Presidenca e Kosovës reagon për marrëveshjen Serbi dhe Rusi, Vela: Deri kur BE-ja do ta tolerojë këtë sjellje?

Së fundmi është raportuar se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, ku është bërë e ditur se Serbia dhe Rusia ka nënshkruar një marrëveshje tre vjeçare për furnizim me gazin rus.

Për këtë marrëveshje ka reaguar shefi i stafit të presidencës së Kosovës, Blerim Vela, i cili ka pyetur Bashkimin Evropian mbi çështjen se deri kur do ta tolerojë këtë sjellje të Serbisë.

“Putin dhe Vuçiq ranë dakord në një telefonatë sot se Rusia do të vazhdojë furnizimin me gaz natyror për Serbinë dhe dy vendet do të forcojnë partneritetin e tyre. Serbia, një vend kandidat për në BE, në vend që të përafrohet me sanksionet e BE-së thellon bashkëpunimin me Rusinë. Deri kur BE-ja do ta tolerojë këtë?”, ka shkruar Vela në Twitter. /KultPlus.com

Bashkëpunimi i Serbisë për rastet e krimeve të luftës, kriter për integrimin evropian

Edhe pse në paraqitjet publike zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian nuk e përmendin shpesh sikurse në të kaluarën, por përballja me të kaluarën, gjykimet e krimeve të luftës dhe bashkëpunimi rajonal midis ish-shteteve të Jugosllavisë në fushën e shkëmbimit të dëshmive, vazhdon të jetë një prej kritereve në procesin e integrimit në bllok.

BE-ja vazhdon të kërkojë nga vendet e rajonit që të kenë bashkëpunim të plotë me Mekanizmin Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, që ka marrë përsipër çështjet e papërfunduara nga Tribunali i Hagës për krimet e luftës në territorin e ish-Jugosllavisë.

Përveç kësaj, blloku evropian kërkon nga gjykatat vendore që të punojnë në dënimin e krimeve të luftës në mënyrë ë të mos ketë ndjenjë të pandëshkueshmërisë. Në rastin e Kosovës, kërkohet bashkëpunimi i autoriteteve dhe Dhomat e Specializuara, me seli në Hagë të Holandës.

Por, përkundër thirrjeve të BE-së, progresi në këtë drejtim, siç thanë zyrtarët në Bruksel, “nuk ka qenë në nivelin e duhur”. Veçmas, sipas tyre, ka ngecje në bashkëpunim mes vendeve të rajonit në shkëmbimin e të dhënave dhe bartjen e rasteve. Ndërsa, tani është shfaqur edhe problemi i konfliktit të juridiksionit, sidomos në rastin e Serbisë.

Për shtetet fqinje të Serbisë, e sidomos për Kroacinë e cila prej vitit 2013 është anëtare e BE-së, është i papranueshëm i ashtuquajturi “juridiksioni universal” që Serbia e ka në ligjet e saj. Ky juridiksion i mundëson Beogradit që të gjykojë rastet e krimeve të luftës që dyshohet se kanë ndodhur edhe jashtë territorit të saj edhe ndaj njerëzve që nuk janë qytetarë të Serbisë.

Ky problem është rishfaqur ditëve të fundit me paralajmërimet e Serbisë se do të ngrehë aktakuzë ndaj katër ish-pilotëve të ushtrisë kroate, nën dyshimet se kanë kryer krime lufte në territorin e Bosnjë e Hercegovinës, duke sulmuar një kolonë të refugjatëve me etni serbe. Këto paralajmërime kanë rritur tensionet midis dy vendeve, teksa kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, e ka quajtur këtë njoftim si “hap prapa në procesin e pajtimit”.

Pa përmbushjen e kushteve kalimtare nga ky kapitull, Serbia nuk mund të mbyll asnjë kapitull tjetër në procesin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Burimet në BE i thanë Radios Evropa e Lirë se “ka një nivel të bashkëpunimit, por ai gjithsesi duhet të rritet”. Edhe në dokumentet e bllokut, sikurse në atë për përmbushjen e kritereve nga Serbia në kapitullin 23, përmenden disa raste të bashkëpunimit që kanë dhënë rezultat, siç është transferimi i disa rasteve nga gjykatat në Bosnjë e Hercegovinë në ato në Serbi. Por, në të njëjtat dokumente thuhet se “bashkëpunimi midis Serbisë dhe Kroacisë nuk ka dhënë rezultate të prekshme”.

