Lulzim Tafa i ftuar nderi në festën e Pavarësisë së Kosovës në Sarajevë, pritet të lexojë poezi në gjuhën shqipe dhe boshnjake

Komuniteti shqiptar në Bosnjë dhe Hercegovinë, i udhëhequr nga kryetarja Elvira Dushi, më 17 shkurt ka organizuar festën e Pavarësisë së Kosovës, ku ndër të tjera do të lexohen edhe poezi në gjuhën shqipe, shkruan KultPlus.

Në festën e pavarësisë, pritet të marrin pjesë edhe autoritetet shtetërore të Bosnjës, intelektual të shumtë, adhurues të artit e lexues të poezisë.

Lajmin e ka bërë të ditur Lulzim Tafa, i cili në këtë festë si i ftuar nderi do t’i lexoj edhe disa poezi në gjuhën shqipe dhe boshnjake.

“Festën e Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurtin, këtë vit do ta kaloj në Sarajevë, si i ftuar nderi nga Bashkësia Shqiptare në Bosnje dhe Hercegovinë.

Atje më kanë ftuar që t’i lexoj disa poezi në gjuhën shqipe dhe atë boshnjake. Në festën e pavarësisë, do të marrin pjesë edhe autoritetet shtetërore të Bosnjës dhe intelektual të shumtë, miq të mi, Sarajli të vjetër e të rinj, adhurues të artit e lexues të poezisë.

Komuniteti shqiptar në Sarajevë është mjaftë i organizuar dhe udhëhiqet nga Kryetarja Elvira Dushi, një promovuese e madhe e vlerave tona në Bosnje.

Përndryshe shqiptarët janë komunitet shumë i respektuar në Bosnje dhe Hercegovinë.

Sarajeva feston me Poezi”, ka shkruar Tafa në facebook./ KultPlus.com

Prezantohet skenari i filmit “Lumi Na” në ScriptStation në Festivalin e Filmit në Sarajevë

Skenari i filmit “Lumi Na” është prezantuar në ScriptStation në kuadër të Berlinale Talents Sarajevo në Festivalin e Filmit në Sarajevë, shkruan KultPlus.

Skenaristja dhe regjisorja Anita Morina është momentalisht në Festivalin e Filmit në Sarajeve si pjesë e Berlinale Talents Sarajevo që perfaqëson vendet e Evropës Juglindore.

Anita Morina është perzgjedhur në programin prestigjioz të Script Station ku po prezanton dhe zhvillon skenarin për film të gjatë “Lumi Na” me mentore nga Festivale të filmit si Venecia dhe Locarno si dhe kosulente nga Finlanda dhe Anglia.

Talents Sarajevo është rezultat i bashkëpunimit midis Festivalit të Filmit të Sarajeves dhe Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin. Nën drejtimin e Berlinale Talents, programi është plotesisht i integruar në CineLink Industry Days dhe ofron një mundësi unike për profesionistët e rinj të filmit që të përmirësojnë aftësitë e tyre, të zgjerojne rrjetet e tyre dhe të ekspozohen në industritë ndërkombëtare të filmit./KultPlus.com

Filmi “Dance In This Chaos” i Murat Zherkës triumfon në Sarajevë

Filmi “Dance In This Chaos” (Luaj në këtë kaos) i regjisorit shqiptar nga Shkupi, Murat Zherka, është fitues i çmimit “Filmi më i mirë i shkurtër OFF Generation” në edicionin e 14-të të Youth Film Festival 2022, që u mbajt në Sarajevë (19- 23 korrik), për të cilin festival sivjet konkurruan mbi 200 filma, ndërkaq për programin final u përzgjodhën vetëm 14 nga ta.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë regjisori dhe njëkohësisht skenaristi i filmit, i cili ka uruar ekipin dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim.

“Sonte fituam në Sarajevë! Filmi jonë “Dance In This Chaos” është fituesi i çmimit “Filmi më i mirë i shkurtër OFF Generation” në edicionin e 14-të të Sarajevo Youth Film Festival 2022! Urime ekipit të filmit dhe të gjithëve që na kanë mbështetur në këtë rrugëtim”, ka shkruar Zherka.

Në këtë film, në rolet kryesore luajnë: Sina Rakip, Stefanija Naçevska, Aleks Petrovski, Fisnik Zeqiri etj.

