Ministria: SBASHK-u s’ka të drejtë të mbyllë shkolla, presioni i tyre i dënueshëm – nga nesër fillon mësimi

Ministria e Arsimit ka thënë se nesër më 1 shtator fillon viti i ri shkollor, derisa shton se ky fillimvit “vihet në pikëpyetje për shkak të grevës së deklaruar nga BSPK-ja, së cilës i është bashkëngjitur edhe SBASHK-u”.

Ndër të tjerash, në këtë komunikatë thuhet se askush, përveç autoriteteve qendrore dhe lokale të përcaktuara me legjislacion, nuk ka të drejtë të shpallë mbylljen e shkollave.

Siç thuhet në njoftim, “presionet e tilla janë të papranueshme dhe të dënueshme”.

“Kryetari i SBASHK-ut dhe askush tjetër përveç autoriteteve qendrore dhe lokale të përcaktuara me legjislacion, nuk ka të drejtë të shpallë mbylljen e shkollave për çfarëdo arsye, as t’i pengojë të punojnë ata që duan të punojnë.  Presionet e tilla janë të papranueshme dhe të dënueshme. Ndërkaq, spekulimet se, me ardhje në shkollë, mund të cenohet siguria e fëmijëve nuk kanë asnjë bazë”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Nesër, më 1 shtator, fillon viti i ri shkollor për të gjitha institucionet e arsimit fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë në Republikën e Kosovës.

Të nderuar qytetarë, në dy vitet e kaluara kemi pasur pengesa të fillojmë me kohë vitin shkollor, si pasojë e pandemisë COVID-19, e cila ka ndikuar në çrregullimin e procesit mësimor dhe ka shkaktuar humbje të konsiderueshme mësimore. Edhe ky vit shkollor do të jetë sfidues, për shkak të krizës globale ekonomike dhe asaj të energjisë, të cilat janë jashtë kontrollit tonë. 

Përkundër faktit se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura, fillimi i suksesshëm i vitit shkollor vihet në pikëpyetje për shkak të grevës së deklaruar nga BSPK-ja, së cilës i është bashkëngjitur edhe SBASHK-u. Përderisa legjislacioni ynë e njeh të drejtën e të gjithë punëtorëve për grevë, e njeh edhe të drejtën për të punuar të atyre të cilët nuk janë pjesë e grevës.

Duke marrë parasysh gjendjen në terren, ftojmë prindërit dhe nxënësit që të komunikojnë drejtpërdrejt me mësuesit klasorë, kujdestarët e klasave dhe menaxhmentin e shkollës për të kuptuar nëse do të organizohet procesi mësimor dhe sipas cilit orar.

Kryetari i SBASHK-ut dhe askush tjetër përveç autoriteteve qendrore dhe lokale të përcaktuara me legjislacion, nuk ka të drejtë të shpallë mbylljen e shkollave për çfarëdo arsye, as t’i pengojë të punojnë ata që duan të punojnë. Presionet e tilla janë të papranueshme dhe të dënueshme. Ndërkaq, spekulimet se, me ardhje në shkollë, mund të cenohet siguria e fëmijëve nuk kanë asnjë bazë.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si dhe Qeveria e Republikës së Kosovës kanë qenë të hapura për dialog me sindikatat dhe kanë adresuar kërkesat legjitime, gjithnjë brenda kornizës ligjore dhe mundësive materiale. Jemi të bindur se për secilin problem mund të gjindet zgjidhja, por proceset e tilla nuk duhet t’i dëmtojnë fëmijët dhe të rinjtë që kanë nevojë për arsim cilësor.

Të gjithë nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve ju dëshirojmë një vit shkollor të mbarë dhe me sa më pak çrregullime. / KultPlus.com

Nesër nxënësve në të gjithë Kosovën do t’u flitet për Ukrainën

Sindikata e Arsimit (SBASHK) u ka bërë thirrje mësimdhënësve që të mërkurën e 2 marsit, në orën e parë mësimore, t’i kushtohet Ukrainës, në shenjë solidariteti ndaj tyre dhe dënimit të agresionit rus.

