‘Syri i Kaltër’ destinacioni i mbi 185 mijë vizitorëve në 9 muaj

 I cilësuar si perla e turizmit veror, Parku natyror “Syri i kaltër” në Sarandë ka tërhequr një numër të lartë turistësh gjatë këtij viti.

Infrastruktura e re për këmbësorë e çiklistë e ka ndryshuar rrënjësisht rrugën turistike drejt këtij parku natyror,  duke e bërë të aksesueshme më lehtë për turistët.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Vlorë, Edi Breshani tha sot për ATSH-në se “pas përfundimit të infrastrukturës së re rrugore dhe krijimit të mjediseve më të përshtatshme për frekuentuesit e parkut natyror të Syrit të Kaltër, numri i vizitorëve për vitin 2023, ka ardhur çdo muaj duke u rritur”.

“Që prej janarit deri në shtator “Syri i kaltër” u vizitua nga 185 305 vizitorë, nga të cilët  60 821 vendas dhe 124 484 të huaj”, tha Breshani.

Sipas tij, edhe gjatë muajit tetor ky park natyror vijon të tërheqë tursitë vendas e të huaj.

Breshani bëri të ditur se Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka në kuadrin e masterplanit të ri shtigjet brenda hapësirës së parkut natyror “Syri i Kaltër”, sinjalistikën e munguar prej shumë vitesh dhe disa pika vëzhgimi për turistët e interesit të veçantë.

“Gjithashtu Ministria e Turizmit dhe AKZM po punojnë për rritjen e shërbimeve te kjo pikë turistike në bashkëpunim edhe me bizneset e zonës”, tha Breshani.

“Syri i kaltër” ndodhet pranë fshatit Muzinë, pranë rrugës nacionale Delvinë-Gjirokastër, rreth 30 minuta larg nga Saranda. Ai është burimi më i madh dhe më i bukur i Shqipërisë, që gëzon statusin e monumentit të natyrës.

Thellësia e tij arrin deri në 45 metra. Ai është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm. Burimi i lumit të Bistricës, që përshkon një pjesë të jugut të Shqipërisë, i shëmbëllen vërtet një syri të madh rrumbullak me diametër afro dhjetë metra.

Brenda zonës së mbrojtur përfshihen sipërfaqe ujore, sipërfaqe pyjore, livadhe dhe toka bujqësore.

“Syri i Kaltër” tërheq çdo vit mijëra vizitorë nga mbarë bota./atsh/KultPlus.com

Manastiri i 40 Shenjtorëve në Sarandë, legjenda dhe histori për t’u vizituar

Manastiri i 40 Shenjtorëve në Sarandë është një objekt kulti unikal për stilin e ndërtimit. Bazilika dhe Manastiri i 40 Shenjtorëve që ndodhet në majën e kodrës qëndron përballë Kalasë së Lëkurësit.

Sektori i Kulturës Kombëtare Sarandë fton të vizitohet manastiri duke shkruar online: “Mos thuaj që kam qënë në Sarandë nëse nuk ke vizituar Manastirin e 40 Shenjtorëve, i cili i ka dhënë emrin këtij qyteti!”

Manastiri ndodhet rreth 4 kilometra larg qendrës së Sarandës. Manastiri i 40 Shenjtorëve ka një legjendë që lidhet me 40 ushtarë të krishterë, të cilët ishin vënë përballë dy alternativave: o të ndërronin fenë, o të pranonin vdekjen në kushtet e të ftohtit. Por ata refuzuan dhe u dënuan me tortura. I detyruan të qëndronin lakuriq në të ftohtin e dimrit dhe të qelive.

Gojëdhëna e mbetur në Sarandë thotë se 30 ishin të shenjtë dhe 10 demonë, të cilëve u përket nga një dhomë e nëndheshme. Në qelitë janë zbuluar piktura murale, mes të cilave ajo e një dishepulli që vlerësohet si një nga më të vjetrat e periudhës bizantine.

Manastiri i 40 Shenjtorëve duhet të jetë ndërtuar si qendër e rëndësishme pelegrinazhi për të tërhequr besimtarët kristianë nga gjatësia e Adriatikut dhe thellësia e Ballkanit. Mendohet se kisha ka qenë funksionale deri në mesin e shek.19-të, falë kujdesjes së një komuniteti të vogël murgjish. Më past bazilika u braktis. / atsh / KultPlus.com

‘Explorer of the Seas’ me 2700 turistë mbërrin në Sarandë

Në Sarandë ka mbërritur në orët e para të mëngjesit për herë të parë kroçera “Explorer of the Seas”, me 2700 turistë në bord.

“Eksploruesja e Deteve” është një kroçerë e klasit Voyager, në pronësi të gjigantit të kroçerave ‘Royal Caribbean International’. E ndërtuar në vitin 2000, ajo mund të mbajë në bord mbi 3000 turistë.

Me një gjatësi 311 metra dhe gjerësi 49 metra, me një tonazh prej 137308 gt si dhe me një numër personeli 1180 persona.

Turistët e saj kanë zbritur në Portin e Sarandës në orën 08:00 dhe do të largohen në orën 17:00.

Turistët kanë vizituar Butrintin dhe sitet turistike e arkeologjike të Sarandës si dhe kanë shijuar kulinarinë shqiptare të zonës./atsh/KultPlus.com

2200 turistë amerikanë mbërrijnë sot në Sarandë

“Norwegian Star Cruise” me rreth 2200 turistë në bord, kryesisht amerikanë, ka mbërritur sot në Sarandë.

Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se deri në mars, Shqipëria ka mikpritur mbi 1 milion vizitorë të huaj, plot 59% më shumë se në vitin 2022.

Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar gjatë dymujorit të parë të këtij viti, shënoi rritje me 73.7 %, duke arritur 686.536, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Sipas INSTAT, në periudhën janar-shkurt 2023, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 666 314 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore/Paqësori, përkatësisht me 13 301 dhe 2 671 shtetas.

