Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, i cili vitin e kaluar u bë anëtar i Shoqatës së Kinematekave Europiane (ACE) këtë vit do marrë pjesë në “Season of classic films” (Një sezon i filmave klasik).
Lajmit është bërë i ditur nga vetë Arkivi në faqen zyrtare në Ditën Botërore të Trashëgimisë Audiovizive 2020.
Mes 50 filmave klasikë evropian që do të shfaqen nga Dhjetor 2020 në Qershor 2021, do të jetë edhe versioni i restauruar i filmit shqiptar “Vdekja e Kalit”.
“Season of classic films” është një seri shfaqjesh falas të planifikuara nga dhjetori 2020 deri në qershor 2021 në të gjithë Evropën për të rritur ndërgjegjësimin për punën e arkivave evropiane të filmave kombëtar dhe rajonal, veçanërisht tek të rinjtë. Shumica e filmave janë restaurime të reja dixhitale dhe disa shfaqje përfshijnë elemente emocionuese të tilla si shfaqje të drejtpërdrejta ose muzikë elektronike eksperimentale. Me 22 institucione pjesëmarrëse, nisma synon gjithashtu të mbështesë rihapjen e arkivave evropianë të filmit, të gjithë të prekur nga kriza COVID-19.
Filmi “Vdekja e kalit” është prodhuar në vitin 1992 me regji të Saimir Kumbaro dhe skenar Nexhati Tafa.
Në 1975 një gjeneral i njohur i ushtrisë shqiptare, i cili kishte ngritur fermën e parë të kuajve në Shqipëri, u dënua me vdekje për grushtin e shtetit “puçist”. Pas dënimit të të gjithë të implikuarve në grushtin e shtetit, kalohet në zhdukjen e çdo lloj vepre për të cilën mund të mbajnë meritë “puçistët”. Kjo shënon fillimin e ekzekutimit të kuajve. Bëhet fjalë për kuajt e racës Arba. Agroni (protagonisti) shpëton një kalë dhe për këtë dënohet nga gjyqi ushtarak. Pas kësaj jeta e tij fillon të copëtohet.
E shoqja, nën presionin e prindërve dhe motrës, kërkon divorcin dhe aborton fëmijën që priste. Për pasojë vdes nga një hemorragji, pasi aborti ishte kryer në mënyrë klandestine. Mbas përmbysjes së sistemit, të dënuarit politikë lirohen dhe Agroni, të cilin nuk e pret askush te dera e burgut, kërkon prindërit në shtëpinë ku banonin, por mëson se i kanë internuar menjëherë pas dënimit të tij. Më në fund takon “xhelatin” e tij, që në sistemin e ri ka bërë përsëri karrierë dhe është zgjedhur deputet. Filmi mbyllet me protagonistin “në rrugë të madhe” dhe antagonistin duke ngjitur shkallët. Ky është filmi i parë shqiptar që ve në dukje anët negative të sistemit komunist për shoqërinë shqiptare. Ai përfaqëson një nga pasqyrimet më realiste të përndjekjes politike gjatë Diktaturës së Proletariatit në Shqipëri./ KultPlus.com