Komuna e Prishtinës – juria profesionale për Konkurs projektimi, adaptimi i kompleksit ish-Gërmia për sallë koncertale ka vlerësuar projektet që ishin në garë duke vlerësuar si më të mirin Grupin e operatorëve: Kengo Kuma and as INC, O.U.D. Architects, Ahmet Topbas Muhendislik, Akim Muhendislik, Enmar Engineering, Ses Goruntu Produkiyon hizmetleri me shifër 6636, shkruan KultPlus.
Për projektin e sallës koncentrale, ka reaguar tenori me famë botëore Ramë Lahaj, i cili përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka theksuar se ndjehet i irrituar për faktin se do të ruhet objekti ”Gërmia”, pasi siç thekson tutje ai, ky objekt nuk përfaqëson asgjë.
Më poshtë gjeni statusin e plotë të Lahajt.
Më gëzon tej mase fakti që Prishtina do të bëhet me një sallë koncertale, për të cilën realisht jemi vonuar.
Me irriton fakti që është bërë shumë presion që të ruhet objekti Gërmia që s’ka asnjë vlerë dhe nuk përfaqëson bash asgjë hiç, por që për taksirat na e jep një sallë të improvizuar e t’arnuar bash si do shtëpi t’djeguna t’pasluftës e t’renovuara që kurrë rahat n’to s’bohesh.
Na janë dashur pritje 20 vjet që BE-ja të na e financojë një sallë koncertale se vet edhe 40 vjet të tjera s’e kishim bo tu e pasë parasysh vetëdijesimin e politikes për artin. Udhëheqësve që ende shkojnë në ahengje ku ‘qitet me allti’.
Jam i irrituar e jo dakord, si profesionist që i kam parë e përformuar në sallat më prestigjioze të botës në të katër kontinentet. Jam i irrituar se s’kemi nevojë për një objekt gjysmak e të improvizuar. Meqë kemi fatin e mbështetjes për një projekt kaq madhor e të rëndësishëm atëherë duhet të mendojmë dhe studiojmë mirë atë në çdo aspekt.
E kam potencuar disa herë që ne na duhet një objekt adekuat me disa salla e galeri universale në kuptimin qe t’i kemi të gjitha artet në të, andaj na duhet një sallë e mirëfilltë e jo e improvizuar marrë parasysh që në vet s’ia dolëm ta bëjmë t’u e pasë parasysh realitetin e 20 vjetëve të fundit.
Po i bëj thirrje edhe njëherë, Komunës së Prishtinës, që në qoftë se nuk është e mundur që objekti Gërmia të rrënohet e të ndertohet një qendër e re kulturore, atëherë te gjendet një lokacion që ka qasje të mirë dhe të kemi një qendër artesh funksionale. / KultPlus.com