Serbia, sipas një dokumenti të brendshëm të Komisionit Evropian që është përgatitur për vendet anëtare lidhur me diskutimin për kapitullin 23 në negociatat për anëtarësim, ka marrë disa vërejtje sa i përket qasjes ndaj krimeve të luftës.

Në dokument konstatohet se në Serbi nga niveli i lartë politik vazhdohet me glorifikimin e kriminelëve të dënuar të luftës, dhe po të njëjtëve u jepet hapësirë publike dhe rol politik. Po ashtu thuhet se në nivel të lartë po ashtu vazhdohet të vihen në dyshim vendimet për krime lufte të gjykatave, relativizohen krimet e luftës dhe vazhdon të mohohet gjenocidi në Srebrenicë të Bosnjë e Hercegovinës.

Serbia po ashtu nuk ka bashkëpunim të plotë me mekanizmin që ka marrë përsipër rastet e ish-Tribunalit të Hagës. Konkretisht, Serbia nuk ka ekstraduar pranë këtij mekanizmi persona që akuzohet për mosrespektim të drejtësisë dhe rrezikim të dëshmitarëve.

Sheshel ftohet që të dëshmojë në Hagë

Zyrtarët e BE-së, që kërkuan të mbesin anonimin, thanë se gjykimi i krimeve të luftës, pa dallim se të cilës përkatësi etnike ishin kryesit apo viktimat, është i domosdoshëm edhe për procesin e pajtimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sipas tyre, ky pajtim është i domosdoshëm për të përshpejtuar edhe rrugën drejt integrimit në BE.

c

Serbia voton ‘pro’ pezullimit të Rusisë nga OKB, Rama: Lajm i mirë për rajonin

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara të enjten pezulloi Rusinë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut për shkak të raporteve për “shkelje të rënda dhe sistematike dhe abuzime të të drejtave të njeriut” nga pushtimi i trupave ruse në Ukrainë, raporton Reuters, përcjell KultPlus.

Për këtë çështje ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke folur për rrështimin e Serbisë me Perëndimin.

“Pezullimi i Rusisë nga Human Rights Council në OKB refuzim i fortë për të pranuar shkeljen brutale të çdo lirie e të drejte dhe krimet mizore të luftës në Ukrainë.Rreshtimi i Serbisë përsëri me Perëndimin në këtë përshkallëzim të ri kundër agresionit rus, lajm i mirë për rajonin!”, ka shkruar ai.

Propozimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u votua pro nga 93 anëtarë, derisa 24 vende votuan kundër dhe 58 të tjera abstenuan. /KultPlus.com

OKB-ja pezullon Rusinë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara të enjten pezulloi Rusinë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut për shkak të raporteve për “shkelje të rënda dhe sistematike dhe abuzime të të drejtave të njeriut” nga pushtimi i trupave ruse në Ukrainë, raporton Reuters, përcjell KultPlus.

Propozimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u votua pro nga 93 anëtarë, derisa 24 vende votuan kundër dhe 58 të tjera abstenuan.

Befasia në këtë votim ishte rreshtimi i Serbisë përkrah vendeve perendimore, duke votuar “pro” pezullimit të Rusisë nga OKB-ja.

Pezullimet janë të rralla. Libia u pezullua në vitin 2011 për shkak të dhunës kundër protestuesve nga forcat besnike të liderit të atëhershëm Muammar Gaddafi.

Rezoluta e miratuar nga drafti i Asamblesë së Përgjithshme prej 193 anëtarësh shpreh “shqetësim të madh për krizën e vazhdueshme të të drejtave të njeriut dhe humanitare në Ukrainë”, veçanërisht për raportet për abuzime të të drejtave nga Rusia. /KultPlus.com

Në Novi Sad vendoset simboli Z mbi bustin e poetit ukrainas, Taras Shevchenko

Në Novi Sad të Serbisë, monumenti i poetit ukrainas, Taras Shevchenko është vandalizuar, përcjell KultPlus.

Mbi bustin e poetit Shevchenko, është vendosur simboli Z, i cili është bërë sinonim i pushtimit dhe agresionit rus në Ukrainë.

