Yjet Saimir Pirgu & Marigona Qerkezi i sjellin Kosovës koncert operistik të nivelit botëror

Vjollca Duraku
Fotografitë: Arben Llapashtica & MKRS

Të martën mbrëma, në Kosovë u mundësua një operë e nivelit botëror falë bijëve të saj të cilët si asnjëherë më parë e nderuan skenën e vendit të tyre, i cili institucionin më të lartë të kulturës, Operën e Kosovës, e ka në hapat e parë të ngritjes, shkruan KultPlus. Saimir Pirgu- tenor shqiptar, një nga më të vlerësuarit e kohës në skenat ndërkombëtare ishte protagonisti i mbrëmjes, ku përveç interpretimit ka lansuar edhe albumin e tij “Saimir”, ndërkaq artistja tjetër e përmasave ndërkombëtare gjithashtu, sopranoja Marigona Qerkezi ka qenë një prezencë e fuqishme që i dha Prishtinës shkëlqimin e një qyteti me traditë të lartë kulturore.

Në këtë mbrëmje të rrallë artistike, dukej sikurse teatrot dhe skenat prestigjioze botërore po ia kthenin Kosovës një borxh, përmes të cilit falë margaritarëve shqiptarë kanë arritur të qëndrojnë në piedestal dhe  në themele të sigurta. Një Gala Koncert të tillë publiku shqiptar e kishte pritur gjatë, kjo vërehej në fytyrat e qeshura të publikut i cili kishte zënë çdo cep të Sallës së Kuqe në Pallatin e Rinisë. Ulëset shtoheshin vazhdimisht deri në fillim të koncertit, entuziazmi sa vinte e shtohej, dhe zemra rrihte plotë emocion për këtë art të jashtëzakonshëm, që do të rrjedhte nga një esencë dhe dell shqiptar.

Orkestra e Operës së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentes Elda Laro fillimisht dha një pikë interpretuese me dinamikë të madhe. Kjo energji në epiqendër të së cilës gjendej profesionistja Laro, që bashkë me lëvizjet e fuqishme të trupit të saj shkundtte me themel çdo ndjenjë apo emocion të ultë të çdo njërit që gjendej në sallën tonë tejet modeste, duke sjellë ndjenja admirimi dhe krenarie të lartë.

Paraqitja në sallë e tenorit të shquar Saimir Pirgu paraqiste një moment historik për Operën e Kosovës, i cili sa hapa që hidhte drejt skenës i shtonte një tullë kalasë në ndërtim e sipër të bashkëkombasve të tij. Me veprën e Georges Bizet- “Opera Carmen” (Aria “La fleur que tu m’avais jetée”)  nisi mbrëmja e tij artistike ku përmes zërit të fuqishëm, të pasur dhe emocionues shkrinte vetëm dashuri në zemrat e audiencës. Një autoritet që vetëm me prezencën e tij dëshmonte interpretimet në skenat më të njohura të kohës si ato të: Operës Metropolitane në Neë York, Teatrin La Scala në Milano dhe Operën Mbretërore të Londrës.

Me veprën e Francesco Cilea – “Opera Adriana Lecouvreur” (Aria “lo son l’umile ancella”) po vinte ngadalë Marigona jonë e çmuar, e cila sikurse simotra e saj matanë kufirit, në një kohë më moderne tingull më tingull po qëndiste dhe e ngriste lartë flamurin e Operës së Kosovës. Me një fizik prej dive, veshur në të kuqe, plotë zjarr e pasion shpërthyese në çdo interpretim, sopranos Qerkezi  i m’vishej  një siluetë hyjnore, përmes së cilës kishte arritur të duartrokitej ngrohtësisht nga publiku i skenave prestigjioze si në: “La Fenice” në Venecia, “Gran Teatre del Lieceu” në Barcelonë, “Opera Royal de ëallonie Liege” dhe në Shtëpinë e Operës në Dubai.

Veprat të cilat u interpretuan herë nga njëri e herë nga tjetri qenë ato të: Pyotr Ilyich Tchaikovsky- “Opera Eugen Onegin” (Aria “Kuda, kuda kuda vy udallilis), Giacomo Puccini- “Opera Madam Butterfly” (Aria “Un bel di vedremo), Pietro Mascagni- “Opera Cavalleria Rusticana, Intermezzo”, Giacomo Puccini- “Opera Manon Lescaut” (Intermezo), “Opera Tosca” (Vissi d’arte), Aria: (E Lucevan le stelle)dhe “Opera LaBohème” (O soave fanciulla) e cila dëshmonte kapacitetin e artistëve edhe në aktrim, ku me plotë takt e elegancë prezantonin rolin e historisë së dy të dashuruarve parisienë.

