Pavijoni i Republikës së Kosovës sot ka marrë Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Ekspozitës së 60-të Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venecias, shkruan KultPlus.
Mirëpo, në këtë ngjarje përderisa ekipi i Kosovës është ngjitur në skenë për të marr çmimin “Special Mention for National Presentation”, zëvendëskryeministrja e Serbisë dhe ministrja e Kulturës, Maja Gojkoviq, e ka lëshuar sallën.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku i cili ka thënë se kjo është hera e parë që Kosova ka marr mirënjohje të tillë që nga pjesëmarrja e parë në vitin 2013.
“Një arritje e jashtëzakonshme e artistes Doruntina Kastrati, e cila e vendosi Kosovën në mesin e më të mirëve në konkurrencë me mbi 80 shtete nga e gjithë bota. Instalacioni skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” me kuratore Erëmirë Krasniqi dhe komisionere Hana Halilaj, ka rrënjët te përvojat e grave që kanë punuar në një fabrikë llokumesh në Prizren, në vendlindjen e artistes”, ka shkruar Ministri Çeku./KultPlus.com