Raporti i INSTAT-it për turizmin tregon se, 7.5 milionë turistë të huaj vizituan vendin tonë gjatë vitit 2022, duke i besuar Shqipërisë pushimet e tyre jo vetëm gjatë sezonit veror, por edhe përgjatë stinëve të tjera të vitit.

Janë 1.9 milionë më shumë se, viti 2021 dhe 18 % më shumë se viti 2019, që deri tani mbante rekordin e shifrave./atsh/KultPlus.com

Pema e mbjellë nga Naim Frashëri gjendet edhe sot në zemër të Sarandës, rrëfehet historia e saj

Një pemë e madhe e piperit në zemër të Sarandës është mbjellë nga dora e shkrimtarit Naim Frashëri dhe këto nuk janë vetëm disa rreshta në librin e të ndjerit Moikom Zeqo.

“Shqiptarja.com” shkruan se banorët e thonë mes njëri- tjetrit si në formë gojëdhëne, por ky është një fakt, pohon Jashar Bello, përgjegjës i Gjelbërimit në Bashkinë e Tiranës.

Bello tha se pema është 145-vjeçare dhe është mbjellë në kohën kur Naim Frashëri punonte doganier në këtë qytet.

Pavarësisht moshës, për zyrtarin e bashkisë ajo është në gjendje jo shumë të keqe, por kjo nuk është meritë e institucioneve vendore në Sarandë, të cilat janë “kursyer” në shërbimet që i kanë bërë, pavarësisht vlerës dhe rëndësisë së veçantë që ajo mbart, sipas tij.

“Disa krasitje, spërkatje i janë bërë si për ta mbajtur të gjallë, e që të mos ketë fatin e ‘simotrës’ së saj, e cila u pre pas viteve ’90”, u shpreh Bello. “Kjo lloj peme dekorative është mbjell nga Naimi, i cili ka punuar në doganën e Sarandës rreth 145 vjet më parë. Përveç kësaj peme të piperit, Naimi ka sjellë edhe buganvilen, që i themi lulja e Sarandës. Nga kjo lloj peme kemi mbjellë dhe 5 të tjera te shëtitorja e re që po bëhet, por nuk kanë vlerat e saj. Kjo lloj peme e mbyll ciklin biologjik tek kokrra, ndërsa pemët e reja nuk arrijnë të krijojnë kokrra, e mbyllin ciklin te lulëzimi”, u shpreh Bello.

Për të shkuar deri te kjo pemë, mund të orientohesh vetëm nga banorët e zonës, pasi nuk ka një tabelë që e identifikon atë apo që rrëfen historinë e saj të mbjell nga poeti i madh i Rilindjes Kombëtare.

“Do të përmend me nderim mikun tim, shkencëtarin e bujqësisë Ahmet Osja, i cili qe i pari që më kumtoi se në qytetin e Sarandës ndodhen dy drurë piperi, këto drurë ishin sjellë në formë fidanësh nga Maroku dhe qenë mbjellë nga duart e Naim Frashërit”, shkruan Moikom Zeqo në librin “Syri i Tretë” i botuar më 2001. / KultPlus.com

Saranda më shumë se bregdet, manastiri i Shën Gjergjit pret vizitorë

Bashkia e Sarandës tërhoqi vëmendjen e turistëve drejt Manastirit të Shën Gjergjit, duke e cilësuar atë “destinacioni i javës”.

Manastiri i Shën Gjergjit, rreth 9 km nga qendra e qytetit të Sarandës, ndodhet mbi kodrën e Demës, në rripin më të ngushtë të tokës që ndan detin Jon me liqenin e Butrintit, në krye të gadishullit të Ksamilit.

Ai është ndërtuar në shekullin e 15-të mbi rrënojat e murit antik dhe rrethohet me një mur të lartë e të fortë prej guri, në të cilin janë hapur shumë frëngji për mbrojtje.

Në qendër të manastirit ndodhet kisha e Shën Gjergjit, e cila është një rindërtim i shekullit të 19-të, e rrethuar nga një sërë ambientesh ndihmëse. Kisha ka një narteks të gjatë që të çon drejt naosit, mbi të cilin ngrihet një kupolë, ndërsa në lindje kufizohet nga një ikonostas muri që e ndan nga altari. Muret e brendshme të saj janë zbukuruar me piktura murale, ku vihen re tre nivele pikturimi që i mbivendosen njëri-tjetrit.

Nga maja e kodrës ku ndodhet manastiri, shijon një pamje mahnitëse të detit Jon dhe Liqenit të Butrintit. Ky është një destinacion i rëndësishëm peligrinazhi por edhe për të gjithë ata që preferojnë ngjitjet në mal dhe shëtitjet në natyrë.

Manastiri i Shën Gjergjit është monument kulture i kategorisë I dhe bën pjesë tek manastiret e fortifikuar, me mure të pajisura me kulla dhe frëngji. /atsh / KultPlus.com

Syri i Kaltër, infrastrukturë e re për këmbësorë e çiklistë

Në “Syrin e Kaltër”, rreth 30 minuta larg nga qyteti i Sarandës,  është zbatuar projekti i rikualifikimit infrastrukturor, që e ka ndryshuar rrënjësisht rrugën turistike drejt një prej perlave të natyrës shqiptare.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga Syri i Kaltër, ku krahas pamjes magjepse të parkut, shihen mjaft vizitorë që frekuentojnë infrastrukturën e re për këmbësorë e çiklistë.

“Syri i Kaltër në Sarandë, monument i natyrës që tani edhe me infrastrukturën e re për këmbësorë e çiklistë, ka ndryshuar rrënjësisht rrugën turistike drejt një prej perlave të natyrës shqiptare”, shkruan Rama.

