Libri me studime me titullin “Sali Bashota-Poet i Shpirtit”, me gjithsej 378 faqe, i cili u botua këto ditë nga Shtëpia Botuese “Artini”, i ka dy shenja të veçanta: botohet me rastin e 60-vjetorit të lindjes së poetit, studiuesit, profesorit Sali Bashota, nga autori Xhemail Ali Peci, me redaktor Qerim Kryeziun dhe recensentë: Fadil Grajçevci dhe Jahir Ahmeti, shkruan KultPlus.
Janë këta të katër
studentët të gjeneratës së studimeve të vitit 1984, kur Sali Bashota kishte filluar punën e
asistentit në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, në Fakultetin Filozofik (
tani Fakulteti i Filologjisë).
Autori i librit,
Xhemail Ali Peci, në fillim, në formë prologu, e paraqet parathënien, pastaj
bio-bibliografinë e autorit, si dhe esenë me titullin “Prishtina në poezinë e
Sali Bashotës”. Më tutje, libri sistemohet
në pesë kaptina kryesore dhe në disa nënkapituj të veçantë: poezia,
proza poetike, studime e kritikë letrare dhe publicistika, ndërsa në fund
trajtohet në formë epilogu parathënia
programatike në një studim të Bashotës që ka të bëjë me Shqipërinë Etnike, si
dhe jepet biografia e autorit të librit.
Vepra studimore e Xhemail Ali Pecit, është libri i katërt, i botuar deri më tani për krijimtarinë poetike e studimore të Bashotës.Më parë janë botuar librat: Grup autorësh, Sali Bashota preţuit de scriitorii români/Sali Bashota i vlerësuar nga shkrimtarët rumunë, Editura Limes, Bukuresht, (2012) , pastaj libri i Flamur Malokut, Polisemia e veprës (lexime empirike mbi poezinë e Sali Bashotës), Olymp, Prishtinë (2013) dhe nga Gëzim Arifi, Palimpsesti i ideve, Parnas, Prishtinë, (2013). /KultPlus.com
Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Paqes, KultPlus, mbështetur nga UN Women ka shpallur të hapur konkursin “Poezi për Paqe” ku në adresën e KultPlusi-it çdo ditë kanë ardhur një numër i madh i poezive.
Konkursi
ishte i hapur për të gjitha poetet gra dhe vajza të të gjitha moshave, dhe
komuniteteve në Kosovë.
Aplikimet janë vlerësuar nga juria profesionale e përbërë nga profesori dhe poeti i njohur Sali Bashota, studiuesi dhe shkrimtari Agron Gashi dhe studiuesja dhe gazetarja Jeta Zymberi, të cilët edhe kanë zgjedhë 20 poezitë më të mira.
Autoret e
këtyre 20 poezive ditën e martë janë bërë pjesë e një takimi të përbashkët dhe
punëtorisë për të elaboruar më shumë mbi poezinë, por edhe për të lexuar
poezitë e tyre të cilat janë përzgjedhur si më të mirat e këtij edicioni.
Selektimi i
këtyre poezive tashmë ka kaluar në dhjetë prej tyre. Në këtë dhjetëshe janë përzgjedhur:
Albina Rushiti, Kaltrina Pacolli, Albana Muja, Vlora Konushevci, Fjolla Avdylaj,
Alketa Spahiu, Festinë Avdiu, Tinka Kurti, Diana Basholli, Burbuqe Latifi.
(Renditja e emrave është rastësore).
Më datë 6 nëntor,
në ora 19:00, në KultPlus Caffe Gallery do të mbahet edhe nata finale e
konkursit “Poezi për Paqe” ku do të jenë të pranishme autoret e 10 poezive të përzgjedhura.
Në këtë mbrëmje poetike, autoret do ti lexojnë poezitë e tyre para të pranishmëve
dhe krejt në fund juria do të shpallë vlerësimin për tre poezitë më të mira të
këtij konkursit cilat edhe do të shpërblehen nga organizatorët.
