Mes solidarizimit me tragjedinë në Serbi dhe shfaqjen e filmit ‘Si mësova të fluturoj’, hapet ‘Mirëdita, Dobar Dan’

Flonja Haxhaj

Mbrëmë hapësira në Kino ABC qe ndryshe. Festivali tashmë i njohur për shkëmbimet kulturore mes Kosovës dhe Serbisë, “Mirédita, dobar dan!”, zuri vend për të shënuar hapjen e edicionit të dhjetë me radhë. Mes dhimbjes për tragjedinë e fundit në Serbi dhe frymës komike të filmit ‘Si mësova të fluturoj’, u zhvillua gjithçka, shkruan KultPlus.

Festivali i njohur më së miri për bashkëpunimin në mes dy shteteve, edhe kësaj here ka dëshmuar për një program të përsosur që do shpaloset në ditët vijuese. Programi si çdo herë synon të jetë qendra e vëmendjes së dy kulturave që dallojnë nga njëra-tjetra. Natyrisht që qëllimi kryesor i “Mirëdita, dobar dan!” mbetet prezantimi i artistëve dhe performuesve që përfaqësojnë skenën kulturore dhe bashkëkohore, por pikë tjetër kryesore është edhe bashkimi i komuniteteve shoqërore të dy shteteve. Kësisoj arrihet të krijohet tradita e bashkëpunimit për të përfunduar në një pikë të normalizimit dhe qëndrueshmërisë së marrëdhënieve në këto dy vende.

Nëpërmjet frymëzimit të figurës ikonike siç është Bekim Fehmiu, në 2014-tën festivali hodhi hapin e parë drejt një rrugëtimi të gjatë e të mundimshëm. Gati një dekadë më vonë, pikërisht ky festival vazhdon të jetë një ndër platformat e pakta që krijon hapësirë të gjerë për shkëmbimin e skenës kulturore mes dy vendeve. Çështjet politike natyrisht që kanë zënë vend ndër vite, por këto rrënjë të thella duhet të largohen njëherë e përgjithmonë. E kjo veçse ka nisë të ndodhë, duke pas bazë ndezjen e qirinjve mbrëmë pas shfaqjes së filmit, para Teatrit Kombëtar të Kosovës, në shenjë solidarizimi me viktimat e sulmit të ndodhur në një nga shkollat e Beogradit. Kjo është dëshmi që populli i Kosovës e di fort mirë se çka është dhimbja dhe tash e sa vite, akoma e përjeton atë ndjenjë, e jo vetëm.

Kushtrim Koliqi, drejtori ekzekutiv i ‘Integras’, mori fjalën i pari, i cili fillimisht, nisur nga tragjedia e ndodhur në Serbi, tha se ky edicion i festivalit po nis në një situatë të jashtëzakonshme, megjithatë, programi do të vazhdojë.

“Miq të festivalit ‘Mirëdita, Dobar Dan’, mirë se keni ardhur në hapjen e edicionit të 10-të të këtij festivali i cili për shumë vite tashmë po vazhdon të ofrojë mundësi për bashkëpunim dhe krijimtari mes Kosovës dhe Serbisë në fusha e aspekte të ndryshme”, u shpreh Koliqi. Më tutje, ai tha se pavarësisht se sfidat politike mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të njëjta, festivali ‘Mirëdita, Dobar Dan’ vazhdon të punojë fort në qëllimin që ka pasur që në vitin 2014, krijimin e rrugëve të reja mes Kosovës dhe Serbisë në fushën e kulturës, medias dhe shoqërisë civile.

“Pavarësisht situatës jo të mirë, respektivisht marrëdhënieve aktuale mes Kosovës dhe Serbisë, festivali ‘Mirëdita, Dobar Dan’ mbetet një prej platformave të pakta që ofron hapësirë për promovimin dhe shkëmbimin kulturor dhe dialog për çështje e tema që ndryshe nuk diskutohen, ose edhe kur diskutohen ato keqpërdoren”, tha mes tjerash Koliqi.

Më pas, fjalën e mori Sofija Todorovic, drejtoresha ekzekutive e Nismës për të Drejtat e Njeriut në Serbi, e cila po ashtu nisi fjalimin e saj duke u solidarizuar me tragjedinë në Beograd duke kërkuar që në këto momente të vështira të qëndrojmë krah për krah me njëri-tjetrin.

“Detyra jonë ka qenë gjithmonë që të lidhim njerëz në kohë të vështira dhe të krijojmë hapësirë për solidaritet. Përmes dhimbjes ne shpeshherë mund të shohim më qartë sepse vuajtja ka fuqi edhe të afrojë njerëzit. Tragjedia e djeshme na ka shtyrë të gjithëve të shikojmë thellë brenda vetvetes dhe t’i vlerësojmë edhe më shumë ato që i kemi”, tha Todorovic duke shtuar më tutje se sot më shumë se kurrë, qytetarët e të dyja vendeve kanë nevojë për njëri-tjetrin.

“Shfrytëzojeni këtë festival që të shikoni brenda vetes, të pyesni dhe të zbuloni se çfarë është ajo që secili prej jush mund të bëni për të inkurajuar më shumë humanizmin, butësinë dhe empatinë edhe atëherë kur rrethanat na çojnë në një drejtim tjetër”, përfundoi ajo.

Pas këtyre fjalimeve, nisi shfaqja e filmit ‘Si mësova të fluturoj’ nga Radivoje Andrić, film ky fitues i shumë çmimeve i cili solli një histori njerëzore për rritjen, kuptimin dhe faljen. Filmi solli të qeshura të shumta në mesin e audiencës. E pas shfaqjes së filmit, publiku u bë bashkë për të ndezur qirinj në shenjë solidarizimi me viktimat dhe të prekurit me tragjedinë në Serbi.

Ju kujtojmë që “Mirëdita, dobar dan!”, organizohet nga Integra (Kosovë), Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) dhe Iniciativat Qytetare (Serbi), me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Fondit për Ballkanin Perëndimor, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Rockefeller Brothers Fund. / KultPlus.com

PE-ja miraton rezolutën që bën thirrje për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë

Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën ku thuhet se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen të ndërsjellë”.

Kjo është hera e parë që në një dokument të institucioneve evropiane përmendet njohja reciproke. Pesë shtete të BE-së nuk e njohin Kosovën, por PE-ja është institucioni i vetëm që e trajton Kosovën si shtet.

Megjithatë, rezolutat e miratuara nuk janë dokumente obliguese për shtetet e BE-së.

Në seancën e PE-së u miratuan raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën. Në tri raportet u bë thirrje për mbështetje të perspektivës evropiane të këtyre vendeve.

