Andin Hoti e mbron Saranda Bogujevcin: Çdo sulm ndaj teje, është edhe sulm ndaj meje

Djali i veprimtarit Ukshin Hoti, Andini i ka dal në mbrojtje deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje Saranda Bogujevci pas  komenteve të bëra ndaj saj nga zëvendëskryeministri Driton Selmanaj.

Me anë të një postimi në Facebook, Hoti është shprehur se Bogujevci është një dëshmi e gjallë e së vërtetës për masakrat dhe gjenocidin serb të bërë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Saranda Bogujevci është dëshmi e gjallë e së vërtetës për masakrat dhe gjenocidin e ndodhur ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Çdo sulm ndaj Saranda Bogujevcit, është sulm ndaj meje, sulm ndaj familjes sime dhe të gjithë atyre që me gjakun e tyre fituan lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, kushdo dhe kudo qofshin ata. Saranda, të njoh dhe jam me fat që të kam mike, je ndër njerëzit më të mirë që kam njohur në jetë. Jam me ty gjithmonë!”, ka shkruar ai në Facebook. / KultPlus.com

Saranda Bogujevci ishte vetëm 13 vjeç kur ka humbur familjen dhe i mbijetoi 16 plumbave

Saranda Bogujevci, shpesh në organizime të ndryshme ka shpalosur dhimbjen e saj pasi që një pjesë e familjes ju vra nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Saranda Bogujevcit, iu mbijetoi 16 plumbave, dhe humbi 14 anëtarë të familjes së saj, përfshirë nënën dhe dy vëllezërit, gjatë një sulmi brutal të ushtrisë serbe, gjatë luftës së vitit 1998-99, në Kosovë.

Me përfundimin e konfliktit dhe hyrjen e trupave të NATO-s, Bogujevci dhe katër kushërinjtë e mbijetuar u evokuan në qytetin anglez të Mançesterit, ku ajo u operua dhe vazhdoi mjekimin, si dhe studimet. Ajo u kthye në atdheun e saj në vitin 2014.

Saranda Bogujevci, atëherë 18 vjeçe, bashkë me tre kushërinjtë e saj, u bënë viktimat e para etnike shqiptare që dëshmuan përpara një gjykate serbe, për mizoritë e kryera nga forcat serbe, të udhëhequra nga Slobodan Millosheviç.

Familja e Bogujevcit u vra, katër ditë pas fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s, në Podujevë, më 28 mars 1999 nga pjesëtarët e një njësie paraushtarake serbe të njohur si ‘Akrepat’. Viktima më e re ishte dy vjeçe. Pesë burra u burgosën për këto vrasjet dhe në vitin 2013, Saranda Bogujevci u kthye në Beograd, aty ku ajo kishte dëshmuar kundër tyre, për të organizuar një ekspozitë rreth vrasjeve në familjen e saj.

Ekspozita e titulluar “Bogujevci – historia vizuale, homazh për të gjitha familjet dhe viktimat e luftës”, u hap me 18 dhjetor, në Galerinë “Podroom” në Qendrën Kulturore në Beograd. Ekspozita nga Qendra kulturore në Beograd, ishte vlerësuar si një projekt me kontekst politik, por para së gjithash, një rrëfim për tragjedinë personale. / KultPlus.com

Në Rockuzinë bar

Nga Xhevdet Bajraj

Saranda Bogujevcit

Isha në Rockuzinë bar
me një mik të mirë
(ende dua të besoj
që e kam mik të mirë)
i cili po përpiqej ta shkruante
historinë e re të Kosovës
Dëgjohej muzikë me të cilën isha rritur
birra ishte e ftohtë ashtu si e do Zoti
rrugët e qytetit ishin përplot me njerëz
dielli i muzgut në Prishtinë
me forcat e fundit që i kishin mbetur
vazhdonte të buzëqeshë
Kur me pyeti miku
a po e njeh këtë vajzën e ulur pranë teje
mbeta i habitur
Është Saranda Bogujevci
e mbijetuara e masakrës së Besianës
Oh Zot
e mbaja mend vajzën
që i humbi katërmbëdhjetë anëtarë të familjes
vajzën e vogël
trupin e së cilës e kishin përshkuar
plot gjashtëmbëdhjetë plumba
por që kishin refuzuar
t’ia shuajnë jetën
Mbeta i ngrirë
duke e shikuar
gojëhapur
dhe e dëgjova veten
duke e pyetur mikun
A guxoj ta prek me gisht Sarandën
ajo buzëqeshi
ende pa ma kthyer përgjigjen
miku i habitur
e zgjata dorën dhe e preka në krahë
tmerrin
luftën
fluturimin e plumbave
granatave
lëvizjet e thikave
mbi civilë
I preka edhe sorrat e majmura
gjatë luftës
dhe si me pahir
edhe këto të majmura pasluftës