Ky aktivitet është pjesë e projektit “Youth for Kosovo” mbështetur nga UN Peacebuilding Fund, dhe zbatuar nga UN Women, UNDP-UNV dhe UNICEF. /KultPlus.com
Disa fjalë rreth librit, Flirt, Lulzim Tafa, Poezi, botimet AAB,
Prishtinë, 2019, Fq.123
Pikënisja e shkrimit tim kritik e vlerësues për librin më të ri të
Lulzim Tafës shenjohet pikërisht nga vargu i tij virtuoz: “Poezia është si
Toka/Veç pak më e madhe”. Nga këtu çdo gjë që ndërlidhet me aktin krijues, me
frymëzimin dhe përbërësit e tij, me idetë dhe temat, ndër të tjera, e krijon
parabotën dhe botën e poetit, sikur ta portretizonte, madje diku të gdhendur në
kujtesën e lumtur dhe krenare të poetëve, mendimin brilant të Harold Bloomit,
kur thoshte se: “poezia është një thirrje profetike që meriton pa diskutim
kurorën e letërsisë imagjinare”. Poezia e Lulzim Tafës i ka shenjat e veta, të
cilat e prodhojnë faktin estetik, për ta gjetur udhën dhe krijimin e dashurisë,
pse jo identitetin e saj, pikërisht me gjuhën, stilin, figurat e renditura në
një hapësirë të krijimit dhe të meditimit lirik, aty ku fuqizohen dhe e marrin
primatin e vet semantik e simbolik një varg e vistër figurash të mendimit dhe
të fjalorit poetik, mirëpo ku triumfon bindshëm prania dhe domethënia e elipsës
poetike përmes risemantizimit të kodit erotik. Poeti edhe kur pohon edhe kur
mohon e vë në funksion leksikun apo idiomën gjuhësore për t’i ikur kodifikimit,
për ta fuqizuar mendimin dhe për ta saktësuar harmoninë e ndjenjës, të çastit,
të situatës, në raport me aktin krijues. Është pikërisht gjuha poetike vetë
formula e vizionit shkrimor lirik, ku poeti e sjellë konceptin e tij në
procesin e të menduarit, pse poezia së pari është ideal i shpirtit, ndërsa
fjalori, fryma, porosia e saj i prodhon të amblat dhe të idhtat e jetës, aty ku
ritmi i kënaqësisë, ritmi i zemërimit, ritmi i situatës, etj., e kanë një
emërues të përbashkët në realitetin e përjetuar të subjektit lirik se çdo gjë
lind e jeton kur betohesh për “kry t’vargut”, siç thotë poeti në poezinë e parë
të librit “Akull dhe dashni”.
Poezia e Lulzim Tafës është një monolog i shkathtë që e ka rrjedhën dhe intensitetin e vet, i funksionalizuar me ngarkesë të veçantë ideoemocionale, madje monolog që, gjithashtu, e ka formën, bukurinë dhe qëllimin e vet, i cili e kërkon dialogun e
tjetrit, për ta saktësuar dramatizimin e situatave të shoshitura përbrenda
këtij realiteti ekzistues, aty ku përmes pyetje të shpeshta sugjestive kërkohet
identiteti i qenies, herë në minimumin e mundshëm, herë në maksimumin e
pamundshëm.
Në pesë ciklet e librit, siç janë: Dashuri, Flirt, Lufta, Bisedë me
miq dhe Dhimbje, Lulzim Tafa i shfaq, i formëson dhe i ofron kërkimet e tij
krijuese, në favor të trajtimit dhe ndriçimit të mozaikut të temave që
ndërlidhen me shoqërinë, aktualitetin , luftën, religjionin, humanizmin,
dashurinë, etj. Dhe, pa dyshim, poezia e këtij poeti bëhet valë shpirtërore, në
të cilën kryesisht dominon ideja, e shtresuar dhe e simbolizuar me mall, zjarr
e dashuri.