Megjithatë, simboli i vendosur, është fshirë më pas nga disa vullnetarë.

Serbia është kritikuar vazhdimisht për qasjen e saj pro-ruse në kohën kur e gjithë bota po e dënon dhe po e sanksionin Rusinë për veprimet e saj në Ukrainë.

Në fillimin e luftës, pati edhe një marsh pro-rus në mes të Beogradit. / KultPlus.com

Falë NATO-s, Kosova ‘rilindi’ më 24 Mars

Më 24 mars, pra 23 vjet më parë, me ndihmën e ish-presidentit të SHBA-ve, Bill Clinton u arrit marrëveshja për fillimin e bombardimeve mbi caqet serbe në Kosovë, shkruan KultPlus.

Kthesë e madhe për historinë e kombit shqiptar shënon 24 marsi, me ç’rast jetët e tyre u ‘ri-lindën’ përsëri. Bombardimet e NATO-së ndaj Serbisë treguan dhe vulosën miqësinë e aleatit më të madh që ka pasur ndonjëherë Kosova, pra, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

78 ditë qëndrimi në shtëpi, më shumë vështirësi dhe çdo ditë duke u shqetësuar se dikush mund t’u trokas në derë dhe të marrë ndonjë anëtar të familjes – kjo ishte frika më e madhe që përjetoi i gjithë populli shqiptar para 23 viteve.

Operacioni kërkonte të ndalojë abuzimet e të drejtave të njeriut në Kosovë, dhe kjo ishte hera e parë që organizata e përdorur forcën ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Gjatë 78 ditëve sa zgjatën bombardimet, forcat policore e ushtarake serbe vranë mijëra civilë, në mesin e tyre edhe 49 anëtarë të familjes Berisha në Suharekë. /KultPlus.com

FOTO: Florion Goga (REUTERS)

OJQ-të nga Kosova dhe Serbia: Agresioni rus në Ukrainë, destabilizues për Ballkanin

OJQ-të nga Kosova dhe Serbia kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, në të cilën shprehin shqetësimin se lufta në Ukrainë mund të ketë efekt edhe në Ballkan.

Sipas deklaratës së këtyre organizatave pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka lëkundur rendin ndërkombëtar teksa Ballkani Perëndimor është veçanërisht i cenushëm karshi zhvillimeve globale që vënë në rrezik ligjin ndërkombëtar, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, shkruan lajmi.net.

Tutje, përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile të Kosovës dhe Serbisë thonë se dënojnë agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe u bëjmë thirrje qeverive tona që të rreshtohen me qendrimet e Bashkimit Evropian.

“Pasojat e shkeljeve të tilla të ligjit ndërkombëtar mund të jenë jashtëzakonisht destabilizuese për rajonin tonë. Agresoni i Rusisë ndaj Ukrainës përbën një moment përcaktues në histori; moment që kërkon një përgjigje të menjëhershme nga qeveritë tona dhe komunitetit ndërkombëtar për të mbështetur sundimin e ligjit, rendin ndërkombëtar, solidaritetin dhe të drejtat e njeriut në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në deklaratë.

Deklarimi i plotë:

Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ngjall shqetësime të thella për Ballkanin Perëndimor

Deklaratë e përbashkët e organizatave të shoqërisë civile nga Kosova dhe Serbia për pasojat e mundshme të pushtimit rus të Ukrainës për Ballkanin Perëndimor

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka lëkundur rendin ndërkombëtar. Ballkani Perëndimor është veçanërisht i cenushëm karshi zhvillimeve globale që vënë në rrezik ligjin ndërkombëtar, demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Ne, përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile nga Kosova dhe Serbia, dënojmë agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe u bëjmë thirrje qeverive tona që të rreshtohen me qendrimet e Bashkimit Evropian.

Për më tepër, ne i bëjmë thirrje BE-së dhe shteteve anëtare të ndryshojnë paradigmën e zgjerimit për të siguruar një qasje praktike dhe proaktive ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor. Ne gjithashtu i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar në përgjithësi që të mbështesë rajonin tonë për të siguruar paqe dhe siguri të qëndrueshme.