“Nga libri që do të botohet një ditë” / KultPlus.com

Bogujevci: Isha vetëm 13 vjeç kur kam humbur familjen dhe jam plagosur si fëmijë, për këtë shtet

Edhe Saranda Bogujevci ka reaguar lidhur me lajmin se po diskutohet amnistia e krimeve të luftës shkruan KultPlus

Bogujevci e cila personalisht ka humbur familjen si dhe është plagosur ka shprehur qendrimin e saj kundër faljes së krimeve.

“Para disa javësh vajza e Nekibe Kelmendit tha se “unë nuk e fal gjakun e familjarëve të mi”, as unë dhe familja ime nuk e falim gjakun e familjarëve tanë” ka shkruar ndër të tjera Bogujevci në Facebook.

“Isha vetëm 13 vjeç kur kam humbur familjen dhe jam plagosur si fëmijë, për këtë shtet! Sot, gati si 35 vjeçare ende jetoj me pasojat e asaj kohe. Ende më duhet përkujdesje mjekësore për plagët që i kam marrë në trup, e kujtesa e asaj kohe jeton me mua për çdo ditë.
Kështu jeton çdo qytetar i Republikës së Kosovës që ka përjetuar atë luftë.

Sot kemi shtetin se kemi dhënë shumë për të, secili person e familje, në një formë apo tjetër.

Para disa javësh vajza e Nekibe Kelmendit tha se “unë nuk e fal gjakun e familjarëve të mi”, as unë dhe familja ime nuk e falim gjakun e familjarëve tanë dhe ju garantoj që as edhe një familje nuk e fal gjakun e familjarëve të vet pa sjellur para drejtësisë fajtorët e atyre krimeve.

Nuk arrijë ta kuptoj se si individ e grupe të caktuara marrin të drejtën të flasin në emrin tonë se a dojmë drejtësi e pajtim.
Nuk e ka atë të drejtë ekskluzive askush të flas në emrin tonë pa e thënë ne fjalën e fundit për këtë çështje. Nuk i takon as Baton Haxhiut të na tregoj se a duhet të ketë amnesti për krimet që janë kryer ndaj familjarëve tanë nga pushteti serb. Edhe po të kalojnë 100 vite ne dhe brezat pas neve nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për ato krime. Nuk i japim të drejtë askujt të vendos në emrin tonë.

Fatkeqësisht, gjerë tani nuk është se këto familje e këta qytetarë të prekur nga lufta në Kosovë kanë pasur përkrahjen e shtetit. Por, për një gjë të jeni të bindur të gjithë se edhe pa asnjë përkrahje nga instuticionet tona ne nuk do të ndalemi se kërkuari drejtësi për familjarët tanë të humbur e edhe për ne të mbijetuarit e asaj lufte.

Është e drejtë e jona, e askujt tjetër”.

Bogujevci propozon 14 prillin datë të përkujtimit të viktimave të dhunës seksuale

 

Saranda Bogujevci, nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes ka thënë se Kosova është shembull për legjislacion, por se sipas saj, ai duhet të funksionalizohet.

Bogujevci ka shtuar se dalja publike e Vasfijes ka vënë në pah mospërkrahjen e institucioneve.

Ajo tutje ka propozuar që 14 prilli, data kur është dhunuar Vasfije Krasniqi-Goodman, të jetë datë që kujtohen viktimat e dhunës seksuale, raporton Koha.

“Sot në Kuvend po flasim për dhunimet që janë bërë nga forcat serbe. Është e vërtetë që jemi shembull për ligjin që e kemi në fuqi, por kemi ende punë për ta përkrahur komisionin që të kryej punën siç duhet. Dalja publike e Vasfijes përveç që ishte shumë e guximshme, ka qenë një moment shumë i rëndësishëm për vendin tonë. Doli në pah mospërkrahja e institucioneve e shoqërisë. Çështja e drejtësisë është kyçe për të mbijetuarit. Njohja e vuajtjeve të tyre është drejtësia. Kam një kërkesë, që data 14 prill, data kur është përdhunuar Vasfija, të jetë datë që i kujtojmë viktimat e dhunës seksuale në Kosovë. Propozimi ynë është që kjo datë të shtohet dhe të vihet në Kuvend për tu diskutuar”, ka thënë ajo. / KultPlus.com

Vasfije Krasniqi dhe Saranda Bogujevci, në Toronto për 20 vjetorin e çlirimit

Vasfije Goodman Krasniqi – gruaja e fuqishme kosovare e cila tregoi para disa muajsh rrëfimin se si u dhunua nga serbët në luftën e fundit në Kosovë, dhe Saranda Bogujevci – një tjetër grua plot forcë e cila humbi disa anëtarë të familjes në luftë, do të jenë dy prej folëseve në Toronto, në 20 vjetorin e Çlirimit të Kosovës.