Këta tre përbërës (malli, zjarri, dashuria) e ndërtojnë një gjuhë
specifike të ligjërimit poetik (variant letrar i gegënishtes me idiomat
gjuhësore të të folmeve të Kosovës), për të shtresuar raportin e poezisë me
gjuhën, ligjërimin dhe lexuesin. Për më tepër, besimi i poetit për një dashni
fikse, i mënjanon konvencat dhe klishetë e të perceptuarit ndryshe për poezinë
erotike, ku gjithmonë bukuria e vashës bëhej kryefigurë e simbol, si
pavdekshmëri e shpirtit dhe jo ana tjetër që e ka misteriozitetin e vet, të
ndrydhur me lirinë e mëkatit për të dashuruar vetëm përfytyrimin dhe
shpërfytyrimin e aktit të veprimit.
Magjia e dashurisë, shpërthen, si në këto vargje të poetit: “me
shpirt/me trup/ me m’mlue” (“Ty”) apo “me m’përpi/me një frymëmarrje”(“Eh”) apo
“Më ke ndez / Si zjarr/dhe po ngrohesh me mua” (“Piromane”) apo “Më vështron të
tërin nga maja/Derisa unë pres/ujin me vlue”/(“Nga maja”). Këto vargje
shqiptohen e zbërthehen brenda një konteksti të ri semantik, edhe kur trazimi
apo mërzia, në njërën anë, e përmbysin imazhin, apo kur përjetimi e adhurimi,
në anën tjetër, doemos, bëhen kaq të dallueshme, kaq shpirtërore deri tek
receptimi i poezisë me efektin estetik të saj. Prandaj, ky është një shembull i
veçantë i ilustrimit të dashurisë, ku ndjeshmëria njerëzore sistemohet
përbrenda bazamentin të ndjeshmërisë shkrimore, përmes thjeshtësisë poetike me
vargje të shkurta dhe me komunikim të gjatë.
A mund të jetë ky një ditar i dashnisë ku poeti e ka thurur zjarrmin e tij, për ta shpalosur një botë që ikën me plot peripeci e kujtime nga vetvetja dhe që rikthehet në gjenezën e krijimit, bëhet art e dëshmi poetike, sepse fundja për t’ia thyer pasëordin ëndrrës (varg i poetit), udhëtimi i jetës nuk e njeh vdekjen, por e njeh vetëm
pavdekshmërinë. Sigurisht se kodi për të hyrë dhe zbërthyer botën e poetit
është vetë çelësi i interpretimit për poezinë me tematikë të dashurisë,
veçanërisht në poezitë “Të dua më shumë se Paulinën” dhe “ Grue”, kështu që
vargjet e poezisë së fundit: “Zoti është dashtë/ Me të lënë të bukur/ Kështu
siç je”/, e përcaktojnë qartë dimensionin semantik e estetik , ku bukuria bëhet
edhe fenomen i artikuluar me kontocione metafizike.
Cikli i dytë me titullin “Flirt”, i përfaqësuar me poezitë
“Ashensori”, “Në Sex Shoop”, “Kur ti më thërret”, “Kushti”, poezia për Çarl
Bukovskin, etj., zhvesh gjuhën nga sfera e realitetit, e dekompozon përtej
arsyes njerëzore, vetëm e vetëm për ta përmbysur mitin e trilluar, shkëputur
nga konteksti i jetës, kur është herë ankth shpirtëror e herë dëshirë erotike,
madje deri tek zhveshja figurative nga absurdi dhe ironia. Mbase mund të jetë
një formulë ekstreme e rebelimit, në pikëtakim me të dashuruarit ndryshe, ku ka
edhe zemërim, revoltë, mllef, duf, klithmë, sarkazëm, indiferencë, por edhe
lavdi e madhështi.
Në ciklin e tretë me titullin “Lufta”, shquhet poezia “Letër Bujar
Tafës” , pastaj poezia për fëmijët e pagjetur në luftën e ndodhur në Kosovë,
“Svetllana dhe lufta”, “Parisi”, “Ata më thanë ik e unë ika”, etj. Në këtë
cikël të poezive ndërtohen imazhe e peizazhe në raporte kundërvënëse e
krahasuese, ku dominon ironia, antiteza, paradoksi, si dhe loja e kundërloja me
ngjarje dhe figura të ndryshme që i përkasin së kaluarës, por edhe
aktualitetit.