“Raportet me Serbinë duhet të normalizohen përmes marrëveshjes e cila duhet të bazohet në njohjen e ndërsjellë”, tha deputetja gjermane, Viola von Cramon, e cila ka hartuar raportin për Kosovën.

Në raportin për Kosovën sërish bëhet thirrje për liberalizimin e vizave.

“Vota e sotme dëshmon përkushtimin e Parlamentit për integrimin e Kosovës në BE dhe jep një udhëzime se si mund të zbatohen standardet evropiane në Kosovë. Kosova ka dëshmuar në vazhdimësi përkushtimin për të avancuar në reformat e lidhura me BE-në dhe është pozicionuar qartë si një partner i besueshëm, i fuqishëm i lidhur me aleancën evropiane dhe transatlantike. Për fat të keq, BE-ja ka dështuar që të sigurojë lëvizjen pa viza për qytetarët e Kosovës. Unë shpresoj vërtetë se ky është raporti i fundit ku përmendet dështimi i liberalizimit të vizave”, tha Viola von Cramon.

Votimi i raporteve për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën pason debatin e mbajtur një ditë më parë për këto dokumente./REL / KultPlus.com

Kamberi: Zotohem se do t’i mbrojë interesat e shqiptarëve të shtypur dhe të diskriminuar

Shaip Kamberi është rizgjedhur si deputet në Parlamentin e Serbisë, pasi siguroi 698 vota në zgjedhjet që janë mbajtur në Tërnoc të Bujanocit.

Pas rizgjedhjes, Kamberi ka reaguar përmes një postimi në Fcaebook, ku është shprehur se gjithë pengesat, shqiptarët kësaj radhe nuk mbeten pa deputet në parlamentin e ri të Serbisë.

“Me krejt politikën dhe veprimet penguese të (pu)shtetit, shqiptarët vendorë nuk mbeten pa deputet në parlamentin e ri të Serbisë.

Kjo sot falë votuese të Tërnocit. Kjo në përgjithësi falë vullnetin të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Kjo falë punës së palodhshme të aktivistëve dhe simpatizuesve, atyre të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës. Kjo falë përkrahjes së madhe nga kudo ku përqafohen vlerat e demokracisë liberale. Nga kudo ku flitet shqip.

Ju faleminderit të gjithëve nga zemra”, ka shkruar Kamberi i cili tutje ka potencuar që përgjegjësitë janë të mëdha. Problemet janë të shumta. Konteksti është i vështirë.

Por me punë dhe unitet do t’ia dalim.

“Zotohem se do të jem deputet i të gjithëve.

Zotohem se do t’i mbrojë interesat e qytetarëve që duan të drejta dhe mirëqenie. Interesat e shqiptarëve të shtypur dhe të diskriminuar.

Zotohem se do ta ndjek politikën e orientimeve pro-perëndimore, për paqe të qëndrueshme në rajon.

Vazhdojmë bashkë!

Për liri, për barazi, për demokraci”, përfundon Kamberi. / KultPlus.com

Kosova përballet sot me Serbinë në Lojërat Mesdhetare

Kosova dhe Serbia do të përballen sot në mes vete për herë të parë në Lojërat Mesdhetare.

Ky ballafaqim do të ndodhë në sportin e pingpongut.

Më saktësisht, pingpongisti kosovar, Kreshnik Mahmuti do të ketë punë me serbin Marko Jevtovic.

Ky meç do të jetë i vlefshëm për Grupin 7, derisa kjo do të jetë gara e dytë për kosovarin, i cili të parën e humbi nga greku Ionnis Sgouropoulos, 0-3 në sete.

Humbje në garën e parë pësoi edhe pingpongisti tjetër kosovar, Fathih Karabaxhak. /Gazeta Express/KultPlus.com

Pas 13 ditësh gërmime me kërkesë të Kosovës, s’gjenden mbetje mortore në Shtaval të Serbisë

Në fshatin Shtaval në komunën e Sjenicës në Serbi, nuk janë gjetur mbetjet mortore, pas gërmimeve që nisën më 10 maj.

Në këtë lokacion, për 13 ditë janë zhvilluar gërmime në kërkim të një varreze masive me trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kërkesën për kontrollimin e këtij lokacioni e kishte dërguar Prishtina zyrtare.

Velko Odaloviq nga Komisioni për Persona të Zhdukur i Qeverisë së Serbisë tha në vendin e ngjarjes, më 25 maj, se pas kërkimeve, nuk janë gjetur mbetje.

Ai shtoi se kërkimet për varreza masive në të ardhmen do të vazhdojnë sipas kërkesave, por ka kërkuar të njëjtën edhe nga Prishtina zyrtare.

“Nuk ka dallime në mes të viktimave. Edhe familjet shqiptare, edhe ato serbe e kanë drejtën e njëjtë ta dinë çka ka ndodhur me të dashurit të tyre“, u shpreh Odaloviq.

“Për këtë arsye po kërkojmë që të intensifikohet puna për këtë proces edhe në Kosovë“, shtoi ai.

Ky vend i dyshuar për varrezë masive u kontrollua pasi që, përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Kosova kishte siguruar imazhe satelitore.

“Gërmimet kanë filluar pasi në fund të javës së kaluar, përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq janë siguruar imazhet satelitore, të cilat në ditët në vijim do të analizohen nga ekspertët, me qëllim të saktësimit të lokacionit të mundshëm të varrezës masive”, thuhej në njoftimin Qeverisë së Kosovës ditën kur filluan kërkimet.

Në ditën e parë të gërmimeve vlerësuese, të pranishëm në lokacion nga Kosova ishin përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ekspertët nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, përfaqësues nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq si dhe nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur.

Zyrtarët kosovarë kishin ngritur vazhdimisht dyshime për ekzistimin e një varreze masive në fshatin Shtaval të Serbisë.

Ky fakt ishte forcuar edhe më shumë kur në Kizhevak, në komunën e Rashkës afër kufirit me Kosovën, më 16 nëntor 2020 u gjetën eshtrat e një numri të civilëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Kizhevaku ishte lokacioni i pestë në Serbi ku u gjetën trupa të kosovarëve të vrarë në luftën e viteve 1998-99.

Sipas të dhënave të organizatave joqeveritare, në varrezat masive në Serbi janë gjetur trupat e rreth njëmijë kosovarëve të vrarë.

Rreth 1600 persona të tjerë ende mbesin të zhdukur në Kosovë, kryesisht nga komuniteti shqiptar./REL/ KultPlus.com

Serbia nxjerr në shitje 17-katëshin “Albanija”, historia e pazakonshme e saj

Një pjesë e pallatit “Albanija”, rrokaqielli i parë i Beogradit, i ndërtuar në vitin 1939, i cili gjendet në zemër të kryeqytetit serb, ka dalë në shitje.

