Çështja e stilit gjithmonë shkakton debat, por për mua është gjëja më e thjeshtë në botë. Një shkrimtar mund të ketë, në fund të fundit, një nga dy stilet: shkruan në një mënyrë që nënkupton se vdekja është e pashmangshme, ose shkruan në një mënyrë që nënkupton se vdekja s’është e pashmangshme. Çdo stil i përdorur nga shkrimtarët ndikohet prej njërit nga këto qëndrime ndaj vdekjes.
Nëse shkruani sikur besoni se, në fund të fundit, ju dhe të gjithë të tjerët e gjallë do të vdisni, ka gjasa që të shkruani me një stil mjaft të thjeshtë. Në të kundërt, do të prireni të keni stil me fjalë të mëdha apo me lajle-lule. Nga ana tjetër, për të mos qenë budallenj, duhet të besoni se sa është e pashmangshme vdekja, po aq e pashmangshme është edhe jeta. Kjo do të thotë, toka është e pashmangshme dhe njerëzit dhe gjallesat e tjera në të janë të pashmangshme, por që askush s’mund të qëndrojë në tokë shumë gjatë. Juve nuk ju duhet të jeni kaq tragjikë në mënyrë melodramatike. Në të vërtetë, mund të jeni po aq zbavitës sa të doni. Të shkruarit është një nga gjërat në thelb argëtuese dhe ka të gjitha mënyrat për t’ju bërë të qeshni. Nëse ju kujtohet që të gjallët janë po aq të mirë sa të vdekurit, do të mundeni të perceptoni shumë gjëra që ju bëjnë për të qeshur me sjelljet e tyre që ndoshta s’do t’i kishit perceptuar kësisoj nëse s’do të besonit se do të ishin po aq të mirë edhe të vdekur.
Sidoqoftë, sipas meje, këshilla më e çmuar për një shkrimtar është kjo: përpiquni të mësoni të merrni frymë thellë, ta shijoni vërtet ushqimin kur hani dhe kur të flini, flini tamam. Mundohuni sa më shumë të jeni plotësisht të gjallë, me gjithë forcën tuaj; kur të qeshni, qeshni me shpirt dhe kur të zemëroheni, tregohuni zemërmirë, por zemërohuni. Mundohuni të jeni gjallë. Se për të vdekur, mos kini merak, në mos sot, nesër./Hejza/KultPlus.com