Andrew Testa është një fotograf anglez që ka kapur momentet më të vështira të shqiptarëve të Kosovës, gjatë kohës së luftës në fund të viteve të 90-ta, shkruan KultPlus.
Historia dhe përjetimet e këtij vendi, e kanë përcjellur për shumë vite këtë fotograf, i cili që nga ajo kohë është kthyer shpesh herë për ta vizituar Kosovën.
Thuhet se “Një fotografi vlen sa një mijë fjalë” dhe ky fotograf ka përdorur imazhet e fotografive për të treguar historinë e njerëzve të këtij vendi, në përudhen më të vështirë. Ai ka kapur disa momente të refugjatëve kosovar që në fund të muajit mars ishin nisur për në Maqedoni. KultPlus ju sjellë një fotografi të asaj kohe.
Kjo fotografi më shumë se gjithçka tjetër tregon fatin e fëmijëve në luftë, që mbi vete marrin përgjegjësitë dhe dhimbjen që në rrethana normale do duhej të mbahej larg syve të tyre. Në rrethanat e asaj kohë, ata bëhen personazh i fatit të dhimbshëm. Kjo fotografi paraqet një vajzë të vogël e cila shihet e ulur shumë pranë nenës së saj dhe përpiqet që ta ngushëlloj atë. Lidhur me këtë fotografi, autori Testa kishte shkruar se fotoja është shkrepur atëherë kur refugjatët janë ndalur për të pushuar pas kalimit në Maqedoni përmes rrugës hekurudhore. Fotografia është shkrepur më 31 mars të vitit 1999.
“Ushtarët serbë i kishin detyruar ata të largoheshin nga treni dhe kishin konfiskuar pasaportat e burrave dhe kartat e identitetit. Një vajzë e re përpiqet të ngushëllojë nënën e saj”, shkruhet në përshkrimin e fotografit./ KultPlus.com
Forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, kishin bërë përpjekje të ndryshme për të fshehur krimin kundër popullatës civile.
Tentim për të fshehur krimin ata kishin bërë edhe në Krushën e Vogël të Rahovecit, kur trupat e vrarë dhe të masakruar i kishin hedhur në lumin Drin i Bardhë.
Për këtë në qershor të vitit 1999, ashtu siç tregojnë edhe pamjet e asaj kohe, gazetari anglez John Sweeney, që ka raportuar nga Kosova, në atë kohë kishte hyrë në lum për të kërkuar trupat e shqiptarëve të vrarë që ishin hedhur aty.
Pas më shumë se 20 viteve nga kjo ngjarje, Sweeney kishte dëshmuar në rastin gjyqësor kundër Darko Tasiqit i cili është dënuar për krime lufte kundër bashkëfshatarëve të tij në Krushë të Vogël. / Gazeta Express / KultPlus.com
Pikërisht më 22 janar 1998 në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municioneve të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar kah Kulla e Jasharëve, për të sulmuar ata.
Atë natë të trishtë Adem Jashari nuk ishte në shtëpi, por rezistencë sulmit i bënë Hamza dhe Shabani, bashkë me anëtarët e tjerë.
Sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars të vitit 1998 ku pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin.
Me këtë rast Komuna e Skenderajt së bashku me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, do të bëjnë̈ homazhe në shenjë nderimi për heroizmin e jashtëzakonshëm të familjes Jashari. (Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, ora, 10:00. / KultPlus.com
Akademia e Shkencave të Serbisë- SANU, ka nxjerr së fundmi në botim një libër të titulluar “Gjenocidi shqiptar kundër serbëve në shekullin 20”, e përkthyer në disa gjuhë të botës.
Për këtë libër thuhet se janë dhënë 100 mijë euro nga shteti serb.
Profesori Safet Hasani këtë e ka konsideruar si çmendurinë e radhës të popullit serb që sipas tij ata shesin më shumë gënjeshtra se sa të vërteta.