Konsulata e Kosovës në Toronto do të organizojë me 10 qershor një diskutim me Vasfijen, Sarandën dhe Paul Heinbeeker – diplomat kanadez.

Ngjarja do të organizohet në Queens Park ndërsa dy gratë nga Kosova do të ndajnë me audiencën tregimin e tyre, në këtë përvjetor të rëndësishëm të çlirimit të Kosovës nga forcat serbe të cilat bënë luftë e gjenocid në Kosovë. / KultPlus.com

Saranda Bogujevci kërkon heqjen e fotografisë së gruas së dhunuar: Është kërkesë e familjarëve

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, ka kërkuar nga mediat që fotografia e publikuar nga deputetja e PDK-së, Flora Brovina, ku shihet një grua shqiptare duke u dhunuar nga 3 ushtarë serbë, të hiqet.

Deputetja ka thënë se kjo është kërkesë e familjarëve të gruas së dhunuar, të cilët sipas saj janë të shqetësuar.

“Së pari kisha kërkuar nga mediat që të hiqet fotografia e publikuar më herët. Eshtë kërkesë e familjarëve, janë të shqetësum. Kanë kontaktu qendrën të cilën e udhëheq zonja Feride. Sapo më njoftoi që janë të gjithë tepër të shqetësuar, kështu që kisha kërkuar të respektohen dhe të largohet ajo fotografi”, ka thënë Bogujevci.

Ajo më pas i është drejtuar deputetes së PDK-së, teksa i ka thënë se publikimi i asaj fotografie është i padrejtë.

“Tjetra, zonja Brovina, më vjen shumë keq, por është komplet e padrejtë. Shihet viktima, po thu që është gjallë. Imagjino nëpër çfarë traume kalon ajo kur e sheh nëpër krejt mediat veten e saj dhe familjarët e saj. Kjo i bie të mos trajtohet me dinjitet ai person”, ka thënë ajo. /Insajderi / KultPlus.com

20 vite nga vrasja e familjes Bogujevci

Sot janë mbushur plotë 20 vite nga vrasja e familjes Bogujevci nga Podujeva, shkruan KultPlus.

16 anëtarë të kësaj familje tash 20 vite më parë gjetën vdekjen nga paramilitarët serbë ndërsa e vetmja e mbijetuar është Saranda Bogujevci.

Si çdo vit tjetër edhe sot Saranda, përkujton familjarët e saj të vrarë, kësaj radhe përmes pllakës përkujtimore ku shkruhen fjalët:
“Nënë, të dashur fëmijë,
 Në Dimensionin tjetër…
Askush nuk mund t’na ndaj
JETOJMË
FLASIM
KUJTOJMË”.

Gjithashtu ajo ka publikuar edhe një fotografi familjare me mbishkrimin: Gjithmonë do të ju kujtojmë.

Saranda Bogujevci shpesh në organizime të ndryshme ka shpalosur dhimbjen e saj pasi që një pjesë e familjes së saj u vra gjatë luftës së fundit në Kosovë. Saranda ishte një nga të shpëtuarat e vrasjeve që ndodhën në Podujevë, e cila u ka shpëtuar 16 plumbave në trupin e saj, si një 13 vjeçare në kohën kur ndodhi lufta./ KultPlus.com

19 vite nga vrasja e familjes Bogujevci

Sot janë mbushur plotë 19 vite nga vrasja e familjes Bogujevci nga Podujeva, shkruan KultPlus.

16 anëtarë të kësaj familje tash 19 vite më parë gjetën vdekjen nga paramilitarët serbë ndërsa e vetmja e mbijetuar është Saranda Bogujevci.

Si çdo vit tjetër edhe sot Saranda, përkujton familjarët e saj të vrarë.
“Në Dimensionin tjetër…
Askush nuk mund t’na ndaj
JETOJMË
FLASIM
KUJTOJMË”, ka shkruar Saranda Bogujevci në rrjetin social Facebook.