Filmi u mundësua nga Democracy Lab, ISD Youth Can dhe është realizuar në vitin 2021. Filmi në fjalë ishte pjesë e kampanjës Let’s Bring The Colors Back. “Dance In This Chaos” premierën e pati më 31 tetor të vitit të kaluar në Kino Milenium ne Shkup, kurse më vonë u shfaq edhe në Kinemanë Cineplexx.

“Dance in this Chaos” është film bardh e zi, i realizuar sipas teknikës one-shot, që konsiderohet si njëra nga teknikat më të vështira për realizimin e një filmi.

Më 15 korrik ky film u shfaq edhe në Korçë, në kuadër të Festivalit KOSH Film Fest. Suksesi i jashtëzakonshëm në Sarajevë, këtij filmi i hap rrugën edhe për festivale tjera. Muajin tjetër filmi do të prezantohet edhe në Festivalin Drim Short që mbahen në Strugë dhe në Festivalin e filmit të shkurtë në Lublanë – FEKK (15 -20 gusht). / KultPlus.com

Në Sarajevë mbahet Parada e Krenarisë

Qindra qytetarë marshuan në Sarajevë të Bosnje e Hercegovinës për të shënuar Paradën e tretë të Krenarisë, në mbështetje të komunitetit LGBT.

Nuk është raportuar për dhunë në ngjarjen e mbajtur më 14 gusht, kjo për shkak të prezencës së madhe të policisë, që bllokoi rrugë të kryeqytetit, për të parandaluar përleshjet eventuale me kundërprotestues.

Kjo është Parada e Tretë që mbahet në Bosnje, një shtet i ndarë etnikisht dhe gjerësisht konservatorë.

Organizatorët thanë se pjesëtarët e komunitetit LGBT janë margjinalizuar edhe më shumë që prej fillimit të pandemisë së koronavirusit, që ka lënë të vdekur mbi 9.700 persona në këtë shtet.

“Ne po rezistojmë dhe po themi se mjaft është mjaft. Pandemia solli më shumë dhunë. Na ka mbyllur në katër mure, në rrethin e dhunës në familje. Koha është që të themi mjaft, tha Amar Catoviq, një prej organizatorëve, që mbajti fjalim para ndërtesës së parlamentit.

“Ne, lesbiket, gejët, biseksualët, transgjinorët, po dalim në rrugë sepse kufizimet e pandemisë janë realitet i përditshëm i yni”, tha grupi i organizatorëve përmes një deklarate për media. “Në vitin që e lamë pas, të drejtat dhe liritë tona janë përkeqësuar edhe më tej”, u tha në deklaratë.

Grupi ka kërkuar që të miratohet ligji për partneritet mes gjinisë së njëjtë dhe që t’i jepet fund diskriminimit të komunitetit LGBT në Bisnje.

Dhjetëra kundërshtar të LGBT mbajtën tubimet e tyre në Sarajevë, duke thënë se duan t’i mbrojnë vlerat tradicionale të shtetit kundër ideologjisë “agresive” të komunitetit LGBT./ REL / KultPlus.com

Filmi ‘Exil’ nga Visar Morina rrëmben ‘Zemrën e Sarajevës’ në festivalin e Sarajevës

‘Exil’ sonte triumfoi në Sarajevë duke e fituar çmimin kryesorë të festivalit ‘Zemrën e Sarajevës’ në një ceremoni të organizuar online për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19. 

Këtë vit juria e programit kryesor garues përbëhej nga regjisori frances Michel Hazanavicius, drejtori artistik i Festivalit të Berlinit Carlo Chatrian, aktorja kroate Jadranka Dokic, regjisori serb Srdan Golubovic dhe nga ekspertja e industrisë nga Meksika Andrea Stavenhagen.

Në një video të dërguar, regjisori Morina shprehet mjaft i lumtur me çmimin: ‘ Jam shumë i gëzuar me çmimin, faleminderit! E kisha një vit shumë të ngarkuar në realizimin e këtij filmi dhe nganjëherë ndihesha më i humbur se karakteri i filmit, e ky çmim më ndihmon shumë. Falemnderit jurisë dhe festivalit’.

Filmi i cili u shpërblye më heret sot edhe nga magazina evropiane Cineuropa për regjinë më të mirë, rrëfen tregimin e Xhaferit, një inxhinier i kimisë me origjinë nga Kosova, i cili ndjehet i diskriminuar dhe i ngacmuar në vendin e punës, gjë që e zhytë atë në krizë të identitetit.

“Exil”-i sjell një kastë briliante të aktorëve, si: Sandra Hüller, Mišel Matieviq, Flonja Kodheli, Getuart Hajrizaj, Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Ameli Kabashi etj.