Syri i Kaltër është një pasuri natyrore e Shqipërisë, i cili me vendimet e muajit janar 2022 ka marrë një status më të lartë mbrojtjeje, atë të “Parkut Natyror” me një sipërfaqe të rritur në 293 hektarë, për të mbrojtur më mirë Monumentin e Natyrës me të njëjtin emër, që mban brenda parkut.

Nga pikëpamja mjedisore e shkencore, me harmonizimin midis pyllit të dendur dhe gjelbërimit gjithëvjetor, burimeve ujore të Syrit të Kaltër me ujërat e kthjellëta dhe të ftohta, ky park nga pikëpamje turistike dhe ekologjike paraqet rëndësi të veçantë kombëtare.

“Syri i Kaltër” tërheq shumë vizitorë nga mbarë bota në çdo sezon veror./ atsh / KultPlus.com

Dy broshura turistike për muzeun e Butrintit dhe Portat Monumentale

Qyteti antik i Butrintit, 20 km larg Sarandës, është një ndër destinacionet e preferuara të turistëve vendas dhe të huaj.

Për të ofruar një guidë të mirëfilltë të qytetit antik, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe Parku Kombëtar u Butrintit në kuadër të projektit Mo. Na kanë sjellë edhe dy broshura të tjera informuese për vizitorët.

Këto broshura turistike pasqyrojnë më shumë informacion mbi muzeun e Butrintit dhe Portat Monumentale.

Butrinti sot është një kompleks arkitektonik me 15 zona të periudhave të ndryshme, nga shekulli IV para Krishtit deri në shekullin XVI pas Krishtit. Rëndësia historike e Butrintit është e jashtëzakonshme dhe të jesh në gjendje që të ecësh është një privilegj: statuja me gurë të bardhë nga epoka e August Oktavianit, Agripas, Antiohs, Serapisit, Livia Drusilas ngriheshin dikur këtu, si dhe vendi i lindjes së shumë qytetarëve të shquar në kohë të ndryshme apo gjeneralëve romakë gjatë epokës së ndritur të perandorisë kur qyteti quhej “Colonia Augusta Buthrotum” (Kolonia Augustiane Butrinti). / atsh / KultPlus.com

Sot nis panairi kombëtar i suvenireve turistike në Sarandë

Mbrëmjen e sotme në Sarandë, çel siparin Paniri IX Kombëtar i Suvenireve Turistike, miqësore me mjedisin, një event i përvitshëm dhe tradicional tashmë, i cili do të shtrihet në tri ditë nga 19-21 gusht.

Panairi organizohet nga Qendra AJMMI, në Sarandë (Agjencia Joniane e Mjedisit, Medias dhe Informacionit) me mbështetjen e Bashkisë Sarandë. Eventi përfshihet çdo vit në kalendarin e aksioneve kulturore jo vetëm të Bashkisë po edhe të Ministrisë së Kulturës dhe të Agjencisë Kombëtare të Turizmit.

Sipas burimeve të AJMMI-t dhe atyre te drejtorisë së Turizmit në Bashki, në këtë edicion marrin pjesë rreth 70 subjekte artizanë nga territore  etnokulturore të ndryshme të bashkive në vend si dhe nga trevat etnike të  Kosovës, Malit të Zi, etj.

Panairi i 9-të Kombëtar “Saranda, 2021″ synon të promovojë  resurset e pamata të  traditës së artizaneve shqiptare në fushën e punimeve te dorës, me realizime të artikujve ne lloje te ndryshme materiali si: punime ne qëndisje, në material leshi, druri, guri, lekure, qeramike, guacka, aplikacione  artistike nga mbetje të ndryshme të lëndëve të para, etj,.

Drejtuesi i AJMMI-t Shkëlqim Hajno tha se “gjatë këtij edicioni  i cili përfshin edhe përmasën e një festivali të etnokulturës shqiptare që përcillet nga duart dhe mendimi artistik i artizanëve; në rreth 70 minipavione  me artikuj sipas kritereve strikte të paravendosura; mëtohet të sillet tradita burimore dhe prurjet bashkëkohore, përmes së bukurës dhe gjetjeve të saj si koncept estetik që evoluon në kohëra”.

Pritet që artizanet të sjellin pranë njeri-tjetrit traditën e punëve të dorës nga treva të ndryshme si Saranda dhe Gjirokastra, Shkodra dhe Prizreni, Prishtina dhe Kruja,  Berati, Korça, Tepelena, etj,.

Sipas AJMMI-t, në pikëpamje të lëvrimit dhe teknikave të punës  së dorës, eventi i 9-t Kombëtar përfshin qëndistarinë e dorës dhe punët në tezgjah, punime arti në gjilpërë dhe endje, mjeshtërinë e filigramit dhe delikatesën e prodhimit të bizhuterive  shqiptare, krahas veshjeve kombëtare që përbëjnë gjithmonë një magji më vete.

Qasja mjedisore në lëndën e parë dhe tradita autentike shqiptare sipas trevave, kanë qenë evidente në rrugëtimin e këtij aktiviteti kombëtar, në Sarandë një nga kryeqendrat turistike të hapësirës mbarëshqiptare, e preferuar përherë e më tepër si një destinacion.

President i Panairit të 9-të Kombëtar është kryebashkiaku i Sarandës, Adrian Gurma.

I planifikuar të organizohet ne 100-vjetorin e Bashkisë Sarandë, në zemrën e shëtitores së re të qytetit bregdetar që mban emrin e poetit kombëtar “Naim Frashëri”; eventi konfirmon edhe një herë, dimensionin dhe promovimin e kësaj infrastrukture publike, si shëtitorja e panaireve dhe ngjarjeve kulturore të larmishme gjithëvjetore, krahas vendstartimit të turizmit blu të trageteve, në një magnet atraktiv për mijëra turistë vendas dhe të huaj. / KultPlus.com

Vojsava Nelo nderohet me çmimin e parë në festivalin e poezisë në Sarandë

Qyteti i Sarandës mirëpriti këtë vit festivalin e poezisë, ku morën pjesë poetë nga shumë treva shqiptare.

