Shqiptari nuk di si të komunikojë me gruan, nuk di si t’i flas asaj si njeri pasi që atë e sheh vetëm si një objekt për shfryrjen e dëshirave të tij seksuale.
Gjithashtu, atë e sheh si pronë të veten, dhe prona nuk mund të ketë liri që të jetojë ashtu siç dëshiron ajo.
Që gruaja është para së gjithash objekt seksual dhe pronë këtë e gjen të shkruar gjithandej, dhe është pjesë e traditës në të cilën shqiptari rritet, dhe nga e cila formohet si njeri.
Martesat, për shembull, në mënyrën më të qartë simbolizojnë aspektin e pronësisë së gruas: ajo transferohet nga shtëpia e prindit në atë të burrit dhe aty ajo fillon jetën e saj të re si shërbëtore e burrit dhe familjes së tij.
Pasi që ajo është pronë e tij ajo nuk mundet të lëvizë si të dojë dhe kur të dojë pa lejen e burrit të saj. Asaj nuk i besohet që ajo mund të ketë marrëdhënie shoqërore jo romantike me burra tjerë sepse tani ajo është bërë pronë që mbart emrin e burrit të saj. Prona mbikëqyret vazhdimisht, sidomos kur ajo është e re dhe e bukur. Logjika e pronarit është kjo: kam një makinë të bukur dhe po të mos kujdesem për të do të ma marrin të tjerët.
Gruaja si pronë nuk ka vullnet të lirë dhe nuk mund të marrë vendime të pavarura. Për më tepër, asaj nuk mund t’i besohet sepse ajo është qenie emocionale që përherë e mban arsyen nën kontrollin e ndjenjave të saj.
Këtu edhe lind paradoksi i raportit të shqiptarit me gruan e tij: ajo nuk është e lirë por gabimet, tradhtitë bashkëshortore ia përshkruan asaj. Ajo është pronë mendimi i të cilës nuk ka kurrfarë peshe me përjashtim kur ajo bën diçka që e sfidon autoritetin apo pronësinë e burrit mbi të. Atëherë ajo është plotësisht përgjegjëse për çdo veprim që ajo bën.
Në një kontekst të këtillë ku dukshëm gruaja duket të jetë bërë e vetëdijshme për të drejtat dhe lirinë e saj, kurse burri duket sikur ende nuk e ka kuptuar realitetin e ri por dëshiron që ta vazhdojë ëndrrën e tij të dominimit total të gruas, është burri ai që ka mbetur mbrapa, që është në siklet ngaqë në njërën anë ai është nën presion të burrave tjerë si ai që kanë mbetur mbrapa, dhe në anën tjetër ai kurrë nuk është mësuar të komunikojë me gruan e tij si njeri, ta trajtojë atë si qenie të pavarur, dhe ta respektojë individualitetin e saj. Edhe po të dëshirojë ai nuk di si ta respektojë, nuk di si ta besojë atë, si ta shmang xhelozinë kur e sheh gruan e tij të shoqëruar me burra të huaj. Ai nuk është mësuar kurrë që ta trajtojë gruan si individ që merr vendimet e saja, që e mban premtimin dhe besën, që e respekton veten përmes respektimit të obligimeve të saja ndaj të tjerëve. Ai mendon që gruaja tërë kohën mendon për k.., pasi që ai e trajton atë thjesht si objekt seksual.
Ai mendon kështu ngaqë ai përfundimisht nuk i beson vetes. Problemi i tij nuk është gruaja por vetja e tij, mungesa e besimit në veten e tij, dhe trajtimi i tjetrit thjesht si konkurrent për favoret seksuale të gruas. Ngaqë ky nuk i beson vetes mendon që edhe gruaja e tij po të ketë të njëjtën liri do të dëshirojë të bëhet si ai, i pabesë.
Por ky është një presupozim i pa bazë sepse vlefshmëria e një supozimi të tillë mund të arsyetohet vetëm nëse rendet sociale kthehen përmbys dhe burri bëhet pronë e gruas. Pasi që kjo nuk është duke ndodhur, i vetmi supozim i arsyeshëm është që edhe gruaja edhe burri, pasi të lirohen nga marrëdhëniet të ngritura mbi struktura të pronësisë, do të fillojnë ta respektojnë njëri tjetrin, do të bëhen qenie të pavarura morale që respektojnë tjetrin përmes respektimit të obligimeve të tyre ndaj njëri tjetrit, obligime që i kanë marrë mbi supet e tyre si qenie të lira.
