Filmi “Pa vend” me regji të Samir Karahodës përzgjedhet edhe në festivalin prestigjioz ‘Sundance Film Festival’

Pa Vend nga Samir Karahoda pas Kanës, Torontos dhe Nominimit për Filmin më të mirë të shkurtër Evropian, arrinë të përzgjedhet edhe në festivalin ‘SUNDANCE’, përcjell KultPlus.

Gjithçka filloi nga një përpjekje për të treguar rrëfimin e një grupi entuziastësh që me çdo kusht donin ta mbanin gjallë sportin e pingpongut në Kosovë.

Ky rrëfim i tyre e inspiroi regjisorin Samir Karahoda që ta trajtoj këtë temë nëpërmjet filmit duke i angazhuar protagonistët e njëjtë të rikrijojnë skenat ashtu siç kanë ndodhur në vitet e pasluftës. Protagonistët e entuziazmuar që tregimi i tyre do të rrëfehet e dhanë maksimumin e tyre gjatë produksionit të filmit, që pas përfundimit të xhirimeve arriti ta dërgoj Kosovën në festivalin prestigjioz të Kanës, ku edhe u përzgjedh si kandidat i këtij festivali për Çmimin Vjetor të Akademisë Evropiane të Filmit.

Nesër në Berlin në ceremoninë vjetore të ndarjes së çmimeve filmi ‘PA VEND’ do ta përfaqësoj Kosovën, përsëri si filmi i parë i një regjisori nga Kosova.

Pas premierës botërore filmi e filloj një rrugëtim shumë intenziv nëpër festivale prestigjioze të filmit, duke kulminuar me çmimin kryesor ‘IMDB Pro Short Cuts’ në njërin ndër festivalet më të rëndësishëm në botë ‘Toronto International Film Festival’. Me këtë çmim, ‘Pa vend’ zyrtarisht kualifikohet për kategorinë e filmit të shkurtër për Oscars 2022.

Sot për ekipin e filmit ‘PA VEND’ të Samir Karahodës është përsëri një ditë e veçantë, pasi që filmi është pranuar në programin garues të filmave dokumentar të shkurtër të festivalit më të madh në SHBA, atë të Sundance. Kjo korespondon edhe me 40 vjetorin e themelimit të ‘Sundance Institute’.

Suksesi i filmit është përtej të gjitha pritjeve pasi që ka arritur të përzgjedhet në 3 nga 5 festivalet më të rëndësishme në botë, si dhe ka arritur të fitoj 7 çmime në festivale brenda vetëm 5 muajve. / KultPlus.com

Fillojnë xhirimet e filmit të shkurtër dokumentar-hibrid “TABLE STORIES”

Dje, më 7 shtator, në Qendrën Sportive ‘Sezair Surroi’ në Prizren filluan xhirimet e filmit të shkurtër hibrid (zhanri dokufiction) “TABLE STORIES” në produksion të SK Pictures, e subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe bashkëfinancuar nga Komuna e Prishtinës dhe Televizioni Kulturor Europian ‘ARTE’.

Filmi në regji dhe skenar të Samir Karahodës, është projekt që bazohet në ngjarjet e vërteta të anëtarëve të ekipit të pingpongut në që pas pranimit në Federatën Ndërkombëtare të Pingpongut me të drejta të plota, e kuptojnë që nuk kanë hapësirë për stërvitje, fakt që i nxit dy entuziastë të mobilizohen për ta riaktivizuar klubin e pingpongut dhe përgatitjet për gara të mëdha ndërkombëtare. Por ata, as që janë të vetëdijshëm se çfarë i pret në këtë rrugëtim.

“Edhe pse situata me pandeminë nuk na lejoj t’i fillojmë xhirimet sipas planit origjinal, jemi të lumtur që më në fund u organizuam dhe e konsoliduam ekipën e produksionit për të filluar me xhirimet e projektit tonë të ri’, u shpreh Eroll Bilibani, producenti i filmit ‘Table Stories’ duke shtuar ‘filmi është i zhanrit DokuFiction, pra një film dokumentar me skena të rikrijuara duke u bazuar në ngjarjet e vërteta të protagonistëve kryesorë të filmit. Jam shumë i lumtur ta vazhdojë bashkëpunimin me Samirin, që e ka një vizion shumë të qartë vizual dhe artistik në portretizimin e shoqërisë në të cilën jetojmë sot përmes reinterpretimit të ngjarjeve nga e kaluara”, thuhet në komunikatën për media.

Regjisori i filmit Samir Karahoda shprehet se ‘Table Stories do të jetë një tribut ndaj talenteve të rinj të vendit, që për shkak të neglizhencës së institucioneve përgjegjëse detyrohen që vet të gjejnë zgjidhje alternative për të ushtruar aktivitetin e tyre sportiv apo edhe ti shuajnë ëndërrat. Do te jetë një projekt sfidues pasi që i gjithë filmi do të realizohet me protagonistë të vërtetë, por entuziazmi i tyre dhe dëshira për të treguar ngjarjen e tyre më bënë të besoj edhe më shumë si në ta ashtu edhe në projekt.’

Edhe pse film i metrazhit të shkurtër, ky projekt hibrid është mjaft ambicioz si nga aspekti vizual ashtu edhe për nga struktura narrative.

Filmi planifikohet të kompletohet rreth muajit maj të vitit të ardhshëm./ KultPlus.com