Kurse, veprat e Feim Ibrahimit- “Unë biri yt Kosovë” interpetuar nga sopranoja Qerkezi, Limoz Dizdarit “Fjalët e qiririt” interpretuar nga Simir Pirgu dhe ajo e Prenk Jakovës “Kto lule të bukura mali” në interpretim të përbashkët u ndjenë padiskutim më fuqishëm nga ky repertor me kryevepra botërore.


Ndërkaq, një kulmim i paparë i mbrëmjes u arrit kur maestro i skenës operistike, Simir Pirgu, në skenë i ftoi edhe kolegët e tij artistë për të performuar së bashku. Me ftesën e tij skenës iu bashkangjit edhe Ramë Lahaj, Flaka Goranci, nëna e Marigona Qerkezit, Merita Juniku, Jeta Çitaku, Zana Ramadani dhe Harris Bajraktari për të interpretuar veprën “Unë biri yt Kosovë” dhe për ta shëndrruar atë në himn të institucionit. Sikurse vargjet “Unë biri yt Kosovë, ta di gjakun të të vlon në gji” vlonte gjakun në dejet e artistëve dhe gjithë publikut me emocione të përziera, të dominuar nga krenaria për gjithë atë kapacitet artistik shqiptar.

Nuk kishte se si të mungonte edhe kryevepra “La Traviata”, e cila skenës në këto momente po i jepte madhështi të paparë. Improvizimi i aty për atyshëm nga ana e artistëve jepte emocione kulmore, me të cilat audienca do të shoqërohet për gjatë kohë.

Pas Gala Koncertit të Operës së Kosovës, në një prononcim për KultPlus, tenori Saimir Pirgu është shprehur i kënaqur me reagimin e publikut, duke e cilësuar si nderë të veçantë interpretimin e tij para bashkëkombasve.

“Unë jam tepër i kënaqur. Jam këtu për herë të parë. Ishte një publik i shkëlqyer, një publik që meriton shumë, një publik që e tregoi dashurinë për artin, kulturën, e shprehu me gjithë këto herë që u ngrit në këmbë për ne, për mua, për Marigonën, për Shqipërinë dhe për Orkestrën e Kosovës. Është nder për mua që të kem vënë një gur në këtë vend në këtë teatër, në kombin tim.  Nuk ka rëndësi se ku bëhet art. Arti bëhet kudo, mjafton zemra, zëri, muzika, kutura dhe ajo është gjëja më kryesore. Këto elemente na bëjnë ne komb, gjë që na bën të njihemi midis të tjerëve”, është shprehur Saimir Pirgu duke mos dashur të potencojë kushtet jo adekuarte të interpretimit.

Kurse, sopranoja Marigona Qerkezi ka thënë se interpetimi përkrah tenorit Pirgu për të përbënte kënaqësi të dyfishtë ngaqë u interpretuan edhe perla shqipe para njerëzve me të cilët ajo ishte rritur.

“Ishte mbrëmje magjike. Me të vërtetë, publiku u kënaq, ne u kënaqëm jashtëzakonisht shumë. Ishte një privilegj që në Kosovë të interpretoj një emër si Saimir Pirgu. Kisha nderin edhe ta ndaja koncertin me të. Është një emocion i veçantë të bashkëpunosh më në fund me Operën e Kosovës, pas një rrugëtimi disa vjeçar nëpër vende të ndryshme. Është një emocion i veçantë të këndosh për vendin tënd dhe të shohësh fytyrat të cilat i njeh dhe të kanë njohur prej një moshe shumë të vogël. Ishte një kënaqësi t’i ofrosh këtij publiku jo vetëm perla të repertorit operistik ndërkombëtar por edhe perla shqiptare të cilat janë jashtëzakonisht të bukura. Unë zakonisht i performoj jashtë. Kësaj radhe ishte emocion i dyfishtë që t’i performoja në vendin tim, për njerëzit e mi”, ka thënë sopranoja Qerkezi.

Sopranoja Qerkezi ka thënë se me një zemër plotë kanë dhënë maksimumin për të arritur të sjellin një koncert si ai i natës së mbrëmshme.

“Ishte një rikthim me të vërtetë me zemër plotë. Mezi kam pritur ta pranoj ftesën. U koordinuan jashtëzakonisht mirë edhe detajet organizative dhe të agjendës. Një ftesë të tillë për të ndarë mbrëmjen me Saimirin është vështirë ta refuzosh. Kështuqë, me një zemër plotë e bëmë të pamundurën dhe jam shumë, shumë e lumtur që një emër i tillë vjen në Kosovë, pavarësisht të gjitha elementeve të cilat nuk janë thjeshtë elemente, janë vitale por që i dijmë, dhe ndau shpirtin e tij gjigand botëror bashk me ne këtu sonte. Ishte me të vërtetë një mbrëmje e jashtëzakonshme dhe jam shumë e lumtur që jam këtu”, ka thënë sopranoja Qerkezi.