Ndërsa të hënën mbrëma në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd, Saranda Bogujevci ka sjellë prapë diçka nga dhimbja e saj pasi një pjesë e familjes së saj u vra gjatë luftës së fundit në Kosovë. Saranda, një nga të shpëtuarat e vrasjeve që ndodhën në Podujevë, të hënën mbrëma ka folur në Beograd se si u ka shpëtuar 16 plumbave në trupin e saj, si një 13 vjeçare në kohën kur ndodhi lufta./ KultPlus.com

Dëshmia e Saranda dhe Fatos Bogujevcit dhe lajmërimi i Natasha Kandiqit

Tragjeditë dhe humbjet njerëzore gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk duhet harruar asnjëherë.

Marrë shkas nga tregimi i Saranda Bogujevcit, e cila mbrëmë në Beograd pati mundësinë që para audiencës të flasë për familjen e saj dhe për krimet e Serbisë në Kosovë, ne sot po e rikujtojmë këtë histori e cila nesër, me 28 mars, bëhet një histori e vuajtjes 19 vjeçare.

Natasha Kandiq, një aktiviste për të drejtat e njeriut, kësisoj e përshkroi lajmërimin e rastit Bogujevci në Prishtinë, në vitin 2008.

“Me ne janë Saranda dhe Fatos Bogujevci nga Podujeva. Më 28 mars të vitit 1999 ajo kishte dy muaj pa i bërë 14 vjet; Fatosi kishte 12 vjet, pas gjithë asaj që ndodhi, në korrik ai i mbushi 13 vjet. Ata i kishin familjet e tyre, vëllezërit e tyre, motrat e tyre. Dolën nga ajo ngjarje, asnjëri prej tyre nuk ka më nënë dhe ajo që ata përjetuan, ajo që u ndodhi atyre nëse do të mund të mos i ndodhte asnjë fëmije në botë do të ishte diçka e natyrshme për t’u kërkuar, për të pritur dhe për të luftuar për atë. Unë do ta lus Sarandën dhe Fatosin që ata bashkërisht të përpiqen të tregojnë se çka u ka ndodhur dhe ata janë të parët. Në viitn 2003 ata erdhën në Beograd për të dëshmuar. A mund ta paramendoni, në vitin 2003, kjo është pra pas më pak se katër vjet të plota, ata të dy, baballarët, vëllezërit dhe motrat e tyre vendosën të vinin dhe të dëshmonin përpara gjykatës në Beograd sespe ata e kuptuan se kjo është e vetmja gjë që ata mund të bëjnë për të gjithë ata që u vranë më 28 mars. Nuk ishte e lehtë që fëmijët të cilët me sytë e tyre i shikuan vrasjet të vinin në Beograd dhe të shihnin uniforma në rrugë. Por edhe Saranda edhe Fatosi që atëherë kishin kuptuar se e vetmja gjë që ende mund të bënin, ishte të përpiqeshin që faktet të vërtetoheshin, në mënyrë që ata të mund të dëshmonin publikisht. Dhe pastaj vetëm Saranda dëshmoi përpara gjykatës së hapur, përpara publikut, Fatosi ishte i mitur, ai dëshmoi në seancën e mbyllur por askush nuk mund ta përballonte dhe të ballafaqohej me atë për të cilën Saranda fliste. Nëse ekziston ndonjë drejtësi, atëherë unë ndjeva se ajo që u ka ndodhur atyre prapëseprapë ndryshon diçka. Një pjesëtar i Skorpionëve u lajmërua atëherë dhe më tha, ai kishte qenë atje në atë kohë, kishte parë se çka kishte ndodhur dhe ka dalur para gjykatës dhe ka folur për atë që ka ndodhur. Por unë nuk do të flas më për këtë sepse tani në Beograd ende po zhvillohet gjykimi ndaj katër pjesëtarëve të ri të Skorpionëve të cilët gjithashtu morën pjesë në këtë ngjarje. Por ja, do ta lus edhe njëherë Sarandën dhe Fatosin që të përpiqen ta tregojnë ngjarjen, e këtu, në rendin e tretë është Enver Duriqi dhe unë e lus që të përmbahet, sepse ai i ka [humbur] të katër fëmijët e tij, bashkëshorten, i kanë mbetur vetëm rruzujt lodër të cilët i mban në xhep që nga ajo kohë. Asgjë nuk i ka mbetur më pas kësaj. Pas atij 28 marsi.”

