Filmi kosovar “Kthimi në mal” i regjisores Antoneta Kastrati mbështetet nga Rrjeti Kinematografik i Evropës Juglindore

Në kuadër të edicionit të 63-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Selanik të Greqisë, është mbajtur Asambleja e Përgjithshme e Qendrave të Filmit të Evropës Juglindore, e cila organizohet në baza vjetore.

Asambleja ka mbledhur përfaqësues të kinematografisë nga vendet e Evropës Juglindore, duke përfshirë Shqipërinë, Qipron, Greqinë, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Romaninë dhe Bullgarinë.

“I gëzohemi kohezionit dhe bashkëpunimit të deritashëm, por duam që tash e tutje të reflektojmë në drejtim të zgjerimit të rrjetit dhe diversifikimit të mënyrave të mbështetjes për filmin”, tha ndër të tjera drejtuesi Çitaku, me rastin e pres konferences së përbashket ku u publikuan edhe projektet që fituan mbështetjen e rrjetit këtë vit.

Në mesin e projekteve filmike të cilat do të mbështeten financiarisht nga Rrjeti Kinematografik i Evropës Juglindore, është filmi kosovar “Kthimi në mal” nga regjisorja Antoneta Kastrati.

Ndër të tjera, Rrjeti synon krijimin e një hapësire e cila rritë bashkëpunimin dhe larmishmërinë në prodhimet kinematografike të vendeve të Evropës Juglindore. / KultPlus.com

Kosova pranohet në SEE Cinema Network

Kosova sapo iu bashkëngjit rrjetit më të madh të fondeve të filmit në Ballkan, SEE Cinema Network.

Sot është mbajtur Asambleja e Përgjithshme e South Eastern Europe CINEMA NETWORK, ku tani e tutje përmes Qendrës Kinematografike të Kosovës, edhe Kosovës iu hapën dyert që të jetë pjesë e këtij rrjeti.

SEE Cinema Network e themeluar në vitin 2000, është rrjet i shteteve të Evropës Juglindore që synon zhvillimin e bashkëpunimit mes profesionistëve të filmit dhe shteteve anëtare të saj duke mbështetur zhvillimin e koproduksioneve ndërkombëtare dhe prodhimin e filmave të shkurtër.

Qëllimi kryesor i SEE është promovimi dhe zhvillimi i industrisë filmike kombëtare të secilit vend pjesëmarrës për të forcuar bashkëpunimin dypalësh dhe shumëpalësh me anëtarët e rrjetit.

Drejtori i QKK-së Arben Zharku, i cili ishte i pranishëm në Asamble dhe e mbrojti aplikimin e Kosovës në këtë rrjet u shpreh: “Anëtarësimi në SEE përveç që krijon mundësi të barabarta të projektet filmike kosovare me projektet e rajonit, gjithashtu krijon lidhje të fuqishme mes filmbërësve tanë dhe atyre nga rajoni. Ky anëtarësim shumë i rëndësishëm për kinematografinë tonë është pikënisje e anëtarësimeve me shpresën që Kosova t’i bashkëngjitet fondit evropian më të madh të bashkëprodhimit – Eurimages. Gjithashtu falënderojmë të gjitha vendet e rajonit për përkrahjen dhe krijimin e mundësive të reja për filmbërësit kosovar”.
Me pranimin në SEE, projektet filmike kosovare do të kenë mundësinë të aplikojnë për zhvillim të filmit të metrazhit të gjatë artistik dhe për subvencionim të filmave të metrazhit të shkurtër, ndërsa në të ardhmen pritet që SEE të përkrah edhe projekte filmike të metrazhit të gjatë.

Shtetet anëtare në SEE janë: Greqia, Serbia, Qipro, Rumania, Shqipëria, Maqedonia, Bulgaria, Sllovenia, Kroacia dhe sot bashkë me Kosovën u anëtarësua edhe Mali i Zi./ KultPlus.com