Sanksionet shtesë të BE-së ndaj Iranit për shkelje të të drejtave të njeriut në protestat antiqeveritare hynë dje në fuqi, pas botimit të vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së.
“Ne qëndrojmë me popullin iranian dhe mbështesim të drejtën e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore dhe për të shprehur lirisht kërkesat dhe pikëpamjet e tyre”, tha në një deklaratë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell.
Vendimi shënjestron 29 individë dhe tre entitete, duke pasur parasysh rolin e tyre në vdekjen e Mahsa Amini dhe shtypjen e dhunshme të Teheranit ndaj demonstratave të fundit në Iran”, thuhet në një deklaratë për shtyp.
“Në mesin e të sanksionuarve janë katër anëtarë të grupit që arrestuan në mënyrë arbitrare Mahsa Amini, anëtarë të Forcave të Zbatimit të Ligjit iranian, Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike dhe komandantit të Forcave Tokësore të Ushtrisë Iraniane”, thuhet në deklaratë.
Protestat mbarëkombëtare në Iran u shkaktuan nga vdekja e Mahsa Amini në shtator. Gruaja kurde 22-vjeçare vdiq pasi u ndalua nga policia morale e Iranit për shkak se ajo nuk kishte zbatuar rregullat strikte të vendit për veshjen publike të grave.
“Qindra persona janë vrarë që nga fillimi i protestave, dhe mbi 14 000 janë arrestuar”, sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut.
Në total, 126 individë dhe 11 organizata nga Irani janë subjekt i sanksioneve të BE-së për shkeljet e të drejtave të njeriut.
“Sanksionet do të dërgojnë një sinjal të qartë për ata që besojnë se mund të shtypin, frikësojnë dhe vrasin njerëzit e tyre pa pasoja”, tha ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, duke folur në Bruksel përpara se vendimi të konfirmohej./ atsh / KultPlus.com