Lea Ypi debaton me Kancelarin Scholz: Në Europë nuk ka politikë, kjo është edhe arsyeja pse në Shqipëri…

Akademikja dhe shkrimtarja Lea Ypi ishte pjesë e panelit drejtues të Samitit të Qeverisjes Progresive që u mbajt në Berlin, një event historik, samit që mbledh bashkë intelektualë, aktivistë dhe vendimmarrës politikë.

Samiti u mbajt më 21 dhe 22 qershor, mbahet pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian.

Pjesë e panelit ishte edhe kancelari gjerman, Olaf Sholz, i cili iu përgjigj  pyetjeve të shkrimtares dhe aktivistes shqiptare, Lea Ypi.

Scholz foli për politikat europiane dhe shprehu nevojën që ka Evropa për një debat për politikën evropiane, në të mirë të vendeve që bëjnë pjesë në bashkësinë Evropiane.

Lea Ypi ndërhyri për të thënë që nuk ka debat poltik në Evropë se në fakt nuk ka politikë, por vetëm politika.

Ky është një problem i madh, thotë Ypi dhe po prek më shumë edhe Shqipërinë, e cila aspiron të bëhet pjesë e BE-së.

Pjesë nga debati i Lea Ypit me Olaf Scholz:

 Lea Ypi: Unë mendoj se ne nuk kemi një debat evropian për politikën sepse ne në fakt nuk kemi politikë. Ne kemi vetëm politika. Kemi humbur politikën. Dhe ky është problemi. Kjo është edhe arsyeja pse në Shqipëri…

Olaf Shcolz: Për politikanët është diçka mjaft e vështirë për t’u pranuar. Por është një fjali e mirë.

Lea Ypi: Dakord. Më lejoni të jem edhe më konkrete. Janë politika partiake. Domethënë projekte parimore sesi shoqëria duhet të ndryshojë në dritën e krizës me të cilën përballemi. Unë realisht nuk shoh ndonjë shkëmbim ndërmjet projekteve parimore dhe palëve evropiane. Shoh që ka një lloj projekti që nuk i pëlqen kujt, që është e djathta ekstreme. Dhe shoh që ka një lloj narrative për konfliktin, për kulturën, për qytetërimet.

Gjithashtu shoh se progresistët thjesht e ndjekin atë narrativë në vend që të krijojnë të tyren. Pra, nuk e kuptoj realisht se si mund ta ndryshoni debatin evropian nëse në fakt nuk keni një lloj politike që mund të mbështesë Evropën në tërësi me një vizion për Evropën që është një vizion parimor socialdemokrat. Unë e them këtë me shqetësimin, sepse unë jam nga Shqipëria dhe siç e dini në Shqipëri kemi të gjitha këto diskutime për zgjerimin evropian. Nëse ndaloni ndonjë person në rrugë dhe pyesni, kur është takimi i ardhshëm i negociatave për anëtarësim? Ata do t’ju tregojnë saktësisht se kur është takimi.

Nëse i pyet se për çfarë është takimi, ata nuk do ta dinë. Dhe kjo mund të ndodhë jo vetëm në nivelet e pyetjes së njerëzve në rrugë, por edhe në nivele shumë të larta, për fat të keq. Pra kjo sepse në fakt askush nuk e kupton vërtet se për çfarë shërben Evropa. Çfarë po bëjmë këtu? Pse jemi këtu? Çfarë projekti ka?

Dhe kjo është humbja e politikës, të cilën e gjurmoj që nga shembja e Murit të Berlinit dhe fundi i Luftës së Ftohtë dhe të gjitha modelet që u vunë në lëvizje dhe mënyra në të cilën, nëse doni ta quani neoliberalizëm, unë e quaj kapitalizëm në fazën neoliberale që e ka zbrazur politikën nga shoqëritë, sepse është zëvendësuar me parti që janë shndërruar në entitete menaxheriale teknokrate, në liderë që drejtohen vetëm nga çështjet e karizmës dhe këto lloj diskutimesh krejtësisht të cekëta, jo parimore se si duhet të jetë një lider dhe si duhet të jetë një parti.

I gjithë debati është për asgjë. Nuk ka asnjë substancë në këto debate. Ku është substanca?”, tha zonja Lea Ypi gjatë debatit me Olaf Scholz./ topchanel/ KultPlus.com

Kancelari Scholz në Tiranë: Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura në dialog

Në Tiranë, po mbahet për herë të parë Samiti i Procesit të Berlinit.

Në fjalën e rastit kancelari gjerman Olaf Scholz, foli edhe për veriun e Kosovës.

Ai tha se eskalimi i situatës atje ka treguar se sa është i rëndësishëm tejkalimi i konflikteve që kanë ekzistuar për kohë të gjatë dhe që i kanë lënë prapa vendet e rajonit.

