Nga melodia e çiftelisë deri tek krisma e pushkës, jeta e Selman Kadrisë vjen përmes një dokumentari

Suada Qorraj

Në Rrafshin e Dukagjinit, në fshatin që shtrihet në veriperëndimin e Kosovës, Cërcën e Komunës së Istogut, për vite të tëra, brenda odave e kullave është dëgjuar e kënduar kënga për të birin e kësaj toke, trimin që pabesisht e vranë, shkruan KultPlus.

Hej, hej, me gojë hapun ka mbetë Serbia,

Thonë kush asht ai Selman Kadria

Deri sot jo s’e kem njoftë Cerrcën

Sot na e vranë Miliq Kërrstën

Janë pikërisht këto vargjet e para të kësaj kënge, që nën tingujt e çiftelisë shpalosin guximin e veprën e Selman Kadrisë, njeriut që vrau një nga serbët që kreu krimet më mizore ndaj shqiptarëve, Miliç Kërstiqin – i njohur më shumë me mbiemrin Kërrsta.

Për jetën e Selman Kadrisë tashmë ka filluar të realizohet edhe një dokumentar. Është pikërisht gazetari Zekë Sinanaj ai i cili tash e një kohë të gjatë ka filluar të hulumtoj më tepër për të.

Në një intervistë për KultPlus, Sinanaj ka treguar se kur kishte kuptuar se e bija e Selman Kadrisë është ende gjallë, ai e kishte ndjerë të nevojshme që të dokumentonte këtë fakt.

“Unë krejt rastësisht e kam kuptuar që e bija e Selmon Kadrisë është ende gjallë dhe jeton në Istog. Prandaj dhe e ndjeva të nevojshme që të realizoj dokumentarin për jetën e tyre”, ka thënë Sinanaj.

Sinanaj tregon se e bija e Selman Kadrisë nuk e di as sa vite i ka, ngase që nga vrasja që kishte bërë i ati i saj, ata ishin fshirë nga regjistrat.

Tutje ai ka treguar se dokumentari do të përmbajë edhe inskenimin e vrasjes së Miliç Krstës e Selman Kadrisë.

Sipas regjisorit, dokumentari do shfaqet në qershorin e vitit të ardhshëm, kohën kur Selman Kadria është vrarë. Ai synon që premierën krahas transmetimit në RTK ta bëjë edhe në Istog, vendin ku Selman Kadria ka lindur.

Por, kush është Selman Kadria?

Selman Kadri Hasanaj, i njohur ndryshe si Selman Kadria lindi në vitin 1906 në Cërcë të Istogut dhe vdiq në vitin 1938. Babai i Selman Kadrisë quhej Kadri Hasanaj, kurse nëna e tij e kishte emrin Fatime Hasanj, e cila poashtu kishte prejardhjen nga Istogu, fshati Moistir i kësaj komune. Selaman Kadria kishte edhe dy motra, Rroshe dhe Shkurte Hasanaj.

Biri i familjes së njohur Hasanaj nga fshati Cërcë u rrit në një kohë kur kombi shqiptar po kalonte periudhën më të vështirë të historisë së tij, ai u lind dhe u rrit nën frymën e patriotizmit për çlirimin e Shqipërisë dhe të bashkimit të trojeve etnike shqiptare.

Selman Kadria ashtu si çdo kush tjetër që u rrit në atë periudhë, nuk pati ndonjë fëmijëri të veçantë që ta dallonte nga të tjerët. Por, në bazë të atyre pak shkrimeve e dokumentarëve që janë bërë për të, thuhet se Selman Kadria, si fëmijë ishte i zgjuar e i shkathët, por edhe guximtar. Ai shquhej edhe për zërin e tij melodik, që kur u rrit i mundësoj atij që të bëhej rapsod i odës së burrave, e që së bashku me lahutën e çiftelinë e tij, do të këndonte këngë të së kaluarës të kombit shqiptar, të bëmave, por edhe heronjve.

Selman Kadria pati fatin të vijoj mësimet në një shkollë të hapur në Istog nga austro-hungarezët. Aty ai mësoj shkrimin e leximin, e po në atë vend ai morri hapat e parë të rrugës së tij atdhetare. Ai u formësua edhe në oda, prej ku mësoj për heroizmin e Skënderbeut, pikërisht në oda ai u njoftua për luftërat që tashmë po bënin Azem Galica, Beqir Rexha, Ram Alija e shumë të tjerë. Por, edhe për masakrat e dëbimet që po i shkaktonte xhandarmëria serbe.

Thuhet se në periudhën e reformës agrare të vitit 1919, familjes së Selman Kadrisë ju kishte konfiskuar e gjithë pasurinë, duke e kaluar në pronësi të vojvodës së Istogut, Miliç Kërsta. Prandaj edhe Selman Kadria kur u rrit, ishte i detyruar që të punonte në punën e rrogëtarit.

Gjatë gjithë kësaj kohe ai ishte dëshmitar i terrorit që i bëhej popullit shqiptar, banorëve të Istogut, e fshatit ku ai ishte rritur, nga banda e Vojvodës së Istogut, Miliç Kërstiq.