Televizioni shtetëror serb RTS shkruan se 381 metra katrorë e pallatit, e vlerësuar rreth 3,88 milionë euro, është tashmë në shitje. Tenderi është shpall në muajin janar të këtij viti.

Pallati “Albanija” është pjesë e bankës së falimetuar të Beogradit. Administratori i bankës, Mijo Stanarçeviç, ka bërë të ditur se bëhet fjalë për shitje në masën 50% të vlerës së parashikuar, duke u bërë tejet tërheqëse për blerësit potencialë.

Ndonëse godina është shpallur pasuri kulturore në vitin 1984, ajo mund të vihet në funksion.

Historia e “Shqipërisë” në zemër të Beogradit

Pallati “Albanija” është rrokaqielli i parë i Beogradit, i ndërtuar në vitin 1939 në cepin e rrugës Kolarec dhe rrugës Knez Mihailo.

Ndërtesa u projektua fillimisht sipas projektit të bërë nga Branko Bon dhe Millan Grkaliç në vitin 1938. Përfundoi së ndërtuari në vitin 1939, sipas projektit të Milladin Prljeviq dhe inxhinierit të ndërtimit Gjorgje Lazareviq (Đorđe Lazarević). Për një kohë të gjatë ajo ishte ndërtesa më e lartë e qytetit, si dhe qendra kryesore e tij përkrah shëtitores Terazije – Slavija.

Pallati Shqipëria ka gjithsej 17 kate, 4 prej të cilave janë kate të nëndheshme. Pallati është 53 metra i gjatë dhe e gjithë ndërtesa ka një hapësirë prej 8000 m2. Në periudhën që u ndërtua, Pallati ishte ndërtesa më e lartë e Evropës juglindore.

Rrokaqielli ka marrë emrin “Albanija” pasi më parë aty ndodhej një tavernë me emrin “Albanija”.
Taverna u shkatërrua në mesnatën e 17 tetorit 1936. Edhe pse Bashkia ndërpreu elektricitetin dhe furnizimin me ujë për ta bërë atë jofunksionale, klientët e saj të fundit u larguan nga taverna vetëm pasi zjarrfikësit filluan të çmontonin tjegullat nga tarraca.

Ndërtimi i ri filloi të vihej në zbatim më 16 korrik 1938 dhe zgjati deri më 20 tetor 1939. Ndërtesa u projektua sipas stilit modern serb, por kishte disa dekorime larg nga fasada, me qëllim për të riforcuar strukturën sipas metodës Deco. Më 1983 ndërtesa u cilësua si një aset kulturor i një rëndësie të madhe./Dita / KultPlus.com

Human Rights Watch: Në Serbi gazetarët përballen me ngacmime dhe dhunë

Gazetarët në Serbi të cilët kritikojnë autoritetet shtetërore vazhdojnë të përballen me ngacmime, kërcënime, dhunë dhe frikësim, thuhet në raportin vjetor për të drejtat e njeriut të organizatës ndërkombëtare Human Rights Watch.

Raporti nis edhe me pjesën e e krimeve të luftës ku thuhet se shumica e ndjekjeve penale përfshinin autorë të nivelit të ulët.

Human Right Watch, në pjesën e mediave raporton se institucionet shtetërore në Serbi kanë reagim të dobët.

“Nga janari deri në fund të gushtit, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (NUNS) regjistroi një sulm fizik dhe 20 kërcënime ndaj gazetarëve”, shkruhet në njoftim.

Ndërsa në pjesën e krimeve të luftës thuhet se “në periudhën janar-gusht, Prokuroria për Krime Lufte në Serbi ka nisur nëntë hetime të reja kundër 11 personave dhe ka ngritur tre aktakuza kundër gjithsej katër personave”.

“Një gjykatë apeli në Beograd dënoi një zyrtar të rangut të ulët për krime lufte. Gjykata e shkallës së parë në Beograd ka dhënë shtatë dënime për krime lufte në të njëjtën periudhë kohore. Deri në gusht, 15 raste kundër 32 të pandehurve ishin në pritje në gjykatat serbe”.

Aty ndër tjera përmenden edhe dënimet e Dragomir Kezunoviq, Joja Plavanjaq, Zdravko Naranciq, Dalibor Krstoviq, Jovica Stanisiq dhe Franko Simatoviq të gjithë për krime lufte. Po ashtu, theksohet edhe pjesa ku është hapur procedurë gjyqësore ndaj Branko Basara, për të njëjtën vepër penale si më lartë.

Raporti shkruan edhe për të drejtat e komunitetit LGBTI, ku thotë se ata akoma vazhdojnë të përballen me dhunë dhe diskriminim.

Tutje, shkruhet edhe për raportin ndërkombëtarë, aty përmendet deklarata e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për Bashkimit Evropian, i cili e quan këtë mekanizëm si “xhihad të sundimit të ligjit” për pjesën e institucioneve të forta dhe demokratike, njofton Klankosova.tv. / KultPlus.com

Në Kizhevak gjenden mbi 10 mbetje mortore, dyshohet se u përkasin familjarëve të zhdukur nga Rezalla

Në Kizhevak të Serbisë, janë gjetur mbi 10 mbetje mortore të cilat dyshohet se u përkasin civilëve shqiptare të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kryetari i Këshilli koordinues për të zhdukurit dhe krimet e luftës, Ahmeti Grajqevci në një konferencë për medie tha se tashmë procesi në Kizhevak po përmbyllet dhe dyshimet janë se mbetjet mortore i takojnë familjarëve të zhdukur nga Rezalla.

Grajqefci ka kërkuar nga Serbia që të tregojë vendndodhjen e personave të zhdukur gjatë luftës.

“Ai proces që po përmbyllet aty si po duket se është komplet i familjarëve të Rezallës edhe 6 trupa iu mungojnë dhe për trupat tjerë mbetet që Serbia të tregojë se ku janë. Ne nga Serbia kërkojmë rrugëtimin e njerëzve të gjallë që i ka marr nga Kosova, vendndodhjen e tyre dhe përfundimin e tyre. Serbia çdo gjë e di fort mirë dhe e ka të shkruar dhe të filmuar dhe institucionet kryesore të shtetit e dinë përfundimin e familjarëve tanë se ku janë. Serbia shpresoj që një ditë do t’i tregojë qytetarët veçse kanë filluar t’i tregojnë, madje edhe njerëzit më eminentë të Serbisë që të tregojnë se është diskutuar për varrezat masive në Serbi”, tha ai.

Haki Kasumi ish-koordinator i Këshillit Koordinues i Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës i cili e kishte kryesuar këtë vizitë tha se deri më tani dyshohet për mbi 10 mbetje mortore ADN-ja e të cilëve pritet të dërgohet për verifikim në laboratorët e Komisionit Ndërkombëtar të Personave të Zhdukur.

