Salla e Baletit kundërmon rëndë, balerinët e Kosovës bëjnë thirrje për kushte më të mira

Jeta Zymberi

Pa një sallë adekuate për prova dhe pa një Teatër të mirëfilltë të Operës dhe Baletit, balerinët kosovarë po përballen me vështirësi skenike. Mungesa e një Teatri të Operës dhe Baletit ka kohë që konsiderohet “mëkati” i Qeverive që përkundër fjalëve ende nuk kanë arritur të konkretizojnë asgjë.

Kësaj sfide të artistëve, pritet t’i dalë ballë ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, shkruan KultPlus.

Por balerinët, deri në pritje të atij momenti, kërkojnë një zgjidhje të shpejtë sepse kushtet në të cilat ata punojnë janë të mjerueshme.

Me gypa që rrjedhin ujë, pa ngrohje adekuate, me xhama të thyer e pa ajër të mjaftueshëm, salla ku balerinët e Kosovës bëjnë provat është shndërruar në një vend gati të pamundur për punë. Kujtojmë që mungesa e ngrohjes së objektit të Teatrit ku shpesh ka munguar furnizimi me naftë, ka sjell edhe deri te anulimi i shfaqjeve.

Pas një pauze të gjatë për shkak të pandemisë Covid-19, ditën e djeshme, balerinët i janë kthyer ambientit të punës, por kushtet me të cilat po përballen i kanë nxitur ata të reagojnë. Përderisa dimri është në prag, artistët janë në panik që përkundër problemeve të tjera, problemi i vjetër, ai i ngrohjes do të u hap telashe.

Kreshnik Musolli, ushtrues detyre i drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës ka thënë për KultPlus se gjendja e sallës ku ata punojnë është e mjerueshme dhe kjo ndikon direkt në punën e tyre të përditshme.

“Hapësira është shumë e vogël, ajër nuk ka mjaftueshëm pasi që janë vetëm 4 dritare që hapen tepër pak dhe një sistem ventilimi që është i nivelit shumë të dobët. Gjithashtu dyshemeja ka nevojë të rinovohet komplet sipas kritereve që nevojiten për profesionin tonë. Zhveshtoret dhe banjot janë në gjendje të tmerrshme, madje zhveshtorja e meshkujve nuk ka asnjë dritare brenda”, ka treguar kështu në detaje Musolli për problemet e theksuara të kësaj hapësire.

Sipas tij, e gjithë hapësira e tyre brenda Teatrit Kombëtar duhet të ristrukturohet që të jetë adekuate dhe funksionale.

Përkundër kërkesave të tyre të vazhdueshme për intervenim, deri më tani nuk kanë marr ndonjë përgjigje nga institucionet relevante.

“Kemi bërë kërkesë që sa kohë në ministri dhe janë të informuar shumë mirë në hollësi me të gjitha problemet që i kemi në aspektin e infrastrukturës”, ka thënë Musolli.

Balerina Behie Murtezi, është shprehur se salla ku ata ushtrojnë është baza që i mban si balerinë dhe përderisa kushtet në atë sallë janë të mjerueshme, ata nuk ndihen mirë të punojnë aty. Ajo madje theksoi edhe një tjetër problem, atë të erës së keqe që kundërmon aty.

“E kemi pritur me padurim kthimin në prova sepse kjo është baza që na mban neve balerinëve. Por kushtet që i ofron salla padyshim që na bën të mos ndjehemi mirë secili prej neve. Përveç asaj që sheh syri, aty kundërmon edhe një erë shumë e keqe. Do të doja shumë që fokusi i njerëzve kompetent të jetë të paktën në rregullimin e kushteve të sallës së baletit”, ka thënë Murtezi.

Balerinët mbesin me shpresë të një ndërhyrje sa më të shpejt të institucioneve në këtë hapësirë që për profesionin e tyre është jetike. KultPlus.com