Fatkeqësia e këtyre raporteve jo të barabarta gjinore në kulturën shqiptare është që ato po përfundojnë në mënyra tragjike për gruan shqiptare. Burri vuan nga plasaritje të tilla në traditë por gruaja është ajo që vuan, rrihet dhe vritet.
Jo, nuk është gruaja problemi i burrit shqiptar. Përkundrazi, problemi i tij është vetja e tij, mosmbesimi i tij në veten e tij, pasiguritë që rezultojnë në xhelozi morbide, si dhe, më e keqja, mosrespektimi i vetes. Për një burrë të pavarur dhe të sigurt në veten e tij, xhelozia është patologjike, siç thotë Lacan-i, sepse edhe po të jetë e vërtetë që gruaja e tij flirton apo e tradhëton atë me të tjerë, fakti që ky bëhet xheloz tregon që ai nuk mund t’i besojë gruas së tij jo për shkak të sjelljeve të saj (që mund të jenë plotësisht korrekte) por për shkak të besimit të tij se ajo është e pabesë.
Ky shkrim është shkruar më 06.09.2017./ KultPlus.com
Lumturia formohet në paradoks. Paradoksi i saj është që nuk mund të bëhesh i lumtur nëse lumturinë e bën qëllim, apo cak për ta arritur.
Një konceptim i tillë tregon për një keqkuptim për lumturinë, sepse përmban një koncept absurd që e lidhë lumturinë vetëm me atë që e bën qëllim të arritjes. Këtu lumturia kuptohet si ndonjë arritje e ndonjë angazhimi personal për t’u bërë i lumtur. Lumturia kuptohet në analogji me profesionet tjera. Për shembull, vetëm ai që edukohet është i edukuar, vetëm ai që studjon të bëhet mjek bëhet mjek, etj. Të tjerët që nuk kanë studiuar mjekësinë nuk bëhen mjekë. Kur punohet për një qëllim të caktuar zakonisht qëllimi arrihet. I lumtur pra mund të bëhet vetëm ai që punon të bëhet i lumtur, ai apo ajo që kërkon lumturinë.
Por ndërkohë edhe ata që kërkojnë atë edhe ata që nuk kërkojnë atë nuk janë të lumtur. Sikur që studenti i mjekësisë nuk është mjek edhe studenti i lumturisë nuk është i lumtur; sa më afër qëllimit aq më i lumtur. Lumturia pra është përherë diku tjetër: ku ne jemi ajo nuk është; ku ajo është ne nuk jemi. Dallimi është që disa do të bëhen të lumtur e disa të tjerë do të vazhdojnë të jetojnë pa lumturi.
E kupton pra që kjo qasje është absurde, sepse lumturia nuk mund të konceptualizohet në analogji me arritjet dhe profesionet tjera. Ajo nuk është as koncept moral: për shembull ne e kemi obligim që vazhdimisht ta përmirësojmë veten, por kjo nuk nënkupton që përmirësimi i vazhdueshëm do të na bëjë njerëz të përkryer; përkryerja nuk është qëllim që duhet të arrihet por është vetëm ide rregulluese. Ne angazhohemi që të bëhemi njerëz më të mirë, por nuk mund të angazhohesh që të bëhemi njerëz më të lumtur.
Nuk ekziston as teknikë, as metodologji, as shkollë dhe as zanat që ta mundëson arritjen e lumturisë, pikërisht sepse lumturia nuk është diçka që mund të arrihet. Askush nuk të jep diplomë për lumturi.
Por edhe nuk kemi të drejtë t’i këshillojmë të tjerët që të bëhen të lumtur, pikërisht sepse një këshillë e tillë ngre spektrin dhe nënkupton konceptimin paraprak absurd të lumturisë. Pra “be happy” është këshilla më idiotike që mund të ta japë apo t’ia japësh dikujt.
Nëse dëshiron ta ndihmosh dikë të bëhet i lumtur duhet ta ndihmosh që ajo të gjejë atë “profesion”, atë zanat, apo atë prirje dhe pasion për jetë që e bën atë të HAPUR ndaj lumturisë.
Lumturia është përherë efekt anësor që vjen si rezultat i angazhimit tonë në aktivitete tjera ku lumturia nuk është qëllim. Lumturia është shpërblim që marrim për atë që jemi, për gjetjen e vetes në një mes të pafundmë të vetjeve tjera.