“(Dyshohet) Deri më tani diku mbi 10 mbetje mortore të trupave të shqiptarëve ekskluzivisht civilë të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë…09\26 Në bazë të gjurmëve rreth mbetjeve trupore të viktimave në vendin Kizhevak aludohej edhe nga ekspertët se lidhen me masakrën e Rezallës. Trupat janë trajtuar në mënyrë profesionale ishin vënë në vendin e planifikuar dhe aty vazhdon proces i përpunimit, nxjerrjes së ADN-së nga pjesët kockore të gjetura të cilat në mënyrë profesionale dhe të duhur do të përcillen në laboratorët e Komisionit Ndërkombëtar të Personave të Zhdukur, i cili komision bazën e ka dhe është organizatë profesionale dhe ka bërë analizën e AND-së të 70 për qind të mbetjeve mortore të identifikuara deri më tash nga të pagjeturve tanë…Procesi është në vazhdim por shpresa dhe gjurmët e gjetura, gjësendet, letërnjoftimet pastaj orët e rrobat korrespondojnë me ato të gjeturat më parë dhe korrespondojnë me masakrën e 5 majit 1999 në Rezallë“, tha Kasumi.

Gërmimet në Kizhevak të Rashkës në Serbi kanë nisur në fund të vitit të kaluar dhe më pas u ndërprenë për shkak të kushteve atmosferike ku tani më 5 maj kanë rifilluar gërmimet.

Më shumë 1.640 njerëz nga Kosova, shumica shqiptarë, ende konsiderohen si të zhdukur. / Gazeta Express / KultPlus.com

Në Serbi u vaksinuan edhe punëtorë shqiptarë, fotografia e stjuardesave bëhet virale

Punëtorë nga Shqipëria kanë shfrytëzuar mundësinë e vaksinimit kundër koronavirusit në Serbi. Të shtunën aty ka nisur vaksinimi i punëtorëve nga të gjitha shtetet e rajonit, mundësuar nga Oda Ekonomike e Serbisë.

Në mesin e të vaksinuarve ishin stjuardesat e kompanisë ajrore shqiptare “Albawings”. Një fotografi e tyre në Serbi është bërë virale në mediat serbe.

“Për ne ishte e rëndësishme sepse ishte e vetmja mundësi, momentalisht për t’u vaksinuar, duke qenë se jemi pjesë e në kompanie ajrore, dëshironim të kishim mundësi që stafi ynë të ishte qind për qind i vaksinuar dhe duke qenë se në Shqipëri aktualisht nuk mundësohet për këtë kategori që ne përfaqësojmë, gjetëm mundësinë që të vinim këtu në Beograd”, ka deklaruar një stjuardesë për REL.

Ndërkohë, një punëtor i Aeroportit të Tiranës ka thënë se organizimi ishte në rregull.

“Mendoj që është një mundësi e mirë për ta bërë, kjo tregon edhe seriozitetin e shtetit të Serbisë, pa diskutim edhe fuqinë e saj si shtet”, ka thënë ai pasi kishte marrë vaksinën e AstraZenecas.

Në Serbi të shtunën ka nisur vaksinimi kundër COVID-19 i punëtorëve të bizneseve të shteteve të Ballkanit. Për vaksinim janë paraqitur mbi 7.500 punëtorë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi. Vaksinimi kundër koronavirusit po bëhet nën organizimin e Odës Ekonomike të Serbisë e cila në bashkëpunim me Qeverinë e Serbisë ka siguruar 10.000 doza të vaksinës AstraZeneca.

Oda Ekonomike e Kosovës më herët kishte njoftuar se ka refuzuar të marrë pjesë për vaksinë në Serbi për “arsye parimore”, megjithatë nga Oda Ekonomike e Serbisë kanë thënë se disa biznesmenë nga Kosova janë paraqitur tek ata për vaksinim. Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit kundër koronavirusit./ KultPlus.com

‘Gratë në të zeza’ protestojnë sot në Serbi kundër racizmit ndaj shqiptarëve

Në ditën Ndërkombëtare Kundër Racizmit, organizata “Gratë në të zeza” në Serbi, do të marshojë sot kundër racizmit dhe fyerjes ndaj shqiptarëve.

Sipas një njoftimi në Facebook nga kjo organizatë, bëhet e ditur se ky aksion do të organizohet mesditën e sotme, në rrugën “Knez Mihailova” në Serbi.

“Gratë në të zeza” deklarojnë se gjuha e përdorur nga përfaqësuesit më të lartë të Serbisë në komunikimin zyrtar, e legalizon gjuhën e urrejtjes dhe e shkel Kushtetutën.

“Me rastin e albanofobisë në rritje në Serbi, “Gratë në të zeza” po organizojnë një aksion anti-racist më 21 Mars – Ditën Ndërkombëtare kundër Racizmit, në rrugën Knez Mihailova, nga ora 13:00 deri në 13:30. Ne dënojmë ashpër gjuhën e urrejtjes, intolerancën dhe ksenofobinë kundër komunitetit shqiptar në Serbi, si dhe kundër shqiptarëve të Kosovës. Përfaqësuesit më të lartë të shtetit të Serbisë po prezantojnë termin racist dhe diskriminues ‘Shiptar’ në komunikimin zyrtar. Kjo legalizon gjuhën e urrejtjes shoviniste dhe raciste dhe shkel Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, thuhet në njoftimin për aksionin e sotëm, transmeton Express.

“Gjatë aksionit skenik “Stop Racizmit”, ne do të rendisim vetëm disa shembuj të politikës shtetërore që stigmatizon komunitetin shqiptar! Sa më shumë gjuhë të dini, aq më shumë vleni – ne mësojmë shqip! Nëse doni të shkoni, nëse doni ta bëni – mos u shqetësoni!”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin për aksionin e sotëm janë fjalimi i deputetit shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi në gjuhën shqipe, si dhe dënimi i kryetarit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, Ragmi Mustafa, për ngritjen e flamurit shqiptar në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar më 28 nëntor të vitit 2019.   

“Përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, u drejtua në gjuhën e tij amtare më 9 shkurt 2021 në Kuvendin e Republikës së Serbisë. Deputetët e ndërprenë atë me thirrje. “Ligji për Asamblenë Kombëtare të Republikës së Serbisë nga viti 2010 përcakton të drejtën e adresimit në gjuhën amtare”. Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, i thirrur në Gjykatën e Kundërvajtjes në Vranje, akuzohet për shkelje të ligjit për flamurin e Serbisë sepse më 28 nëntor 2020 ka ngritur flamurin shqiptar në selinë e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Bujanovc. “Kushtetuta e Serbisë, neni 79 përcakton që pakicat kombëtare përcaktojnë simbolet e tyre dhe kanë të drejtë t’i shfaqin ato””, thuhet në njoftim. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Flamuri shqiptar valvitet në majën më të lartë të malit në Serbi

Në majën e malit Midzor rreth 2169m, e cila konsiderohet maja më e lartë e Serbisë u ngrit flamuri shqiptar.

