Ka kaluar një vit nga vdekja e piktorit të mirënjohur Sali Shijaku, por asnjë ditë pa kujtuar fjalët e fundit që ai i tha me të birin Orgesin.
“Kur të marrë malli për mua, eja në galerinë time dhe bashkë do flasim aty përmes punëve”.
Sot pas një viti, Orges Shijaku, ka zgjedhur të kujtojë të atin, me një ekspozitë me veprat e tij kryesore. Janë 340 të tilla në skulpturë, qeramikë dhe vizatim, ku mes tyre rrinë bashkëshortja e piktorit, heronjtë kombëtarë dhe kreshnikët e legjendave.
Të jesh surrealist, në një kohë kur të imponohej realizmi socialist, kishte pengesat e vetme, por asnjëherë të pakalueshme për Shijakun.
Ndërsa kjo Galeri, ka vizitorë të përditshëm, jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj. Në odën traditë të shtëpisë së Shijakësve, do të qëndrojë edhe për 15 ditë e hapur ekspozita me titull “ Jeta është një lojë, luaje atë”./tvklan/KultPlus.com
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të piktorit Sali Shijaku. Në një postim në rrjete sociale, Veliaj shkruan se Shijaku ishte ikonë e Tiranës dhe një piktor i jashtëzakonshëm.
“Fort i trishtuar për ikjen e një artisti unik, si Sali Shijaku. Ai ishte ikonë e Tiranës, një piktor i jashtëzakonshëm, që ia kushtoi jetën artit shqiptar. Prehu në paqe miku i përjetshëm i qytetit tonë! Ngushëllime familjes”, thekson Veliaj.
Homazhet në nder të artistit të njohur janë organizuar nga Bashkia e Tiranës dhe do të zhvillohen nesër në hollin e Teatrit të Operas dhe të Baletit nga ora 10:00-12:00./ KultPlus.com
Ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare piktori i mirënjohur, Sali Shijaku.
Lajmin e bënë të ditur familjarët e të ndjerit, saktësisht djali i tij Orges Shijaku, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Me hidhërim të thellë ju njoftojmë për humbjen nga kjo jetë të babait tonë piktorit te Popullit, Nderit te Kombit Shqiptar Sali Shijaku”, shkruan ai./ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot piktorin e madh Sali Shijaku një pikë referimi e padiskutueshme e arteve pamore dhe një figurë kyçe e historisë së pikturës.
Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) ka organizuar sot një ekspozitë me rastin e 88-vjetorit të piktorit shqiptar Sali Shijaku ku janë ekspozuar 112 vepra në vizatime, pikturë dhe skulpturë, që përmbledhin një hark kohor krijimtarie prej 50 vitesh.
Të pranishëm në ekspozitë ishin artisti Sali Shijaku dhe familjarë të tij, Kryeministri i vendit Edi Rama, drejtoresha e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Eridana Çano dhe artistë të tjerë.
Kryeministri Rama e falënderoi piktorin Shijaku për praninë dhe kontributin e tij në hapjen e kësaj ekspozite.
“Besoj është një nder i madh për qendrën tonë, për këtë godinë e mua personalisht që na u dha mundësia falë gatishmërisë së profesorit që ne ta ekspozojmë Sali Shijakun, është një pikë referimi e padikutueshme e arteve pamore, një figurë kyçe e historisë së pikturës sonë dhe një person me të cilin lidhet jeta artistike e shumë të tjerëve qofshin kolegë, breza të tërë studentësh që u inspiruan dhe motivuan nga ai”, – tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se, “është një kontekst shumë i posaçëm që të hapet një ekspozitë që sidoqoftë është një moment festiv për veprat që ekspozohen dhe autorin e tyre dhe kjo të zhvillohet me kaq pak njerëz si rezultat i këtij konteksti shumë të posaçëm ku jemi”.
“Nga ana tjetër çka unë po mendoja kur e pashë për herë të parë këtë ekspozim të këtyre punëve të vogla në përmasa, por domethënëse në bashkësinë e tyre është pikërisht ideja e një muzike dhome. Profesori ka pasur shumë momente festive me turma të mëdha që viziton ekspozita të mëdha për veprat shpeshherë monumentale të tij, ndërsa një koncert me muzikë dhomë duket se është hera e parë nëse unë nuk gaboj. Kam shpresë që në ditët në vijim dhe javët në vijim kur ekspozita të jetë e hapur për publikun pavarësisht numrit të kufizuar kjo ndjesi e muzikës së dhomës dhe privilegji i të shijuarit të gjithë këtyre punëve me pak njerëz, pa zhurmë, pa të presionin e një mase të madhe njerëzish në një farë mënyre di të sjellë një kënaqësi të madhe për ata që do e vizitojnë”, – nënvizoi Rama.