Më poshtë po e sjellim edhe dëshminë e Saranda Bogujevcit bashkë me vllaun e saj, Fatosit, në vitin 2014-të, në kuadër të iniciativës KOMRA. / KultPlus.com

Saranda Bogujevci tregon para publikut në Beograd vuajtjet dhe shpresat e saj

Mbrëmë në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd, Saranda Bogujevci ka sjellë prapë diçka nga dhimbja e saj pasi një pjesë e familjes së saj u vra gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Saranda, një nga të shpëtuarat e vrasjeve që ndodhën në Podujevë, mbrëmë ka folur në Beograd se si u ka shpëtuar 16 plumbave në trupin e saj, si një 13 vjeçare në kohën kur ndodhi lufta.

Ajo ka treguar se si e humbi një pjesë të çmuar të familjes së saj në krimin që ndodhi në Podujevë, nga forcat “Skorpions” me 28 mars të vitit 1999, shkruan KultPlus.

Saranda bashkë me Selatin Bogujevcin mbrëmë kanë qenë të pranishëm në mbylljen e ekspozitës “ICTY: Kosovo Case 1998-1999”, e cila tregon për tmerrin e masakrave dhe vrasjeve që këtë vit kujtohen në 19 vjetorin e tyre.

Saranda ka treguar gjatë panelit në Beograd se është e gatshme të ndihmojë në një përmirësim të gjendjes dhe tensioneve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në të kaluarën, ajo ka treguar se ka nevojë për drejtësi për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë.

Nesër mbrëma, të mërkurën, në Beograd do të shfaqet edhe filmi “Depth Two” nga Ognjen Glavonic, film ky që hulumton varresat masive në Batajnicë dhe pjesë tjera të Serbisë, prej kah dalin trupat e shqiptarëve të pajetë.

Sasha Cvjetan, pjesëtar i “Skorpionëve”, u dënua me 20 vjet burg, në vitin 2005 nga Gjykata Serbe Për Krime Lufte.

Në vitin 2009, u dënuan edhe tre “Skorpionë” tjerë. Dragan Borojeviq e Dragan Mediq, u dënuan me 20 vjet burg, ndërsa Miodrag Sholaja me 15. 20 vjet burg iu dhanë edhe Zhelko Gjukiqit, në vitin 2010. / KultPlus.com

Saranda Bogujevci sonte rrëfen tregimin e saj në Beograd

Saranda Bogujevci, një nga të shpëtuarat e mizorive të forcave serbe gjatë luftës në Kosovë, do të flasë për eksperiencën e saj tragjike, para audiencës në Beograd.

Sonte, në përvjetorin e 19-të të vrasjes së anëtarëve të familjes Bogujevci nga trupat “Skorpionët” e Serbisë, Saranda Bogujevci dhe Selatin Bogujevci do të flasin në Beograd në një panel i cili i kushtohet këtyre mizorive.

Saranda nuk ka ndaluar së kërkuari të vërtetën e krimit që ndodhi në Kosovë. Drejtësia gjithmonë vonon por Saranda ka pasur gjithmonë vendosmëri për të kërkuar të vërtetën. Në këtë panel ajo do të flasë për fëmijërinë e saj dhe të anëtarëve të familjes së saj.

Në ngjarjen tragjike u vranë shtatë gra e shtatë fëmijë, në Podujevë, ndërsa Saranda dhe disa anëtarë tjerë kanë shpëtuar.

Të plagosur rëndë, pesë fëmijë atëherë shpëtuan, ndërsa tre prej tyre tashmë të rritur dhe të shndërruar në artistë, e kanë rikonstruktuar nëpërmjet fotografish e filmash tragjedinë personale.
Paneli fillon sonte prej orës 19:00 në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd, organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Disa nga “Skorpionët” që kryen krimin, janë dënuar në Serbi, shkruan KultPlus.

Sasha Cvjetan, pjesëtar i “Skorpionëve”, u dënua me 20 vjet burg, në vitin 2005 nga Gjykata Serbe Për Krime Lufte. Në vitin 2009, u dënuan edhe tre “Skorpionë” tjerë. Dragan Borojeviq e Dragan Mediq, u dënuan me 20 vjet burg, ndërsa Miodrag Sholaja me 15. 20 vjet burg iu dhanë edhe Zhelko Gjukiqit, në vitin 2010.

Saranda, Jehona e Fatosi, mbajnë mend që familjen e tyre ta kenë sulmuar 15-16 persona të uniformuar.

Më 28 mars 1999, ditën kur u vranë Bogujevcët e Duriqët, aviacioni i NATO-s, kishte hyrë në ditën e katërt të bombardimit të ish-Republikës Federale Jugosllave, pikërisht për shkak të dhunës, vrasjeve dhe deportimit të shqiptarëve. / KultPlus.com