Selmna Kadria jetoj në kohën kur në Istogun e fëmijërisë së tij terrori ishte bërë i pashmangshëm, ai tashmë kishte njohuri për masakrën e Rakoshit, ku Miliç Kërstiq së bashku me çetën e tij kishte prerë e kishte vrarë meshkujt e asaj ane, masakrën e Bollopojës së Ulët ku ishin vrarë 12 fëmijë të moshës gjashtë e dymbëdhjetë vjeçare. Selman Kadria jetoi në kohën kur Miliç Kërstiq kishte djegur për së gjalli 9 fshatarë të Uçës, të ngujuar në kullën e Burimit të poshtë, kjo si shenjë hakmarrjeje për bariun e vrarë të Kerstiqëve. Miliç Kërrsta kishte vrarë edhe të atin e Selman Kadrisë, kur ky i fundit ishte vetëm 7 vjeç.

“Po k’saj radhe o pushka e Selmanit dridhi eshtnat o të Car Dushanit”

Selman Kadria së bashku me dy shokët e tij, Brahim Ukë Kabashin nga Gurrakoci dhe Ali Kabashin nga Tomoci, që të tre rapsod odash dhe shokë të mirë, lidhin besën për të vrarë tre xhandarët më të njohur të rrethit të Istogut, Ars Peroviçin, Arseni Qyrkun edhe Miliç Kërrsten.

Ndonëse thuhet e shorti kishte rënë ndryshe, pra Brahim Uka të vriste Miliç Kërrstën e Selman Kadria, Ars Petroviçin, Selmani i kishte kërkuar Brahimit që t’i ndërrojnë “viktimat”, sepse Selman Kadria kishte kohë që e kishte planifikuar vrasjen e Miliç Kërrstës. Madje ai ishte afruar aq shumë më të duke u bërë kështu një njeri i besueshëm, e kumbara i Miliç Kërrstës.

Meqenëse Selman Kadria punonte si punëtor me mëditje tek vrasësi i familjes së tij, Miliç Kërrsta, e kishte më të lehtë që të jetësonte planin e tij. Pikërisht një ditë pas marrëveshjes me shokët e tij, në muajin qershor të vitit 1938, Selman Kadria shkon së bashku me Miliç Kërrstën për të peshkuar në lumin e fshatit.

Si njeriun e tij të besuar, Miliç Kërrsta ia lë në dorë, armen e tij Selman Kadris, derisa ai po bëhej gati që të peshkonte. Selmani e sheh si një mundësi të volitshme dhe e di se nuk do të mund të ketë një shans tjetër. Me pushkën e Miliç Kërrstë në dorë, ai i drejtohet dhe i thotë:

O Miliç Kërrsta! Si m’besove kaq shumë, kur e din se ma ke vra të gjithë familjen!?

Thuhet se i befasuar nga akti i tij, Miliç Kërrsta i kishte thënë Selman Kadrisë që t’mos luaj me armë.

Selman, mos luaj me pushkë, se nuk luhet me armë!

Por, Selman Kadria ashtu i vendosur siç ishte nuk u tremb e as nuk u zmbraps nga fjalët e Miliç Kërrstës.

Jo nuk po luaj, por po të vras.

Përfundon kështu dialogu i tyre, por dhe jeta e vojvodës së Istogut Miliç Kërrsta. Selman Kadria kufomën e tij e mbulon me gjethe e me rrema, ndërsa ai vet ikë në Çarrishtën e Januzajve.

Përplot dy ditë e kërkuan Miliç Kërstën për ta  gjetur në vendin ku Selman Kadria e kishte varrosur. Duke e ditur se personi i fundit me të cilin e kishin parë Miliç Kërrstën ishte Selman Kadria. Për kapjen e Selman Kadrisë shteti mobilizoi gjithë mekanizmat e mundshme, ushtrinë, xhandarmërinë, vullnetarët si dhe dhunshëm, mbarë fshatarët e fshatrave të Podgurit.

Madje për vrasjen që kishte bërë Selman Kadria kishte dëgjuar edhe mbreti Zog, dhe duke pasur parasysh mizoritë e Kërrstës kundër shqiptarëve, kishte ofruar të holla për atë që e shpëton dhe e dërgon në Tiranë, Selman Kadrinë.

Selman Kadria nga pamundësia për të dalë jashtë kufirit, për ditë të tëra kishte qëndruar i fshehur në male dhe i pangrënë. Thuhet se përmes një djaloshi, bari dhish, Selman Kadria i kishte dërguar të fala dajës Ramë Vuthaj (daja i babës së Selmanit), nga i cili kërkon për t’i sjellë bukë te vendi i quajtur Kroni i Keq.

Rama fillimisht shkon në Istog, te kryetari i komunës Rale Vuliq, ku tregon për vendndodhjen e Selman Kadrisë dhe premton që do ta vërë në kurthe këtë të fundit. Në takimin e tyre te Kroi i Keq Rama i tregon Selmanin për bastisjet, rrahjet, maltretimet dhe burgosjet që pushteti serbosllav kishte ndërmarrë mbi fshatarë për ta gjetur apo hetuar vendstrehimin e Selmanit. Ai i thotë Selmanit se mënyra e vetme për të shpëtuar është rruga për në Tutinë, pas bjeshke, e pas disa kohësh të dalë në Shqipëri.