Në përfundim të këtij festivali u nderua me çmimin e parë për poezinë më të mirë poetja Vojsava Nelo.

Kjo nuk është hera e parë që poetja edhe shkrimtarja Nelo fiton çmim sepse veprat e saj te mëparshme janë vlerësuar për stilin e veçantë. Disa nga krijimet e rëndësishme të autores  janë: “Muzgjet e Bostoni”, “Gërsheti i prerë” dhe “Gruaja me të zeza”.

Autorja shprehet se shpesh herë gjen frymëzimin për vargjet dhe shkrimet e saj në qytetin e saj të lindjes, Sarandën.

Poetja Vojsava Nelo po punon së fundmi dhe për një tjetër botim të cilin pret që ta botoj së shpejti. Libri i ri që do botohet së shpejti mbanë tërësisht autorësinë dhe redaktimin e saj. /atsh/ KultPlus.com

Pema e rrallë, që Naim Frashëri mbolli në Sarandë, sot kërkon shpëtim

Dëshmia e Moikom Zeqos: “…Do të përmend me nderim mikun tim, shkencëtarin e bujqësisë Ahmet Osja, i cili qe i pari që më kumtoi se në qytetin e Sarandës ndodhen dy drurë piperi, këto drurë ishin sjellë në formë fidanësh nga Maroku dhe qenë mbjellë nga duart e Naim Frashërit.

Pema e madhe e piperit është aty, në zemër të Sarandës, në vendin e braktisur që është ende në një ankand shtetëror të bërë e të anuluar. Mund të këtë sot 145 vjeç dhe mezi mbahet në këmbë. Kushedi kush e dëshiron këtë vend në kërthizë të qytetit e shpresojmë që një njëri i mirë ta marrë e ta vlerësojë. Apo ndonjë që as nuk do t’ia dijë për pemën e piperit?

Pakkush e di që Rilindasi ynë Kombëtar, Naim Frashëri, ka jetuar e punuar në Sarandë për pak vite në të largëtin 1874-76. Ishte nëpunës i doganës së qytetit jugor dhe në këtë kohë mik i çmuar i Hasan Tahsinit. Me disa ditë pushime në qytetin tonë në breg të detit Jon, edhe unë duke shijuar bukuritë, mikëpritjen, ushqimin, kërkova me ngulm të gjeja ndonjë gjurmë të Naimit. Librin e Moikom Zeqos mbi Naim Frashërin e Bektashizmin “Syri i Tretë” e kisha lexuar, por një rilexim pas ikjes së tij nga kjo jetë, më erdhi natyrshëm ta bëja. Dhe aty, në faqen 281 ka një dëshmi befasuese, një sinjal, një shenjë: “… Do të përmend me nderim mikun tim, shkencëtarin e bujqësisë Ahmet Osja, i cili qe i pari që më kumtoi se në qytetin e Sarandës ndodhen dy drurë piperi, këto drurë ishin sjellë në formë fidanësh nga Maroku dhe qenë mbjellë nga duart e Naim Frashërit. Naim Frashëri tani nuk është më, por drurët e piperit janë, të cuditëshme si dy qënie jashtëtokësorësh në këto brigje jonike, si dy emigrantë të habitshëm dhe të pa shpërbëshëm në klimën dhe peizazhin jonik…”, shkruante Moikom Zeqo në 2001, 19 vite më parë.

Në Sarandë pak e dinë këtë histori. Disa nuk e kanë dëgjuar asnjëherë, por gazetari i Report Tv Limos Didani e gjeti pemën e vjetër të piperit. Ishte këtu. Në qendër të qytetit bregdetar, në një vend të braktisur e ndoshta më të lënin pasdore se kudo.

Këtu jam edhe unë. Pema është e vuajtur, e gërryer, e vjetër, është vetëm 1, ndryshe nga dëshmia në libër. Ndoshta ka qenë dhe një tjetër më parë, tani nuk është më. Të jetë kjo pemë piperi vallë e mbjellë me duart e Naimit, siç dëshmon agronomi e shkencëtari i bujqësisë,(për fat të keq edhe ai nuk jeton më), Ahmet Osja? Ekspertët mund të llogarisin kollaj moshën e saj për të kuptuar nëse është pema që mbolli Naim Frashëri, apo një rimbjellje në kohë? Nëse do të ishte pema e piperit gati 145 vjeçare do të kishte një vlerë të jashtëzakonshme natyrore, nëse do të ishte vërtetë pema e Naimit, vlera dhe misioni për ta shpëtuar e rivlerësuar është e shumëfishtë, e jashtëzakonshme për Sarandën e Shqipërinë mbarë.

Nuk e di sa e rastësishme është ardhja ime këtë vit këtu, nuk e di nëse dy burra të nderuar si Moikom Zeqo dhe Ahmet Osja kanë të drejtë, por unë dua shumë ta besoj që këtë pemë të bukur, të vjetër, plot plagë e dhimbje, këtë pemë të piperit ta ketë mbjellë Naim Frashëri siç thonë, më i miri dhe më i madhi nga poetët tanë. Kanë shkruar dhe e kanë admiruar të gjithë Naimin: Lasgush Poradeci e kishte idhull, Kadareja “vdiste” për të, Dritëro Agolli e kishtë në zemër, Rexhep Qosja e Dhimitër Shuteriqi janë ndër më të mëdhenjtë studiues të tij. Që Naim Frashëri punoi në Doganë, është pak e sikletshme ta thuash sot, sidomos në ditët kur doganierët nuk mund të jenë kurrësesi naimë, e megjithatë, Dogana, Saranda, pema e piperit janë dëshmi të një Shqipëria të mirë, të pastër, të drejtë, të bukur e njerëzore. Moikom Zeqo fliste shumë me gazetarët, i donte shumë si lajmës të të vërtetave, të fakteve. Sigurisht fliste me ata gazetarë që dinë të dëgjojnë, jo me kë vetëm flet e flet papushim. Kërkonte gjithmonë t’i ngacmonte, t’i inkurajonte për të gjetur lajmin e mirë, lajmin që do t’i shërbejë më shumë Shqipërisë.