‘Exil’-i është bashkëprodhim në mes të Komplizen Film Gjermani, Ikonë Studio Kosovë dhe Frakas nga Belgjika i financuar nga Ministri për Kulturë dhe Media, Film- und Medienstiftung NRW, German Federal Film Fund, Belgium Film Tax Shelter, Medienboard Berlin Brandenburg, Qendra Kinematografike e Kosovës, Eurimages, dhe German Federal Film Board. 

Ky edicion i Festivalit të Sarajevës kishte një presence të madhe të kinematografisë se Kosovës ku përveç pjesëmarrjes së filmit ‘Exil’ ishin edhe ‘Galaktika e Andromedës’, ‘Zana’ dhe ‘Vera Andrron Detin’. / KultPlus.com

‘Unë jam fëmijë i një përdhunimi’

E lindur në Sarajevën e kohës së luftës nga një nënë që ishte përdhunuar në një kamp ndalimi, më pas e rritur nga prindër birësues në Britani, Lejla Damon u rikthye në Bosnjë-Hercegovinë për të kërkuar të vërtetën rreth origjinës së saj.

“Unë jam fëmijë i një përdhunimi. Ja se çfarë jam unë. Është një term i tmerrshëm sepse ato janë dy fjalë që s’do të doje kurrë t’i bashkoje. Por realiteti”, thotë ajo.

Damon, tani 25 vjeçare, është e qetë kur flet me BIRN në Frontline Club të Londrës, pas një eventi për të shënuar përvjetorin e masakrave të Srebrenicës – por ajo ka luftuar me këtë përkuzim për shtatë vjet. Ajo u rrit në Britani, ku prindërit e saj birësues i treguan në moshën shtatë vjeçare se ajo ishte birësuar nga zona e luftës në Bosnjë. Më pas, në moshën 18 vjeçare, ajo mësoi më shumë.

Ajo ka lindur në Sarajevë në ditën e Krishtlindjes së vitit 1992. Nëna e saj ishte përdhunuar në një kamp paraburgimi në Foçë nga ushtarët serbë para se të arrinte disi t’ia mbathte në kryeqytet, ku solli në jetë foshnjën e saj në Spitalin Koshevo. Dy gazetarë britanikë, Sian dhe Dan Damon, të cilët ishin të dy me bazë jashtë spitalit atë vit, ndodhën të intervistonin nënën e saj. Gruaja boshnjake e traumatizuar tha në xhirim se druhej se mund «ta mbyste» fëmijën disa ditësh ose se foshnja mund të rritej dhe mund të bëhej si burrat që e përdhunuan atë.

«Ne ishim në Sarajevë, duke filmuar skena të tmerrshme në jetimore dhe vuajtjen që po ndodhte dhe pastaj u shfaq kjo foshnja. Çfarë mund të bënim?» – shpjegoi Sian Damon, duke folur në eventin e mbajtur në Frontline Club. «Nuk mund ta linim këtë foshnjë të vogël nëntë ditëshe», tha ajo për publikun. Me bekimin e zyrtarëve boshnjakë, dy shtetasit britanikë morën dokumente të evakuimit emergjent dhe ikën me Lejlan në Slloveni më 3 janar 1993 dhe pastaj në Hungari. Ata u kthyenme të në Mbretërinë e Bashkuar, ku vajza e vogël pati një fëmijëri të mirë në zonën Manor House në verilindje të Londrës, larg nga lufta që përfundoi në vitin 1995, pasojat e saj të tmerrshme dhe vuajtjet emocionale të nënës biologjike të vogëlushes.

Por kur Damon arriti moshën e adoleshencës, kureshtja po e gërryente. «Fillova të lexoja literaturë mbi gjërat që ndodhën në Bosnjë – gratë që u përdhunuan, kampet», thotë ajo. Ajo mund ta imagjinonte atë nga larg. «Kur prindërit e mi më ulën dhe më thanë: ‘Mamaja jote biologjike u përdhunua në një kamp përqendrimi’, kjo nuk erdhi si një tronditje e madhe. Nuk u ula dhe u mbyta nga lotët, por ndoshta kjo ishte kështu sepse nuk jetoj në Bosnjë.»