Ashtu siç ishin marrë vesh, të nesërmen u takuan në vendin e caktuar. Daja Ramë me vete kishte marrë kalin, rroba grash dhe një sëpate që gjoja pas kthimit të pres dru. Selmani me kërkesën e dajës së tij vishet me rroba grash dhe detyrohet që të fsheh pushkën e tij në një vend që të mos rrezikohet gjatë udhëtimit.

Me pritat që tashmë xhandarmëria serbe i kishte bërë gati dhe sjelljen e dyshimtë të dajës Ramë e fusin në mendime Selman Kadrinë, i cili më pas heq rrobat që i kishte veshur dhe i thotë dajës se do shkoj ta marrë pushkën.

Gjatë përpjekjeve të tij për të zbritur nga kali, Selman Kadrisë i ngatërrohet njëra këmbë në zëngji dhe daja Ramë e godet atë me sëpate në shpinë. Ndonëse me plagë në trup, Selman Kadria niset për të marrë pushkën, e pas tij me të njëjtin qëllim edhe Daja Ramë.

Me të arritur te pushka, me anë të fishekëve të zbrazur në erë, daja lajmëron vendndodhjen e tyre. Selmani për të mos rënë në duar të serbëve, niset për t’i dhënë fund jetës sipër Majës së Gollakut, por që nuk arrin dot. Xhandarmëria serbe kishte arritur që të kap Selmanin e alivanosur dhe ta dërgoj atë në oborrin e kishës, në qendër të Istogut, ku e torturuan deri sa ky i fundit vdiq.

Pas një kohe, dy të rijnë të moshës 14 dhe 16 vjeç e nxjerrin gjakun e Selman Kadrisë duke e vrarë Ramë Vuthin. Djemtë që e vranë dajën Ramë, ishin djemtë e axhës së Selman Kadrisë.

Madje thuhet se Bardhi, 14 vjeçar kishte shtënë i pari mbi Ramë Vuthin dhe i kishe thënë këto fjalë: O Ramë Tekerrlaçi, ku i ki armët që ti kanë dhanë për Selmanin?, e menjëherë pas tij edhe djali tjetër ku dhe e kishin vrarë.

Si ishte jeta pas kësaj trimërie?

Selman Kadrisë sot i pushojnë eshtrat në varrezat e reja të fshatit Cërcë. Varri është i punuar me gur mermeri dhe është ngritur në vitin 1941, në kohën e Shqipërisë, u punuar me fjalë guri dhe shkronja të mëdha shtypi, në varrin e Selman Kadrisë sot gjendet ky epitaf:

Ju shtegtarë që kaloni,

Pranë këtij trimi ndaloni,

Veprën mos t’ia harroni

Bijëve tuaj tua kujtoni

Selman Kadrija la pas vetes gruan, Zojën dhe tre fëmijët, djalin Jasharin, dhe dy vajzat Rroshen dhe Shkurtën. Kjo e fundit, e bija e Selman Kadrisë, është ende gjallë dhe jeton në Istog, në fshatin Uqë, familjen Kajtazaj, aty ku tash e sa vite është e martuar.

KultPlus ka arritur që të kontaktoj me nipin e Selman Kadrisë, djalin e Jasharit, Agron Hasanaj. Ai ka rrëfyer jetën e babit të tij pas vdekjes së Selman Kadrisë. Sipas tij jeta e babit të tij nuk ishte e lehtë, ngase Selman Kadria para se të kryente vrasjen, me qëllim që të mbronte familjen i kishte dërguar ata në Vrellë të Istogut.

Hasanaj tregon se gjyshja e tij, gruaja e Selman Kadrisë, një vit pas vdekjes së burrit të saj është martuar në një familje tjetër, e kësisoj edhe babi i tij me të motrat u rritë në po atë familje. Madje për babain e Agronit ishte e vështirë edhe të gjente punë.

“Një hoxhe nga Vrella i quajtur Mulla Musa e ka ndihmuar babin tim që të shkojë në shkollë, dhe kësisoj ai ka përfunduar normalen për tu bërë mësues. Ka punuar si mësues në fshatin Dush, por më pas e kanë larguar nga puna duke i thënë se djali i Selman Kadrisë nuk bënë që të punojë në këtë shkollë. Pastaj babai kthehet në Vrellë dhe punon një kohë si korril e më pas në një shitore në Vrellë”, ka thënë Agron Hasanaj.

Selman Kadria është nderuar me urdhrin ‘Heroi i Kosovës’ nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi në vitin 2019 për veprimtarinë e tij kundrejt çështjes shqiptare dhe kryengritjes kundër pushtimit Serb. Urdhri “Hero i Kosovës” është dekoratë shtetërore e Kosovës që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës të kohëve moderne nga Lidhja e Prizrenit e këndej, si dhe qytetarëve të Kosovës që kanë bërë vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës ky urdhër përmban portretin e Skënderbeut./ KultPlus.com