Nëpërmjet një njoftimi në Facebook, SBASHK-u shkruan që aktivitetet mund të zhvillohen duke paraqitur flamurin e Kosovë dhe të Ukrainës, “pastaj punime/vizatime të ndryshme nga nxënësit me simbol të Ukrainës dhe të shtetit tonë, Kosovës”.

“Një mbështetje e tillë për ne është obligim moral e human, për shkak se kur kemi qenë në situata të tilla ne mësimdhënësit, nxënësit e i tërë populli kosovar, ka pasur organizime të tilla solidariteti për ne nga mësimdhënës e nxënës të shteteve të ndryshme të mbarë botës. Aktivitetet e tilla paraqitni në rrjetet sociale të shkollës apo ato personale e njëkohësisht edhe ne do t’i paraqesim në rrjetet tona sociale dhe do t’iu përcjellim edhe kolegëve tanë në EI, ETUCE dhe Ukrainë”, thuhet nga SBASHK-u.

Sot është dita e gjashtë qëkur forcat ruse kanë sulmuar Ukrainën./ KultPlus.com

SBASHK-u paralajmëron grevë në tërë sistemin arsimor

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, po deklaron se Qeveria po iu ik takimeve, e për këtë është paralajmëruar edhe grevë në tërë sistemin arsimor, transmeton KultPlus.

Përmes një reagimi publik, SBASHK-u deklaron se Qeveritë e kaluara nuk iu kanë ikur debateve dhe takimeve.

“Do kujtuar se në gjithë këto vite kishte edhe greva, si ajo në tërë sistemin arsimor që nga çerdhet e deri në Universitete. Qeverive atëherë kjo nuk iu pëlqeu, por nuk i iknin takimeve e debateve sepse nuk donin të krijonin bindjen se nuk duan dialog dhe nuk duan takime me sindikatat, që mbase edhe nuk i kanë pasur fare për qejfi”, thuhet në reagimin e SBASHK-ut.

Tutje, SBASHK-u deklaron se nuk janë larg angazhimet sindikale, duke paralajmëruar kështu grevë në tërë sistemin arsimor.

Reagimi i plotë i SBASHK-ut:

Reagim publik i SBASHK-ut

Qeveria Kurti sikur nuk do ta di se në Kosovë ka sindikata

Tani kur sistemi arsimor i është kthyer normalitetit dhe për këtë kemi dhënë kontribut të lartë ne të punësuarit në arsim, do t’i kthehemi edhe angazhimeve sindikale dhe kështu si po vepron Qeveria Kurti , duke u sjellë sikur nuk ka sindikata në Kosovë, ne do të dëshmojmë se ekzistojmë dhe jemi unik e të përkushtuar dhe prandaj nuk janë larg takimet e organeve vendimmarrëse për të shpallur veprime sindikale

Nuk duam të flasim për sindikatat tjera dhe veprimin e tyre nëpër vite, por SBASHK-u ka një aktivitet më shumë se 30 vjeçar. U krijua në momentin kur duhej krijuar diga mbrojtëse të arsimit shqip kundër furtunave të pushtuesit serb kundër arsimit shqip. Kjo sindikatë në ato vite të vështira dhe falë edhe mbështetjes së miqve ndërkombëtar kreu misionin e saj duke prezantuar gjendjen tepër të vështirë në arsimin e Kosovës edhe në Asamblenë e UNESKO-s në vitin 1993, për të vazhduar me angazhimet edhe në vitet tjera në nën okupim. Kjo sindikatë me mbështetjen e miqve ndërkombëtar dha kontribut edhe në kthimin e ziles dhe buzëqeshjes në fëmijëve në shkollat tona në vitet e para të pasluftës.

SBASHK, krahas këtyre angazhimeve, kishte bërë edhe shumë përpjekje për të ngritur pozitën ekonomike të të punësuarve në arsim sepse pas lufte për të punësuarit në arsim flitej se janë të varfrit e që kërkojnë të marrin artikuj ushqimor në pritje deri në pagën e radhës. Qeveritë e Kosovës e kuptuan këtë realitet dhe vazhdimisht e në takime me SBASHK u angazhuan të përmirësojnë gjendjen e të punësuarve në arsim. Kishte përplasje e debate të nxehta, por Qeveritë nuk i iknin takimeve e dialogut dhe u shënuan përmirësime e realizime të kërkesave të të punësuarve në arsim, që po prezantoheshin nga SBASHK.