Sot një grup alpinistësh nga Peja ngjitën majën më të lartë të Serbisë dhe sipër saj valvitet flamuri shqiptar si shenjë krenarie për këtë arritje.

Më shumë se 600 km udhëtim me makinë për të mbërritur në Babin Zub ku edhe filloi ecja në këmbë në drejtim të majës së malit.

Shtegu ishte i gjithi i mbuluar me dëborë, temperaturat ishin konstante nën 0 dhe ngjitjen përgjatë kreshtes e vështirsoi era e fortë dhe e ftohtë.

Përgjatë kreshtes kishte pamje mbresëlënëse nga të dyja shtetet, Bullgarisë si dhe Serbisë, gjë e cila e bëri ecjen edhe më interesante./ KultPlus.com

Komisioni Qeveritar për të pagjeturit: Gërmimet në Kizhevak rifillojnë në pranverë

Komisioni Qeveritar për të pagjeturit ka njoftuar sot se janë ndërprerë gërmimet për mbetje mortore në Kizhevak. Këto punime pritet që të rifillojnë në pranverë.

“Në vazhdën e aktivitete në këtë proces por edhe në të tjerat, sot mund të njoftojmë edhe familjarët edhe opinion që në njërën prej varrezave në Kizhevak ose një ndër 5 varrezat masive. Dje janë ndërprerë gërmimet për shkak të kushteve të motit. Këto punime do të vazhdojnë në pranverë posa të krijohen kushtet klimatike. Kemi pasur gërmime në Mitrovicë, Siriganë, në Istog dhe në lokacionin Stanaj në Gjilan”, ka thënë Mana.

Në ndërkohë drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu ka treguar edhe për sfidat që kanë pasur përgjatë këtyre 5 vite të gërmimeve në këtë lokacion.

“Në atë lokacion është punuar që 5 vite. E dini se janë pothuajse tri lokacione që i kanë përdorur për ta fshehur krimin: ujërat, minierat, apo të ashtuquajturat varrezat civile. Meqenëse bëhet fjalë për një minierë që me vite të tëra është hedhur gurë dhe mbeturina atëherë kemi pasur vështirësi në gërmime”, ka thënë Gërxhaliiu.

Ai konfirmoi se deri më tani i kanë tërhequr rreth 5 mbetje të personave.

“Janë ekzaminuar eshtrat që janë zbuluar dhe u është bërë ADN-ja. Mund të bëhet fjalë për 4-5 persona që janë tërhequr nga ai lokacion. Deri në pranverë kur do të fillojnë gërmimet do të dalin rezultatet se kujt i përkasin ato”, ka thënë më tutje Gërxhaliu./ KultPlus.com

Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit mban konferencë për media për zhvillimet në varrezën masive në Kizhevak

Sot në ora 11:00, Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit do të mbaj konferencë për media në lidhje me zhvillimet e fundit në Kizhevak të Serbisë, ku është gjetur një varrezë masive.

Në ndërkohë në këtë lokacion janë gjetur afër 20 kufoma që dyshohet të jenë të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Për disa ditë radhazi në këtë lokacion ka pasur kërkime nga Ekipi i Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Mbetet të dihet nesër nëse është konfirmuar se ato mbetje u përkasin shtetasve kosovar të vrarë gjatë luftës së fundit./ KultPlus.com

Ekspertët e EULEX-it tregojnë se si e identifikuan lokacionin e saktë në Serbi ku u zbuluan mbetjet mortore

Para disa ditësh në Kizhevak të Serbisë janë gjetur mbetje mortore e që dyshohet të jenë të kosovarëve të vrarë nga forcat serbe në gjenocidin e kryer nga regjimi i Millosheviqit në luftën e fundit në Kosovë.

EULEX me anë të një komunikate për media ka thënë se të hënën më 16 nëntor 2020, ekspertët nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur zbuluan mbetje mortore në Kizhevak, ku ndodhet një gurore e madhe në Serbi.

Ekspertët e EULEX-it kanë kryer gërmime në Kizhevak që prej vitit 2015. Pas disa sezonave të pasuksesshme të gërmimeve në Kizhevak, në vitin 2020 ndodhi një përparim falë shfrytëzimit të imazheve fotografike nga ajri.

“Problemi ishte se këto janë lokacione guroresh të mëdha dhe se peisazhi ka pësuar ndryshime të vazhdueshme me kalimin e kohës për shkak se kjo gurore ka qenë në përdorim ende për një numër të viteve,” tha Javier Santana, arkeolog forenzik i EULEX-it.

Procesi i identifikimit të vendndodhjes së saktë të mbetjeve mortore ishte komplikuar edhe më shumë për shkak të faktit se në këtë minierë janë katër deri pesë galeri ku secila ka një lartësi prej përafërsisht 13 metrash.

Pas kërkesës së EULEX-it për t’i marrë imazhet fotografike nga ajri të vitit 1999, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ia siguroi imazhet fotografike nga ajri Komisionit Qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur në fund të vitit 2019.

“Ne i pranuam imazhet fotografike nga ajri në fund të vitit 2019. Mes fundit të vitit 2019 dhe fillimit të vitit 2020, koordinatori i EULEX-it për zhvarrime Krassimir Nikolov dhe unë i kemi analizuar fotografitë. Në bazë të analizave tona ne u kthyem në atë lokacion në muajin shkurt 2020 dhe e piketuam vendndodhjen e saktë të këtij lokacioni. Kjo është koha kur filloi puna gjatë këtij viti”, tha Santana.

Pas identifikimit të lokacionit, ekspertët nga EULEX-i, Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur kanë kryer punën në terren në Kizhevak, e cila solli deri te zbulimi i mbetjeve mortore.

“Puna në Kizhevak është larg nga të përfunduarit. Procesi është shumë i ndërlikuar dhe merr shumë kohë. Për të pasur mundësi të vazhdohet puna, duhet të ketë një urdhër gjykate. Pas kësaj, hapi tjetër është që të vazhdohet me zhvarrimet dhe gjetjen e mbetjeve mortore. Pasi të gjinden mbetjet mortore, duhet të bëhet autopsia dhe do të merren mostrat e eshtrave për testet e profilit të ADN-së. Në rastet ku të afërmit e ndonjë personi të zhdukur i kanë dhënë mostrat e gjakut dhe do të ketë raport për përputhje pozitive të ADN-së, procesi i identifikimit përfundon. Pastaj, familjet informohen për identifikimin dhe atyre u dorëzohen mbetjet mortore të personit të zhdukur”, tha Koordinatori i EULEX-it për zhvarrime, Krassimir Nikolov.

