Sartri: Jeta nuk ka kuptim në momentin që ju humbisni iluzionin e të qenit të përjetshëm

Zhan Pol Sartri lindi më 21 qershor të vitit 1905. Ai ishte filozof francez dhe autor, një nga figurat kryesore të filozofisë së ekzistencializmit, dhe filozofisë në përgjithësi, përfshi atë marksiste të shekullit XX.

Jean-Paul Sartre u lind dhe u rrit në Paris nga Jean-Baptiste Sartre, një oficer i Marinës Franceze, dhe Anne-Marie Schweitzer. Kur Sartri mbushi 15 muaj, babai i tij vdiq nga një sëmundje.

Mamaja e vet e rriti atë me ndihmën e babait të saj, Charles Schweitzer, një profesor gjimanzi i Gjermanishtes, i cili ia mësoi Sartrit metematikën dhe ia prezantoi atij literaturën klasike në një moshë shumë të re. Si adoleshent në vitet 1920, Sartri u interesua për filozofi pasi lexoi libra nga Henri Bergson.

Ai studio dhe u diplomua në filozofi në Paris në elitën École Normale Supérieure, një institucion i edukimit të lartë që kishte nxjerrë disa mendimtarë dhe intelektualë të rëndësishëm Francezë.

Sartri i ndikua nga shumë aspekte të Filozofisë perëndimore, duke marrë ide nga Kanti, Hegeli, Husserli dhe Heideggeri, ndër të tjerë. Sartri kreu shërbimin ushtarak në Ushtrinë Franceze nga viti 1929 deri më 1931. Më 1939 ai ishte në ushtrinë franceze, ku shërbente si meteorolog.

Ai u kap nga forcat gjermane më 1940 në Padoux, dhe kaloi nëntë muaj si i burgosur lufte. Sartri u lirua në prill 1941. Pasi iu dha statusi i civilit, ai rifilloi punën si mësues në Lycée Pasteur afër Parisit, i vendosur në Hotel Mistral afër Montparnasse tek Paris dhe iu dha një pozicion i ri tek Lycée Condorcet, duke zëvendësuar një mësues hebre të cilit i ishte ndaluar mësimdhënia nga i ashtuquajturi Vichy law apo Statuti mbi Hebrenjtë.

Pasi u kthye në Paris në maj 1941, mori pjesë në themelimin e grupit nëntokësor Socialisme et Liberté me shkrimtarët e tjerë Simone de Beauvoir, Merleau-Ponty, Jean-Toussaint, Dominique Desanti, Jean Kanapa, dhe studentët e École Normale. Sartri gjate jetës së vet mori pjesë edhe në politikë.

Sartri ndikoi edhe në sociologji, kritikë, studime letrare, dhe vazhdon të ndikojë. Ai mbeti i angazhuar deri në fund të jetës së tij (viti 1980). Në verë të vitit 1968 gjatë protestave në Paris Sartri u arrestua për mosbindje civile. Presidenti Charles de Gaulle ndërhyri dhe e liroi.

Në vitin 1964, Jean-Paul Sartre nderohet me Çmimin Nobel në letërsi, “për punën e tij plot ide të mbushur me frymën e lirisë në kërkim të së vërtetës, duke ushtruar ndikim shumë të gjerë në epokën tonë”.

Shumë njerëz u çuditën, kur Sartri e refuzoi çmimin, duke thënë se ai gjithmonë i ka mohuar nderimet zyrtare dhe se “një shkrimtar nuk duhet ta lejojë veten që të shndërrohet në institucion”.

I urryer, i nderuar, dhe duke dërguar njerëzit në një shqetësim të madh ekzistencial që nga viti 1940, vepra e Zhan Pol Sartrit mbetet tepër e rëndësishme.

Me qëllim “sfidimin e çdo ideje dhe çdo personi”, pohimet e Sartrit kërkojnë që ne të pranojmë përgjegjësinë për zgjedhjet tona dhe botën tonë, duke përqafuar të panjohurën e pakonceptueshme. Filozofia e tij shkatërruese për qenien dhe asgjënë vazhdojnë të zhysin njerëzit në krizat e tyre më të thella ekzistenciale.

