Në Prishtinë ka nisur sot FISU – Kupa Botërore Universitare në Hendboll

Në Prishtinë ka nisur sot FISU – Kupa Botërore Universitare në Hendboll.

14 ekipe universitare, nga tri kontinente, do të garojnë për të parin në botë në hendbollin universitar në ambientet “1 Tetori” dhe “Pallati i rinisë dhe sportit” për një javë rresht, në kategorinë e meshkujve dhe femrave. Në ceremoninë hapëse të Kupës të mbajtur në sallën “1 Tetori” marshuan ekipet pjesëmarrëse, përfshirë edhe të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, si universitet nikoqir.

Drejtori ekzekutiv i Kupës, Musa Selimi, iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti, duke theksuar që është privilegj i madh që sot në Kosovë po mbahet Kupa Botërore Universitare në Hendboll, pas shumë muajsh punë intensive për organizimin e kësaj ngjarjeje.

“Si një shtet i ri, Kosova është përballë me shumë sfida, por ka bërë edhe progres të rëndësishëm, veçanërisht në promovimin e saj përmes sportit” theksoi Selimi.

Ai ftoi ekipet që të garojnë, por njëherësh të mos harrojnë që të shijojnë momentet e kësaj ngjarje unike, duke i ftuar që të festojnë, ashtu siç thërret edhe motoja e Kupës – “Hands UP and Celebrate”!

Selimi falënderoi Federatën Botërore të Sportit Universitar për besimin, partnerët për përkrahjen dhe komitetin organizativ dhe stafin për punën e bërë.

Që prej vitit 1949, Federata Ndërkombëtare e Sporteve Universitare ka bërë që pothuajse çdo vit të mblidhen studentë nga e gjithë bota në vende të ndryshme. Në emër të FISU-së, të pranishmëve ju drejtua anëtari i bordit ekzekutiv të saj, z. Gabriel Kotchofa. Ai e përgëzoi Federatën e Sporteve Universitare të Kosovës, ekipin organizativ, vullnetarët dhe të gjithë ata që e kanë bërë të mundur këtë ngjarje.

“Jemi shumë mirënjohës për mikpritjen tuaj. Andaj, i ftoj delegatët e FISU dhe pjesëmarrësit e tjerë që të shijojnë këto momente të mrekullueshme dhe të sjellin me vete kujtime të paharrueshme nga kjo përvojë në Prishtinë dhe në këtë vend të bukur siç është Kosova” tha Kotchofa.

Hapjen zyrtare të Kupës e bëri ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku. Ai u uroi mirëseardhje të gjithë pjesëmarrësve në këtë Kupë në shtetin e Kosovës dhe u shpreh i lumtur që po e shpall të hapur këtë ngjarje madhore të sportit.

“Kam kënaqësinë dhe nderin që ta shpall zyrtarisht të hapur 2022 FISU Kupën Botërore Universitare në Hendboll”, përfundoi fjalën e tij ministri Çeku.

Ceremonia ka vijuar me betimet e atletëve, ekipit teknik dhe gjyqtarëve. Ndërkaq, pjesa e fundit iu dedikua programit kulturor, ku nën tingujt e muzikës shqiptare përformuan Ansambli “Shota”.

Gjatë ditës janë zhvilluar gjashtë lojëra, rezultatet e të cilatve mund t’i gjeni në: https://wuchandball2022.com/page.aspx?id=1,50

Ndeshja e cila pasoi ceremoninë zyrtare dhe përmbylli garat e ditës së parë të kupës ishte ajo ndërmjet ekipeve të Univdersitetit të Cebu Lapu – lapu Mandaue nga Spanja dhe Universitetit të Prishtinës. / KultPlus.com

Tollovia për vaksinim te salla 1 Tetori, sqarohet Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas tollovisë së krijuar te salla 1 Tetori, ku qytetarët e moshës mbi 65 vjet po presin për t’u vaksinuar.

Sipas MSH’së, tollovia është krijuar, meqenëse aty kanë ardhur të vaksinohen edhe qytetarët e komunave të tjera.

“Grumbullimet e krijuara sot para sallës “1 Tetori”, vjen si pasojë se aty kanë ardhur të vaksinohen qytetarë edhe nga komunat e tjera, përkundër njoftimeve të bëra ditëve të kaluara dhe dje se qytetarët do të vaksinohen në komunën e tyre. Qytetarët e komunave të tjera të Republikës së Kosovës luten që t’u drejtohen qendrave të vaksinimit në komunat e tyre, me qëllim që të marrin informatat e duhura dhe të vaksinohen”, thuhet në njoftimin e MSH’së.

Ministria ka apeluar te qytetarët e komunave të tjera që t’u drejtohen qendrave të vaksinimit në komunat e tyre.

“Me që vaksinimi kundër COVID-19 është proces dinamik që do të vijojë deri në vaksinimin e të gjitha kategorive të parapara në Planin e vaksinimit, luten qytetarët që të përcjellin njoftimet e MSh-së dhe t’i shmangin grumbullimet para qendrave të vaksinimit përderisa mundësia e vaksinimit do të jetë e hapur çdo ditë në secilën komunë”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë i MSH’së:

Procesi i vaksinimit kundër COVID-19 sot vijon sipas njoftimeve paraprake.

Njoftohen qytetarët që të kenë parasysh se në Prishtinë në sallën “1 Tetori” vaksinohen vetëm qytetarët e Prishtinës në bazë të rekomandimeve konform Planit Shtetëror të vaksinimit.

Grumbullimet e krijuara sot para sallës “1 Tetori”, vjen si pasojë se aty kanë ardhur të vaksinohen qytetarë edhe nga komunat e tjera, përkundër njoftimeve të bëra ditëve të kaluara dhe dje se qytetarët do të vaksinohen në komunën e tyre.  

Qytetarët e komunave të tjera të Republikës së Kosovës luten që t’u drejtohen qendrave të vaksinimit në komunat e tyre, me qëllim që të marrin informatat e duhura dhe të vaksinohen.

Me që vaksinimi kundër COVID-19 është proces dinamik që do të vijojë deri në vaksinimin e të gjitha kategorive të parapara në Planin e vaksinimit, luten qytetarët që të përcjellin njoftimet e MSh-së dhe t’i shmangin grumbullimet para qendrave të vaksinimit përderisa mundësia e vaksinimit do të jetë e hapur çdo ditë në secilën komunë. / KultPlus.com

Harxhohen vaksinat në Prishtinë

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar qytetarët në Komunën e Prishtinës se në qendrën e vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë nuk do të ketë vaksinime kundër COVID-19 gjatë ditëve të fundjavës dhe në ditët në vijim, meqë dozat e parapara për vaksinim në këtë qendër të vaksinimit, janë dhënë që të gjitha.

“Vaksinimi në këtë qendër do të fillojë kur të arrijnë doza të tjera, derisa në ato komuna (QKMF) ku ka ende doza të pa administruara, vaksinimi do të vazhdojë ditët në vijim, deri në dhënien e të gjitha dozave në dispozicion”, thuhet në njoftimin e MSH-së, përcjell KultPlus.

Deri tani, me dozën e parë të vaksinës AstraZeneca janë vaksinuar 22.096 persona nga 24.000 dozat e para të marra përmes mekanizimit COVAX në Kosovë. / KultPlus.com