Presidentja Osmani në Samitin e Demokracisë të Evropës Juglindore: NATO-n e shohim si një garanci për siguri e paqe të qëndrueshme në rajon dhe përtej

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të  Samitit për Demokraci të Evropës Juglindore me temë: “Lufta në Evropë: ndikimi në Ballkan”, të organizuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan i ShBA-ve, që po mbahet në Mal të Zi, ka mbajtur sot një fjalim të fokusuar në ndryshimin e arkitekturës së sigurisë në Evropë si pasojë e luftës në Ukrainë dhe implikimet e këtyre zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor.

Presidentja Osmani ka theksuar se lufta barbare dhe e paprovokuar e Rusisë kundrejt Ukrainës po e ripërcakton jo vetëm të ardhmen e Evropës.

“Pavarësisht përparimit të madh që kemi arritur si shtet dhe si rajon, të gjithë ne sot duhet ta kujtojmë që kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë janë gjithnjë aktive”, ka theksuar Presidentja Osmani. Sipas Presidentes Osmani, kjo dëshmohet me përpjekjet e Rusisë që nëpërmjet sateliteve të saj ta destabilizojë Kosovën, Bosnje e Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Prandaj, sipas Presidentes Osmani, BE-ja duhet të jetë e qartë, azhure dhe e guximshme.
“Rajonit tonë dhe popullit tonë i nevojitet garanci  sa i përket perspektivës së integrimit. Na duhen vepra, jo fjalë. Na duhet qartësi dhe një udhërrëfyes konkret i rrugës së mëtejme. Vendet e rajonit tonë, përveç njërit, e kanë të qartë vizionin e tyre për të ardhmen: synimi ynë është anëtarësimi në BE sepse besojmë në vlerat mbi të cilat është ndërtuar BE-ja”, ka potencuar Presidentja Osmani.

Më tej, Presidentja Osmani ka thënë se vlerat e BE-së janë të mishëruara në ADN-në e shoqërisë kosovare dhe se “rruga e integrimit evropian shërben si udhërrëfyes për zhvillimin tonë institucional dhe qeverisjen e përditshme”.
Në fjalimin e saj, Presidentja Osmani ka theksuar se zvarritja e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, do të krijojë terren të përshtatshëm në mënyrë që aktorët malinj ta rrisin ndikimin e tyre në rajon.

“Nuk guxojmë t`i mbyllim sytë ndaj asaj që shihet: kjo nuk është vetëm një luftë e Rusisë kundër Ukrainës, ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë kundër të gjithë arkitekturës së sigurisë së kontinentit tonë dhe përplasje midis vlerave demokratike nga njëra anë, me ambiciet hegjemoniste të agresorëve nga ana tjetër. Është gjithashtu një përpjekje e drejtpërdrejtë për ta sulmuar dhe minuar çdo gjë që ka ndërtuar përgjatë historisë aleanca transatlantike”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka shtruar domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO. “Aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO nuk janë vetëm deklarim politik. Anëtarësimin në NATO, duke filluar me Partneritetin për Paqe, e shohim nga këndi i sigurisë dhe ju ftojmë të gjithë ta bëni njësoj. Anëtarësimin në NATO e shohim si garancën më të mirë për paqen afatgjate dhe të qëndrueshme në rajon”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Sipas Presidentes Osmani lufta e para dy dekadave në Kosovë i ka bërë kosovarët ta kuptojnë më së miri luftën që po zhvillohet sot në Ukrainë.

“Kosova menjëherë dhe në tërësi i ka vendosur sanksione Rusisë bashkërisht me BE-në, ShBA-të dhe vendet demokratike. Gjithashtu kemi hapur dyert për refugjatët dhe gazetarët, mu sikurse shumë nga ju bëtë për popullin tim në fund të viteve të 90-ta. Ne jemi të gatshëm të bëjmë dhe të japim edhe më shumë po që se është nevoja”, tha Presidentja Osmani.

“Republika e Kosovës është e gatshme sikurse çdo herë ta luajë rolin e saj për sigurinë, avancimin dhe ruajtjen e paqes e sigurisë në rajon e më gjerë”, ka përmbyllur fjalimin e saj, Presidentja Osmani.

Përveç Presidentes Osmani, në këtë Samit, kanë folur edhe: kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, zëvendëkryeministrja, njëherësh ministrre për çështje evropiane e Malit të Zi, Jovana Maroviq, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bojan Marichikj, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, i ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, si dhe ambasadorë, ministra e zëvendësministra nga rajoni dhe organizata ndërkombëtare. / KultPlus.com