Kurse, Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Operës së Kosovës, Meriton Ferizi, Gala Koncertin e mbrëmshëm e ka quajtur një festë të madhe për fundvit, në të cilën tenori Pirgu dhe sopranoja Qerkezi hodhën një gur në themelet e këtij institucioni.

“Për fat të mirë ka shkuar gjithçka shumë mirë, e kemi pritur një kohë të gjatë. I falënderojmë artistët që e kanë pranuar ftesën, dhe kanë gjetur kohë të vijnë në Kosovë pasi kanë një agjendë shumë të ngarkuar. I falënderoj për këtë kontribut të tyre duke ia vënë edhe një gurëthemel Operës së Kosovës. Ishim pak të stresuar për shkak të kushteve, pasiqë artistëve të nivelit të tillë u duhen kushte më të mira akustike.  Për ne sfidë paraqiste salla si një vend i vogël me karrige pak, sepse interesimi ka qenë shumë i madh. Por, na gëzoi fakti që bashkëpunimi me ta ka qenë shumë i mirë, që nga dita e parë kur e kemi bërë ftesën e deri sot. Janë ndarë të kënaqur me pritjen, me orkestrën, dhe me nivelin që ka krijuar tashmë Orkestra e Operës së Kosovës. Ishte një festë për festat e fundvitit”, ka thënë drejtori Ferizi.

Ndërsa, dirigjentja Elda Laro ka falënderuar stafin e Operës së Kosovës për mirëpritjen dhe ngrohtësinë që iu kishin ofruar, si dhe gjithë popullin e Kosovës.

“Jam shumë e lumtur që koncerti vajti në mënyrë të jashtëzakonshme, dhe u prit shumë mirë edhe nga publiku i Kosovës. Pash që interpretuan edhe disa artistë të tjerë shqiptarë dhe jam shumë e lumtur. Kemi pasur dy yje që janë të çmuar në të gjithë botën, jo vetëm në Shqipëri. Ky ka qenë një privilegj shumë i madh edhe për mua që i kam dirigjuar dy këngëtarë të tillë. Edhe bashkëpunimi me Orkestrën e Operës më ka dhënë një eksperiencë shumë të madhe, pasi të rikthehesh të punosh edhe me të rinjë që janë fillestarë, të kujtojnë fillimin tonë, kohën kur kemi filluar edhe ne. Kështuqë, ka qenë një eksperiencë që do ngeli në zemrën time. Jam shumë e lumtur se si kanë reaguar sonte të gjithë orkestralët, janë me të vërtetë artistë shumë të mirë dhe jam shumë e lumtur. I falënderoj të gjithë pjesëtarët e Operës. I falënderoj edhe kosovarët sepse me të vërtetë i dua shumë, shumë, shumë”, ka thënë dirigjentja Laro.

Ndërkaq, violistja Entela Qarkagjija ka thënë se bashkëpunimi me dy yje të skenës botërore siç janë Saimir Pirgu dhe Marigona Qerkezi për të personalisht përbën një përvojë të jashtëzakonshme, të papërjetuar më parë.

“Ishte një përvojë e jashtëzakonshme të punosh me artistë të nivelit ndërkombëtar. Duke pasur mungesë të një salle koncertale adekuate, ishte shumë e vështirë që të përshtatemi me akustikën. Por ja dolëm, gjithçka shkoi në mënyrë profesionale në fund, ashtu siç dijnë profesionistët e vërtetë të punojnë dhe të sjellin art në këto kushte. Ishte një arritje përfundimtare e suksesshme”, ka përfunduar Qarkagjija./ KultPlus.com

Tosca kthen Saimir Pirgun në TKOB/ Opera e Puccinit vjen premierë për 4 netë, tenori rikthehet pas 13 vitesh

Tosca, opera me tre akte e kompozitorit italian Giacomo Puccini vjen premierë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, në katër netë unike nga data 6-10 tetor, me dy kaste të ndryshme artistësh.

Tosca përshkruan intrigat dhe romancën politike në ditët e luftërave të Napoleonit, në një udhëtim mes pasionit, xhelozisë dhe sakrificës. Vepra vjen për publikun artdashës shqiptar në 100-vjetorit e vdekjes së Puccinit dhe rikthen pas 13 vitesh në TKOB tenorin Saimir Pirgu.