Saranda është kthyer në këto ditë të nxehta në një kantier ndërtimi: Pikërisht Bulevardi “Naim Frashëri” do të bëhet më i bukur se kurrë. Dy shqiptarë të nderuar dëshmuan dhe na e lënë amanet se atë pemë të rrallë piperi, vetëm Naimi e ka mbjellë me duart e tij. Ndërsa ne shqiptarët modernë po mbjellim pemë në çdo cep, sa bukur dhe mirë do të ishte të ruanim dhe shpëtonim pemën e tij. Pema e rrallë dhe e e bukur dhe me vlerë e Naim Frashërit në Sarandë/Shqiptarja / KultPlus.com

“Social Crafting Garage Saranda”, biznesi social për gratë e vajzat, viktima të dhunës familjare në Sarandë

Tetë gra dhe vajza që kanë qenë viktima të krimit të organizuar dhe dhunës në familje, punojnë sot në Social Crafting Garage Saranda, ku përmes punimeve në gur, ato krijojnë art dhe gjenerojnë të ardhura.

“Dikur një pasuri e krimit të organizuar në Sarandë, sot falë mbështetjes së BE-së, “Social Crafting Garage Saranda”, është bërë një biznes shoqëror që i shërben komunitetit.

Falë trimërisë dhe forcës së disa OSHC-ve vendore dhe Partner Albania, këto gra e vajza kanë mundësi  të krijojnë mozaikë me motive kulturore dhe të ndryshme, i shesin ato dhe gjenerojnë të ardhura.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu sot. Këto nuk janë vetëm fjalë, por është ajo që ndjej me të vërtet. BE e konsideron këtë seri projektesh shumë të rëndësishme, është një hap në drejtimin e duhur për të luftuar krimin e organizuar dhe për të luftuar, në këtë rast specifik në Sarandë edhe dhunën kundër grave”,- tha Luigi Soreca, Ambasador i BE në Tiranë.

Pas pastiçerisë “KE Bruno” në Fier, dhe kafe librarisë “Kinofolk” në Durrës,  ky është biznesi i tretë shoqëror i vendosur në një pasuri të konfiskuar nga krimi organizuar në kuadër të projektit “C.a.u.s.e”. /Atsh /KultPlus.com

Syri i Kaltër, një nga pasuritë më të vizituara, tani me një plan menaxhimi

Komiteti i Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura në Qarkun Vlorë, në drejtimin e kryetarit Flamur Mamaj, njëherësh edhe prefekt i këtij Qarku, miratoi në mbledhjen e fundit që u zhvillua Sarandë, Planin e Menaxhimit për Zonën e Mbrojtur të Parkut Natyror “Syri i Kaltër “.

Ky plan u diskutua gjerësisht nga anëtarët e këtij komiteti, ekspertë të mjedisit dhe specialistë nga rajoni i këtij Qarku.

Flamur Mamaj, prefekt i qarkut Vlorë, me cilësinë e kryetarit të Komiteti të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura të këtij qarku, vuri në dukje se ”Prezantimi i draftit të Planit të menaxhimit “Syrit te Kalter” përbën një event të rëndësishëm jo vetëm se realizohet për herë të parë një produkt  i tillë me një vizion bashkëkohor dhe një standard të ri të shërbimeve por edhe se adreson objektiva të qarta të menaxhimit  të qëndrueshëm.“

Nexhip Husolakoj, drejtor i Administrates se Zonave të Mbrojtura të qarkut Vlorë tha për ATSH-në se “anëtarët e Komitetit me diskutimet, vërejtjet dhe adresimet konkrete, sollën një pasurim të dobishëm të draftit për menaxhimin e Zonës së mbrojtur “Syri i Kaltër”, një nga pasuritë më të vizituara gjeonatyrore të vendit, nga mijëra shtetas vendas e të huaj. Husolakoj, vuri në dukje se në këtë park është planifikuar funksionimi i biletarisë elektronike si në Butrint dhe përmirësime të disa shërbimeve sot me mangësi si nyje hidrosanitare, tualete, pika informacioni, shtigje me sinjalistikë në natyre, etj.

Parku natyror i Syrit të Kaltër përfshihet në territorin administrativ të Bashkisë Finiq në qarkun Vlorë. Ky park mori statusin Zonë e Mbrojtur në vitin 2002.

Brenda zonës së mbrojtur përfshihen sipërfaqe ujore, sipërfaqe pyjore, livadhe dhe toka bujqësore. Nga pikëpamja mjedisore e shkencore, me  harmonizimin midis pyllit të dendur dhe gjelbërimit gjithëvjetor, burimeve ujore të Syrit të Kaltër me ujërat e kthjellta dhe të ftohta, ky park nga pikëpamje turistike dhe ekologjike paraqet rëndësi të veçantë kombëtare./ atsh/ KultPlus.com

Beautiful turquoise spring Blue Eye (Syri i Kalter) near a town of Muzine, Albania. The spring is very powerful, cold and deep and is a source of a river Bistrice

Business Insider: Saranda, mes 6 vendeve që duhet të vizitohet


Qyteti i bregdetar i Sarandës me ujërat e tij të kristalta, plazhet mahnitëse dhe monumentet e shumta kulturore dhe arkeologjike është renditur një ndër 6 vendet që duhet të vizitohet tani para se të gjithë ta bëjnë, sipas ekspertes së udhëtimeve, Patricia Schultz, shkruan “Business Insider”.

Patricia Schultz është autorja e bestsellerit të New York Times “1000 vende për të parë para se të vdesësh”, një Bibël udhëtimesh të cilës i janë drejtuar miliona udhëtarë, që kur u botua për herë të parë në vitin 2003.