“Çmenduria serbe s’ka të ndalur! Akademia e Shkencave të Serbisë SANU, e cila është një grumbull të çmendurish, së fundmi kanë nxjerrë në botim një libër me plot gënjeshtra, të titulluar “Gjenocidi shqiptar kundër serbëve në shekullin 20”, e përkthyer në disa gjuhë të botës. Për këtë libër janë dhënë 100 mijë euro nga shteti serb, sepse serbët dhe nga serbët më shumë shiten gënjeshtrat sesa e vërteta. Të gjitha krimet që i kryen vetë serbët mbi popujt në ish-Jugosllavi si, kroat, boshnjak e shqiptarë, ua mveshën shqiptarëve që kryen kundër serbëve! Çmenduri! Kriminelët serb paraqiten si viktimë dhe tentojnë t’ua mveshin krimet e veta që vetë i kanë kryer, viktimave”, shkruan Hyseni.
Tutje profesori akuzon popullin e Kosovës dhe institucionet që nuk po ndërhyjnë në këto raste.
“Për këtë edhe ne vetë jemi fajtor, sepse përveç që nuk ndërhyjmë në këto raste (në mënyrë institucionale), shpesh herë edhe jemi penguar të shkruajmë për krimet serbe në Kosovë. E nganjëherë edhe jemi penguar, si nga institucionet vendore ashtu edhe ato ndërkombëtare.” / KultPlus.com
Gjatë pjesës më të madhe të kryengritjes së Isa Boletinit, unë isha në Shqipëri.
E gjithë Shqipëria e Veriut u revoltua disa herë, me synimin për të fituar autonominë dhe mbi të gjitha, për të përcaktuar kufijtë, sepse ekzistonte frikë e madhe për ndonjë agresion serb.
Ishte në fakt revolta e Shqipërisë së Veriut ajo që u dha mundësi Turqve të rinj të rrëzonin regjimin e vjetër.
Më pas, Turqit e rinj e djallosën situatën dhe i armiqësuan keqazi shqiptarët, duke dashur t’i osmanizojnë me forcë.
Isa Boletini ishte një lider shumë i aftë, i admiruar dhe i dashur shumë. Ai e deklaroi qartë se po luftonte kundër turqve për autonomi dhe kundër askujt tjetër. Ai e mbrojti pakicën serbe në vilajetin e Kosovës.
Kur oficerët serbë morën kontaktet e para me të, në Shqipëri pati gëzim shumë të madh. Njerëzit më thoshin: Tani serbët janë miqtë tanë.
Tash e tutje nuk ka përse të frikësohemi prej tyre. Një oficer serb jeton me Isa Boletinin. Ata janë betuar për miqësi me ne.
Djali i Isës, na u tha, shoqërohej me oficerë serbë. Së bashku, shqiptarët dhe serbët do të dëbojnë turqit.
Kur të fitohej autonomia, pakica serbe në Kosovë do të trajtohej mirë dhe të gjitha do të shkonin mirë. Kjo ëndërr e artë u trondit mizorisht.
Por do të kalonte ca kohë para se shqiptarët të kuptonin se sa mizorisht ishin mashtruar dhe ishin bërë vegla në duart e tjerëve.
Serbët e lanë Isa Boletinin t’i mposhtëte turqit dhe të spastronte të gjitha zonat afër kufirit me serbët.
Por, sapo erdhi puna për kufijtë dhe për përmasat e autonomisë që ata do të merrnin nga turqit, serbët dhe popujt e tjerë të Ballkanit u shpallën shqiptarëve luftë për të mos lejuar realizimin e këtij plani.
Shqiptarët që kishin luftuar turqit dhe ua kishin lehtësuar rrugën aleatëve të Ballkanit, u sulmuan nga ushtritë serbo-malazeze në mënyrën më brutale.
Meqenëse e kishin harxhuar municionin për rebelimin e fundit, pjesa më e madhe e shqiptarëve ishin praktikisht të paarmatosur dhe u masakruan pa mëshirë nga ushtritë pushtuese.
Apisi dhe miqtë e tij që ishin hequr si miq të shqiptarëve, tani, nuk kursyen as burrë, as grua, as fëmijë. Se sa u masakruan në vilajetin e Kosovës, kjo nuk do të mësohet kurrë.
Disa oficerë serbë u mburrën në tryezën e darkës në Podgoricë, në praninë time, për mënyrën sesi i kishin shpuar me bajonetë gratë dhe fëmijët e Lumës.
Hetimet e mëvonshme nga ana ime, treguan se kjo ishte e vërtetë. Lajme të tmerrshme për mizoritë e kryera erdhën përmes muslimanëve.