Gjetja e vetes është proces i gjatë por zakonisht bëhet në punë, në angazhim për të i ndihmuar të tjerëve: kjo ndihmë nuk është vetëm materiale, por edhe shpirtërore: një fjalë e bukur, një buzëqeshje, një puthje a përkëdhelje.
Jo rastësisht shumica e filozofëve kanë bërë lidhje direkte mes lumturisë dhe veprës së mirë, sepse vepra e mirë shkakton një kënaqësi dhe përmbushje që nuk ekziston në mungesë të saj.
Dikush (psikopati) mbase mund të ndjehet i kënaqur edhe kur bën vepra të liga, por është e pamundur të konceptualizohet që lumturia mund të rezultojë duke i bërë të gjithë të tjerët përreth teje më pak të lumtur, apo aspak të lumtur. Prandaj, sidomos për Aristotelin, lumturia nuk mund të ndahet nga morali. Njeriu konsistent i pamoralshëm nuk mund të jetë njeri i lumtur.
Lumturia është shënjuesi që jeta yte ka një kuptim për ty, që ke gjetur një mënyrë për të ekzistuar në botë që të jep kënaqësi dhe të bën të ndjehesh komod në lëkurën tënde.
Pasi që lumturia ka të bëjë me punën dhe mënyrën e jetës tënde, nëse megjithatë nuk je i lumtur atëherë arsyen duhet ta kërkosh jo tek tjetrit por tek vetja: çka je duke bërë që të privon nga lumturia? Të lumtur nuk të bën askush tjetër pos vetes tënde: lumturia varet nga mënyra se si ti ekziston në botë, si i shfrytëzon aftësitë dhe mundësitë tua, dhe sa e ruan ambientin ku ekziston! / KultPlus.com
Histeria është reagimi më normal i subjektit që jeton pa liri dhe që vazhdimisht i nënshtrohet dhunës dhe kërcënimeve për dhunë. Si e tillë histeria është shprehje e një situate të padurueshme dhe e vetmja shprehje emocionale e vërtetë në raste të tilla. Në histeri e gjejmë të vërtetën për situatën e padurueshme të subjektit. Çfarë është befauese prandaj nuk është që subjekti i tillë bëhet histerik por që ai/ajo akoma nuk është bërë histerik. Histeria është shpirti i rrebelimit, tregon që dhuna nuk e ka nënshtruar tërësisht subjektin, që subjekti ka arritur ta ruajë lirinë e saj që e shpreh në formë histerike. Histeria sinjalizon shpirtin rrebelues të subjektit, psherëtimën e të shtypurve, dhe refuzimin e situatës së padrejtë. Histeria është rezistencë.
Kur të shtypurit i merret e drejta e histerisë ajo më ka pushuar së ekzistuari si subjekt lirie, dhe tani vetëm sa i përçon diktatet e sunduesit të saj sikur të ishin të vërteta absolute. Kur subjektit histerik i kërkohet të shprehet me një gjuhë të sjellshme dhe të dialogut, ta respektojë mendimin dhunues (seksist) të bashkëbiseduesit të saj, asaj i kërkohet në fakt që ajo ta pranojë situatën e dhunës si normale, si të domosdoshme, dhe në besim që dhuna është legjitime. Histeria flet pikërisht për një tregim tjetër, atë që dhuna nuk është kurrë legjitime, që ajo është traumatike, që ajo nuk duhet toleruar.
Kërkesa për t’i respektuar të gjitha opinionet, pavarësisht që njëra palë ushtron dhunën dhe tjetra është viktimë e saj është në thelb kërkesë e dhunshme, kërkesë për ta shtypur edhe më tepër subjektin histerik. Në këtë rast, nuk ka barazi të vërtetë, prandaj kërkesa për barazi në mirësjellje, kërkesa për dialog është kërkesë hipokrite, kërkesë për ta mbuluar një situatë të dhunshme që shkakton trauma nga më të ndryshmet. Kërkesa për mirësjellje, në këtë rast i kërkon viktimës që ajo të mos mirret me situatën, me trishtimin që ajo i ka shkaktuar asaj por të ngrihet mbi të dhe të pretendojë që asaj nuk i pengon, nuk i shkakton traumë një situatë e dhunës. Kërkesa për mirësjellje është kërkesë që subjekti i traumatizuar, që subjekti histerik, të krijojë një imazh të rremë të vetes, që të mos i qëndroj besnike vetes por diskursit që ia normalizon dhunën./KultPlus.com
Sead Zimeri është profesor universitar i Filozofisë në Gjermani. Ai ka studiuar në disa shtete jashtë trevave shqiptare si dhe shquhet për angazhimin e tij intelektual për analizimin dhe shpjegimin e problemeve të ndryshme shoqërore në hapësirën shqiptare, sidomos në Kosovë. Në këtë intervistë, Zimeri tregon për librin si mikun më të mirë të njeriut, rëndësinë e librit në formësimin e personalitetit të njeriut dhe kulturën e leximit në vendin tonë, mes të tjerave.