Sipas Bosnia UK Network, në Britaninë e Madhe jetojnë rreth 10 mijë boshnjakë, një numër i konsiderueshëm i të cilëve kanë humbur familjen ose miqtë ose vuajtën vetë gjatë luftës. Por teksa rritej, Damon nuk njihte asnjë prej tyre. Në vend të kësaj, ajo jetonte një jetë në Londër, ku miqtë e saj adoleshentë nuk ishin të vetëdijshëm për koniktin, ndërkohë që në të njëjtën kohë ajo ndiente se «një tjetër pjesë e jetës sime vazhdonte në Bosnjë».

Pra, kur ishte 18 vjeçe, Damon shkoi tre javë me pushime në vendin e saj të lindjes. «Në atë kohë isha më e vetëdijshme në një nivel femëror, mendoj, sepse isha në fillimet e viteve të mia të rinisë dhe kisha lluar të mendoja se ç’kuptim mund të kishte kjo», thotë ajo. Me «ajo» nënkupton përdhunimin – një temë që ka rezonuar me të, sidomos gjatë lëvizjes #MeToo që lloi në tetorin e kaluar. Përdhunimi nuk merret seriozisht, sepse shihet në kuadrin e seksit dhe jo si dhunë, beson ajo – një perspektivë që padrejtësia brutale e përdhunimit gjatë një gjenocidi në kohë lufte mund të ndihmojë të hidhet dritë mbi të, thotë ajo.

Askush nuk e di se sa gra u përdhunuan në Bosnjë gjatë koniktit, por vlerësimet variojnë nga 20 mijë në 50 mijë. Këto gjëra nxitën Damonin të ndërmerrte një aventurë për të gjetur nënën e saj. Kur ajo ishte 19 vjeçe, një mikeshë e universitetit bëri një dokumentar për historinë e saj për të cilën ajo udhëtoi drejt Sarajevës, duke vizituar Spitalin Koshevo me një agjent shtypi. Çuditërisht, kur ajo foli me një infermier, ai e mbante mend atë. «Ai tha: ‘O Zot! Ti je ajo që doli…» – kujton ajo.

Ambasada e Bosnjës në Mbretërinë e Bashkuar ndërkohë gjurmoi nënën biologjike të Damonit me emrin që ajo kishte dhënë. Ata dërguan një oficer policie për të kontrolluar nëse adresa ishte e saktë dhe më pas dorëzuan disa detaje kontakti. Damon i shkroi asaj dhe ato mbajtën korrespondencë në atë mënyrë për tre vitet e ardhshme. Por, ajo thotë se «ishin gjëra sipërfaqësore. Shpresoj të jesh mirë. Dua të dish që jam mirë. Kaq ishte.»

Damon donte më shumë. Pra, në gusht 2017, një mikeshë që ajo kishte takuar në një nga udhëtimet e saj në Bosnjë – gjithashtu një fëmijë përdhunimi i kohës së luftës – shkoi të takonte nënën e Damonit në emër të Damonit. «Ajo tha, ‘Kam takuar Lejlën. Ajo është e mrekullueshme’. Po përpiqej të më rriste vlerat para saj dhe e pyeti nëse ajo dëshironte të më takonte. Kjo ishte e rëndësishme, sepse në letrat e saj, ajo thoshte që do të më takonte, por nuk e dija nëse ajo thjesht po përpiqej të tregohej e dashur».

Kur, më në fund, erdhi dita tetorin e kaluar, ishte aq e sikletshme sa mund të imagjinohet. «Kishte shumë ankth në lidhje me faktin nëse ajo do të tërhiqej në minutën e fundit. Ajo nuk ishte e detyruar të më takonte. Nuk kishte asgjë për të thënë se ajo kishte nevojë ta bënte këtë».

Prindërit e saj birësues hynë në dhomë të parët, pasuar nga shoqja që kishte ndërmjetësuar takimin dhe Damon ishte e fundit nga të gjithë. «Ishte një nga ato gjëra ku unë ngurrova. Pastaj ajo më mbajti dorën dhe më dha një përqam. Dhe ishte pikërisht ai çast kur ne shembëm aq shumë akuj që kishin ndërtuar gjatë dhjetë viteve të fundit, që kur unë kisha mësuar për origjinën time,» thotë ajo. Ato u ulën bashkë me një përkthyes duke i treguar njëra-tjetrës fotogra nga 25 vitet e fundit.