Do kujtuar se në gjithë këto vite kishte edhe greva, si ajo në tërë sistemin arsimor që nga çerdhet e deri në Universitete. Qeverive atëherë kjo nuk iu pëlqeu, por nuk i iknin takimeve e debateve sepse nuk donin të krijonin bindjen se nuk duan dialog dhe nuk duan takime me sindikatat, që mbase edhe nuk i kanë pasur fare për qejfi.

Mirëpo, kjo që ndodh tani në Qeverinë Kurti është hera e parë në Kosovë, kur Qeveria sikur nuk do ta di se në Kosovë ka sindikata dhe prandaj edhe nuk i do dhe u ik takimeve me to. SBASHK ka kritikuar këtë qëndrim të Qeverisë Kurti dhe veçmas mungesën e gatishmërisë së takimeve të Ministrit Hekuran Murati, i cili është edhe Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, detyrë që nuk e kreu as edhe një herë deri tani. Qeveria Kurti duhet ta di se sindikatat ekzistojnë dhe janë ato, si SBASHK-u, që kanë bërë edhe veprime sindikale deri në grevën e përgjithshme për plot tri javë në tërë sistemin arsimor. Deri tani kemi lutur anëtarësinë për mirëkuptim dhe për përkushtim në rrjedhën e mbarë të sistemit arsimor për shkak të gjendjes nga pandemia, por tani kur sistemi arsimor i është kthyer normalitetit dhe për këtë kemi dhënë kontribut të lartë ne të punësuarit në arsim, do t’i kthehemi edhe angazhimeve sindikale dhe kështu si po vepron Qeveria Kurti, duke u sjellë sikur nuk ka sindikata në Kosovë, ne do të dëshmojmë se ekzistojmë

dhe jemi unik e të përkushtuar dhe prandaj nuk janë larg vendimet e organeve vendimmarrëse për veprime sindikale , pra edhe për greva në tërë sistemin arsimor. E atëherë le ta dinë qytetarët e Kosovës se fajtori i vetëm është Qeveria dhe përpjekja e saj për të krijuar bindje se në Kosovë nuk ka sindikata.

Prishtinë, 28 tetor 2021,

Zyra për informim e SBASHK-ut. / KultPlus.com

Mundësia e shtyrjes së fillimit të mësimit, reagon SBASHK-u

Sekretari i SBAShK’ut, Ymer Ymeri, deklaroi se janë pro fillimit të mësimit online, sepse siç tha, më mirë kështu se të mos mbahet mësimi fare.

“Jemi të brengosur me deklaratat dhe informatat që i kemi për shtyrje përsëri të procesit mësimor, meqë i kemi humbur 18 ditë mësimi dhe është vështirë që ato ditë të kompensohen për shkak të ngarkesës së madhe për nxënësit”, tha Ymeri.

 “Dëshirojmë që të hënën më 27 shtator të nis fillimi i vitit shkollor, por institucionet e shëndetësisë publike kanë për ta dhënë vendimin e fundit. Megjithatë ne si SHBAShK mendojmë që shkollat të fillojnë mësimin nga distanca, edhe pse me gjithë mangësitë që e ka kjo mënyrë mësimi, më mirë të mbahet mësimi se sa të mos mbahet fare”, deklaroi ai për Klan Kosova.

Ymeri po ashtu shtoi se mësimdhënësit janë të gatshëm për ta filluar procesin mësimor dhe se rreth 93 për qind e tyre janë vaksinuar.

