Filmi dokumentar i cili shtjellon udhëtimin që bëjnë së bashku regjisorja Kaltrina Krasniqi dhe kitaristi Petrit Çeku, ka fituar çmimin e parë, shkruan KultPlus.
“Sarabande” titullohet dokumentari i realizuar për kitaristin kosovar Petrit Çeku, i cili ka fituar çmimin “Dokumentari më i mirë” në festivalin The Monthly Film Festival me bazë në Glasgow.
Për KultPlus, regjisorja Krasniqi është shprehur e lumtur me këtë vlerësim, dhe ka thënë se pas këtij shpërblimi dokumentari bëhet pjesë e koleksionit të festivalit dhe garon për çmim vjetor.
“Ky është festival online dhe shërben si platformë për promovim të filmave të zhanreve të ndryshme në platforma të ndryshme. Pas këtij shpërblimi dokumentari bëhet pjesë e koleksionit të festivalit dhe garon për çmimin vjetor”, është shprehur për KultPlus, Krasniqi.
“Sarabande” ka filluar si një dokumentar personal mbi muzikën klasike të Petrit Çekut i cili në vitin 2014 ishte gati për të regjistruar në Spanjë “Bach: The Cello Suites”. Pikërisht versioni i Petrit Çekut për suitat Bach është konsideruar shumë personale, joshëse, me pasion dhe një zbulesë e mrekullueshme. Mirëpo më vonë këto xhirime gjatë rrugës për në Spanjë u shndërrua në një film mbi kufijtë dhe paligjshmërinë, për t’u përfunduar më vonë në një udhëtim të dy shokëve që udhëtonin midis ideve të shpikura të Lindjes dhe Perëndimit, të së kaluarës dhe të së ardhmes./ KultPlus.com