Mbi të gjitha poezia “Letër Bujar Tafës”, është njëra ndër poezitë
më të mira të këtij libri, por edhe ndër poezitë më ecenciale në krijimtarinë
poetike të Lulzim Tafës. Paradoksalisht, poeti imazhin e luftës e vë brenda
ligjërimit ironik dhe situatës tragjike, kësaj radhe, për ta përcaktuar
veprimin në një ambient, në të cilin trishtimi, ëndrra, lutja, vaji, frika,
guximi, mëkati, krimi, vrasja, vdekja, etj., secili e secila prej tyre e kanë
gjëmën e vajin e vet në një ëndërr të papërfunduar.
Në ciklin e katërt me titullin “Bisedë me miq”, shquhet poezia për poetin e ndjerë, Basri Çapriqi. Është një rimarrje e ideve të Çapriqit në një poezi të tij për heronjtë dhe kurvat, dhe e funksionalizuar në një kontekst tjetër imagjinar, si mbindërtim poetik, për ta aktualizuar ironinë lirike deri në maksimum. Edhe në poezitë e tjera të karakterit përkushtues, siç janë: ”Vetëm ora jote ecë” (kushtuar Jeton
Kelmendit), “Nëse do të nisesh letër për Natashën” (kushtuar Ion Deaconeskut),
“Këto leja një romi” (kushtuar poetit të ndjerë, Kujtim Paçaku), si dhe në
poezitë në formë dialogu me diellin, qiellin, detin, drunjtë, gurët, Lulzim
Tafa reflektimin e tij personal poetik e fuqizon mjeshtërisht në kontekste të
reja ligjërimore dhe figurative.
Gjithsesi, edhe cikli i pestë dhe i fundit me titullin “Dhimbje”,
dallohet me poezi të realizuara në nivelin poetik dhe estetik. Poezia me
titullin “Paralajmërim për ata që do t’ iu vdes Nana”, artikulon ndjenjat,
mendimet dhe rrethanat e poetit për ta konceptuar mungesën dhe dhimbjen si
paralajmërim për të tjerët gjatë shpjegimit të vdekjes së Nanës, sikur vdes
bota, madje paralajmërimi e fuqizon tekstin për ta përcaktuar simbolikën e
kontekstit, pikërisht me pritjen e dhimbjes, sepse: “Pa Nanë/ Dita ish pa
Diell/Nata ish pa Hanë”/. Poeti e dokumenton saktë imazhin e mungesës së Nanës
përbrenda një sfondi të përjetuar me shpirt, aty ku gdhendet përjetësisht
portreti i saj i shenjtë.
Po kështu, kuptimi dhe domethënia e dhimbjes paraqitet në variante
të ndryshme të përmallimit e të melankolisë, por edhe të vuajtjes njerëzore
(poezia “Edhe ata që nuk i njohim vuajnë”), por edhe në relacione të tjera që e
fuqizojnë porosinë për jetën, në besimin për Zotin dhe për fjalën e mençur që
shndërrohet në poezi të bukur.
Poezia e Lulzim Tafës me preokupimin e tij ideoemocional e imagjinar, në pikëpamje të tematikës, stilit, gjuhës, figuracionit, etj., shquhet për vlera poetike dhe estetike dhe, pa dyshim, sjell një ndjeshmëri të veçantë lirike në poezinë e sotme shqipe./KultPlus.com
Në Kolegjin AAB u promovua libri më i ri i autorit Sali Bashota “Asnjë zë tjetër”, shkruan KultPlus.
Në prani të studiuesve, dashamirësve të librit dhe studentëve, sot në Kolegjin AAB u bë promovimi i librit më të ri të autorit Sali Bashota “Asnjë zë tjetër”, botim i Shtëpisë Botuese AAB.