Duke tradhtuar kështu shqiptarët, serbët fituan tërë vilajetin, përveç një pjese që i ishte dhënë Malit të Zi.
Gjatë Luftës së Madhe, kur gjërat po shkonin keq me serbët dhe malazezët, Isa Boletini i cili me familjen e tij ishte lejuar të jetonte në Podgoricë në Mal të Zi, u masakrua së bashku me shumicën e burrave të familjes së tij, me sa duket për të siguruar se ai nuk do të udhëhiqte përsëri një kryengritje në Kosovë.
Ata u mbrojtën për shumë orë, nën një urë, derisa një mitraloz u kthye mbi ta. Pas luftës, shqiptarët u përpoqën shumë që të lejohej të mbanin të paktën një pjesë të Kosovës.
Pjesa më e madhe e saj ishte shqiptare e pastër si popullatë.
Por përsëri, ajo iu dha serbëve. Evropa, në çdo rast në fakt u ka treguar serbëve se rruga drejt suksesit është ajo e tradhtisë … / KultPlus.com
Në kohën e luftës në Kosovë, çetnikët serbë me në krye kryekriminelin Sllobodan Millosheviq e kishin detyruar një të moshuar shqiptar që të flas keq për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë një interviste të realizuar me dhunë, serbët e udhëzojnë shqiptarin që të shprehet se UÇK-ja në Reçak është në fakt ajo që po kryen krime.
“Çfarë po bëjnë ata, UÇK në fshat, fol”, dëgjohen ushtarët serbë ndërsa e udhëzojnë të moshuarin shqiptar të flasë në gjuhën serbe.
Pamja e dhimbshme e plakut fisnik shqiptar i cili refuzon të flas keq për UÇK-në dhe shqiptarët do të mbetet pa dyshim një imazhet më të tmerrshme të asaj që regjimi gjenocidal i Millosheviqit bëri në Kosovë.
Por, megjithatë ky nuk është rasti i vetëm. Pasi kemi parë dhe dëgjuar se raste të tilla të detyruar nga kriminelët serbë kemi me qindra. / KultPlus.com
Në 22-vjetori e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur seancë të veçantë.
Por ministrat e komunitetit serbë nuk i janë përgjigjur ftesës për të qenë pjesë e kësaj seance.
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq, dhe ministri për Zhvillim Rajonal, Ivan Millojeviq, nuk janë duke marrë pjesë në kujtimin e Epopesë së UÇK-së.
Po ashtu, as deputetët serbë nuk janë parë në këtë seancë.
Ndryshe, kryeministri Albin Kurti në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të 22-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, ka thënë se rënia heroike e kryekomandantit Adem Jashari dhe familjes së tij është pikë kthese në historinë e Kosovës.
“Rënia e tyre shpërfaqi fytyrën e vërtetë të shtetit serb si asnjëherë më parë”, tha Kurti.
Ai më tej tha se pa luftën dhe qëndresën e Jasharëve nuk do të kishte UÇK.
Kurti tha se për Jasharët flijimi i tyre nuk ishte diçka e jashtëzakonshme, dhe se me Jasharët çuditen vetëm ata që nuk e dinë historinë e tyre.
Ndërkaq, kryeparlamentarja Vjosa Osmani para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, tha se sot po përkujtohet vepra heroike e komandantit legjendar Adem Jashari si dhe sakrifica sublime e familjes Jashari dhe ndikimi që pati ajo, që bota të shihte se një popull i tërë ishte në rrezik nga agresioni serb.
Ajo tha se komandat Adem Jashari edhe atëherë kur iu rreziku familja e jeta e tij, asnjëherë të vetme nuk e mendonte dorëzimin, kjo madje nuk ndodhi as edhe me 5 mars të vitit 1998 ku për më shumë se 30 orë familja Jashari po përballej me sulmet e vazhdueshme të policisë e ushtrisë serbe.
“Heroizmi dhe sakrifica e kësaj familje ja shpalosi pamjet e regjimit totalitar serb. Pamjet e fëmijëve, të grave dhe pleqve u shndërruar shpejt në thirrje globale për mbrojtjen e vlerave humane. Ngjarjet e 5-6-7 marsit i dhanë vulën solidaritet mes njerëzve”, tha Osmani.
