Vdiq në moshën 24-vjeçare ylli i kanalit Disney, Sebastian Athie

Është konfirmuar lajmi tragjik i vdekjes së yllit të kanalit Disney, Sebastian Athie, edhe pse ende nuk është bërë i ditur shkaktari i vdekjes së tij.

Aktori ishte vetëm 24-vjeçar, transmeton Koha.

Në një deklaratë për media të lëshuar nga Disney, shkruhej: “Pusho i qetë, Sebas. Arti dhe buzëqeshja jote do të jetojnë përgjithmonë. Na vjen shumë keq për vdekjen e Sebastian Athie dhe do ta kujtojmë atë përgjithmonë falë talentit, shoqërisë, profesionalizmit dhe mbi të gjitha zemrës së tij të madhe. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë fansave të tij.”

Aktori njihej për rolin e tij në serinë televizive hit, “O11CE”, ku e ka portretizuar Lorenzo Guevaran. Seria e shtjellon historinë e një lojtari të futbollit i quajtur Gabo, i cili fiton bursë nga “Instituti Akademik Sportiv” që i përkrahë studentët që merren me sport.

Menjëherë pas lajmit të vdekjes së aktorit, ishin të shumta reagimet nga komuniteti artistik latino-amerikan, të cilët i shfrytëzuan rrjetet sociale për t’i shprehur ngushëllimet. Në mesin e tyre ishin edhe kolegët dhe miqtë e tij nga seria, “O11CE”, Daniel Panitio dhe Santiago Stieben. / KultPlus.com