“Zbulimi i mbetjeve mortore në Kizhevak është një zhvillim tejet pozitiv dhe shpërblim për përpjekjet tona të vazhdueshme për ndriçimin e fatit të më shumë se 1640 personave, të cilët janë ende të pagjetur në Kosovë. Çështja e personave të zhdukur është çështje e të drejtave të njeriut. Ajo ka të bëjë me të drejtat e njeriut të afërmëve për të kuptuar se çfarë u ka ndodhur më të dashurve të tyre”, tha Zëvendës Drejtorja e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Tarja Formisto.

Formisto u bëri thirrje edhe një herë të afërmëve të gjithë personave të zhdukur që t’i japin mostrat e gjakut për ta lehtësuar procesin e identifikimit.

Nga fillimi i mandatit të EULEX-it deri më 19 nëntor 2020, EULEX-i i ka kryer 662 operacione në terren për gjetjen e personave të zhdukur, përfshirë 169 zhvarrime. Janë identifikuar mbetjet mortore të 457 personave, përfshirë edhe ato të 317 personave të zhdukur. /Gazeta Express/ KultPlus.com

Serbia ia pasivizon adresën e banimit, arsyeja që punon për Kosovën dhe është e martuar me kosovar

Shkruan Teuta Fazliu

Edhe unë viktima e rradhës për pasivizimin e adresës në komunën e Bujanocit (Serbi) !

Postieri solli një letër që vinte nga SUP-i (policia) e Bujanocit, ku në të shkruan ” pas informatave operative nga tereni Teuta Fazliut i pasivizohet adresa e banimit me arsyetimin se punon në Qeverin e Kosovës dhe është e martuar me kosovar “

Policia e komunës nuk ka të drejtën ligjore në pasivizimin e adresave pa pasur urdhër nga gjykata komunale për thirrje nga gjykata për ndonjë denim, mos pagesa të taksave ndaj shtetit, etj, në shtëpin time asnjiher nuk ka pasur ndonjë police paraprakisht nga SUP-i në me urdhër të gjykatës për verifikim të banimit në adresën time !

Tash e një kohë të gjatë jemi dëshmitar që adresat kanë filluar ti pasivizohen për shqiptarët e Medvegjës, tani kur atje u boshatis thuajse plotësisht, procesi po vazhdon në Bujanoc e Preshevë, ky është një diskriminim etnik ndaj shqiptarve të Luginës !

Pas pasivizimit të adresës, në momentin e skadimit të dokumentave ti më nuk ke të drejtê aplikimi dhe humb të drejtën e votimit, letërnjoftimit, patent shoferit, librezën e shëndetit, pasaportën, etj edhe pse ti je e lindur e rritur e shkolluar në atë vend.

Në asnjë vend në botë nuk ndodhe një veprim i till institucional. Serbia ka garantuar në mos shkeljen e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut !

Politikanët shqiptar të Luginës së Preshevës, Prishtinës dhe Tiranës duhet të merren më seriozisht me pasivizimin e adresave sepse nëse vazhdohet me këtë avaz do të vije dita që nuk do të kemi më shqiptar në këto troje !/ KultPlus.com

Reagon UNICEF në Serbi pas postimit të flamurit ‘Autochthonous’ nga Dua Lipa

UNICEF në Serbi ka reaguar pas postimit të bujshëm të Dua Lipës.

Dua Lipa ditë më parë iu bashkua nismës së shqiptarëve, të cilët kërkojnë vendosjen e Kosovës në hartë nga “Apple”

Menjëherë pas këtij postimi, këngëtarja u “bombardua” nga komentet e shumta të serbëve, të cilët ia mbushën positmin me frazën “Kosova është Serbi”.

Pas kësaj, Dua publikoi flamurin “Autochthonous”, me të cilin sërish nxiti reagime të serbëve, madje kësaj radhe me hov më të madh.

Në gjithë këtë ngjarje, ka reaguar dega e UNICEF në Serbi, e cila thotë se Dua Lipa nuk është ambasadore e tyre dhe qëndrimet e saj nuk janë të UNICEF.

Të dashur miq, faleminderit që treguat postimin nga këngëtarja Dua Lipa. Ne dëshirojmë t’ju informojmë se Dua Lipa nuk është një Ambasadore e UNICEF dhe nuk flet për UNICEF. Si shumë të tjerë, ajo ka mbështetur punën tonë për fëmijë, për të cilën jemi mirënjohës. Pikëpamjet që ajo shpreh janë të vetat dhe nuk ndahen ose miratohen nga UNICEF”, thuhet në postim. / KultPlus.com

Alarmi nga Maqedonia: Në Serbi, testet negative për COVID-19 mund të blihen në pompa të benzinës

Portali maqedonas MKD raporton se qytetarët e këtij vendi kanë raportuar tek autoritetet përgjegjëse se testet negative në koronavirus mund të blihen në Serbi edhe në pompa të benzinës.

Tash, që Maqedonia ka vënë kusht që qytetarët që futen nga Serbia të kenë një test negativ në COVID-19 jo më të vjetër se 72 orë, ata po gjejnë mënyra për të shmangur testimin e vërtetë, falë edhe ofertës.

Sipas raportimit të MKD.mk testet e falsifikuara negative mund të blihen nga 50 deri në 65 euro, transmeton KOHA.

“Transportuesit maqedonas të detyruar të paraqesin një test PCR jo më të vjetër se 72 orë për të hyrë në Maqedoni, tregojnë se në jug të Serbisë po bëhet biznes i mirë, por i paligjshëm. Testet negative PCR madje mund të blihen në një pikë karburanti në Vranjë”, ka shkruar MKD.

Sipas këtij portali, teste të tilla të falsifikuara mund të blihen edhe në Nish.

“Qytetarët maqedonas që kthehen në vendlindje përmes Aeroportit të Nishit u kanë raportuar shërbimeve të sigurimit se ata kanë pasur mundësinë për të blerë një test të falsifikuar negativ PCR për 50 euro në aeroport”, shkruan tutje MKD.

Sipas protokollit, çdo qytetar maqedonas në momentin e hyrjes në vend duhet të tregojë një test negativ jo më të vjetër se 72 orë, e nëse nuk e bën këtë, atëherë dërgohet në karantinë për 14 ditë.

Qeveritë e Maqedonisë dhe Serbisë nuk kanë reaguar në këto paralajmërime të qytetarëve.

Maqedonia është vendi më i prekur në rajon nga COVID-19.

Deri më tash ky vend ka shënuar 5.311 raste pozitive, ndërkohë që 251 persona kanë vdekur si pasojë e koronavirusit. / KultPlus.com

Image

Pas shumë vite përpjekjesh, shqiptarëve në Serbi u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini përmes një statusi ka njoftuar së pas shumë përpjekjeve, shqiptarëve në Serbi u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria, shkruan KultPlus.