Më tej Rama tha se, “e kujtoj profesorin si një prani hijerëndë në jetën tonë artistike dhe për të gjithë ne që ishim më të rinj ishte një ëndërr të takonim Sali Shijakun të na fliste apo të na jepte këshillat e tij dhe ka qenë privilegj për mua që kam marrë disa mësime që sot e kësaj dite i mbaj mend nga profesori në studion e tij. Ashtu si ka qenë privilegj nga të gjithë ata që kanë pasur mundësi të kenë më shumë afërsi me të e të ndihmohen prej tij”.
“Profesori tha se koha tanimë pas 30 vjetësh e ka zgjidhur lidhur me artin e krijuar në periudhën e totalitarizmit nën diellin e realizmit socialist që ishte në njëfarë mënyre një diell verbues për të gjithë ato rrugët e tjetra të shikimit dhe që përcaktonte një rrugë të vetme shikimi dhe është e qartë se pavarësisht kohës kur u krijuan pavarësisht kontekstit dhe instrumentave të kufizuar në dispozicion të artistëve ka padiskutim sot dhe do ketë gjithmonë më shumë vend për të vlerësuar ato vepra të cilat nga pikëpamja artistike kanë qenë dhe mbeten me peshë dhe me autoritet në sallat ku ekspozohen”, – tha Rama.
Kryeministri Rama tha se “pavarësisht kontekstit dhe mënyrës së shikimit të asaj kohe mbi p.sh., tabloja e Vojo Kushit, Mic Sokolin tablo momentale të Sali Shijakut sot i qëndrojnë kohës më së miri dhe i flasin shikuesit që është i zhveshur nga pesha e ideologjisë së dikurshme apo komplet i distancuar me çfarë ka ndodhur rreth e rrotull veprës. Janë jo pak vepra të asaj kohe që sot në kontestin e një kohe tjetër ku liria për të ekzistuar dhe për të shikuar është shumë më e madhe se atëherë ato përfitojnë nga kjo liri dhe qëndrojnë aty padiskutim si gur kilometrik i historisë së artit tonë”, – tha Rama.
Kryeministri gjithashtu ftoi studentët e artit për të vizituar ekspozitën në ditët e hapjes për publikun, për të hyrë në kuzhinën e një mjeshtri të madh siç e quajti ai, dhe për ta lexuar krijimtarinë e tij në një këndvështrim shumë më informal dhe konfidencial.
Ekspozita “Sali Shijaku – 88 Dritëhije dhe ngjyra” është ekspozita e parë vetjake e piktorit në ambientet e COD, ndërsa është fokusuar kryesisht në punimet e tij në letër.
Veprat e artit të ndara nëpër disa kategori artistike paraqiten nën Ciklin e nudove, ku për herë të parë ekspozohen 12 vepra në vizatim të realizuara në harkun kohor 2000-2010, Ciklin e abstrakteve, ku bëjnë pjesë 16 vizatime e piktura abstrakte të autorit, dhe Ciklin e legjendave, ku janë prezente figurat homerike të trajtuara shpesh nga autori përgjatë jetës së tij artistike.
Një tjetër element i veçantë i ekspozitës është ekspozimi i skicave dhe bocetit të monumentit të “Lirisë”, me një detaj të rëndësishëm, sepse piktori e ka ripunuar bocetin e statujës monumentale pak ditë përpara ekspozimit, duke krijuar një cikël pune që nga viti 1976 e deri më 2021.
Në ekspozitë nuk mungojnë as autoportretet e piktorit, i fundit nga të cilët është realizuar në vitin 2010./atsh/ KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margaritim inspektoi sot përfundimin e fazës së parë të punimeve për restaurimin e banesës së piktorit të njohur Sali Shijaku , e cila kishte pësuar dëmtime për shkak të tërmetit të vitit që shkoi.
Gjatë inspektimit, ministrja Margariti u shpreh se “puna, por edhe dëshira për të shijuar veprat e piktorit na ka çuar shpesh në shtëpinë e Sali Shijakut këto kohë”.
“Falë përkushtimit të specialistëve pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Drejtorisë Rajonale të Tiranës, por edhe bashkëpunimit me banorët e shtëpisë, u arrit realizimi i një sërë punimesh shumë të rëndësishme për jetëgjatësinë e monumentit, që nga vendosja e trarëve, ndërrimi i dyshemesë, i grilave, për të nisur një fazë të dytë, atë të restaurimit të çatisë”, – theksoi Margariti.
Monumenti kulturor, banesa e Shijakasve është ndërtuar në gjysmën e parë të shek. XIX dhe paraqet fazën më të zhvilluar të banesës tiranase së “shtëpisë së zjarrit”.
E ndodhur në Rr. “Vildan Luarasi”, Nr 16, është shembull tipik i banesës tiranase. Ajo ka planimetri katërkëndëshe të rregullt me dy kate.