Në cilësinë e
profesorit të Filozofisë dhe të një lexuesi të apasionuar, a mund të na tregosh
se cila është rëndësia e leximit për një individ, për formësimin e karakterit,
për jetën e tij?
Sead Zimeri: Përgjigja ime positive sigurisht është e
pritshme pasi që filozofia, për dallim nga çdo disiplinë tjetër, mbështetet
kryesisht në idetë e të tjerëve të cilat i gjejmë nëpër libra, por tani edhe
nëpër artikuj të revistave akademike. Libri është baza mbi të cilën ngrihet
godina e filozofisë, dhe pa të filozofia as që është e mundur sot. Por ky
vlerësim edhe pse vlen më shumë për filozofinë, vlen edhe për disiplinat tjera
humane që akoma mbështeten në libër. Kjo përgjigje, megjithatë, është për ata
që kanë zgjedhur këto profesione dhe janë të detyruar të lexojnë nëse
dëshirojnë të korrin suksese në këto drejtime. Por leximi nuk është i rëndësishëm
vetëm për filozofët apo letrarët, por është i rëndësishëm për të gjithë ata që
e duan veten, që ia duan të mirën vetes.
Unë besoj në misionin
humanist të librit, se ai (dhe ajo kuptohet) që lexon e kupton që bota nuk
është vetëm ajo në të cilën jemi rritur por që ekzistojnë botëra të ndryshme që
sfidojnë të kuptuarit tonë, që na detyrojnë të hapemi para tyre, të reflektojmë
për mënyrat tjera të jetës, për botëkuptimet tjera. Ta kuptojmë me një fjalë të
ndryshmen. Ndryshimi si i tillë mund të vërehet, aq më tepër sot përmes
internetit që na jep një qasje, një pamje për anët e kundërta të jetës. Sot
menjëherë sa të ndodhë diçka diku tjetër ne e shohim sikur të jemi në vendin e
ngjarjes. Por unë them që kjo ende nuk përbën të kuptuarit e ndryshimit si ndryshim.
Na mungon qasja e tjetrit ndaj vetes, e cila nuk mund të lexohet nga jashtë por
duhet të artikulohet nga brenda, nga ata që kanë qasje të përvojës. Kjo njohje
nuk përfitohet as nga filmat, as nga format tjera të artit, dhe as nga vizitat
e vendeve tjera. Ajo fitohet vetëm përmes leximit të përshkrimeve të
botëkuptimeve të tyre nga autorët irigjinal. Unë rishtas isha në Islandë dhe mu
dha rasti ta lexoj në anglisht veprën e Halldór Laxness, Independent People, për të cilën edhe mori çmimim Nobel. Pasi e
lexova librin kuptova diçka më thellë për përpjekjet, vuajtjet, gëzimet,
kapitalizmin, botëkuptimet e islandezëve sesa nga vizita ime një javore, e cila
megjithatë mbetet sipërfaqësore dhe nuk arrinë ta kuptojë ndryshimin si
ndryshim rrënjësor.