Kryetarja e Kuvendit tha se kjo seancë dhe ky tubim duhet të shërbejë jo vetëm për të kujtuar familjen Jashari, por edhe për të ripërtëritur kujtesën tonë.
“Sot jemi mbledhur jo vetëm për t’i kujtuar ata, por për ta ripërtëri kujtesën tonë. Secili shqiptar ishte i gatshëm të sakrifikonte, secili ishte Blerina e vogël, secili ishte zëri kumbues i 18 grave, i 10 fëmijëve të cilëve ëndrra iu pre pa iu nisur mirë. Sakrifica e tyre i dha udhë ëndrrës tonë të madhe, për liri të vendit”, tha ajo.
Osmani përmendi një nga një të gjithë anëtarët e familjes Jashari, duke thënë se ata nuk janë thjesht një numër secili është histori në vete.
“Historia e secilit prej tyre është historia e Kosovës. Ata janë dëshmi se sa e shtrenjtë është jeta dhe se sa ishte çmimi për liri. Ata mbrojtën pragun e shtëpisë sonë të përbashkët”, theksoi Osmani. / KultPlus.com
Serbët po vazhdojnë të nxisin urrejtje kundër kosovarëve, kudo që ata janë.
Me rastin e 19 vjetorit të sulmeve ajrore të NATO-s, qytetarë serbë dje kishin dalë në Vjenë të Austrisë duke protestuar kundër Kosovës, raporton Indeksonline.
Me pankarta ku shkruhet “Kosova është zemra e Serbisë” dhe “Kosova e Metohija është Serbi”, ata po protestonin kundër sulmeve që NATO-ja i bëri caqeve serbe më 24 mars të vitit 1999.
Kujtojmë se sulmet ajrore ndaj forcave serbe dhe malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kurse më 11 qershor të 1999-ës, ata u detyruan të largohen nga Kosova.
Sulmet e NATO-s kishin nisur me urdhrin e presidentit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, i cili tashmë njihet si miku më i mirë i Kosovës./ KultPlus.com
Dymbëdhjetë vjet pas vdekjes së tij derisa po gjykohej për krime lufte, Sllobodan Millosheviq, udhëheqësi i fuqishëm i dikurshëm serb, ndau sërish audiencën e tij, ndërsa kësaj radhe si karakter në një mjuzikël që debutoi të martën.
“Ngritja – Tregimi i Sllobodanit”, e shkruar nga shkrimtarja nga Beogradi Jellena Bogavac, përqendrohet më shumë në marrëdhënien personale të Millosheviqit me bashkëshorten e tij të fuqishme, Mirjana, të bijën e tij Marija dhe të birin Marko sesa në politikat që e bënë atë të ulët, raporton Reuters.
Millosheviqi nisi një valë nacionalizimi për t’u ngritur në pushtet fuqishëm në Beograd më 1989 derisa komunizmi po rrënohej gjithandej Evropës lindore. Ai më pas e çoi Serbinë në një dekadë luftërash në Bosnje, Kroaci e Kosovë. I cilësuar nga nacionalistët serbë si kampion i tyre kundër kroatëve katolikë dhe myslimanëve boshnjakë e shqiptarë të Kosovës, Millosheviqi u pa si diktator brutal nga Perëndimi.
Rreth 200 serbë të Kosovës morën pjesë në shfaqjen në një teatër në Graçanicë. Ata ndanë emocione të përziera për të.
“Nuk ka gjë në të, është thjeshtë një manipulim i madh… një teatër politik që vërtetë na mashtroi”, thotë Zhivojin Rakoçeviq, ish-gazetar nga Graçanica, transmeton Koha.net.
Në një skenë, Millosheviqi ngushëllon të bijën e tij për shkak të gjendjes së rëndë financiare në radio-stacionin e saj. Në një tjetër ai i thotë Markos të mos e tej-ngroh ujin në pishinën e tyre familjare.
Millosheviqi humbi pushtetin pas fushatës bombarduese të NATO-s më 1999 dhe pas trazirave të mëdha tetorin e vitit 2000.
Shfaqja përfundon me gjykimin e tij në Hagë për krime lufte, ku edhe pësoi sulm në zemër më 2006.