Duke reflektuar për mënyrat e shumta, në të cilat udhëtimi ka ndryshuar në mbi 30 vjet, Schultz vë në dukje se media sociale ka nxjerrë në dritë shumë vende më pak të njohura.

“Unë e di se bota po bëhet më e arritshme. Vende që do të ishin lista jonë e dëshirave tani janë”, tha ajo, duke shpjeguar se ndjehet se Europa, për shembull, është bërë një lloj destinacioni “kur jam në pension” duke e krahasuar atë me “pizhame të rehatshme”.

E di ku po shkojnë njerëzit? Apo edhe më mirë, ku duhet të shkojnë njerëzit? Vazhdoni të lëvizni për të parë gjashtë vendet që parashikon Schultz që do të jenë pikat e nxehta të radhës, ku edhe qyteti i Sarandës bën pjesë.

“Ka një vijë të bukur bregdetare dhe ka shumë turistë të rinj që shkojnë atje”, shprehet Schultz.

Ajo shton se në Sarandë është gjithashtu shumë lirë dhe një vend i shkëlqyeshëm për të punuar nga distanca.

“Është e ngjashme me Gjerogjinë, e cila është më e njohur dhe ka të njëjtën histori të verës dhe ushqim të mirë”, shkruan Schultz.

Përveç Sarandës, Schultz rendit edhe Rodebay, në Grenlandë, Salar de Uyuni, në Bolivi, Ugandën, Victoria Falls, Zimbabwe dhe Moldavinë./atsh / KultPlus.com

Rihapet “Syri i Kaltër”

“Syri i Kaltër” në Sarandë, një mrekulli natyrore që të befason, disa ditë pas incidentit të ndodhur rreth një javë më parë, rihapet për vizitorët.

Lajmi u konfirmua për ATSH- në nga prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, i cili së bashku me drejtorin e Administratës së Zonave të Mbrojtura në Vlorë, Nexhip Hysolakoj dhe ekspertë të jashtëm, inspektuan këtë pikë turistike.

“Gjatë inspektimit të zonës dolëm në konkluzionin se është kjo pikë turistike është e parrezikshme për vizitorët”, – tha Mamaj.

Prefekti Mamaj bëri të ditur se u vërejtën disa mangësi, të cilat do t’i korrigjojë Administrata e Zonave të Mbrojtura, Vlorë, si rrethimi i gjithë zonës së Syrit të Kaltër dhe ballkoni panoramik që shërben për të fotografuar burimin”.

“Ballkonin panoramik do ta mbajmë të bllokuar për shkak të dëmtimit nga rënia e gurëve dhe pasi të përfundojë restaurimi do të hapet”, – tha ai.

Mamaj shtoi se bashkë me ADZM do t’i mbyllin sa më shpejt të jetë e mundur punimet.

Monumenti do të jetë i aksesueshëm per vizitorët prej ditës së enjte, duke respektuar këto masa sigurie: lëvizje e orientuar e vizitorëve me asistencën e rojeve mjedisore dhe guidave.

ADZM Vlorë kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e vizitorëve dhe të agjencive turistike për respektimin e masave të sigurisë dhe konsultimin e rojeve mjedisore në terren për çdo problematikë.

Rreth një javë më parë si pasojë e rrëshqitjes së gurëve në Syrin e Kaltër u plagosën 2 turistë, një prej të cilëve grekë dhe tjetri izraelit.

“Syri i Kaltër” konsiderohet gjerësisht si një thesar kombëtar. Ai është i klasifikuar si një fenomen i befasues i natyrës, një vend i bukurisë natyrore që ndodhet në rrugën midis qyteteve të Sarandës dhe Gjirokastrës. Është një burim 45 metra i thellë me ujë të kthjellët në mes të një pylli me lajthi, arra, qershi, pisha dhe drurë të tjerë gjelbërues./atsh /KultPlus.com

Parajsa natyrore e Syrit të Kaltër, destinacioni i preferuar i të rinjve

Aksioni i nisur për pastrimin e Syrit të Kaltër në Sarandë po rikthen këtë destinacion turistik në një vend të pastër dhe me standardet e duhura, për të pritur më shumë turistë në sezonin e ri veror.

Këtë fundjavë të rinjtë vullnetarë të Eco Volis kanë zgjedhur të shijojnë fundjavën në këtë park natyror, i cili pas përfundimit të aksionit të parë të pastrimit, ku janë bërë heqjet e mbetjeve inerte, mbjellja e pemëve, si dhe shtimi i koshave për hedhjen e mbeturinave, i kanë kthyer kësaj pike të rëndësishme turistike pamjen e merituar.

Të rinjtë kanë shijuar bukuritë e këtij peizazhi të mrekullueshëm duke bërë kanoe në ujërat e kristalta, si dhe duke shëtitur me biçikleta në zonën e mbushur plot me gjelbërim.

“Pas nisjes së punës për rehabilitimin e Syrit të Kaltër, vullnetarët e Eco Volis i kërkojnë qytetarëve të mbrojnë Parkun Kombëtar, duke promovuar bukuritë përrallore të kësaj embleme të turizmit shqiptar”, shprehet ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi. / KultPlus.com

Në Sarandë piketohen masat për sezon turistik më të sigurt dhe cilësor

Takimet e taskforcave të bregdetit vijojnë në të gjitha bashkitë nga veriu në jug, me qëllim garantimin e një sezoni veror më të sigurt dhe cilësor.

Pas Velipojës, ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi u ndal në Sarandë, me taskforcën e përbërë nga prefekti, strukturat e mjedisit dhe aktorë lokalë, në zbatim të vendimit të ri të qeverisë për “Stacionet e Plazhit”, i cili shton detyrimet ligjore në kontratat me operatorët privatë, për të siguruar me kushte konkrete jetën e qytetarëve, higjienën, sigurinë ushqimore, ndarjen e shezllonëve, si edhe respektimin e orareve, që kufizojnë apo lejojnë muzikën në bregdet.

