Presidentja Osmani në takimin me senatorin amerikan Jack Reed: ShBA-të nuk kanë aleate dhe mike më të madhe në rajon se sa Republikën e Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim senatorin Jack Reed, kryesues i Komisionit të Forcave të Armatosura në Senatin e SHBA-ve.

Sipas Presidentes Osmani, Kosova është një histori suksesi e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikë në rrugën e lirisë dhe shtetndërtimit.

“ShBA-të nuk kanë aleate dhe mike më të madhe në rajon se sa Republikën e Kosovës, e cila e ka popullin më proamerikan në Evropë dhe në botë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Më tej, Presidentja Osmani ka falënderuar senatorin Jack Reed për mbështetjen e ShBA-ve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), respektivisht përfshirjen e Kosovës në Asistencën e Trajnimit Ushtarak të SHBA-së me Ligjin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2024.

Presidentja Osmani në takim me delegacionin e Kongresit Amerikan ka potencuar se synimi i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO, sikurse edhe në Këshillin e Evropës dhe në BE.

”Kosova synon për anëtarësim në NATO dhe përfshirje në Partneritet për Paqe (PfP), ndaj është e rëndësishme edhe e domosdoshme mbështetja e SHBA-së në përshpejtimin e këtij procesi. Shpresa jonë është që Kosova të jetë sa më parë në PfP si hap që i paraprinë anëtarësimit në NATO”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Ndërkaq në raport me zhvillimet politike dhe të sigurisë, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka bërë hapa për shtensionimin e situatës në veriun e vendit, porse ka vërë në dukje veprimet destabilizuese të Serbisë dhe bashkëpunimin e saj me Rusinë.

Ajo, poashtu ka theksuar se Kosova është shtet multietnik, Kushtetuta e së cilës garanton nivel të lartë të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të gjitha komuniteteve. Sipas Presidentes Osmani këto të drejta dhe liri, janë thelbi i vlerave të shoqërisë së Kosovës dhe si të tilla duhet të mbeten të paprekura./KultPlus.com

Prishtina bëhet me bustin e senatorit Bob Dole

Sot me rastin e 30 vjetorit të vizitës së delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga Bob Dole në Kosovë në vitin 1990, ky i fundit u nderua me një bust, shkruan KultPlus.

Busti është vendosur në Lagjen Dardania në Prishtinë, pikërisht në rrugën që mban edhe emrin e senatorit Dole.

Përmes një video-mesazhi, senatori Dole ka shprehur mirënjohje për inaugurimin e bustit në Prishtinë.

“Më vjen keq që nuk mund të jem me ju në inaugurimin e bustit, më kujton kohën para 30 vjetëve. Tridhjetë vite kemi punuar për të krijuar një shtet të fortë dhe shpresoj se do të vazhdoni të punoni për t’u bërë edhe më të fortë”, tha Dole.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se është nder i veçantë zbuli i bustit të një personi siç është senatori Bob Dole.
“Senatori Dole është i pari që ka vizituar Prishtinën dhe presidentin Ibrahim Rugova në kohët më të vështira”, u shpreh tutje Hoti.

Ndërtimi i bustit të senatorit Bob Dole u bë nga artisti i njohur Luan Mulliqi, ndërkaq projekti u financua nga Oda Amerikane në Prishtinë. / KultPlus.com