“Jam e kënaqur… qëllimi i tërë shfaqjes është në një fjali, kur një i ri thotë ‘Slloba (Millosheviqi) nuk më ka bërë për vete’”, thotë Viktorija Zhivkoviq, që punon në një shkollë lokale.
“Deshëm të tregojmë përmes personaliteteve të tyre çfarë ka ndodhur në Kosovë… dhe në Serbi në të ’90-at”, thotë aktorja nga Beogradi, Tamara Tomanoviq.
Paralajmërimet për shfaqjen kishin nxitur edhe thirrje që ajo të mos lejohet në Kosovë, meqë, siç thuhej, “ringjallja e Millosheviqit” provokon familjet e viktimave të luftës.
Nenad Todoroviq, regjisori i shfaqjes, tha për Zërin e Amerikës se me gjithë paralajmërimet për rrezikun, shfaqja shkoi shumë mirë.
“Unë jam i mahnitur nga pritja e audiencës, pasi tensioni para shfaqjes ishte i madh dhe unë kam pritur ose do të na mbrojë KFOR-i ose do të mbrojnë ekipi i të dashuruarve në Sllobodan Millosheviqin. Falë Zotit gjithçka ka mbaruar siç duhet, dhe për herë të parë pas premierës dhe pas 20 vjetësh pune i them faleminderit Zotit, ishte e mrekullueshme dhe nuk jemi gjuajtur me vezë apo domate”, tha regjisori Todoroviq.
Në shfaqje nuk mori pjesë asnjë udhëheqës i komunitetit serb dhe duke shprehur zhgënjimin me këtë, regjisori Todoroviq tha se Ballkani ende përballet me politika nacionaliste.
“Dëshmia se kolegët tuaj në media dhe politikanët kryesorë që udhëheqin edhe njëherë treguan se sa frikacakë janë dhe se si janë arratisur nga arti. Arti fitoi politikën e mjerueshme nacionaliste që sonte priste që të na qëllonin sepse po luajmë një pjesë të historisë dhe një të personi gjatë viteve të nëntë dhjeta në Ballkan”, tha regjisori Todoroviq.
Ai sjellë një të vërtetë që nuk gjendet në libra ose në literaturë. Një trilogji që tregon për historinë njëmijëvjeçare mes serbëve dhe shqiptarëve. Është libri “Serbët dhe Shqiptarët ndër shekuj”, që vjen nëpërmjet tri vëllimeve të autorit Petrit Imami, shkruan KultPlus.
Sarandë Selimi
Qysh para tri dekadash Petrit Imami do të niste një hulumtim që ta sjellë një të vërtetë të “përgjakshme”, mes këtyre popujve. Ai në dy vëllimet e para sjellë të vërtetat mbi krimet e kryera nga serbët ndaj shqiptarëve dhe anasjelltas ndërsa në vëllimin e tretë sjellë bashkëpunimet që këta dy popuj kanë pasur mes vete.
Nën organizimin e Festivalit “Mirëdita, dobar dan!” dhe Shtëpisë Botuese Samizdat B92, sot në Prishtinë u promovuar kjo trilogji “Serbët dhe Shqiptarët ndër shekuj”. Me panelistët si: Aleksandar Pavloviç (Instituti për filozofi dhe teori sociale), Shkelzen Maliqi (Filozof) dhe Shkelzen Gashi (Publicist), u shpalos ajo, që u quajt enciklopedi për të gjithë ata që duan ta kenë një të vërtetë mes këtyre popujve në duart e tyre.
Ky promovim u moderua nga Veran Matic (Drejtor i Samizdatit B92), i cili para se të ia jep fjalën panelistëve tha se do të ishte mirë që këta libra të lexoheshin nga të dy qeveritë sidomos nga ata që janë duke u marrë me dialogun. Pasi që, siç e thanë edhe panelistët, një pjesë e mirë e vëllimit të tretë flet edhe për këtë gjë.
Fjalën në këtë promovim i pari e mori, Shkëlzen Maliqi, i cili tregoi se me Petrit Imamin, njihet që nga viti 1967, asokohe kur ishin studentë. Maliqi tha se ky libër, i dedikohet opinionit të gjerë.
