Poeti Tafa ftohet në Sarajevë në hapjen e manifestimit kulturor “Ditët e Sidranit”

Poeti Lulzim Tafa është ftuar në Sarajevë në manifestimin kulturor “Ditët e Sidranit”, i cili do të mbahet nga data 30 shtator deri më 5 tetor.

Ky festival mbahet në nder të 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh boshnjak, Abdullah Sidran, i cili para pak kohësh iku në amshim.

Manifestimi është organizuar nga qyteti i Sarajevës dhe Teatri Kamertal 55, në bashkëpunim me komunitetin shqiptar në Bosnje dhe Hercegovinë. Për disa ditë radhazi do të ketë aktivitete të ngjeshura kulturore dhe artistike, të cilat do t’i kushtohen jetës dhe veprimtarisë së Sidranit.

Sipas mediave boshnjake, manifestimi do të përmbyllet më 5 tetor me lexim artistik të poezive të Abdullah Sidranit dhe poetit kosovar Lulzim Tafa./KultPlus.com

Ministri Çeku për çmimin e filmit ‘Si e verdhë e sëmurë’: Arritje tjetër që shpërfaq potencialin e jashtëzakonshëm të shtetit të Kosovës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar pasi filmi “Si e verdhë e sëmurë” nga Norika Sefa ka fituar çmimin e dokumentarit më të mirë të shkurtë në Festivalin e Filmit në Sarajevë.

Ministri Çeku këtë sukses e ka cilësuar si një arritje tjetër, që sipas tij shpërfaq potencialin e jashtëzakonshëm që ka shteti i Kosovës edhe në sektorin e artit dhe kulturës.

“Pas fitoreve të njëpasnjëshme, filmi “Si e verdhë e sëmurë” nga Norika Sefa fiton edhe çmimin dokumentari më i mirë i shkurtë në Festivalin e Filmit të Sarajevës.

Edhe një arritje tjetër që shpërfaq potencialin e jashtëzakonshëm që ka vendi ynë.

Urime Norikës dhe gjithë ekipit, po ashtu Qendrës Kinematografike të Kosovës që ka mbështetur realizimin e këtij filmi”, thuhet në urimin e Ministrit Çeku në facebook./ KultPlus.com

‘Tre kilometra deri në fund të botës’ fiton Festivalin e Sarajevës

Edicioni XXX i Festivalit të Filmit në Sarajevë (SFF) përfundoi me ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Zemra e Sarajevës” në Teatrin Kombëtar në Sarajevë, ku filmi “Tre kilometra deri në fund të botës” me regji të Emanuel Parvu u shpall filmi më i mirë artistik.

Regjisori më i mirë i edicionit XXX të SFF-së është Yorgos Zois me filmin “Arcadia”.

Doru Bem u shpall aktorja më e mirë për rolin e saj në filmin “Java e Madhe”, ndërsa Anab Ahmed Ibrahim fitoi “Zemrën e Sarajevës” si aktorja më e mirë për rolin e saj në filmin “Fshati buzë Parajsës”.

Filmi “Fotografi kujtimi” i Olga Chernykh fitoi “Zemrën e Sarajevës” për filmin më të mirë dokumentar, ndërsa çmimi për të drejtat e njeriut iu dha Anna Rubia për filmin “Jeta jote pa mua”.

Çmimi special i jurisë iu dha filmit “Ajo që kërkojmë nga statuja është që të mos lëvizë” me regji të Daphne Heretakis.

Regjisori turk Cem Demirer me filmin “Në mungesë” fitoi “Zemrën e Sarajevës ” për filmin më të mirë të shkurtër.

Çmimi special për promovimin e barazisë gjinore shkoi për filmin dokumentar “Cent’anni” me regji të Maja Doroteja Prelog.

Çmimi special për ndërgjegjësimin mjedisor shkoi për filmin “Qielli mbi Zenicë” me regji të Zlatko Pranjiq dhe Nanna Frank Moller.

SFF këtë vit solli më shumë se 240 filma nga 70 vende./ atsh/ KultPlus.com

Filmi ‘Sirin’ shfaqet në Festivalin e Filmit në Sarajevë

Filmi ‘Sirin’ është dhënë në premierën botërore të Festivalit të Filmit në Sarajevë, shkruan KultPlus. Filmi ‘Sirin’ nga regjisori Senad Sahmanovic, ku luan edhe aktorja jonë e njohur May-Linda Kosumovic po merr pjesë në kuadër të programit zyrtar (Open air Cinema) në Sarajevo Film Festival.

Me skenar të Claudia Bottino dhe Senad Šahmanovic, ky film është prodhim i produksioneve si: CUT UP, Sekvenca, On Film Production, BUKA, Dokument, APC.

Filmi ka për producent Velisa Popvic dhe Co-producent: Jure Pavlovic, Dritan Huqi, Fatmir Spahiu, Alem Bbaic Ines Tanovic dhe Jean-Cristophe Barret.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës,Filmski Centar Crne Gore, Havc, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, dhe nga Fondacioni Kinematografik Sarajevo Eurimages./KultPlus.com