Dje në mbrëmje u gjend mes flakësh godina e shek. XIX, e njohur si “Sarajet”, në rrugën “Alqi Kondi”.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Tiranë ka bërë kallëzim pranë Komisariatit të Policisë me dyshimin se bëhet fjalë për një zjarrëvënie të qëllimshme, për të zhvlerësuar godinën dhe tjetërsimin e funksionit të saj.
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe ministrja e Kultrurës, Elva Margariti, e cila e ka dënuar këtë akt.
“Ministria e Kulturës jo vetëm dënon këtë akt kriminal ndaj trashëgimisë kulturore, por inkurajon organet e kompetente të zbardhin ngjarjen dhe të vërë përgjegjësit para përgjegjësisë.”-ka shkruar Margariti duke shtuar se mbështet bashkinë e Tiranës në nismën për ta shndërruar këtë godinë në një objekt kulturor, publik, duke ruajtur vlerat e saj unikale.
Kjo godinë, e cila ka kryer funksionin e Bibliotekës së parë Kombëtare ka qenë pronë e shtetit deri në vitin 2000, kur iu kthye ish-pronarëve të saj.
Së fundmi Bashkia Tiranë kishte nisur procedurat e shpronësimit, për ta shndërruar në një institucion kulturor publik.
Për vlerat e saj arkitektonike, “Sarajet” në vitin 1973 u shpall monument kulture e kat. I./KultPlus.com