“Është një lloj enciklopedie, dhe poashtu një lloj dokumenti që çdo njeri duhet ta dijë. Kjo pjesa e ngjarjeve të viteve të 90-ta, deri tek dialogu mes Kosovës e Serbisë, sqarohen në këtë projekt ta quaj. Është i rrumbullakuar për ata të cilët nuk kanë shumë njohuri për raportet sero-shqiptare dhe u dedikohet pak më shumë lexuesve serb. Është gjëja e duhur për brezat e rinj që nga ky libër të mësojnë për raportet mes këtyre popujve”, theksoi Maliqi.
Një mendim të përafërt me Maliqin, e pati edhe Aleksandar Pavloviç. Ai u shpreh se ky libër përfaqëson të vetmin botim që përfshinë marrëdhënien shqiptare e serbe që nga kohët e vjetra e deri te këto të fundit.
“Xeni e tha që është një lloj enciklopedie kjo libër, pra është një thesar i njohurive që nuk ka asnjë person të veçantë nga historia e Serbisë apo shqiptare që nuk është përfshirë në të. Pra ky është burimi më i besueshëm. Atë çfarë kërkoni ta dini për këta dy popuj e gjeni në këtë libër. Edhe pse autori nuk ka qenë historian, shkrimet e tij janë më të besueshme se të kujtdo tjetër”, pohoi Pavloviç.
Ndërsa Shkëlzen Gashi, tregoi se janë dy gjëra që i kanë bërë më së shumti përshtypje dhe ai i ka titulluar “Spiralja e dhunës” dhe “Bashkëpunimet e heshtura shqiptaro-serbe”.
“Kur kam nis ta lexoj këtë libër, kam nisë të nënvizoj dhe kur e kam parë e kam nënvizuar të gjithë librin sepse nuk ka asgjë që nuk është interesante. Qysh u tha edhe më herët, ky është një libër publicistik, nuk ka fusnota, nuk ka referenca dhe punë e madhe që nuk ka. E rëndësishme është që autori ka shfrytëzuar shumë dokumente nëpër arkiva, shumë shkrime nëpër gazeta, shumë libra dhe ka intervistuar shumë njerëz, dhe janë dy gjëra që më kanë bërë më së shumti përshtypje: spiralja e dhunës (ashtu ia kam lënë titullin) dhe përmendja e bashkëpunimeve të heshtura shqiptaro-serbe”, tha ndër të tjera Gashi.
Trilogjia e Petrit Imamit, tashmë është në shtije për të gjithë ata që duan ta kenë në dorë një libër që flet më së miri për historinë shqiptaro-serbe ndër vite.
Publikimi i librit është mbështetur nga Zyra për Çështje të Komuniteteve të Kryeministrit të Kosovës dhe Ambasada Norvegjeze në Prishtinë. Festivali “Mirëdita, dobar dan!” organizohet nga Integra (Kosovë) në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (Kosovë), Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) dhe Iniciativat Qytetare (Serbi) dhe mbështetet nga Fondacioni Charles Steëart MOTT, Ambasada Zvicerane në Prishtinë dhe Ministria e Kulturës në Kosovë./ KultPlus.com
Në një fshat të Serbisë afër Zllatiborit, po përgatitet një film për ngjarjet e vitit 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s dhe kur forcat serbe vrisnin dhe dëbonin shqiptarët nga Kosova.
Titulli filmit është “Kufiri Ballkanik” në regji të Andrej Volgin ndërsa aty do të luajnë aktorë serbë dhe rusë. Filmi është koproduksion serbo-rusë. Sipas mediave serbe, subjekti i filmit është okupimi i aeroportit të Sllatinës nga njësitë speciale ruse që kishin ardhur nga Bosnja.
Aktori serb Milos Bikovic që është edhe koproducent ka thënë se nëpërmjet këtij filmi “po luftojmë për trashëgiminë tonë” .
“Filmi është iniciativë e rusëve. Dihet pak për momentin e marrjes së aeroportit të Prishtinës, ai moment ka qenë shumë sfidues sepse ka mundur të prodhojë konflikt më të madh. Gjithçka ka qenë si në film” ka thënë ai.
Ky aktor ka thënë se në film e luan rolin e vullnetarit (paramilitarit) që lufton kundër UCK’së që sipas tij ka qenë organizatë terroriste.
Ai ka thënë se filmi do të shfaqet në gjithë botën dhe do të jetë në gjuhën serbe dhe ruse, përcjell Insajderi./ KultPlus.com