Poezi nga Sadri Tafilaj
Letër nënës
Unë e di se sonte si çdo natë
Kur dielli ulet nën maje mali
Në sofrën e ndriçuar nga drita e hënës
Përcjell kafshatat nëpër fytin e thatë
Kafshata buke të qullura me lot malli
Mall për djalin në shpirtin e nënës
Unë e di se sonte si çdo natë
Vetëm muret e çelerit të bëjnë shoqëri
Nga arka e drunjtë që me të erdhe nuse
Nxjerr fotografinë time dhe Zotit i lutesh
Të paktën në ëndërr para teje të kaloj
Sytë e lodhur mundohesh për t’i mbyllur
Mua me thua natën e mirë biro
Unë e di se sonte si çdo natë
Në gjirin tënd më ke
Dorën e zgjat kokën të ma lëmosh
Por ëndrra është ëndërr
Zgjohesh e derdhur në vaj
Sytë do t’i mbyllësh përsëri t’më ëndërrosh
Unë e di se sonte si çdo natë
Ditët në vajtime dhe netët në ëndërrime
Pleqëria një nga një t’i vret
Në zemër dhe shpirt në qepallat e syve
Hijen time asgjë s’mund të ta shkëpus
Të shihemi sy më sy me padurim e pret
Ti derdh lot në Kosovë Mua në Shqipëri fytyra më laget.
Marrë nga profili i vajzës së shkrimtarit, Orgela Tafilaj. / KultPlus.com