Çka po dua të them me këtë? Dua të them që leximi të bën ta kuptosh përvojën e tjetrit, ta kuptosh që të tjerët jo vetëm që jetojnë në vende tjera por edhe e shohin dhe kuptojnë botën ndryshe. Për më tepër, e kupton që botëkuptimi i tyre ështëpo aq i arsyeshëm dhe i bindshëm sa botëkuptimi yt. E kupton po ashtu që botëkuptimi yt nuk është i përsosur, nuk ështē domosdoshmërisht më i mirë se ai i tjetrit, se ka botëkuptime të ndryshme në botë, dhe se ti je i privilegjuar që ke mundësinë për disa momente të shoqërohesh me mendjet më tē ndritura tē kulturave tjera dhe bashkë me ta të eksplorosh botën e tyre. Është privilegj i madh ta eksplorosh kulturën e Islandës përmes penës së Halldór Laxness-it, apo atë të Egjyptit përmes Nexhib Mahfudhit, apo atë Amerikës Latine përmes Gabriel Garcia Marquez-it, apo t’i eksplorosh skutat e shpirtit përmes novelave të Dostoevskit dhe dhimbjet e gruas së braktisur përmes penës së Elena Ferrante-s, apo paragjykimet e filozofisë përmes Niçe-s. Njeriu që lexon vepra të tilla, e kupton që bota është shumë më e madhe se ajo që e sheh në rrethin e tij, se çdo kulturë është kuptimplote. Por kupton po ashtu edhe gjërat e pērbashkëta që kemi me njëri tjetrin. Një njeri që lexon ai nuk mund të bëhet fanatik, sepse shpirti i është edukuar në një frymë të pluralizmit kulturor që e ka të pamundur të mos e konsiderojë kur jep gjykime për të tjerët. Një njeri i tillë është i pasur sepse ai jeton në shumë botëra, me karaktere që vuajnë dhe dashurojnë, inteligjentē dhe jointeligjentë.
A mendoni se në rrethanat e reja globale të post-industrializmit, të teknologjisë dhe virtualitetit, leximi dhe libri po shënojnë rënie në përdorim?
Sead Zimeri: Po, libri ka pësuar rënie sepse sot bombardohemi me informacione nga më të ndryshmet dhe që fatkeqësisht krijojnë iluzionin tek ne që nuk kemi nevojë të lexojmë sepse i dimë të gjitha. Njeriu që i di të gjitha nuk ka nevojë të lexojë. Por ne mund t’i dimë të gjitha në një nivel sipërfaqësor, sikur që kompjuteri i di të gjitha pasi që i magazinon të gjitha informacionet që i jepen por pa të kuptuarit e tyre këto njohuri mbeten pa peshë, dhe nuk shuajnë kurreshtjen tonë natyrore për ta kuptuar botën ku jetojmë. Informacionet si të tilla janë kaotike dhe çorientuese. Nuk na ndihmojnë ta kuptojmë botën ashtu siç e kërkon kurreshtja jonë.
Ka kohë që ekziston një mjegull e madhe rreth leximit dhe librit. Edhe njerëz të indoktrinuar me ideologji të caktuara lexojnë libra, si të lexohet dhe ç’është libri i keq?
Sead Zimeri: Ka libra të këqij dhe ato janë helmuese. Por, fatkeqësisht, nuk
ekziston kriter që a priori mund të
na ndihmojë të dallojmë libin e keq nga i miri. Fillimisht, në moshë të re
fëmijët kanë nevojë për mbykqyrje që të pajisen me libra të mirë, e pastaj ata
sa të formojnë shijen për libra të mirë vetë do të bëjnë dallimin dhe do të
nuhasin që në faqet e para nëse libri ia vlen apo nuk ia vlen të lexohet. Nuk
është e mundur t’i largohemi tërësisht librit të keq, por një mendje e
disiplinuar përherë lexon në mënyrë kritike. Në fakt, ne duhet t’i mësojmë
fëmijët që në moshë të re të shtrojnë pyetje kritike, – pse kështu e jo ashtu?
– dhe të mos pranojnë asgjë në autoritet. Krejt poenta e leximit, siç e
thash më lartë, është që të na humanizojë duke na vetëdijësuar për pluralizmin
kulturor që ndodh jo sipërfaqësisht përmes internetit por përmes shoqërimit me
mendjet më të ndritura të njerëzimit. Njeriu që lexon dhe kupton mund të bjerë
pre e iluzioneve, mund të mashtrohet, siç ka ndodhë me shumë njerëz, madje edhe
filozofë të medhenj si Heidegger-i për shembull, por këto janë raste të rralla,
përjashtime nga rregulli që leximi na humanizon sepse na hap disa dritare, disa
perspektiva nga të cilat e vlerësojmë veten dhe të tjerët.
Me aq sa keni njohuri, si e shihni dhe vlerësoni kulturën e leximit tek shqiptarët?