Për të folur për këtë libër i cili përmbanë 59 poezi, numër ky që përkon me moshën e shkrimtarit dhe vitin e lindjes, folën rektori i Kolegjit AAB, prof.dr. Lulzim Tafa si dhe prof. Besa Hoxha Beqiri.
Me këtë rast, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, tha se individualiteti që poeti Bashota përçon tek lexuesit është i madh, ndërsa për veprën “Asnjë zë tjetër” tha se posedon origjinalitet.
“Sali Bashota shquhet për një zë unikat në poezinë shqipe. Individualiteti i tij theksohet edhe kur shkruan për atdheun, edhe kur shkruan për dashurinë, edhe kur shkruan per luftën, për Prishtinën, por edhe kur shkruan për miqtë e për familjen. Këtë origjinalitet të tij ai e thekson edhe në librin me poezi, “Asnjë zë tjetër”, tha rektori Tafa.
Për veprën “Asnjë zë tjetër”, foli edhe prof. Besa Hoxha Beqiri, ajo shtoi se në vargjet e Bashotës lexuesi gjen pjekurinë artistike të përdorimit të situatave të ndryshme, qoftë personale, shoqërore apo kombëtare.
“Bota krijuese e këtij poeti, të përkthyer në shumë gjuhë të botës, kurrorëzuar tanimë me përmbledhjen e tij të trembëdhjetë të poezive, pasurohet edhe më tepër me forma të reja të shkrimit poetik. Mozaiku i pasur i motiveve dhe strukturës së poezisë së tij në përmbledhjen “Asnjë zë tjetër”, sjell lojën poetike, me anë të shkronjave, qysh në titull, tek zëri, që paraqet atë të poetit”, tha Hoxha Beqiri.
Ndërsa, autori i veprës “Asnjë zë tjetër” Sali Bashota, falënderoi të gjithë të pranishmit dhe përkrahësit që e ndihmuan në realizimin e këtij libri. Ai shtoi se pa njërëzit e tij të ngushtë, nuk do të arrinte të finalizonte këtë vëllim të ri me poezi, duke falënderuar gjithashtu edhe Shtëpinë Botuese AAB për botimin e tij./ KultPlus.com
Kjo botë e ka nishanin e vet
Të njomur me tamblin e syrit
Të larë me ujin e pavdekshëm
Të tharë me gjethet e luleve
Ky është nishani i fatit thonë
Kur e këpusin nga dega e trupit
Secili sipas pulsit të vet
Me pa si zgjohen ndjenjat
Duke hyrë në rrethinat e shpirtit
Loja e gishtërinjve si ndizet në vetvete
Ky është nishani i fatit thonë
Kur e kapin me dorë si zogun e lagur
Deri sa të zgjohet thellësia e prekjes
Kur e shtrëngojnë me tehun e sythit
Që të bëhet më i bukur se dhembja ime
Kjo botë e ka nishanin e vet
Me pa durimin si dridhet nga fundosja./KultPlus.com
Libri “Enigma e shkrimit” i Sali Bashotës përbëhet nga ese, trajtesa dhe studime të shkruara këtu e njëzet vjet më parë. Autorë dhe vepra, çështje dhe probleme letrare të diskutueshme, modele krijuese, koncepte mbi letërsinë, duke filluar nga periudha e romantizmit shqiptar e deri tek letërsia e sotme shqipe janë mbarështruar në shkrimet e këtij libri.
Në radhë të parë, poezia, proza, kritika, të shkruara e të botuara nëpër faza dhe periudha të ndryshme të zhvillimit të letërsisë shqipe, janë objekt i interpretimit dhe vlerësimit, me qëllim të njohjes, studimit dhe funksionalizimit të tyre në raport me treguesit e komunikimit letrar.
Në këtë libër synohet trajtimi i temave dhe fenomeneve letrare përmes kriterit vlerësues dhe
kriterit estetik, para së gjithash, për të evidentuar dhe konceptuar veçori të reja kuptimore midis krijimit letrar dhe mendimit kritik.