“Duhet të gjejmë rrugën implementimit të marrëveshjes që kanë dal nga dialogu i udhëhequr nga Bashkimi Evropian”, tha Scholz./KlanKosova/KultPlus.com

“The Time”: Scholz në mesin e personave më me ndikim në 2023

Revista amerikane “The Time” e ka renditur kancelarin gjerman, Olaf Scholz në mesin e 100 personave më me ndikim në vitin 2023.

Scholz, i cili renditet në kategorinë e liderëve më me ndikim, e shpalli pushtimin rus të Ukrainës një “pikë kthese epokale”, duke premtuar se Berlini do të përgjigjej në një situatë kritike.

“Brenda vitit të kaluar, Gjermania përmbysi pacifizmin e saj të pasluftës, duke rritur shpenzimet e saj ushtarake, duke u bërë kështu një nga furnizuesit më të mëdhenj të armëve në Ukrainë”, sipas artikullit.

Gjermania reduktoi gjithashtu varësinë e saj nga furnizimet e energjisë ruse, duke kaluar me nxitim tek burimet e rinovueshme, pavarësisht frikës se kjo do të ishte e shtrenjtë dhe problematike.

Të tjera hyrje të dukshme në listë përfshijnë Evan Gershkovich, gazetari i “The Wall Street Journal”, i cili u arrestua nga Moska pas akuzave për spiunazh.

Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me 20 vjet burg.

“Ndërsa shumë gazetarë u tërhoqën nga Rusia pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska, Gershkovich qëndroi aty, pavarësisht nga rreziqet e raportimit për Rusinë”, sipas “The Time”. /atsh / KultPlus.com

Përkujtohet Lufta e Dytë Botërore, kancelari gjerman: Kurrë më gjenocid, kurrë më sundim të dhunës

Në fjalimin e tij me rastin e përkujtimit të fundit të Luftës së Dytë Botërore, kancelari gjerman, Scholz kujtoi përgjegjësinë historike të Gjermanisë, dhe akuzoi Putinin për manipulim të historisë në lidhje me Ukrainën.

Përkujtimi i Luftës së Dytë Botërore këtë 8 dhe 9 Maj është errësuar nga lufta që po zhvillohet në Ukrainë. Kancelari gjerman, Olaf Scholz mbajti një fjalim të posaçëm dje me rastin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. 8 Maji 1945 shënon kapitullimin e Gjermanisë hitleriane. Por 8 Maji 2022 e gjen Europën në një luftë të re. Scholz përmendi në këtë kontekst përgjegjësinë historike të Gjermanisë, nga e cila rrjedh përgjegjësia për mbështetjen e Ukrainës. Gjermania e ka nxjerrë mësimin qendror nga historia katastrofike mes vitete 1933 dhe 1945, tha Scholz: “Kurrë më! Kurrë më luftë. Kurrë më gjenocid. Kurrë më sundim të dhunës. E megjithatë ka ndodhur sërish luftë në Europë.” Për kancelarin gjerman kjo mund të nënkuptojë vetëm “ne ndihmojmë me qëllim që të marrë fund dhuna.” Për këtë arsye janë dërguar për herë të parë armë në një zonë lufte, tha Scholz.

Si “poshtërsi dhe manipulim të historisë” e quajti Scholz barazimin e “luftës barbare sulmuese” që po zhvillon Rusia me luftën kundër nacionalsocializmit. “Gjermania atëherë ka qenë fajtore me të dyja kombet, atë rus dhe atë ukrainas. Me të dy ne synojmë prej dekadash pajtimin”, tha Scholz. Por tani presidenti rus kërkon të nënshtrojë Ukrainën, të shkatërrojë kulturën dhe identitetin e saj. Kancelari gjerman premtoi ndihma të mëtejshme për Ukrainën, edhe armë të rënda. “Ne e mbështesim Ukrainën në luftë kundër agresorit. Të mos e bësh këtë do të thotë kapitullim para dhunës së qartë dhe forcim i agresorit.”

“Ndërrim epokash”

Bundespräsident Frank-Walter Steinmeier - DGB Bundeskongress

Edhe presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier mbajti një fjalim me rastin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore Steinmeier bëri fjalë për një “ndërrim epokash”. 8 Maji nuk ka qenë vetëm një ditë e kujtimit dhe paralajmërimit, por “për një kohë të gjatë” edhe një “ditë e shpresës”, tha Steinmeier në Kongresin Federal të Shoqatave të Sindikatës Gjermane, DGB. “Por sot në këtë 8 Maj është shkatërruar ëndrra e një shtëpie të përbashkët europiane; makthi ka zënë vendin e saj”, tha presidenti gjerman. “Ky 8 Maj është një ditë e luftës.” /DW/ KultPlus.com