 “Pjesa e mbetur janë kryesisht mësimdhënëse shtatzëna që janë të liruar nga procesi mësimor dhe ata me sëmundje kronike që s’kanë mundur të vaksinohen, pra pjesa që duhet të paraqiten fizikisht në shkollë janë të gatshëm dhe të vaksinuar për procesin mësimor”, përfundoi Ymeri./KultPlus.com

SBASHK: Nuk duhet të shtyhet mësimi, do të kemi probleme me zëvendësimin e orëve

Kanë mbetur pothuajse edhe 10 ditë deri ne fillimin e vitit të ri shkollor, e për këtë gjë Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj në një prononcim ka thënë se janë të gatshëm për fillimin e vitit të ri shkollor, dhe se së bashku me Ministrinë e Arsimit kanë bërë përgatitjet e duhura.

“MASHTI bashkë me Drejtoritë Arsimore kanë deklaruar vazhdimisht edhe në takimet e përbashkëta se kanë bërë gjithë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor dhe urojmë të jetë ashtu” deklaroi Jasharaj.

Sipas Jasharajt mësimdhënësit dhe stafi teknik i shkollave janë vaksinuar dhe janë të kënaqur për faktin që të gjithë punëtorët e arsimit i janë përgjigjur kërkesës së tyre për vaksinim.

“Nga deklarimet e kryetarëve të nivelit komunal sindikal shihet se janë vaksinuar më shumë se 90% e mësimdhënëseve dhe punëtorëve tekniko-ndihmës e administrativ. Besojmë se MASHTI merr informacione ditore e javore lidhur me vaksinimin. Ata para dy jave në takim me mediat kishin përmendur shifrën prej 77 % shifër kjo që ka shënuar rritje të vazhdueshme dhe jemi të sigurt se deri më 27 shtator do t’i afrohemi shifrës prej gati 100%”, tha Jasharaj për Telegrafin.

E në kuadër të kësaj i pari i SBASHK-ut thotë se nuk duhet të ketë shtyrje të tjera të mësimit për shkak të problemeve qe mund të paraqiten me zëvendësimin e orëve mësimore.

“SBASHK mendon se shtyrje të tjera të vitit të ri shkollor , pavarësisht situatës me Covid, nuk duhet të ketë sepse do të krijohen probleme shtesë dhe do të ketë problem edhe lidhur me zëvendësimin e ditëve të humbura për arsye të dy shtyrjeve të vitit të ri shkollor” tha ai.

Mirëpo edhe nëse institucionet gjegjëse vendosin që të ketë sërish shtyrje për fillimin e vitit të ri shkollor, Jasharaj tregoi se kanë sugjeruar që mësimdhënësit të shkojnë në shkolla dhe të kyçen në platformat përkatëse për shkak të korrektësisë.

“Ne kemi kërkuara nga MASHTI që të krijohen kushtet që nëse duhet të nisim me mësimin nga larg, mësimdhënësit të shkojnë në shkollë dhe nga atje të kyçën përmes platformës gjegjëse sepse kështu drejtori i shkollës dhe përgjegjësit tjerë do ta kenë shumë më lehtë për të përcjellë rrjedhën e mësimit dhe për t’u bindur se gjithë mësimdhënësit janë të kyçur në procesin mësimor nga larg”, u shpreh Jasharaj.

Fillimin e i vitit të ri shkollor Ministria e Arsimit ka vendosur ta shtyjë, dy herë që nga 1 shtatori kur edhe është dashur të fillonte pas konsultimit me Institutin Kombëtarë të Shëndetësisë Publike e kjo për arsye të situatës së rënduar në vend me Covid-19 në fillim të këtij muaji./KultPlus.com

KMDLNj kritikon SBAShK-un: Asnjëherë nuk ka konsideruar kërkesat e prindërve, ka insistuar vetëm në rritjen e pagave

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të njeriut ka kritikuar Sindikatën e Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës për kërkesat në çdo fillim të vitit shkollor.

KMDLNj thotë se SBAShK’u nuk mund të ketë përgjegjësitë e Ministrisë së Arsimit.

“Është bërë si rregull që në çdo fillim të vitit shkollor, SBASHK-u të dalë me kërkesa që  jo rrallë herë e kanë formën dhe përmbajtjen e shantazhimit klasik e që është e dënueshme me ligjet në fuqi në Kosovë dhe duke i vënë ultimatum Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e këtyre kërkesave e që jo gjithmonë janë në fushëveprimin sindikalist”, thuhet në reagimin e KMDLNj’së.