“Ajo që kemi më shumë shqetësim është që viti 2019 mund të jetë me të njëjtat shifra si 2018-a, padyshim mund të ketë edhe më shumë se 2018 por kjo nuk do të thotë që ne i kemi zgjidhur problemet kur ne akoma nuk jemi një destinacion turistik. Jemi në mes të prillit, në Sarandë, në zonën më turistike të vendit ku duam dhe kanë filluar të vijnë turistët e parë, ku duam dhe presim që të ketë kontrata që të fillojnë të paktën nga fillimi i majit dhe të mbarojnë në fund të tetorit dhe situata është realisht me shumë probleme për sa i përket pastërtisë, për sa i përket rregullave për të qenë një destinacion, me shumë probleme për sa i përket rregullave të menaxhimit të stacioneve të plazhit”, tha ministri Klosi.

Një nga shembujt që e dëshmon këtë, sipas ministrit, është situata në Syrin e Kaltër, ku megjithëse ka nisur puna për pastrimin dhe rehabilitimin e territorit, jemi ende shumë larg zhvillimit të turizmit elitar.

“Në qoftë se nuk është kjo përpjekje e përbashkët me bashkitë dhe me ju tur operatorët e Sarandës, kjo është përpjekje e dështuar. Pra, duhet t’i ndajmë që tani problematikat që kanë të bëjnë me menaxhimin e sezonit turistik duke kërkuar që të bëjmë këtë taskforcë në mënyrë urgjente. Prandaj e bëmë këtë vendim të ri të Këshillit të Ministrave, i cili kërkon që të zgjidhë një sërë problematikash, por e para problematikë është ndarja e plazheve, në zbatim të këtij vendimi. Ruajtësi i plazhit është një element shumë i rëndësishëm për jetën e njerëzve, për të shtuar sigurinë në sezonin turistik. Vendimi i ri i Këshillit të Ministrave ka përcaktuar se këto kontrata nuk mund të lidhen nëse nuk kanë dëshmi, që operatorët kanë zgjidhur problemin e ruajtësve të plazhit”, tha ministri Klosi.

Sipas tij, një tjetër problematikë, që duhet eliminuar këtë sezon të ri veror është edhe ndotja akustike.

“Muzika shumë e lartë dëmton shumë turizmin në qytete si Saranda. Vjet patëm në qarkun e Vlorës dy shembuj shumë pozitivë; një ishte vendimi i këshillit bashkiak të bashkisë Himarë e cila përcaktoi ashtu siç duhej zonat se ku lejohej muzika dhe ku ishin zonat e kufizuara. Kishim po ashtu edhe shembullin shumë të mirë të bashkisë së Vlorës ku lënia në zonën e Lungomares, çdo të premte për muzikë non stop i dha shumë jetë fundjavës në Vlorë dhe shtoi biznesin e asaj zone. Kjo gjë kërkohet edhe sot, që bashkitë nëpërmjet këshillave bashkiakë të përcaktojnë zonën ku lejohet muzika, ku operatorët duhet të kenë muzikë me orar dhe ku pa kufizim”, theksoi ministri Klosi, i cili në përfundim shtoi se zbatimi i këtij vendimi të ri, në thelb kërkon të kemi rregulla të qarta, dakordësi me komunitetin, por edhe që komuniteti të pranojë detyrimet, siç janë edhe sigurimi i higjienës, i tualeteve publike, koshave të mbeturinave, për pastërti dhe cilësi në shërbime. /a.a/j.p/ KultPlus.com

“Unë dhe Saranda”, hapet ekspozita e piktores kosovare në Sarandë

Rreth 28 punime të piktores kosovare Saranda Kika-Bahtiri u prezantuan në qytetin bregdetar të Sarandës.
Piktorja kosovare Saranda Kika-Bahtiri është një prej 40 vajzave kosovare me emrin Saranda, që vizituan shkurtin e këtij viti qytetin, që u ka dhënë emrin.

Në ekspozitën e çelur ditët e fundit në galerinë “Art Saranda” ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, drejtues të pushtetit vendor, artdashës etj.

Në një prononcim për ATSH-në, piktorja kosovare Saranda Kika-Bahtiri u shpreh se “e frymëzuar nga bukuritë e Sarandës, pas vizitës në qytetin bregdetar, krijova punime enkas për artdashësit, kryesisht peizazhe”.

“Në ekspozitë prezantova 28 punime të formateve të ndryshme, ku del në pah harmonizimi i ngjyrave me nuanca të forta e intensive si në plan të parë po ashtu edhe në prapavijë”, u shpreh Saranda Kika- Bahtiri.

Si në peizazhe, edhe në portrete, ngjyrat vendosen me gjeste të sigurta, me koncepte të mirë menduara dhe gjithmonë na çojnë drejt hulumtimit si të ngjyrës dhe formës .

Një vend të veçantë në këtë ekspozitë zë edhe femra. E konsideruar si e brishtë në shoqëri, në punimet e piktores Saranda Kika-Bahtiri del e fortë, e qëndrueshme.

Ngjyrat në sfond janë më të lehta, më të çelta, më të pastra. Femra në brendësi ka shumë klithje, vuajtje, shqetësime, hutime dhe paramendime, e krejt kjo vjen nga gjuha e brendshme e piktores.

Në punimet e ekspozuara gjithnjë respektohet elementi i ngjyrës, linjës, formës dhe kompozicioni.

Piktorja kosovare Saranda Kika-Bahtiri ka lindur në Prishtinë. Në vitin 2004 u diplomua në Degën e Artit Figurativ, në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Në 2007 u diplomua në studimet pas universitare në Degën e Artit Figurativ. Aktualisht po ndjek studimet e doktoratës në Universitetin Internacional të Novi Pazarit.