Ajo gjithashtu është shprehur se fëmijët shqiptarë në Serbi, meritojnë arsim cilësor në gjuhën shqipe.

“Pas shumë vite përpjekjesh, shqiptarëve në Serbi u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria. Nuk ishte e lehtë, por ia dolëm duke bashkërenduar dhe intensifikuar përpjekjet mes Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi.

Kemi filluar gjithashtu edhe financimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi nga fondi i MASR për tekste shkollore, sepse besojmë fuqishëm që fëmijët shqiptarë në Serbi meritojnë arsim cilësor në gjuhën shqipe dhe libri shkollor është një hap i domosdoshëm në atë drejtim.

Komuniteti shqiptar atje e ka të gjithë mbështetjen e qeverisë shqiptare në çdo aspekt të zhvillimit të tij. Përgëzoj edhe Ministrin Gent Cakaj për angazhimin e tij që kontribuoi për një përfaqësim më të mirë të shqiptarëve në Parlamentin e Republikës së Serbisë.” – ka shkruar Shahini. / KultPlus.com

SHBA-të godasin Serbinë: S’duhet të ketë kriminelë lufte që kërkojnë vota në zgjedhje

Serbia tashmë është duke shkuar drejt mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të cilat do të organizohen më 21 qershor të këtij viti.

Mes paralajmërimeve të opozitës për bojkot të zgjedhjeve dhe grevave të urisë nga liderët opozitarë atje, kanë ardhur edhe reagime nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilët kërkojnë që në zgjedhje të mos garojnë persona të cilët janë dënuar për krime lufte.

Komiteti Për Punë të Jashtme i Shtëpisë së Bardhë kanë thënë se në lista zgjedhore nuk duhet të jenë emrat e kriminelëve të luftës.

“Serbia nuk duhet të ketë në garën zgjedhore kriminelë luftë”, thuhet në reagimin e House Foreign Affairs Commite, raporton Gazeta Express.

Reagimi ndërlidhet me emrin e Vojsllav Sheshelit i cili është shpallur fajtor për krime lufte nga Tribunali i Hagës./ KultPlus.com

Nicole Malachowski, pilotja amerikane që bombardoi Serbinë për 200 orë rresht

Nicole Malachoëski (The USA Air Force) është pilotja e parë “bombarduese” amerikane e cila para 19 vitesh, pikërisht më 24 mars filloi ta gjunjëzojë Serbinë. Ajo ka marrë medalje të ndryshme nderi nga Ushtria e SHBA. Ajo është shquar për përsosmëri të jashtëzakonshme në goditjen e objekteve ushtarake serbe, edhe nëpër qendra të banuara, ose afër qyteteve ku ndodheshin bazat, përcjelle KultPlus.

Me gradën “Majore”, pilotja amerikane, Nicole Malachowski, është dekoruar me medaljet e çmimet më të larta të Ushtrisë Amerikane si “Meritorious Service Medal”, “Air Medal”, “Air Force Commendation Medal”, “Air Force Achievement Medal”, si dhe medaljen “4th Fighter Wing”s”, të cilën e ka marrë si një heroinë e madhe gjatë fushatës së bombardimeve ajrore në Kosovë, për mbrojtjen e civilëve gjatë bombardimeve. Ajo është shquar për përsosmëri të jashtëzakonshme në goditjen e objekteve ushtarake serbe, edhe nëpër qendra të banuara, ose afër qyteteve ku ndodheshin bazat. Besohet se Nicole është një grua e guximshme dhe mjaft e aftë, e para femër amerikane në historinë 60-vjeçare të aviacionit që është pjesë e skuadronit bombardues luftarak “Pilotët e vdekjes”. Ajo hyn kështu edhe në analet e historisë amerikane të fluturakëve, duke u renditur e suksesshme dhe me vlera të spikatura mes pilotëve burra. Deri sot pilotja numëron rreth 200 orë fluturime bombarduese në Kosovë (mars-qershor 1999 – 78 ditë) si dhe 10 ditë në Irak (prill 2003).

Forcat luftarake-ajrore amerikane (The USA Air Force) kanë gjithsej 568 femra pilote. Nga këto vetëm 71 prej tyre shërbejnë me aeroplanët fluturakë. “Unë, thotë Nicole, do të bëj detyrën, pavarësisht se mund të jem vendosur edhe në qendër të debateve, se si ka mundësi që një femër të kryejë këtë detyrë kaq të vështirë dhe me rrezik të madh për jetën”. Pilotja amerikane, Malachoëski, ka kryer shkollën e mesme në vitin 1992 në Las Vegas. Fëmija i tretë i një familjeje të vjetër amerikane (nëna quhet Cathy dhe babai i saj Robert Ellingëood). Nicole është e martuar me pilot, edhe ai me gradën “Major”, por me origjinë ruse, i quajtur Paul Malachoëski. Nicole u rreshtua në radhët e Flotës Ushtarake Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në vitin 1996, pas diplomimit në Akademinë e Forcave Ushtarake Ajore, me nivelin B. S. në Management dhe më ulët French. Më parë se të inkuadrohej në radhët e skuadroneve bombarduese të Flotës Ushtarake Ajrore të SHBA-ve, “Bubullima e zogut” (Thunderbirds), ajo shërbeu si instruktore dhe komandante me avionët luftarakë “F-15E”, në skuadronin “494th Fighter Squadron”, në bazën amerikane në Britaninë e Madhe, “RAF Lakenheath”. Këtu Nicole mblodhi rreth 1900 orë fluturime, nga këto 1700 orë fluturime me bombarduesit “F-15” dhe “F-16”. Nicole Malachoëski, nga Çikagoja, është e datëlindjes 1974 dhe njihet në SHBA si e para femër amerikane pilote me gradën “Major” dhe e para femër amerikane e seleksionuar për të shërbyer në radhët e fluturimeve luftarake në forcat ajrore “Thunderbrids, që njihen ndryshe si “Pilotët e vdekjes” apo “Bubullima e zogut”. Fluturimin e parë në qiell të hapur e ka kryer në vitin 1996. Për piloten amerikane kanë shkruar e folur jo vetëm gazetat, revistat ushtarake, por edhe gazeta e televizione të njohura në SHBA si CNN, ABC, NBC, FOXNEËS etj.