Satri vdiq më 15 prill 1980 në Paris nga një sëmundje në mushkëri. Ai prehet në Cimetière de Montparnassenë Paris. Shumë njerëz morën pjesë në varrimin e tij, numri i tyre gjatë marshimit dy-orësh vlerësohet të ketë qenë nga 15 000 deri te 50 000.

Disa nga aforizmat më të famshme të Sartrit janë:
– Jeta nuk ka kuptim në momentin që ju humbisni iluzionin e të qënit të përjetshëm.
– Çdo gjë, çdo gjë do të ishte më mirë se agonia e mendjes, kjo dhimbje që të gërryen, por që nuk dhemb kurrë mjaftueshëm.
– Ferri janë njerëzit e tjerë.
– Ne nuk dimë çfarë duam dhe përsëri jemi përgjegjës për atë që jemi.
– Çdo gjë është zbuluar përveç faktit se si jetojmë.
– Çdo gjë që ekziston është lindur pa arsye, përzgjatet në gjendje të dobët dhe vdes rastësisht.
-Ne duhet të zbulojmë pasionin tonë përpara se ta ndjejmë atë.
– Zoti është mungesa. Zoti është vetmia e njeriut.
– Njeriu është një pasion i kotë.
– Njeriu është i dënuar për të qenë i lirë, sepse sapo hidhet në botë, ai është përgjegjës për çdo gjë bën.
– Fjalët janë pistoleta të mbushura. /konica.al/KultPlus.com

Sartri, filozofi që refuzoi çmimin “Nobel” me arsyetimin se “nuk donte të njihej vetëm si nobelist”

Shkruan: Bujar Meholli

Zhan Pol-Sartri është njëri ndër intelektualët më të mëdhenj të shekullit 20, i cili pati ndikim mjaft të madh tek artistët tjerë me filozofinë e tij ekzistencialiste, themeltar i së cilës ishte vet ai.

Filozofia ekzistencialiste e Sartrit si lëvizje nisi pas Luftës së Dytë Botërore, ku ai propozon që individi të marrë përgjegjësi për vete, dhe të jetë ai që e bën zgjedhjen për veten.

Si bazament të kësaj filozofie mund të themi që kemi pyetjet “kush jam?”, “për çfarë jam?” dhe “çfarë duhet të bëj?”.

Situata kaotike e individit manifestohet me një mori situatash në të cilat ai zhytet derisa vjen momenti kur ndalet dhe duhet ta bëjë zgjedhjen e duhur. Pra, ekzistencializmi pretendon t’i rrënojë zakonet e traditat, ai bile bie në kundërshtim me idealizmin dhe realizmin.

Zhan Pol-Sartri ka lënë disa vepra interesante ku gërshetohet filozofia dhe letërsia e tij. Ai, veç një sërë librash estetikë-filozofik, shkroi romanin e famshëm “Neveria” si dhe disa novela, mes së cilave veçohet “Muri”. Filozofinë e tij ai e shtriu edhe në dramaturgji, shkroi dy dramat e famshme “Me dyer të mbyllura” dhe “Mizat”.

Do të ndalemi pak tek drama e famshme “Me dyer të mbyllura”.

Drama “Me dyer të mbyllura” si kategori zhanrore shpreh determinimin politik-kulturor në raport me shoqërinë, familjen, grupin e individin. Atmosfera sartriane që krijohet na dërgon kah konkluzioni se njeriu ekziston dhe faktikisht zbulohet se ai nuk është, por thjesht ekziston.

Ky tekst dramatik tërthorazi na flet për lirinë e kufizuar të qenies njerëzore dhe pafuqinë për të dalë nga hapësira e mbyllur dhe për të rendur drejt lirisë. Një lirie së pari vetjake, pastaj shoqërore. Vendosja e tri karaktereve në ferr (jo në ferrin religjioz!) rezulton si simbolikë për të treguar se ferri i vërtetë janë njerëzit që veprojnë mbi tokë.

Andaj, themi se kjo dramë është ndër më tipiket, ku Sartri shfaq idetë e tij ekzistencialiste.