«E keni parasysh atë programin ‘Kush mendon se je?’. Ishte diçka e tillë», thotë ajo, duke iu referuar një programi televiziv britanik, në të cilin njerëzit gjurmojnë rrënjët e tyre familjare dhe shpesh habiten nga ajo që mësojnë për trashëgiminë e tyre. Ka ende shumë gjëra që Damon nuk i di. Kush e përdhunoi nënën e saj, e cila tani vuan nga epilepsia dhe parkinsoni, apo se si ajo arriti në Sarajevë nga kampi i përqendrimit në Foca. «Është ndoshta shumë më e lehtë në këtë mënyrë», pranon ajo. Por edhe pse nëna e saj është relativisht një e panjohur, Damon u prek shumë nga aftësia ripërtëritëse e gruas boshnjake.

«Forca e asaj gruaje, thjeshtë për të vazhduar para…», thotë ajo duke i hapur sytë fort. «Ajo nuk është mirë fizikisht dhe jam e sigurt që e njëjta gjë është edhe emocionalisht, por forca për të vazhduar para dhe forca për të parë mua… Kjo kërkon shumë. Mendoj se ajo është një njeri i mrekullueshëm dhe është një frymëzim dhe një model»,

Gjatë përkujtimores së përvitshme të gjenocidit të Srebrenicës, Damon foli në një sërë eventesh me organizatën jotimprurëse me bazë në Mbretërinë e Bashkuar «Remembering Srebrenica», e cila rrit ndërgjegjësimin për masakrat. Ajo thotë se puna që ajo ka bërë deri më tani e ka ndihmuar atë të kuptojë se kush është ajo dhe i ka sjellë një ndjesi paqeje. «Unë e kam pranuar dhe mendoj se kjo është arsyeja pse njerëzit e kanë kaq të vështirë të kuptojnë pse s’jam ulur këtu duke qarë», shpjegon ajo. «Nuk them që nuk ndihem e zbrazët ndonjëherë. O Zot i madh! Është e vështirë të flasësh për përdhunim, gjenocid, dhunë seksuale dhe maskilizëm toksik. Kjo të shteron, sepse nuk ka asnjë përgjigje». Ajo bën një pauzë, pastaj pyet: «Por në të njëjtën kohë, nëse jo unë, atëherë kush?» (BIRN)./ KultPlus.com

Genc Bekteshi prezantohet në një koloni artistike në Sarajevë (FOTO)

Piktori suharekas Genc Bekteshi ka qenë i ftuar në koloninë e artistëve “Art House” në Sarajevë të Bosnjës e Hercegovinës. Ai u ftua në mesin e dhjetëra artistëve nga shtatë vende të botës, përcjellë KultPlus.

Bekteshi, që rrjedh nga familja e piktorit të njohur Naim Bekteshi, ka treguar se Sarajeva ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme.

“Ndryshe nga ajo që mund të shihet online, Sarajeva është një kryeqytet fantastik. Pjesët e reja dhe pjesët e vjetra të qytetit të shetisin në kohë dhe të japin kënaqësi të veçantë”, ka treguar ai. Madje Genci ka treguar se ka takuar edhe kosovarë tjerë që janë gjeneratë e tretë që jetojnë në Sarajevë, shkruan Therandapost.

Për këtë koloni ka raportuar edhe prestigjiozja “Al-Jazeera Balkans”, ku thotë se kjo koloni ka arritur të bashkojë popujt dhe kulturat.

Kjo nuk është hera e parë që Bekteshi lë shenjë në koloni të ndryshme jashtë vendit, sikur ajo në Pljevlje të Malit të Zi apo edhe në disa tjera në Turqi./ KultPlus.com

Albert Heta prezanton sonte programin e Shkolla Verore si Shkollë në Sarajevë

Sonte më 25 qershor me fillim nga ora 18:00 në Akademinë e Arteve të Bukura në Sarajevë, bëhet prezantimi i programit të Shkolla Verore si shkollë, shkruan KultPlus.

“Akademia e Arteve të bukura në Sarajevë dhe Sonemus ftojnë të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në prezantimin e programit të Shkolla Verore si Shkollë 2018 – platformës ndërdisiplinore, edukative me qendër në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Fillimisht e inspiruar nga rasti i Kosovës, ku sistemi arsimor ishte strukturuar në mes të viteve të 70-ta të shekullit të kaluar, Shkolla Verore si Shkollë është e dizajnuar për të bashkuar dhe për të përhapur dijen dhe për të trajtuar sfidat e ditëve të sotme, duke zbatuar modele të reja dhe krijuar mundësi në arsimimin artistik dhe bashkëpunimin arsimor dhe artistik.