Sead Zimeri: Jam i zhgënjyer tepër me ne shqiptarët. E kuptoj që ne nuk kemi pasur përherë mundësitë për të zhvilluar kulturën e leximit, nuk kemi pasur as libra dhe as biblioteka, por sot libra dhe biblioteka kemi gjithandej e megjithatë nuk lexojmë. Është jashtëzakonisht zhgënjyese po ashtu sepse institucionet tona politike pothuajse aspak nuk i kushtojnë rëndësi kulturës. Pa zhvilluar një kulturë të mirëfilltë leximi nuk mundemi as të zhvillojmë kulturë tolerance ndaj tjetrit, e as të hapemi para botës sepse na duhet një minimum kulturor që fitohet përmes leximit për t’i larguar barrierat e ndarjes dhe urrejtjes që kemi për disa popuj. Për mua, në këtë kontekst, simptomatike nuk është qasja jonë ndaj kulturës sërbe por ndaj asaj turke. Por as kjo ndoshta nuk është aq e rëndësishme sa është i rëndësishëm fakti se një popull që nuk lexon edhe nuk kupton nuk mund të prodhojë asgjë me vlerë. Nuk mund të prodhosh vlerë kur nuk i njeh botërat dhe vlerat tjera, kur nuk je shoqëruar me autorët e saj që ta përcjellin botën e tyre. Nëse më lejohet të flas nga përvoja, shpesh më ka ndodhur që jam keqkuptuar në disa shkrime për të vetmen arsye se ne akoma nuk e tolerojmë dot të ndryshmen, sepse nuk e kuptojmë atë. Madje, edhe kritikat që ia bën një kosovar një shqiptari të Maqedonise apo anasjelltas mirren më shumë si formë e poshtërimit sesa si formë konstruktive e kritikës. Dmth, ne aq pak e njohim botën, dhe si rrjedhojë edhe veten, saqë nuk pranojmë as kritikat minimale që na bëhen nga ndonjë perspektivë tjetër sepse ne nuk e kuptojmë perspektivën tjetër. Mungesa e leximit na bën ta shohim botën vetëm si bardh e zi. Sot kemi kohë të lirë dhe kemi mundësi që nuk i kemi pasur më parë prandaj duhet të fillojmë të lexojmë, që të mund të komunikojmë me njëri tjetrin dhe me të tjerët. Pa lexim nuk ka ndryshim.
Duke pasur parasysh se ju keni jetuar në disa shtete perëndimore dhe lindore, a mund të na flisni shkurt për dallimet mes tyre dhe shqiptarëve rreth kulturës së leximit?
Sead Zimeri: E kam vështirë t’i përgjigjem kësaj pyetje pa u keqkuptuar prandaj nuk do të përgjigjem.
Në cilën sferë shoqërore mund ta vreni mungesën e leximit dhe cila është zgjidhja që ju ofroni për ta zhvilluar kulturën e leximit në vendi tonë?
Sead Zimeri: Në çdo sferë shoqërore ka mungesë leximi. Por ndoshta filozofia
qëndron më poshtë se çdo sferë tjetër pasi që ajo edhe ka një konotacion
negativ tek ne si dhe na mungon literatura e duhur filozofike për të lexuar më
shumë filozofi. Zgjidhja për daljen nga kjo krizë duhet të jetë politike dhe
kulturore. Politikisht shteti duhet të investojë më shumë në kulturë, në
sponzorizimin e përkthimit të librave të huaj, si dhe në inkurajimin përmes
shpërblimeve të ndryshme të nxënësve që lexojnë. Prindërit po ashtu duhet t’i
inkurajojnë fëmijët e tyre që të lexojnë sa më shumë dhe t’i shpërblejnë
leximet e tyre me përmbushjen e ndonjë dëshire të veçantë. Po të bëhet leximi
shprehi atëherë më nuk kemi nevojë as për inkurajim dhe as për shpërblime pasi
që vetë leximi bëhet edhe inkurajim edhe shpërblim.
Dhe për fund, duke ju falenderuar për intervistën, a është libri miku më i mirë i njeriut?
Sead Zimeri: Absolutisht. Libri është miku më i mirë që posedon njeriu. Ai të mëson për gjithçka por kurrë nuk të moralizon, kurrë nuk të kritikon dhe qorton. Të shoqëron krejt në premisat tua dhe nuk të hidhërohet kur lodhesh nga ai apo kalon në librin tjetër. Mësimi më i madh që unë kam marrë nga leximi është që nuk duhet moralizuar të tjerët por duhet kuptuar e pastaj duhet zgjatur dorën e solidaritetit sepse jo të gjithë kanë përvojat tona, fatin tonë apo mundësitë tona. Leximi të bën modest sepse të bën ta kuptosh ndryshimin që ekziston mes teje dhe tjetrit pa e gjykuar atë moralisht. Ai që arrinë këtë shkallë të vetëdijësimit është, për mua së paku, njeri i përsosur. / KultPlus.com