Pasojat e shkeljeve të tilla të ligjit ndërkombëtar mund të jenë jashtëzakonisht destabilizuese për rajonin tonë. Agresoni i Rusisë ndaj Ukrainës përbën një moment përcaktues në histori; moment që kërkon një përgjigje të menjëhershme nga qeveritë tona dhe komunitetit ndërkombëtar për të mbështetur sundimin e ligjit, rendin ndërkombëtar, solidaritetin dhe të drejtat e njeriut në Ballkanin Perëndimor.

Situata aktuale rithekson rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë drejt sigurimit të paqes së qëndrueshme, prosperitetit dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve. Rrethanat e krijuara nga kjo situatë ofrojnë një mundësi për të reflektuar dhe ridizajnuar procesin e dialogut drejt një procesi gjithëpërfshirës që do të rezultonte në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe afatgjate. Në këtë aspekt, ne e shohim nevojën e veprimeve urgjente nga Bashkimi Evropian (BE) për të nxitur dhe mbështetur reforma thelbësore – veçanërisht kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit – në mënyrë që të përshpejtohet integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE.

Shoqëria civile në Kosovë dhe Serbi është angazhuar në mënyrë aktive në proceset e ndërtimit të paqes gjatë viteve, duke përfaqësuar zërat e komunitetit dhe shqetësimet e përditshme të qytetarëve të cilat mbesin nën hijen e zhvillimeve politike. Në këtë kohë krize, ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të na mbështesë në dënimin e retorikës përçarëse, politikave autoritare dhe diskurseve populiste dhe nacionaliste që shërbejnë për të heshtur zërat kritikë dhe për të ngjall frikë dhe mosbesim mes komuniteteve.

Duke synuar uljen e përhapjes së dezinformatave që mund të shpien drejt përshkallëzimit të mundshëm të konfliktit, ne gjithashtu i bëjmë thirrje përfaqësuesve të mediave që të angazhohen maksimalisht për raportim të drejtë dhe të paanshëm.

Nënshkruesit:

Aktiv

Advocacy Center for Democratic Culture (ACDC), Mitrovicë

Balkans Policy Research Group (BPRG)

Belgrade Centre for Security Policy (BCBP)

Centre for Interdisciplinary Studies of the Balkans (CisBalk)

Center for Peace and Tolerance (CPT), Graçanicë

Centre for Regionalism

Civic Initiatives

Democracy Plus (D+)

Foundation BFPE for a Responsible Society (BFPE)

Igor Novaković, analist, Beograd

Institute for Territorial Economic Development (InTER)

Institute for European Affairs (IEA)

Institute for Serbian and Albanian Coexistence

Jelena Lončar, akademike, Universiteti i Beogradit

Kosovo Center for Security Studi (KCSS)

Kosovo Law Institute (KLI)

Laëyers’ Committee for Human Rights (YUCOM)

Milan Antonijević, avokat

New Social initiative (NSI), Mitrovicë

Peer Educators Netëork (PEN), Prishtinë

Rahim Salihi, civil society activist, Bujanoc

Radio KiM Media Group

The Balkan Forum

Valon Arifi, aktivist i shoqërisë civile

Vjollca Krasniqi, akademike, Universiteti i Prishtinës

Voice of Roma, Ashkali and Egyptians (VoRAE)

Youth Initiative for Human Rights – Serbi

Uouth Initiative for Human Rights – Kosovë./ KultPlus.com

Presidentja Osmani kërkon anëtarësimin e Kosovës në NATO

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vlerësuar se Serbia është rreshtuar krahas Rusisë, në pushtimin e Ukrainës, përcjell KultPlus.

Në një postim në rrjetin social Twitter, ajo tha se Serbia nuk është neutrale.

“Serbia nuk është neutrale. Serbia po qëndron me Rusinë”, shkroi Osmani.

Gjithashtu, Presidentja Osmani ka deklaruar se shtetet demokratike, përfshirë Kosovën po qëndrojnë me Ukrainën.

Nga një “hashtag”, Presidentja Osmani bëri thirrje që Kosova të pranohet në NATO. / KultPlus.com

Osmani: Kosova është e gatshme të pranojë refugjatë nga Ukraina

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar së fundmi se Kosova është e gatshme që të pranojë refugjatë nga Ukraina pas ndodhive të fundit atje, për të ndihmuar popullin e Ukrainës të jetë në gjendje të qëndrojë në këmbë, përcjell KultPlus.

