Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka kujtuar përvjetorin e rënies së heroit Sali Çekaj, të cilin presidentja e kujton si politikan vizionar e jurist të shkëlqyer.
Në njoftim thuhet se Çekaj ishte i vendosur për realizimin e idealit të tij, dhe prandaj ka vdekur heroikisht në Betejën e lavdishme të UÇK-së, në Koshare..
“Shembja e kufirit në mes shqiptarëve ishte përmbushja e idealit, të cilin konkretisht e kishte filluar që nga viti 1991 kur kishte realizuar përgatitjet stërvitore ushtarake në Shqipëri së bashku me komandantin e UÇK-së, Adem Jashari dhe bashkëluftëtarin Zahir Pajaziti”, thuhet në njoftim.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, ka kujtuar heroin Sali Çekaj në 22 vjetorin e rënies së tij, shkruan KultPlus.
Gërvalla nëpërmjet një postimi në Facebook ka shkruar se ndonëse e kemi fituar luftën ndaj të huajve ende nuk e kemi fituar lirinë tonë të brendshme.
“Ai dha jetën për lirinë e Kosovës. Është detyra jonë ta çojmë deri në fund amanetin e tij. Lirinë ndaj të huajve e fituam, por lirinë tonë të brendshme nuk e kemi fituar ende. Drejtësia, kaq e rëndësishme për Sali Çekajn, nuk mbretëron gjithkund në Kosovë. Kosova ka tani armiq të rinj, të cilët duhet t’i luftojë, krimin dhe korrupsionin. Këta janë armiqtë e lirisë, të drejtësisë dhe të Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera ministrja.
Tutje ajo ka shtuar se Sali Çekaj dëshironte një Kosovë me dinjitet, prandaj sipas saj duhet ta bëjmë krenar Çekaj dhe të gjithë të tjerët të rënë për lirinë e Kosovës.
Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:
Sali Çekaj, heroi im i pavarësisë
Para pak ditësh ishim në Koshare për të përkujtuar betejën e Koshares dhe të gjithë heronjtë e saj. Sot është 22-vjetori i rënies së vizionarit dhe strategut, babait të dashur dhe shokut besnik, luftëtarit të paepur dhe politikanit largpamës, Heroit të Kosovës, Sali Çekaj.
Trim, i vendosur, i mençur, i matur, i thjeshtë. Personalieti i Sali Çekajt tregon se si mund të jetë Kosova. Ai ishte një strateg i rrallë politik, njeri i drejtësisë dhe i lirisë. Për lirinë e Kosovës ai luftoi me mjete politike dhe në fund edhe me pushkë në krah.
Ai dha jetën për lirinë e Kosovës. Është detyra jonë ta çojmë deri në fund amanetin e tij. Lirinë ndaj të huajve e fituam, por lirinë tonë të brendshme nuk e kemi fituar ende. Drejtësia, kaq e rëndësishme për Sali Çekajn, nuk mbretëron gjithkund në Kosovë. Kosova ka tani armiq të rinj, të cilët duhet t’i luftojë, krimin dhe korrupsionin. Këta janë armiqtë e lirisë, të drejtësisë dhe të Kosovës.
Sali Çekaj e dëshironte një Kosovë me dinjitet. T’ia kthejmë së bashku dinjitetin vendit tonë. Ta bëjmë krenar Sali Çekajn dhe të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës. T’i bëjmë krenarë për Kosovën e tyre./ KultPlus.com