I titulluar ‘Sërbia Tjetër’, vëllimi në tri gjuhë (shqip, sërbisht e anglisht), është botuar nga ADMOVERE e me mbështetje nga KFOS-i, e ku janë përfshi fragmentet nga artikujt dhe intervistat e më të spikaturit intelektual serb, arkitektit Bogdan Bogdanović [1922–2010], në të cilat ky flet mbi shkeljet brutale të të drejtave të shqiptarëve në Kosovë gjatë viteve ‘90, përcjellë KultPlus.
Veç këtyre, me rëndësi të veçantë është parë përfshirja e fragmenteve në të cilat Bogdanović shpalos mendime mbi pavarësinë e Kosovës dhe raportet e saj me Serbinë, por edhe mbi raportet shqiptaro-serbe përgjithësisht.
Ky vëllim në tri gjuhë ofron modelin e intelektualit që i kundërshton padrejtësitë dhe krimet e kryera nga autoritetet shtetërore të udhëhequra prej ‘bashkëkombësve’ të vet, si dhe nderon intelektualin i cili shpesh e ka vënë jetën e vet në rrezik, duke dëshmuar guxim mahnitës që kurrsesi nuk duhet të kalojë pa mirënjohjen e merituar. Fatkeqësisht, humanisti Bogdan Bogdanović te populli serb është parë si tradhtar, ndërkaq te populli shqiptar është shpërfillë.
Sipas ADMOVERE, Kosova duhet ta ketë një rrugë, shesh apo shkollë me emrin e humanistit Bogdan Bogdanović.
“Kosova e pasluftës s’e ka një rrugë, shesh apo shkollë me emrin e arkitektit e humanistit Bogdan Bogdanović, ndonëse ai ishte i pari dhe më i zëshmi intelektual serb që jo vetëm e kundërshtoi okupimin e Kosovës nga regjimi serb, por edhe e mbështeti pavarësinë e saj. Prandaj, le të jetë ky publikim në tri gjuhë, një mirënjohje modeste për kontributin e madh të këtij intelektuali të jashtëzakonshëm për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Librin mund ta gjeni në libraritë ‘Dukagjini’, ‘Buzuku’ e ‘Artini’ në Prishtinë. / KultPlus.com