Gazetari Alexis Conran ka biseduar me Osmanin në “Times Radio”, ku kanë diskutuar për shumë gjëra, duke filluar nga deklarimet e fundit të saja dhe gjithashtu vizitën në Turqi.

39 vjeçarja deklaroi se Kosova është e gatshme të pranojnë dhe të strehojnë refugjatë nga Ukraina, derisa shpjegoi gjithashtu se vizita e saj në Turqi duhej të ndodhte më herët, por është shtyrë për shkak se Tayyip Erdogan është infektuar me COVID-19.

Rreth sulmit të Rusisë, Osmani deklaroi: “Ata nuk janë vetëm pas Ukrainës, ata janë pas mënyrës sonë demokratike të jetesës, prandaj jetët e të gjithë neve janë në rrezik”.

Intervistën e plotë mund ta dëgjoni në YouTube ose duke klikuar KËTU. /KultPlus.com

Letra e Blinken drejtuar Vuçiqit, SHBA i kërkon Serbisë të njohë Kosovën

Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, i ka shkruar letër shtetit të Serbisë, ku ka kërkuar që të arrihet njohja reciproke me Kosovën, shkruan KultPlus.

Me një letër zyrtare, Blinken ka uruar Serbinë për ditën e tyre ndërkombëtare, derisa ka kërkuar nga ta që të arrin njohjen reciproke me Kosovën, e cila do të nxisë siguri dhe stabilitet më të madh në rajon.

“Vendet tona kanë ndërtuar lidhje të forta gjatë 140 viteve të fundit dhe Shtetet e Bashkuara presin të ndërtojnë një të ardhme edhe më të ndritshme së bashku si partnerë në Evropë dhe në skenën globale. Ne jemi të përkushtuar të mbështesim synimin e Serbisë për integrimin evropian dhe inkurajojmë normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke me Kosovën, e cila do të nxisë siguri dhe stabilitet më të madh në rajon”, thuhet në letrën e dërguar nga Blinken drejt Aleksandër Vuçiq.

Presidenti amerikan Joe Biden i kërkoi Serbisë vitin e kaluar të njohë Kosovën. /KultPlus.com

Ylfetja u vra në kërkim të lirisë dhe barazisë akoma pa mbushur 17 vjeç

Në kujtim të Ylfete Humollit

Ylfetja është dëshmija e gjallë e atyre që asnjëherë nuk e kanë gëzu fëmijërinë e tyre.

Ylfetja, me 1 shkurt 1990, fiks para 30 vitesh kur ishte 16 vjeçare, ajo u vra nga forcat serbe gjatë një proteste kundër regjimit të Serbisë në Kosovë. Bashkë me Ylfeten ishte dhe vëllau i saj Mentori (13), i cili do të binte heroikisht me 21 mars 1999 duke luftuar të njëjtin agresor në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ylfete Humolli u lind më 15 shkurt 1973, në Lupç të Poshtëm të Podujevës, në një familje atdhetare.

Ylfetja ishte e bija e Isës dhe Sevdijes, të cilët kishin edhe tetë fëmijët të tjerë, Mentorin (dëshmor), Sahdeten (kishte vdekur nga leukemia në vitin 1993), Lulen, Serbezen, Vlorën, Muhametin, Jetonin dhe Arianitin.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, për të vazhduar atë të mesme në Prishtinë, në Shkollën Ekonomike.

Në shkollë ishte e shkëlqyeshme, e përkrah mësimit merrej edhe me aktivitete të lire në kuadër të shkollës, ku ka luajtur edhe dramën “Halili e Hajria”.

Ajo lexonte shumë libra dhe prej librave që lexonte nxirrte fjalë të urta dhe përmblidhte në fletore.

*Ylfetja ishte në vitin e tretë të shkollës së mesme kur Kosovës ju mor autonomia më 1989-90 dhe ajo shumë mirë e kuptonte situatën e rëndë që mbretëronte në Kosovë, ku e gjithë Kosova tanimë ishte në këmbë.

Në Prishtinë ajo ishte prezente në këto protesta, të cilat vazhduan edhe nëpër fshatra, ku në fshatin Lupç të Poshtëm për tri ditë më radhë pati protesta.

