Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) do të jetë pjesë e agjendës së Sallonit Ndërkombëtar të Librit në Torino, të Italisë.
Këtë vit Shqipëria do të jetë e ftuara e nderit, në Panairin Ndërkombëtar të Librit që do të organizohet në Torino, në datat 18-22 maj 2023. Ndërsa më 21 maj 2023, në sallën “Albania” po në Torino, do të zhvillohet një takim i dedikuar për QSPA, e cila do të përfaqësohet nga Drejtorja Ekzekutive e saj, Diana Kastrati dhe nga tre prej studiuesve të qendrës, Silvana Nini, Dorina Arapi dhe Rudina Hoxha.
Ky takim është një aktivitet prezantues mbi veprimtarinë dhe botimet e qendrës në një hark kohor trevjeçar, si një strukturë koordinuese për të promovuar kulturën dhe trashëgimininë e arbëreshëve të Italisë.
Në këtë takim, si dhe gjatë gjithë programit të Panairit do të jenë gjithashtu të pranishëm autorë e studiues shqiptarë që përfaqësojnë Shqipërinë në Panairin Ndërkombëtar e Librit në Torino. / KultPlus.com