Libri “Enigma e shkrimit” trajton edhe çështje dhe fenomene aktuale të letërsisë shqipe, duke
problematizuar diskursin e saj brenda pikëpyetjeve e këndvështrimeve, por edhe debateve që kanë për qëllim kryesor nxitjen e dialogut për sugjerime dhe propozime për leximin dhe receptimin e letërsisë.
Në këtë libër të Bashotës zënë vend personalitete të ndryshme të letërsisë dhe të kulturës shqiptare: Jeronim de Rada, Zef Serembe, Mitrush Kuteli, Faik Konica, Enver Gjerqeku, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Sabri Hamiti, Beqir Musliu, Musa Ramadani, Zija Çela, Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Avni Spahiu, Osman Gashi etj. Librin “Enigma e shkrimit” e botoi Shtëpia Botuese “Artini”./KultPlus.com
Dita Botërore e Poezisë është shënuar sot në Fakultetin e Filologjisë. Aty studentët e Degës së Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë në bashkëpunim me mësimdhënësit e tyre shënuan këtë ditë duke kujtuar njëkohësisht edhe poetin, studiuesin dhe profesorin Basri Çapriqi. Kështu para të pranishmëve erdhën disa nga poezitë më të bukura të poetit por njëkohësisht edhe krijime poetike të studentëve, shkruan KultPlus.
Pikërisht Shefi i Degës së Letërsisë Shqipe, Osman Gashi, e cilësoi poetin si shumë të veçantë dhe të denjë për t’u kujtuar në këtë ditë të rëndësishme të poezisë.
“Kemi vendosur që këtë ditë të ia kushtojmë krijuesit tonë të veçantë i cili ndërroi jetë para dy muajsh. Një organizim i tillë modest me krijime të zgjedhura të kolegut dhe profesorit tonë besoj që pajtohen të gjithë se është i qëlluar. Poezia e tij është e stërmbushur me figuracion, vlon nga fryma e ballafaqimit me të keqën me anën e errët të botës. Ai është poet në tërë kuptimin e fjalës”, tha ai duke shtuar se organizime të tilla do të bëhen edhe në të ardhmen.
Në anën tjetër Prodekani i Fakultetit të Filologjisë, Nysret Krasniqi lexoi një pjesë nga punimi i tij “Udha e figurimit poetik të Basri Çapriqi”, kushtuar poetit.
“Në vitin 2016 botova një libër për letërsinë e Kosovës dhe në momentin e botimit e shkrova një meditim ku thashë se librin e kam menduar dhe shkruar për autorët e këtij vendi. Kurse një pjesë që do e lexojë këtu është pjesë e një punimi më të madh për profesorin Basri Çapriqi”, u shpreh ai duke shpalosur para të pranishmëve disa nga veprat e poetit dhe analizën të cilën ai ua kishte bërë.
“Basri Çapriqi ndërton diskurs poeti të përbërë nga brikolazhi i figurave letrare, ambientale, figurave të krijuara nga loja stilistike me gjuhën dhe simbolin, me synim e krijimit të një tipi të poezisë e cila duke jetësuar reflektimin të ikën nga kuptimet tradicionale poetike. Kështu që më shumë kemi të bëjmë me hetimin e një fryme poetike sesa të një kërkimi të domethënieve të saj duke e bërë Çapriqi mik letrarë me Eqrem Bashën dhe me ndër-ndikime edhe me Ali Podrimën”, pohoi ai duke shtuar se kur vrojtojmë lakoren poetike të këtij autori në kohën e shfaqjes së tij dhe në kuadër të letërsisë shqipe në Kosovë vërejmë tri orientimet kryesore të tij: simbolin, ironinë dhe lojën.
Profesori dhe poeti Sali Bashota që ishte edhe mik shumë i mirë i poetit si dhe poetja Serafina Lajçi zgjodhën disa nga perlat që poeti i ka lënë pas. Poezitë si: “Përthyerja e zjarrit”, “Kitara”, “Pasqyra”, pastaj poezitë si ajo kushtuar Ali Podrimës u interpretuan para të pranishmëve nga studentët Maura Nuhiu, Flamur Foniqi, Eduarte Kafexholli, Ardit Mehmetaj, Jehona Gashi dhe Ardian Mezini.