Eksperienca

Malachoëski u trajnua në bazën ushtarake “Columbus Air Force Base”, në Misisipi, me fluturakët bombardues “F-15E” e më pas, në bazën Seymour Johnson Air Force Base në Karolinën ë Veriut. Prioriteti i saj ka qenë stërvitja me “Pilotët e vdekjes” (Thunderbird). Më tej, Nicole shërben në bazën RAF Lakenheath, në Angli dhe kthehet sërish në bazën, “Seymour Johnson Air Force Base” në Karolinën e Veriut. Ajo do të shërbejë si oficere edhe në bazën “Camp Red Cloud” në Korenë e Jugut. Nicole ka marrë pjesë në krejt fushatën e sulmeve ajrore ndaj bazave e caqeve serbe në Kosovë e Serbi, si dhe në operacionin “Liria e Irakut” (Operation Iraqi Freedom). Ajo shihet në SHBA si femra që ka bërë histori. Në muzeun e “Pionierëve të fluturimit”, hapur në Washington D.C, asaj i është rezervuar një pavijon i veçantë me fotot, videoxhirimet, shkrimet dhe kujtimet e pilotes nga Britania e Madhe, Kosova e Iraku.
Fushata e sulmeve ajrore, e cila vuri në shënjestër caqet ushtarake serbe në territorin e saj dhe në bazat e vendosura në Kosovë zgjati 78 ditë dhe përfundoi me fitoren e NATO-s. Ajo është konsideruar si lufta më e suksesshme e kohëve moderne të Aleancës Veri Atlantike, NATO.

Kosova, aty zë një vend të posaçëm, pasi atje pilotja amerikane ka kryer mëse 200 orë fluturime bombarduese gjatë fushatës së vitit 1999. Siç dihet, më 24 mars 1999, është edhe dita kur nisën sulmet ajrore kundër bazave ushtarake serbe në Kosovë dhe në territorin e Serbisë./ BEQIR SINA, Nju Jork

Lorik Cana e DeBiasi, në dokumentarin për dronin dhe ndeshjen Serbi-Shqipëri (VIDEO)

Me regji të Kreshnik Jonuzi dhe Luftar Von Rama ‘Triumph’, do të sjellë histori të ndryshme, histori këto që me KultPlus, i ka shpalosur njëri ndër regjisorët, Kreshnik Jonuzi.

Sarandë Selimi

Edhe katër ditë mbushen plotë tri vite nga ndeshja e parë e mbajtur mes Shqipërisë dhe Serbisë, në kryeqytetin serb Beograd. Nuk ka shqiptarë që atë ditë nuk ndjeu veten krenarë me atë që ndodhi midis fushës së madhe të futbollit në Beograd. Aty u lëshua droni me flamurin ‘Autokton’, ku ishte harta e Shqipërisë së Madhe bashkë me dy figura të shquara të kombit shqiptarë si Isa Boletini e Ismail Qemaili.

Çka ndodhi në Beograd nuk ishte aspak e hijshme, duke pas parasysh sjelljet e vrazhda të tifozëve serbë të cilët edhe eskaluan duke u futur në fushë e duke sulmuar lojtarët e kombëtares shqiptare. Por ajo që ndodhi skaliti një histori të re midis këtyre dy kombeve. E krejt kjo histori erdhi si inspirim për shumë artisë. Disa bënë këngë e tashmë disa kanë bërë edhe film dokumentar. Një film i cili nuk pretendon të mbetet brenda kufijve shqipfolës. Një film i cili do të shfaqet në Festivalin e Filmit në Varshavë, festival ky i cili mbahet në datat 19-20 dhe 21 tetor. Është ‘Triumph’ apo ‘Triumf’.

Me regji të Kreshnik Jonuzi dhe Luftar Von Rama ‘Triumph’, do të sjellë histori të ndryshme, histori këto që me KultPlus, i ka shpalosur njëri ndër regjisorët, Kreshnik Jonuzi.

“Projekti nisi me ndeshjen kundër Portugalisë. Bashkë regjisori Luftar Von Rama dhe unë pamë një mundësi të mirë për të treguar historinë e lojtarëve shqiptarë që u kthyen dhe donin të paraqitnin diçka të bashkuar. Kur incidenti i dronit ndodhi në Beograd, me të vërtetë e ktheu këtë në një histori globale do thosha, e pikërisht kjo na e dha mundësinë që të kishim një kulm dramatik në film”, tha fillimisht për KultPlus, Kreshnik Jonuzi, duke vazhduar të trego historitë që ngërthen në vete ky dokumentar.

“Filmi përmban elemente të ndryshme. Me ekipin tonë kemi qenë disa ditë para ndeshjes së Serbisë dhe Shqipërisë në Elbasan, kështu që, ka shumë momente personale para ndeshjes dhe para kualifikimit. Ekziston gjithashtu një kthim në storie siç janë historia shqiptare, lufta e Kosovës e poashtu ka pjesë edhe të lojtarëve që jetojnë me familjet e tyre”, pohoi Jonuzi.

Ky projekt fillimisht u titullua ‘Beteja në Ballkan’, por pas kualifikimit, historia e rriti këtë parashikim. Kësisoj ‘ Triumph’ ishte ajo që sipas Kreshnik Jonuzit, e përfaqësonte më së miri këtë dokumentarë, pasi që, këtë e ndjeu secili lojtarë dhe pikërisht ky ishte drejtimi i tyre kryesor, pra për të triumfuar.

Në ‘Triumph’, bëjnë pjesë personazhe si Lorik Cana, Gianni DeBiasi, Paolo Tramezzanni, Shkëlzen Gashi, Blendi Fevziu, Dritan Shakohoxha, e disa të tjerë.

Krejt ky projekt sipas Kreshnik Jonuzit ishte një rrugë e gjatë dhe ende nuk është përfunduar e tëra.

“Ende nuk e kemi përfunduar. E kemi nisë procesin ditën kur droni ka parakaluar në Beograd. Kemi xhiruar përgjatë 2015-2016 dhe më pas e kemi editu filmin deri këtë vit. Tash jemi në fazën kur po angazhohemi për të drejtat e autorit dhe po e qojmë dokumentarin në festivale. Shkuarja në Varshave shpresoj që do të na ndihmojë”, theksoi për KultPlus Kreshnik Jonuzi, duke vazhduar të tregoj se për në Festivalin e Filmit në Varshavë, fillimisht kanë aplikuar dhe para disa muajsh janë pyetur nëse duan ta kishin premierën botërore atje.

Kreshnik Jonuzi, tha për KultPlus, se kjo ftesë i ka nderuara dhe se mezi presin që ta shfaqin filmin e tyre premierë botërore në Varshavë.

Krejt në fund të këtij rrëfimi, Kreshniku tregoi se këtë film dokumentar e kanë bërë me buxhet shumë të ulët dhe kanë pasur ndihmë nga donacionet e komuniteteve në Amerikë. Ai tha se Lorik Cana ka qenë një ndihmë shumë e madhe për filmin që nga dita e parë e deri më sot./ KultPlus.com