Ajo ka marrë pjesë në shumë ekspozita kolektive, ndërsa ka hapur disa ekspozita personale si në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, Prishtinë, në Podujevë, Pallati i Rinisë në Prishtinë, në Gostivar , në Galerinë e Arteve pamore në Tetovë, etj.

Piktorja Saranda Kika-Bahtiri është nderuar me çmimin e parë “Kadri Kadriu”, në Podujevë ka marrë diplomën “Studente e dalluar” nga Universiteti i Prishtinës, çmimi i parë “Salloni vjeshtor” Galeria e arteve Gjilan, fituese e shpërblimit në ekspozitën ”Arti Islam IV”(specializim i artit Ebru në Konya të Turqisë).

Ekspozita “Unë dhe Saranda do të qëndrojë e hapur në qytetin bregdetar deri në 7 tetor. /KultPlus.com

Jahti më i madh në botë, ankorohet në Sarandë (FOTO)

Jahti më i madh në botë është ankoruar këtë fundjavë në gjirin e Sarandës.

Lajmi bëhet i ditur nga kryeministri Edi Rama në një postim në instagram. Rama shprehet se pak vite më parë, diçka e tillë as nuk imagjinohej. “Jahti më i madh në botë sot në gjirin e Sarandës. Deri pak vjet përpara as mund të imagjinohej fluksi i jahteve që po vizitojnë këtë sezon Shqipërinë”, deklaron kryeministri.

Numri i jahteve dhe anijeve turistike që kanë hyrë në hapësirën detare në Shqipëri në 6 muajt e parë të këtij viti, është rritur me 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të huajt zbulojnë jugun e Shqipërisë, nga Vlora në Sarandë zor dëgjohet shqipja mes turistësh

Përgjatë vijës bregdetare nga Saranda deri në Vlorë kanë pushuar këtë sezon veror 66,038 të huaj.

Në bregdet, në shëtitore vështirë të dëgjosh të flitet gjuha shqipe. Më shumë se 1000 turistë hyjnë në port.

Jugu i Shqipërisë, një zbulim për të huajt. Në udhëtimin tonë, rrugës drejt Sarandës takojmë dy gjermanë, të cilët pasi kanë parë çdo cep të Europës, kureshtje shfaqin për vendet e Ballkanit.

“Erdhëm në Shqipëri me motorë, sepse e prisnim që do ishte bukur këtu. Rrugët janë spektakolare. Për ne, Shqipëria ishte një vend i largët për të ardhur, ndaj është si një aventurë”, shprehet Johannes Muller.

“Vendosëm të përshkonim gjithë vendet e Ballkanit. E nisëm udhëtimin fillimisht në Greqi dhe më pas erdhëm këtu në Shqipëri, për të vijuar më pas në Maqedoni e në fund do të kthehemi në shtëpi, Gjermani. Vërtet na pëlqeu këtu, rrugët me kthesa janë sfiduese”, tha Raja Arabi, turiste.

Ndërkohë që ka edhe turistë besnikë. Dy vjet më parë, çifti polak Vojtek dhe Anjeska vizituan veriun e Shqipërisë. Me biçikleta këtë herë po eksplorojnë jugun.

“Pse jemi ne sërish në Shqipëri? Sepse njerëzit janë fantastik! Çmimet janë shumë më të lira, krahasuar me Greqinë ku ishim më parë me pushime”, tha Wojciech Siarra, turist polak.

“6 mijë lekë, blemë bukën, 2 domate dhe djathë”, thotë turisti polak.

Të tjerë turistë zgjedhin kampin e Himarës, më të shumtit janë polakë. “Doja të shikoja një vend të ri, ndaj jam këtu. Më pëlqen bregdeti juaj dhe koha me diell”.

Të dashur dhe mikpritës…polakët ngjajnë me ne shqiptarët.

Nilsi është norvegjez dhe një notar shumë i zoti. Kthjelltësia e Jonit është një nga arsyet e ardhjes së tij në Shqipëri.

“Një mik shqiptar po na shoqëron të eksplorojmë jugun. Dje ishim në Gjirokastër dhe në Syrin e Kaltër e tani ja ku jemi. Po e shijoj vërtet qëndrimin në Shqipëri, deti me ujë të pastër dhe perfekt për të notuar, njerëz të këndshëm dhe çmime të lira krahasuar me Norvegjinë”, thotë Nilsi.

Por Nilsi nuk është i vetmi skandinav që preferon të pushojë në jug. Aty gjen edhe pafund europianë. Për turistët, Shqipëria është aventurë. Një vend i vogël që të bën për vete.

“Ne kemi dëgjuar të flitet shumë për Shqipërinë. Për motin, detin, ushqimet dhe çmimet. Në Norvegji, fjalët e mira për Shqipërinë janë përhapur tani”, thotë turisti.

“Ne kemi qenë në vende të ndryshme, verën e shkuar në Kroaci. Por këtë herë lexuam së në Shqipëri supozohej të bëheshin pushime ideale dhe që do ishte shumë bukur. Në fakt, është vërtet. Si dhe është shumë lirë. Gjë e mirë, për ne si studentë që s’kemi shumë lekë”, shprehet një turist polak.

“Njerëzit janë shumë të shoqërueshëm. Nëse I pyet për diçka, çdokush tregohet I gatshëm të ndihmojë dhe duken shumë të lumtur kur na shikojnë”, thotë një tjetër.

“Është mirë këtu në Shqipëri, duket bukur. Më pëlqen gjithçka”, thotë një fëmijë nga Franca.

“Deti ka një ngjyrë shumë të bukur. Jam paksa xheloze sepse Deti ynë Baltik nuk është kaq i kthjellët”, shprehet një turist nga Suedia.

“E duam këtë marrëdhënien mes detit dhe malit këtu. Është vërtet magjepsëse”, shprehet një tjetër./TCh/KultPlus.com