Kurse dy studentet, Almira Gashi dhe Filloreta Jusufi sollën nga një poezi të cilën ia kishin kushtuar poetit Basri Çapriqi. Pjesa e dytë vazhdoi me krijues të rinj të cilët paraqiten krijimet e tyre. Krijimet e tyre i interpretuan para të pranishmëve Shqipnora Dauti, Endrite Imri, Donart Rexhbogaj, Elife Shabani, Festinë Hamiti, Xhemile Hysenaj dhe Bujar Meholli.
Kjo mesditë poetike u mbyllë me poezinë “Dritaren lëre hapur” të vetë poetit Çapriqi, lexuar nga Mirjeta Sadiku duke besuar në pavdekshmërinë e fjalës së tij poetike./ KultPlus.com
Kur më merr malli për sytë e tu
Pa asnjë lutje zgjohet qielli i ndritur
Vetëm prania jote është këtu
Të gjitha ëndrrat tashmë kanë ikur
Koha prapë mbushet plot kujtime
Mbase një ditë edhe heshtja flet
Në udhëkryq braktisen tërë ato shqetësime
Vetëm sytë nuk më mjaftojnë për portret
Ikën larg vetëm çastet e fshehura
Në hapësirën e mbushur plot nostalgji
Imazhi i mëngjesit i braktis ndjenjat e dehura
Askush më s’mund ta pagëzojë këtë magji.
Shtëpia e njohur botuese “KAVA- PECH”, e specializuar për botime në gjuhën esperanto me seli në Pragë të Çekisë këto ditë botoi veprën e Sali Bashotës me titullin “La Ŝtono de la Amo” (“Guri i dashurisë”).
Libri ka gjithsej 395 faqe, ku përfshihen parathënia, poezia dhe proza poetike e autorit, si dhe bio-bibliografia e tij, shkruan KultPlus.
Projektin e filluar me përkthimin e poezisë së Bashotës nga Tomasz Chmielik (Poloni), e vazhdoi dhe e kreu me sukses përkthyesi i mirënjohur Bardhyl Selimi, i cili vazhdon të bëjë një punë të pakursyer në afirmimin e vlerave letrare të letërsisë shqipe në gjuhën esperanto.
Përkthyesi Selimi në bashkëpunimin me Petr Chrlde (Çeki), i cili njëherësh është udhëheqës i Shtëpisë botuese “Kava Pech”, si dhe me kontributin e dy redaktorëve letrarë, ekspertë të gjuhës esperanto Carlo Minnaja (Itali) dhe Miroslav Malovec (Çeki), arriti të kurorëzojë me sukses përkthimin dhe botimin e veprës së Bashotës. Gjithashtu, kontribut në realizimin e këtij projekti si provlexues kanë dhënë edhe Vilhelmo Lutermano (Kubë), Jose Leite Jr (Brazil) dhe Benoir Philiphe (Gjermani).
Në parathënien e veprës së Bashotës me titullin “La Ŝtono de la Amo”(“Guri i dashurisë”), ndër të tjera, thuhet: “Për të kuptuar poezinë e Sali Bashotës, së pari duhet të dimë diçka për historinë moderne të Kosovës, të kësaj krahine të aneksuar me dhunë nga Serbia në vitin 1913 dhe të shkëputur prej saj në qershor 1999, falë ndërhyrjes së NATO-s dhe kryengritjes së brendshme. E përbërë, në më shumë se 90 %, nga shqiptarë etnikë, kjo krahinë, tani një shtet i pavarur, ka vuajtur jashtëzakonisht nga regjimi mbretëror dhe më pas komunist i ish Jugosllavisë. Veçanërisht tragjike ka qenë periudha 1997-1999, kur ndodhi lufta e fundit në Kosovë. Forcat ushtarake dhe policore serbe zbatuan atje një trysni të skajshme politike dhe ekonomike, duke burgosur, vrarë, përdhunuar seksualisht dhe duke dëbuar gjysmën e popullsisë shqiptare të Kosovës për në vendet fqinj, Shqipëri dhe Maqedoni”.