Prezantimi dhe diskutimi në perspektivat e arsimimit në fushën më të gjerë të artit bashkëkohor bëhet me: Albert Hetën, drejtor artistik i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë; Donjetë Murati, hulumtuese dhe koordinatore e programit në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë; Anja Bogojevic, kuratore/historiane e artit, asistente në Akademinë e Arteve, Universiteti në Sarajevë, bashkëthemeluese e Qendrës për Art Bashkëkohor Abart, Mostar; Admir Mujkic, artist/asistent në Akademinë e Arteve, Universiteti në Sarajevë; Amila Ramovic, kuratore/muziciente, asistente në Akademinë e Muzikës dhe Akademinë e Arteve Skenike në Universitetin e Sarajevës; Ališer Sijarić, kompozitor, profesor në Akademinë e Muzikës në Universitetin e Sarajevës dhe drejtor artistik i Organizatës Sonemus.

Programi i Shkolla Verore si Shkollë 2018 mbahet më 16 korrik – 2 gusht, 2018.

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka shpallur thirrjen e dytë për aplikim në kurse. Afati i fundit për aplikim është më 25 qershor, 2018.

Udhëheqësit e Shkollës Verore si Shkollë 2018 kanë përpiluar një program sfidues dhe inspirues duke kombinuar klasë të bazuara në teori dhe produksion, ligjërata dhe prezantime publike, ekspozita, perfomanca dhe program filmi. / KultPlus.com

Si e humbi zërin Nexhmije Pagarusha në Sarajevë, në vitin 1984?

Këngëtarja e madhe shqiptare, Nexhmije Pagarusha, ka një karrierë disavjeçare për tu lakmuar dhe kësisoj ka hyrë përgjithmonë në zemrat e shqiptarëve.

Këngëtarja e “Bareshës”, megjithatë, dikur u zhgënjye për faktin se humbi zërin dhe nuk dha maksimumin e saj në skenë. Kjo do të ndodhte kur kulmi arriti në Sarajevë, në një performancë të sajën kur ajo u kritikua për performancën e saj.

Historinë e tregon vetë Bilbili i Kosovës – Nexhmije Pagarusha.

“Kisha disa vështirësi me zërin kohët e fundit, për çfarë edhe e kisha konsultuar një mjek në Beograd, i cili sa herë që mbaja koncerte atje, vinte bashkë me të shoqen e më nderonte me buqetë lulesh. Më pati preferuar: zonjë, juve ju nevojitet një periudhë qetësie, s`kemi nevojë për ilaçe. Ndërprerja definitive e zërit, ndërkaq, ndodhi në Sarajevë, në Lojërat Dimërore Olimpike 1984. Radio Prishtina më çoi bashkë me orkestrën që të këndoja për mysafirët e ardhur nga e gjithë bota. Këndoja në një lokal që i thonin Hamam Bar, përnatë, dhjetë ditë. Kjo ishte e tepërt për mua, në atë tym duhani. Pastaj, isha nervoze, ngase orkestra zbavitëse nuk dinte të më shoqëronte. Kur erdhi Ansambli Shota, bashkë me Luan Hajrën, u gëzova. Këndova dhe të nesërmen mbrëma me këtë ansambël, gjë që askush në botë nuk do të dilte të këndonte me atë zë që pata atë natë! Por, më vinte keq t`i lija, se ndërmjet pikave kur unë dilja, ata të ansamblit ndërronin gardërobën për paraqitjen e radhës. Ajo natë për mua ka qenë e tmerrshme, disa tone mund ti këndoja, disa jo, ndërsa djersët më shkonin, salla ishte përplot, megjithëkëtë duartrokitnin” tregon Nexhmija në librin e Sanije Gashin – Ecje nëpër kujtesë, derisa flet se si nisi zëri i saj të marrë ngjyrim tjetër shkaku i disa viteve performanca por edhe paraqitjeve në lokacione ku zëri i saj përzihej me tymin e duhanit.

“E kisha një koleg të ri, mik, që studionte në Sarajevë, i cili m`u afrua: Nexhi, ti më kështu nuk bën të këndosh! – E di, i thashë. Dhe kurrë më në jetë nuk kam kënduar! Ishte një mbrëmje e ftohtë, e ftohtë, si dimrat e Sarajevës më. Kjo ishte përshëndetja ime e fundit me skenën, me këngën, me zërin” tregon Pagarusha rreth periudhës kur u largua nga muzika për tu rikthyer vite më pas në një tjetër rrethanë dhe ndihmuar nga miqtë e saj këngëtarë. / KultPlus.com