“E kam pritur prej kohësh të rikthehem, e kam zgjedhur operan Tosca me dedikim për vitin puçinian, jam tepër i emocionuar se sapo kam ardhur dhe mezi pres të këndoj për publikun shqiptar”, shprehet Pirgu.

Vepra vjen nën regjinë e Manu Lalli dhe dirigjimin e Jacopo Sipari di Percasseroli. Krah tenorit do të performojë sopranoja e skenave botërore, Krassimira Stoyanova.

“Vij për herë të parë në Tiranë. Është shumë interesante sepse di shumë gjëra nga Shqipëria dhe kam qenë kurioze ta shihja. Ndihem e lumtur dhe e mikpritur. Me Saimirin njihemi prej 20 vitesh, kemi një bashkëpunim të ngushtë, si miqësor ashtu dhe profesional. Jam e lumtur që gjej te ai një zhvillim të jashtëzakonshëm vokal, madje jam e bindur se pas pak vitesh do të arrijë të arrijë të këndojë edhe Otellon dhe pse ai thotë se nuk do ta arrijë kurrë”, tha ajo.

Në këtë rikthim të shumëpritur, Pirgu vjen me një album të ri me 21 arie të interpretuara me ndjeshmëri dhe përkushtim. Saimir është një homazh për Shqipërinë dhe artin ndërkombëtar.

“M’u desh të analizoja shumë vepra shqiptare dhe të përzgjidhja atë më të veçantën, aria e Lekës nga Opera Skënderbeu e të madhit Prenk Jakova ishte më e përshtatshmja dhe mendoj se ky homazh i bukur për Shqipërinë ishte gjëja më e pakët që mund të bëja për vendin tim”, u shpreh ai./ Top Channel/ KultPlus.com

Rekordet botërore të Saimir Stratit që ruhen në magazina

Ka thyer 11 rekorde Guinness në fushën e mozaikut dhe refuzon çdo ftesë që i vjen nga disa shtete të botës, sepse dëshiron që rekordin e 12-të ta realizojë dhe ekspozojë në Shqipëri.

Saimir Strati, artist i mozaikëve, tregon për Radion Evropa e Lirë se çdo ditë krijon, e po ashtu merr ftesa për ekspozita dhe për të realizuar vepra të tjera, por shprehet i prekur që arti që bën, “nuk vlerësohet” në vendin e tij, transmeton Klankosova.tv.

“Nëse ka një ftesë serioze, jam gati ta bëj rekordin e 12-të. Kam refuzuar shumë ftesa, sepse dua që ky rekord të shënohet në Shqipëri. Por, nuk do të bëj një vepër që të magazinohet dhe të ruhet diku fshehur dhe më pas të prishet”, thotë Strati.

Me keqardhje, ai thotë se shtatë rekordet që ka thyer me veprat që ka realizuar në Shqipëri, nuk kanë marrë vlerësimin që ka pritur.

Një nga punimet e Saimir Stratit.

Nuk është realizuar asnjë ekspozitë me to dhe nuk është marrë asnjë vendim për ta vlerësuar punën dhe veprën e tij, siç ka ndodhur në disa shtete ku ai ka realizuar vepra të tilla.

Mozaiku i Nënës Terezë i punuar nga Strat në Prishtinë.

Saimir Pirgu në teatrin më antik të Evropës, bashkëpunon me regjisorin Ferzan Ozpetek

Tenori shqiptar, Saimir Pirgu është rikthyer në teatrin “San Carlo” të Napolit, një bashkëpunim me regjisorin e mirënjohur Ferzan Ozpetek, duke vënë në skenë operën e Giacomo Puccinit, “Madama Butterfly”.

Një “Butterfly” të paharrueshme, e cilësuan mediet italiane, operën ku Pirgu interpretoi protagonistin Pinkerton, përkrah sopranos amerikane Aylin Perez.

Historia e dashurisë dhe vdekjes mori ovacione të panumërta. Kjo nuk është hera e parë që Pirgu bashkëpunon në “San Carlo” me regjisorin Ferzan Ozpetek, i cili e fitoi famën ndërkombëtare si regjisor filmash artistikë. Në këtë opera, regjisori e ka trajtuar Butterfly-in jo si një viktimë, por si një grua të vendosur dhe të guzimshme.

Dan Ettinger ishte dirigjenti i orkestrës dhe korit të “San Carlo-s”, teatrit më të vjetër në Evropë (1737) ku ka ende aktivitet e njëkohësisht me më shumë vende nga gjithë teatrot italiane.

Opera “Madama Butterfly” u vu në skenë për herë të parë në vitin 1904 dhe prej atëherë nuk ka pushuar kurrë së magjepsuri, dashamirësit e melodramave./atsh/KultPlus.com