Edhe novelat e përmbledhura nën titullin “Muri” janë jehonë e ideve filozofike për raportet mes individit dhe shoqërisë, ku liria nuk është garanci për jetën e tij. Sartri krijon veprën mbi strukturat që bartin raportet mes individit dhe tjetrit.

Akademia Suedeze vendosi që t’i ndajë çmimin “Nobel” për letërsi Sartrit, “për krijimtarinë e tij të pasur me ide dhe të mbushur me frymën e lirisë drejt kërkimit të së vërtetës, si dhe për ndikimin e madh që ajo ka pasur në epokën tonë”. Por Sartri nuk ngurroi që ta refuzoi, derisa më vonë e dha edhe arsyetimin e tij.

Ishte 22 tetori i vitit 1964 kur Akademia Suedeze në ceremoninë e ndarjes së çmimit prestigjioz në fushën e letrave, thirri emrin e Zhan Pol-Sartrit si laureat. Pra, pas Kamysë që mori “Nobelin” vite më parë, i erdhi radha një filozofi tjetër të madh që ta fitojë.

Nuk u çudit askush me këtë ndarje çmimi për Sartrin, të gjithë u entuziazmuan, shpërtheu shtypi, nuk pati kurrfarë befasie derisa vetë ai doli me një letër që i nisi Akademisë Suedeze, anëtarët e së cilës i falënderonte por i duhej ta refuzonte çmimin prestigjioz. Kjo i befasoi të gjithë.

Shtypi shpërtheu përsëri, këtë herë me titujt me shkronja të mëdha në ballinat e gazetave: “Zhan Pol-Sartri fiton çmimin “Nobel”, por e refuzon atë.  

Në një prononcim për shtypin suedez, Sartri tha: “gjithmonë i kam refuzuar nderimet zyrtare, përfshirë edhe Legjionin e Nderit të Francës”.

“Një shkrimtar që përvetëson pozicione politike, shoqërore apo letrare duhet të veprojë vetëm me mjetet që janë të tijat – pra me fjalën e shkruar”, potencon ai.

Andaj, Sartri refuzoi të pranonte çfarëdo nderimi i cili do ta identifikonte si individualist ose që do ta mbivlerësonte vlerën e tij. Dihet se Zhan Pol-Sartri ishte përkrahës i socializmit, ishte marksist, dhe si i tillë ai besonte tek shoqëria e lirë, pra te ajo shoqëri në të cilën qytetarët e saj do të jetonin pa klasa dhe pronat e tyre private do të shfuqizoheshin.

Zhan Pol-Sartri ishte padyshim figura kryesore e kohës së tij në teorinë e ekzistencializmit dhe marksizmit. Mendojmë se ky formim dhe kjo ideologji që ai ndiqte ishin arsye e madhe pse ai i refuzonte nderimet, pasi që në thelb Sartri nuk pajtohej me pozicionet hierarkike.

Në letrën e tij dërguar Akademisë Suedeze, Sartri tregon publikisht se zyrtarisht e refuzon nderimin me çmimin “Nobel” dhe vlerën monetare të tij, derisa falënderon anëtarët e komitetit.

“Nëse e shkruaj Zhan Pol-Sartri nuk është e njëjta gjë sikur ta firmosja veten me Zhan Pol-Sartri, fitues i çmimit ‘Nobel’”, shkruan veç tjerash ai.

Duke mos qenë fare i tërhequr nga shuma e parave, ai shprehet: “Shkrimtari që pranon një nder të këtij lloji merr me vete edhe institucionin nga i cili është nderuar, prandaj ai nuk duhet të shndërrohet në institucion edhe në qoftë se ai është mjaft i nderuar si ky në fjalë”.

“Ky qëndrim – vazhdon ai, është krejtësisht i imi dhe nuk përmban kurrfarë kritike ndaj atyre që tashmë e kanë pranuar këtë çmim. Kam shumë respekt dhe i admiroj disa nga laureatët e çmimit “Nobel” të cilët edhe kam nderin që t’i njoh”. /KultPlus.com

Bujar Meholli