Kështu, më 1 shkurt 1990, ajo së bashku me shoqe dhe shokë kishin dalë buzë rrugës Podujevë- Prishtinë, për të protestuar në mënyrë të qetë kundër kolonës së motorizuar e të armatosur deri në dhëmbë, e cila vinte nga Serbia në tokat tona. Për këtë, kolona ishte egërsuar dhe shtiu për disa minuta me armë automatike.

Protestuesit dhe marshimin e forcave ushtarake policore e përcillte ekipi i Radiotelevizionit të Sarajevës.

Ylfetja vritet duke kërkuar liri dhe barazi ende pa i mbushur 17 vite jetë, më 1 shkurt 1990, shkruan AlbFem.

Njerëzit që ishin afruar për t’i dhënë ndihmë tregonin se ajo kishte pyetur se a kishte shpëtuar Mentori, i cili mbahej si djalë i vetëm e që atë kohë ishte vetëm 14-vjeç. Por, rruga e lirisë ishte shumë e gjatë dhe Mentori e kishte vazhduar këtë rrugë duke rënë dëshmor 9 vite më vonë në Koshare me emblemën Ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Varrimi i Ylfetes ishte masovik dhe në të morën pjesë qindra mijëra shqiptarë, të cilët nderuan guximin, veprën dhe atdhedashurinë e saj, ku varrimi i saj edhe u bë një formë demonstrate tjetër, ku njerëzit duke ngritur dy gishtërinj përcillnin amanetin e Ylfetes, për të kërkuar liri e barazi. /KultPlus.com

Serbia kërkon që BE-ja e UNDP-ja të mos e rinovojnë shtëpinë e Xhafer Devës

Serbia ka kërkuar nga BE-ja dhe UNDP-ja që të mos japin para për ta restauruar shtëpinë e Xhafer Devës në Mitrovicë, që ka nisur tash e një javë.

Sipas ministres së Kulturës dhe Informimit në Serbi, Maja Gojkoviq, Deva “ka përgatitur e kryer krime ndaj serbëve dhe hebrenjve”.

“Ky është një kolaboracionist famëkeq nazist, i cili ishte aktiv në formimin e divizionit SS Skënderbeu, i njohur për përgatitjen dhe kryerjen e krimeve kundër popullatës serbe dhe hebreje”, tha Gojkoviq, duke theksuar se u ka shkruar përgjegjësve në BE dhe UNDP për këtë çështje.

Shtëpia e politikanit shqiptar nga Mitrovica, Xhafer Deva është bërë çështje gati 44 vjet pas vdekjes së tij. Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë ka dalë kundër këtij restaurimi duke rikujtuar se Deva ka qenë kolaboracionist i nazistëve. Por, restaurimi ka një javë që ka nisur dhe ai mbështetet edhe nga paratë e Bashkimit Evropian, pjesë e të cilit është edhe Gjermania. / KultPlus.com

Presidentja Osmani pret sot në takim Lajçak dhe Escobar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do ta pres në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e shtetit të SHBA-ve, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, shkruan KultPlus.

Escobar dhe Lajçak do të jenë në Kosovë për një vizitë tre ditore, derisa pritet që të takohen me të gjithë krerët e shtetit.

“Sot (31.01.2022), në orën 16:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, pret në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e shtetit të SHBA-ve, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak”, thuhet në njoftimin nga presidenca.

Kosova dhe Serbia akoma nuk janë duke dialoguar pas zgjedhjes së Albin Kurtit si i pari i ekzekutivit. /KultPlus.com

‘Legjitimohet’ përdorimi i termit ofendues ndaj shqiptarëve në Serbi, Konjufca: Kjo është ‘fqinjësi e mirë’

Gjatë ditës së sotme është bërë e ditur nga Gjykata e Apelit në Beograd si i ligjshëm përdorimi i termit ofendues për shqiptarët, me ç ‘rast ka rënë poshtë padia e ngritur nga Shaip Kamberi ndaj ministrit të brendshëm Aleksandar Vulin, transmeton KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar rëndë mbi këtë situatë, duke thënë se kjo aspak nuk ka të bëjë me fqinjësi të mirë.

