksti a ambiguiteti janë cilësi e teksteve të tij, diktuar dhe nga mungesa e lirisë. Pas botimit të romaneve që menjëherë gjetën përhapje ndërkombëtare, Kadareja e mbajti dorën, shkroi më rrallë poezi. Poezia, botuar në tirazhe të mëdha tek ne dhe në gjithë vendet e Lindjes, ishte arti më i politizuar i kohës. Në Perëndim poezi botohej përherë e më pak.

Stili i librave të fundit evoloi dhe në mjetet e shprehjes. Autori u largua nga vargu i lirë, nga poemat sintezë. Filloi të shkruajë një poezi strofike, me metër, me rimë me formë pothuaj klasike. Si te Pasternaku kjo poezi kishte brengë në përmbajtje dhe novacione të brendshme të shprehjes nën rreptësinë klasike.

TIRANA NË DIMËR
Në kafene ka rënë njëfarë qetësimi.
Shpirti pushim kërkon, e ndoshta mall.
Anëdete blu, plazhe të shkreta dimri,
Hotele ku nuk mbërrin i ftohti i madh.
Një grua e mjegullt, shfaqur te qelqnaja
M’u duk se më kujtonte një premtim.
Vdekja s’më la, atë premtim të mbaja,
I thashë më në fund plot pikëllim.
Ajo më pa habitshëm që pas qelqit:
Nuk të marr vesh, kjo gjuhë më bën ujem.
Në qoftë se ti, siç thua, je i vdekur,
Atëhere mua ç’më mbetet që të jem?
S’e di, i thashë, me habi të ftohtë,
Tek shpirti prapë me pikëllim m’u mbush.
Dikush nga ne të dy s’është më në botë,
Po cili a cila, këtë s’e di askush.
Një copë herë me shenja morëm e dhamë.
S’kuptoheshim, veç kishim mall e mund.
Gjersa ajo u tret te qelqi i madh
Dhe unë mbeta shkret në kundaskund.

Ky fragment, kreu i 6-të i poemës “Tirana në dimër” (2005), shënon krijimin poetik më të fundit publikuar deri më sot nga I. Kadare. Kjo poezi me varg njëmbëdhjetërrokësh, me formë strofike, poezi e zymtë klasike vjen prej periudhës së fundit krijuese të shkrimtarit. Një poezi dashurie. Ky libër ka rreth 50 poezi me këtë temë. Mbase humbja njeriun e bën më të bukur. Te poezia “Llora” ai thotë se të ndërtosh një ndarje nga e dashura “është më e zorshme se të ngresh një piramidë”.

Një nga leximet e mundshme të kësaj poezie – në fakt të këtij fragmenti nga poema “Tirana në dimër” – mund të jetë si më poshtë,
Në ndonjë segment të jetës disa gjëra – dashuria mes të tjerash- mbeten thjesht një premtim. Bie mjegulla dhe fanitja e së dashurës mbetet matanë saj. Urat janë prerë. Dhe malli, mundi, moskuptimi e akullimi në të dy krahët. Një nga pikëllimet më të mëdha të jetës. Nuk mban dot një premtim. nuk i përmbush ëndrrën një dashurie.
Sa e vështirë do të jetë për ndokënd, që këtë ta shpallë hapur. Sa e vështirë, sa guxim ta thuash… pikëllimin.

Dhe sa forcë… Ç’ forcë prej sovrani që pranon të abdikojë nga zotërimet e tij, nga froni i dashurimit…. Duke pohuar njëherësh se realiteti i intimes është ndër gjërat më themelore, më të thella të jetës.
Disa nga kryeveprat e Kadaresë si “Në studion dimërore”, “Kthimi në Moskë”, “Llora”, “Ti qave”, “Kristal”, etj janë ndërtuar me këtë lëndë të humbjes “së bukur” të dashurisë.
Ky libër i Kadaresë vjen si një dhuratë e çmuar për gjithë dashamirët dhe lexuesit e tij në këtë përvjetror të ditëlindjes së poetit./KultPlus.com