KMDLNj thotë se SBAShK’u asnjëherë nuk ka konsideruar kërkesat e prindërve.

Po ashtu, KMDLNj përmend faktin se SBAShK’u ka arritur për një kohë të gjatë të paralizojë krejtësisht procesin mësimor, duke e dëmtuar kështu atë.

“Në këtë mënyrë SBASHK –u përmes disa udhëheqësve e ruan kondicionin sikur që e riciklojnë protagonizmin personal e jo sindikal. KMDLNj ka reaguar disa herë kundër këtyre kushtëzimeve të SBASHk-ut të cilët botërisht kanë deklaruar se ata kujdesen dhe mbrojnë mësuesit, arsimtarët dhe profesorët dhe se nuk është përgjegjësi e tyre të kujdesen për përmirësimin e kushteve për nxënës, përmirësimin e procesit të mësimdhënies dhe mësimnxënies apo sigurimin e fondeve për nxënës me gjendje të rënduar materiale”

“SBASHK-u arriti që për një kohë të paralizojë krejtësisht procesin arsimor, i motivuar kryesisht materialisht e që jashtëzakonisht e ka dëmtuar procesin arsimor. SBASHK-u asnjëherë nuk ka konsideruar seriozisht kërkesat e prindërve të artikuluara përmes Këshillit të Prindërve por ka insistuar në rritjen e pagave duke koketuar me parti të ndryshme politike të cilave ju ka premtuar përkrahje publike dhe vota klienteliste përmes nënshkrimit të marrëveshjeve e që është në kundërshtim të plotë me mandatin e SBASHK-ut”, thuhet në reagim

KMDLNj thotë se tani kur Ministria e Arsimit ka vendosur që mësimi të fillojë duke ndjekur rekomandimet e IKSHPK’së, SBASHK’u deklaron se nëse nuk janë plotësuar kushtet mësimi mund të shtyhet.

“Për shkak të pandemisë së shkaktuar nga COVID – 19, kemi pasur një ndërprerje të procesit mësimor në të gjitha nivelet dhe përcjellja e mësimit nga shtëpia lirisht mund të llogaritet si proces apo përpjekje e dështuar. Tash kur Ministria e Arsimit , në përputhje me rekomandimet e ISHPK ka marrë vendim fillimisht që procesi mësimor të fillojë me një shtator e që pastaj ka vendosur, për arsye objektive dhe subjektive të shtyjë për 14 ditë, SBASHK – u deklaron se procesi mësimor , nëse SBASHK-u konsideron se nuk janë plotësuar kushtet mund të shtyhet për një kohë tjetër dhe në këtë mënyrë i merr përgjegjësitë që nuk i takojnë por që janë përgjegjësi e MASHT-it sikur që del edhe kundër rekomandimeve të ISHPK –së”

“SBASHK-u , së paku në bazë të deklarimeve angazhohet për ngritjen e mirëqenies materiale të punëtorëve të arsimit dhe nuk ka asnjë të drejtë të caktojë afate kohore se kur duhet të fillojë apo përfundojë procesi mësimor. Me grevën shantazhuese të SBASHK-ut që e dëmtoi shumë arsimin , me ndërprerjen e procesit arsimor për shkak të pandemisë dhe nëse edhe tani nuk fillon procesi arsimor , lirisht mund të themi se kjo gjeneratë do të jetë e humbur sa i përket arsimimit”

“Shtetet tjera kanë marrë vendim që t’i hapin institucionet arsimore përkundër faktit që nuk e kanë gjendjen aspak më të mirë se Kosova prandaj kështu duhet të veprohet edhe në Kosovë”, thuhet në reagim. / KultPlus.com

SBASHK-u kërkon shtyrjen e vitit shkollor për 10 ditë

Sindikata e Arsimit kërkon që të shtyhet për dhjetë ditë viti i ri mësimor, nisjen e të cilit e ka planifikuar ministria e Arsimit dhe e ka miratuar Qeveria.