“Sot Gjykata e Apelit në Beograd e ka quajtur të ligjshëm përdorimin e termit shovinist e ofendues për shqiptarët, duke e rrëzuar padinë e ngritur Serbia udhëhiqet nga figura politike të cilat i mohojnë masakrat që Serbia i ka kryer në Kosovë. Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë ende u ndalohet përdorimi institucional i flamurit kombëtar edhe pse jetojnë në trojet e veta. Populli ynë atje është pakica kombëtare më e diskriminuar në Evropë. Në anën tjetër sot është intervistuar gazetari Adriatik Kelmendi nga shërbimi sekret i Serbisë. Gjatë kohës së Milosheviqit këto i quanin ‘biseda informative’. Vërtet e trishtë dhe e papranueshme. Hiç më larg se dje Vuçiq edhe një herë na bëri ftesë për pjesëmarrje në Open Ballkan, duke shtuar se Serbia do të jetë ‘shtëpi e dytë’ për shqiptarët. Ky është Open Ballkan i 24 orëve të fundit që po tentohet të na shitet si ‘fqinjësi e mirë”, shkroi ai.

Ditët e fundit kanë qenë të mbushura me polemika, kjo pasi Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë në një vizitë zyrtare në Shqipëri rreth Open Ballkan. /KultPlus.com

Glauk Konjufca: Ju tregoj sa përqind do t'i fitojë VV në zgjedhje – 06 Press

Mbretëria e Bashkuar – Serbisë: Të mos glorifikohen autorët e gjenocideve

Në një deklaratë të qeverisë britanike, një pjesë i është kushtuar glorifikimit të autorëve të krimeve të luftës dhe gjenocidit, që u ka bërë Serbia disave prej tyre.

Pas takimit të sekretares së Jashtme britanike, Liz Truss, me kryediplomatët e gjashtë shteteve ballkanike, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuara, ka lëshuar një njoftim të gjatë, ku komentohet situata aktuale në Ballkan.

Ndër shumë kërkesash tjera, britanikët, kërkojnë të mos glorifikohen në kë rajon përgjegjësit për krime lufte dhe gjenocid.

“Mbretëria e Bashkuara ka kërkuar nga liderët e rajonit ta ndalin gjuhen e urrejtjes, ta dënojnë çfarëdo glorifikimi të mohuesve të gjenocidit dhe krimeve të luftës, si dhe të respektojnë verdiktet e gjykatave ndërkombëtare dhe vendore”, thuhet në komunikatë.

Shteti serb ka glorifikuar kriminelin Radko Mlladiq, të shpallur fajtor për krime lufte, si një nga përgjegjësit për gjenocidin e Srebrenicës në Bosnjë. Atij i është vendosur një mural i madh në Beograd. Kjo nxiti reagime e madhe dhe protesta në kryeqytetin serb.

Ky reagim bëhet pak ditë pasi ministri serb i Mbrojtjes, Aleksander Vulin, për të disatën herë mohoi një nga masakrat e kryera ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë nga shteti serb në luftën e vitit 1999. Ai e quajti gënjeshtër masakrën e Reçakut. / KultPlus.com

100 vjet burg për vrasjen e gazetarit serb, Sllavko Quruvija

Me 100 vjet burgim në total, janë dënuar ish-pjesëtarët e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, për vrasjen e gazetarit, Sllavko Quruvija.

Trupi gjykues i Gjykatës Speciale të Serbisë, më 2 dhjetor, në procesin e përsëritur shpalli dënime për katër ish-pjesëtarët e këtij shërbimi. Më nga 30 vjet burgim janë dënuar, Radomir Markoviq dhe Millan Radonjiq. Ratko Romiq dhe Mirosllav Kurak u dënuan më nga 20 vjet burgim.

Pas shpalljes së vendimit, palët mund të ankohen, por Gjykata e Apelit këtë vendim mundet vetëm ta konfirmojë ose anulojë. Rigjykimi në këtë rast nuk është më i mundur.

Shpallja e vendimit në rastin e vrasjes së gazetarit të shquar serb, ndodhi plot 22 vjet pas vrasjes së tij. Hetimet rreth vrasjes së gazetarit dhe publicistit, Quruvija filluan në vitin 2001, në kohën kur kryeministër i Serbisë ishte, Zoran Gjingjiq.