Në vazhdim, në parathënien e librit jepen edhe këto vlerësime:
”Poeti ka vuajtur bashkë me popullin e vet. Ndër të tjera, në gusht 1998, atij ia dogjën shtëpinë me të gjitha dorëshkrimet në të. Ai tregon përmes metaforave, figurave artistike, se çfarë ka ndodhur në qytetet e fshatrat e atdheut të tij. Për këtë ai evokon edhe ngjarjet historike si dhe mitologjinë, që është fort e lidhur me atë të bashkatdhetarëve të tij. Kështu, përmes vargjeve dhe prozave poetike do të zbuloni shumë trishtim, vaje, errësirë, por edhe dashuri, ëndrra, shpresa, shkëlqim dhe ringjallje”, etj.
Bashota është përkthyer në shumë gjuhë të botës, ndërsa veprat e tij janë botuar nga shtëpi të njohura botuese, si “L’Harmattan”(Paris), “Edition ASPASIA”(Cyrih), “Editura Muzeul Literaturii Romane” dhe “Limes” (Bukuresht), “Ballkani”(Sofie), “Kava Pech”(Pragë), “Fenix”(Shkup), etj.
Deri më tani nga autorët e Kosovës në esperanto janë botuar vepra e Eqrem Bashës “La mondo estas pejzaĝo kun brilaj koloroj” ( “Bota është një peizazh me ngjyra të ndritura”) dhe vepra e Sali Bashotës “La Ŝtono de la Amo”(“ Guri i dashurisë”), ndërsa pritet botimi i dy romaneve të Adem Demaçit (“Gjarprinjtë e Gjakut” dhe “Nëna Shegë dhe pesë gocat”), pastaj vepra me poezi e Ali Podrimjes dhe libri me poezi i Flora Brovinës (“Mat e çmat”).
Këtyre botimeve në esperanto u shtohen edhe veprat e botuara më parë në Shqipëri, sikurse janë dy romanet e Fatos Kongolit (“Lëkura e Qenit” dhe “I Humburi”), novelat e Ylljet Aliçkës (“Parullat me gurë” dhe “Një ndodhi me ndërkombëtarë”), libri me poezi i Luljeta Lleshanakut, (“E Hëna në shtatë ditë”), etj./ KultPlus.com
Këto ditë PEN Qendra e Kosovës botoi librin më të ri me poezi të Sali Bashotës, me titullin “Në fillim ishte Drita”, përcjellë KultPlus.
Libri i Bashotës përbëhet nga 99 poezi, të ndara në tre njësi ciklike: Si, Nëse, Kur. Secili cikël përbëhet nga 33 poezi, të cilat e funksionalizojnë ligjërimin e tij poetik në tri rrafshe: në rrafshin erotik, filozofik dhe estetik, për të konceptuar rruzullimin e Dritës si figurë dhe mishërimin e saj si frymë lirike.
Stilistika krijuese e Bashotës në këtë vëllim poetik sjell një botë interesante, pikërisht me magjinë e Muzës poetike, duke ndërtuar një realitet të figurshëm përmes imazheve të ndryshme. Në librin e tij më të ri Bashota shkruan për një fillim dhe përjetësim të ndjenjave shpirtërore (sikurse universi që pati një fillim apo librat e shenjtë që e përcaktonin fillimin e botës e të njerëzimit), mirëpo ky libër është si zanafilla e krijimit të Dritës në universin e dashurisë.
Vepra shquhet për mjeshtërinë e arritur në nivelin ligjërimor, stilistik dhe figurativ. Mund të konsiderohet si një libër unik përnga ritmika, muzikaliteti, fryma humane dhe vlera estetike.
Vepra “Në fillim ishte Drita”, është libri i tridhjetë e pestë i shkrimtarit Sali Bashota. / KultPlus.com