Dhoma kryesore e saj është shndërruar në një galeri arti, ku janë ekspozuar veprat e piktorit Sali Shijaku.Kjo banesë është një nga pikat më të vizituara në Tiranë./ata/ KultPlus.com
Shtëpia e piktorit Sali Shijaku është në proces restaurimi.
Ministria e Kulturës në Shqipëri shprehet se ky proces ka nisur pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019. Shtëpia e piktorit Sali Shijaku është një nga banesat karakteristike tiranase, monument kulture dhe sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Tiranë, Olsi Plasa, restaurimi konsiston në zëvendësimin e traut kryesor, duke e punuar me metodat e vjetra të tharjes dhe të prerjes së trarëve, për të ruajtur elementët origjinalë të banesës, transmeton KultPlus.
“Faza e parë e restaurimit të çatisë do të vijojë me një fazë të dytë, që ka të bëjë me mbulesën e çatisë (hidroizolim, rregullimi i petravave, zëvendësim i tjegullave dhe dekorim i frizurës së jashtme të strehës së çatisë etj.) Restaurimit po i nënshtrohet dyshemeja në odën e zjarrit, por edhe element të tjerë, të hapësirës kryesore të banesës, deri te lyerja me gëlqere e saj. Po ashtu do të vendosen grilat dhe do të rregullohen dritaret në jug të banesës”, pohon ai.
Kjo banesë e ndodhur në Rr. “Vildan Luarasi”, Nr 16, është shembull tipik i banesës tiranase. Ndërtuar në gjysmën e parë të shek. XIX paraqet fazën më të zhvilluar të kësaj banese. Ajo ka planimetri katërkëndëshe të rregullt me dy kate. Në fazën e parë ka qenë me çardak e hajat në ballin kryesor. Shtëpia e zjarrit është bërthama e mjediseve përqark saj. Në katin e parë janë ambientet ndihmëse ndërsa në katin e dytë, ambientet e ndenjes dhe anekset e shërbimit, shkallët që ndërlidhin katet janë prej druri. Në fazën e dytë, në fillim të shek. XX, është bërë një rikonstruksion i mjediseve si dhe mbyllja e çardakut.
Banesa e Shijakasve është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1973. Shteti shqiptar e ka vlerësuar dhe nderuar kontributin e artistit me mjaft çmime dhe i ka akorduar disa çmime republike (1956, 1970, 1984, 1989). Në vitin 1969 ai mori titullin “Artist i Merituar” dhe në vitin 1979 “Piktor i Popullit”. Më 2004-ën ai u nderua me titullin “Nderi i Qarkut të Tiranës”.
\Në fondin e GKA-së ruhen 92 vepra të artistit në pikturë dhe skulpturë, nga të cilat 19 vizatime (penë, karbon dhe flamastër), 7 punime në qeramikë dhe 1 në allçi. Veprat e Sali Shijakut ndodhen në shumë vende të botës dhe sot janë pjesë e koleksioneve të koleksionistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë. /sot/ KultPlus.com
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka vizituar shtëpinë e artistit Sali Shijaku, me të cilin zhvilloj biseda për betejën e Kodrës së Kuqe dhe u mahnit nga krijimtaria artistike e tij, shkruan KultPlus.
Përderisa piktori Sali Shijaku e ka filluar krijimtarinë e tij në fillim të viteve të 60-ta, Meta e vlerësoj si “ikonë e artit pamor shqiptar”. Ai nëpërmjet një postimi në facebook bëri të ditur që e ka vizituar artistin në shtëpinë e tij, duke e quajtur “Nderi i Kombit”.
“Si dëshmitar i gjallë i betejës së lavdishme të Kodrës së Kuqe, ku ranë heroikisht Vojo Kushi, Xhoxhi Martini e Sadik Stavileci, piktori ynë i madh krijoi një kryevepër që sjell përherë të freskët e të paharruar në memorien kombëtare këtë ngjarje të rëndësishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, ka shkruar Ilir Meta.
Presidenti i Shqipërisë u mahnit nga veprat që pa te shtëpia e tij, e që veçoi pikturimin e Mic Sokolit.
“Mbi oxhakun e shtëpisë së tij qëndron madhështore edhe një tjetër kryevepër e punuar nga vetë Sali Shijaku, Heroi i Lirisë Kombëtare, Mic Sokoli”.
Figura e artistit Sali Shijaku është një nga figurat madhore të arteve pamore shqiptare, ku edhe shteti ka ndarë disa çmime si titujt “Artist i Merituar’’, “Piktor i Popullit” dhe “Nderi i Qarkut të Tiranës”. Veprat e Sali Shijakut ndodhen në shumë vende të botës dhe sot janë pjesë e koleksioneve të koleksionistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë./KultPlus.com