Nga SBASHK’u thonë se e përkrahin planin e qeverisë për rinisjen e mësimit, por, sipas kësaj sindikate, institucioneve të arsimit u duhet akoma përgatitje.

“Pjesëmarrësit e këtij takimi kanë deklaruar vlerësimet lidhur me gjendjen momentale në institucionet arsimore nga këndvështrimi i udhëheqësve sindikal. Ata kanë deklaruar se personeli arsimor dhe tekniko-ndihmës shprehin vullnetin për të nisur mësimin në objektet shkollore duke përkrahur në këtë mënyrë masterplanin e MASH e të miratuar nga Qeveria, por numri më i madh i pjesëmarrësve kanë shprehur shqetësimin se shkollat ende nuk janë përgatitur për të nisur vitin e ri shkollor sipas kushteve të parapara për masat mbrojtëse dhe plani i MASH-it”, thuhet në komunikatën e SBASHK’ut.

Njoftimi i plotë i SBASHK-ut:

Duke shprehur vullnetin dhe dëshirën e sinqertë që viti i ri shkollor të nis së mbari dhe që institucionet arsimore të jenë plotësisht të përgatitura në plotësimin e udhëzimeve të Institutit të Shëndetit Publik në përpjekje për ruajtjen e shëndetit të nxënësve dhe personelit arsimor SBASHK-u u drejtohet Qeverisë dhe MASH-it me zërin e punëtorëve arsimor që nisja e vitit të ri shkollor të shtyhet për 10 ditë.

Me qëllim të analizës së përgatitjes për fillimin e vitit të ri shkollor dhe masave që janë marrë nga institucionet për krijimin e sigurisë së mjaftueshme të ruajtjes së shëndetit të nxënësve dhe personelit arsimor, SBASHK-u ka mbajtur takim nga larg me kryesinë, kryetarët e nivelit komunal dhe Universiteteve dhe me anëtarët e Këshillit Drejtues.

Pjesëmarrësit e këtij takimi kanë deklaruar vlerësimet lidhur me gjendjen momentale në institucionet arsimore nga këndvështrimi i udhëheqësve sindikal. Ata kanë deklaruar se personeli arsimor dhe tekniko-ndihmës shprehin vullnetin për të nisur mësimin në objektet shkollore duke përkrahur në këtë mënyrë masterplanin e MASH e të miratuar nga Qeveria, por numri më i madh i pjesëmarrësve kanë shprehur shqetësimin se shkollat ende nuk janë përgatitur për të nisur vitin e ri shkollor sipas kushteve të parapara për masat mbrojtëse dhe plani i MASH-it. Duke argumentuar ata kanë përmendur se pjesa më e madhe e shkollave ende nuk është dezinfektuar, dhomat e mësimit nuk janë pajisur me dezinfektues për duar, nuk janë siguruar maskat mbrojtëse për personelin arsimor, nuk është përgatitur lista e mësimdhënësve rezervë për të zëvendësuar mësimdhënësit e sëmurë e as nuk është shpallur ndonjë thirrje a konkurs për mësimdhënës vullnetar, nuk janë përgatitur dhomat e mësimit për të siguruar distancën e duhur sociale, por nuk janë bërë edhe përgatitje të tjera brenda ambienteve shkollore.

Nga ana tjetër SBASHK-ut kanë nisur t’i vijnë informacione se ka tendenca nga ndonjë DKA dhe ndonjë drejtor shkolle që mjetet higjienike dhe dezinfektuesit t’i sigurojnë përmes prindërve, qoftë duke mbledhur para nga prindërit, qoftë duke sjellë prindërit dezinfektues në shkollë. SBASHK-u ëhstë kundër iniciativave të tilla sepse në këtë situatë të rënduar sociale e ekonomike nuk është e drejtë të ngarkohen edhe më shumë apo të vihen një pjesë e tyre në pozitë të keqe para të tjerëve ngase nuk kanë mundësi të jenë pjesë e këtij aktiviteti, të cilin SBASHK-u kërkon të ndalet dhe kërkesat e shkollave në rrethanat e reja të sigurohen nga buxheti shtesë prej 9.5 milionë, që ka ndarë Qeveria e Kosovës. / KultPlus.com