Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se familja e Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqit, shtetas amerikanë të vrarë brutalisht 25 vjet më parë, janë ende në kërkim të drejtësisë.
Osmani, në një postim në platformën X, shkruan se regjimi i Serbisë vazhdon t’i glorifikojë kriminelët e luftës, në vend që t’i mbajë ata përgjegjës.
“Familja e Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqit, shtetas amerikanë të vrarë brutalisht 25 vjet më parë, janë ende në kërkim të drejtësisë. Deri më sot, regjimi i Serbisë vazhdon t’i glorifikojë kriminelët e luftës, në vend që t’i mbajë ata përgjegjës. Nuk do të pushojmë derisa autorët të përballen me drejtësinë”, ka shkruar Osmani.
Kujtojmë se vëllezërit Bytyqi kanë luftuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kanë qenë shtetas të SHBA-së. Ata janë vrarë në vitin 1999, pasi paraprakisht janë arrestuar nga autoritetet serbe për shkak të, siç është thënë atëkohë, hyrjes së paligjshme në Serbi. Trupat e pajetë të tyre janë gjetur në qershor të vitit 2001 në një varrezë masive në Petrovo Sello, në lindje të Serbisë.