Kitaristët Tringa Sadiku & Diar Aliu vijnë me koncert në Muzeun e Mitrovicës

Dy kitaristët e talentuar Tringa Sadiku dhe Diar Aliu të cilët e zhvillojnë karrierën e tyre jashtë Kosovës, për herë të parë do të performojnë së bashku në vendlindjen e tyre, në Mitrovicë, shkruan KultPlus.

Ky koncert i cili do të mbahet në Muzeun e Qytetit të Mitrovicës paraqet një mundësi unike për të shijuar nga afër artin e tyre.

Tringa Sadiku filloi të mësojë kitarën në moshën shtatë vjeçare në shkollën e muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë për të vazhduar në Akademinë e Arteve në Prishtinë në klasën e prof Xhevdet Sahatxhijës dhe Drilon Çoçajt. Gjatë gjithë studimeve, Sadikut iu ofruan disa bursa për të ndjekur masterclass me kitaristë të njohur, si dhe për të performuar në festivale si Akademia Gitary Festiwal- Poloni, Berlin Guitar Festival-Gjermani, Soliste me sezonin e Filarmonisë së Kosovës, Chopin Piano Fest-Kosovo, Dam Festival. – Kosovë, Dokufest, Manifesta Bienal, Festivali ReMusica- Kosovë, Akademia Verore e Muzikës Evropiane ESMA- Kosovë etj. Sadiku aktualisht po studion në Universität für Kunst und Darstellende Arts në Graz, Austri në klasën e prof Lukasz Kuropaczewski dhe Paolo Pegoraro.

Diar Aliu është kitarist i shquar klasik e mësimet e para i mori në shkollën e muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë. Aktualisht studion në “Universitetin e muzikës dhe arteve skenike” në Graz nën drejtimin e profesor Łukasz Kuropaczewski. Gjatë karrierës së tij dhjetëvjeçare, ai ka fituar çmime prestigjioze, ndër to çmimet e para në “Palaio Faliro Athens Guitar Festival” (Greqi), “Festivali ndërkombëtar i kitarës në Pejë” (Kosovë), “Festivali i Kitarës në Shqipëri”, konkursi “Kitara ndërkombëtare në Mal të Zi”, “Festivali i Kitarës në Pleven” (Bullgari) “Festivali i kitarës në Ankara” (Turqi) dhe “Forum Gitarre Wien” (Austri). Fitoi çmimin special për interpretimin më të mirë në “Bremen Guitar Competition” (Gjermani) Së fundmi, ai performoi solo recitale në “11th Postojna Guitar Festival” në Slloveni dhe “28th Forum Gitarre Wien” në “Wiener Konzerthaus” në Vjenë.

Koncerti mbahet më 9 Nëntor 2024, në ora 19:00, në Muzeun e Qytetit të Mitrovicës./ KultPlus.com

Donjeta Sadiku: Në Paris kam ardhur për medalje

Pas fitores së shkëlqyeshme kundër tajlandezes, Thananya Somnuek, boksierja jonë Donjeta Sadiku në një intervistë ekskluzive për RTK-në ka folur për meçin, por edhe synimin e saj për të fituar medalje në Olimpiadë.

“Unë kam ardhur këtu vetëm për medalje”, ka theksuar Donjeta në intervistën pas meçit me gazetarin Arben Berisha në Paris.

Ajo tutje ka folur edhe për meçin e sotëm. “Ka qenë një kundërshtarte shumë e vështirë. Jam ndeshur edhe më herët me të, por së bashku me trajneren e kemi analizuar dhe ashtu siç e kemi analizuar dhe kemi punuar ashtu na rezultoi me sukses”, ka thënë Donjeta.

Ajo tutje përsëriti vendosmërinë e saj për sukses në këtë Olimpiadë, pasi tri vjet më parë në Tokio ishte eliminuar në meçin e parë.

“Siç e thash, kam ardhur me synim shumë të qartë këtu. Normalisht se meçi i parë ka qenë më i komplikuar, mirëpo shpresoj se edhe meçet tjera t’i kaloj sikur ky”, shtoi ajo.

Ministri Çeku: Donjeta Sadiku na bëri krenarë përsëri të gjithëve

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, tha se fitorja e sportistes Donjeta Sadiku në Lojërat Olimpike 2024, ka bërë krenarë përsëri të gjithë shqiptarët.

Ministri Çeku përmes një shkrimi në facebook, i ka uruar sportistes Sadiku suksese në lojërat e radhës.

“E nisim me fitore.

Donjeta Sadiku na bëri sonte krenarë përsëri të gjithëve. Fitoi ndeshjen e parë në Lojërat Olimpike #Paris2024 dhe vazhdon garën drejt medaljes.

Urime dhe suksese të radhës!”, ka shkruar Ministri Çeku./ KultPlus.com

Presidentja Osmani pas fitores së Sadikut: Moment krenarie për Kosovën

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar pas fitores së meqit të parë të sportistes Donjeta Sadiku.

Presidentja Osmani ka thënë se fitorja e Donjeta Sadikut shënon një moment krenarie për Kosovën.

“Moment krenarie për vendin fitorja e Donjeta Sadikut. 🇽🇰

Faleminderit Donjeta për këto emocione!”, ka shkruar Presidentja Osmani./ KultPlus.com

Trajnerja e Donjeta Sadikut: Ditë e madhe për Kosovën dhe shqiptarinë

Sigurimin e normës për lojërat Olimpike “Paris 2024” të boksieres Donjeta Sadiku, trajnerja e saj Marjola Sallauka e ka quajtur ditë të madhe për Kosovën dhë tërë shqiptarinë, shkruan KultPlus.

Sallauka është shprehur krenare që ishte trajnere e saj në kohën kur Sadiku u kualifikua në Lojërat Olpimike -Paris 2024.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të trajneres Sallauka:

Ditë e madhe për Kosovën , ditë e madhe për Shqiptarin 🇽🇰🇦🇱

Një trimëresh e vërtet e luanesh në ring, kjo është Donjeta Sadiku.

E palodhshme e punëtore që asnjëher nuk u dorëzua drejt realizimit të ëndrrave të saj , e që sot arriti të siguroj kualifikimin për në Lojërat Olimpike – Paris 2024.

Jam krenare që jam trajnerja e saj e krahë saj në realizimin e ëndrrës Olimpike.

Një premtim të cilin e bëmë e realizuam, kualifikimin e arritëm.

Rruga nuk përfundon këtu, shihemi në Paris

Falenderuse përjetësisht të gjithë atyre që na mbështetën e na qëndruan afër gjatë këtij rrugëtimi.

Posaqërisht Federata Fboxk kryetarin Enver Krasniqi dhe sekretarin Latif Demolli si dhe Kosovo Olympic Committee

Veqanerisht falenderoj trajnerën e mikeshën time Marigona Beadini.

Selektorin e femrave Faton Xhakli si dhe selektorin e meshkujve Musli Zymberi për bashkëpunimin gjatë këtij turneu kualifikues./KultPlus.com