Gjykimi i parë në këtë rast kishte filluar në qershor të 2015-s.

Vendimi paraprak për grupin e SDB-së

Vendimin paraprak në rastin e vrasjes së gazetarit, Sllavko Quruvija, Gjykata e Apelit e kishte ndërprerë më 7 shtator 2020. Bazuar në atë vendim, ish-shefi i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror (SDB), Radomir Markoviq u dënua më 30 vjet burgim, si dhe shefi i dikurshëm i qendrës së Beogradit të Sigurimit Shtetwror, Millan Radonjiq. Më nga 20 vjet burgim ishin dënuar Romiq dhe Kurak.

Mirosllav Kurak madje ndodhët në arrati dhe nuk është i qasshëm për organet e rendit.

Megjithatë nga Gjykata e Apelit njoftuan se vendimi i shkallës së parë për vrasjen e Quruvijas do të kthehet në rigjykim krahas sqarimit se me futjen e personit ‘NN’ në aktakuzë, si kryes i vrasjes, është ndryshuar gjendja faktike që qëndronte në aktakuzë.

Kush ishte Sllavko Quruvija?

Sllavko Quruvija ishte vrarë më 11 prill 1999 në qendër të Beogradit, para hyrjes së ndërtesës në të cilën banonte. Pasi që u largua nga pozita e kryeredaktorit të gazetës shtetërore “Borba” (Beteja) themeloi “Nedeljni Telegraf” (Telegrafin Javor) në fillim të vitit 1996 dhe gazetën e parë të pavarur në Serbi, “Dnevni telegraf” (Telegrafin Ditor) e më pas edhe gazetën javore, “Evropljanin”, (Evropiani).

Ai ishte kritik i madh i presidentit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.

Sipas ligjit të posaçëm për media, gazeta e tij “Dnevni Telegraf” (Telegrafi Ditor) krahas edhe disa mediave të tjera u ndalua së publikuari më 14 tetor 1998 por më pas filloi të shtypet në Mal të Zi dhe distribuohej në Serbi nëpërmes një rrjeti të botuesve.

Si ishte vrarë Quruvija?

Bazuar në aktakuzën, dy burra të maskuar e kanë vrarë atë në qendër të Beogradit, para banesës në të cilën banonte derisa ishte bashkë me partneren e tij, Branka Prpa. Në aktakuzë thuhet se njëri prej të akuzuarve, Mirosllav Kurak i cili ndodhët në arrati gjuajti me breshëri plumbash drejt tij nga distanca prej një metri e gjysmë, e më pas Quruvija u rrëzua. Sulmuesi i ishte afruar sërish duke gjuajtur pastaj me armë nga afërsia.

Gjatë sulmit ndaj gazetarit u plagos edhe Branka Prpa të cilën sipas aktakuzës , Ratko Romiq e goditi me revole në kokë që të mos i shihte vrasësit e Quruvijas.

Universiteti i Kolumbisë për rastin e Quruvijas

Në tetor të 2020-s, Universiteti i Kolumbisë kishte publikuar një analizë të rastit të vrasjes së Quruvijas në të cilën qëndron se vendimi i Gjykatës së shkallës së parë ishte historik ngase ishte hera e parë që dikush mbahej përgjegjës për vrasjen e gazetarit.

Megjithatë në Serbi në 25 vjetët e fundit janë vrarë tre gazetarë përfshirë Quruvijan. Asnjë rast nuk është zgjidhur, shkruan në studim. Krahas Quruvijas, ishin vrarë edhe Dade Vujasinoviq e cila u gjet e vdekur më 8 prill 1994 në banesën e saj në Beograd dhe Millan Pantiq i vrarë më 11 qershor 2001 në qytetin e Jagodinës. / KultPlus.com

Jelica Miniq: Serbia tashmë ka hyrë thellë në ujëra të rrezikshëm

Reagimi mjaft i mprehtë i dy raportuesve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Serbinë, Pierre Fassin dhe Ian Lidel-Granger, tregon se ata janë të “tmerruar” nga ajo që po ndodh rreth muralit të Ratko Mlladiqit në qendër të Beogradit. “Një shoqëri demokratike nuk mund të jetojë në një mohim të krimeve të luftës dhe në një kulturë të urrejtjes dhe mosndëshkimit. Prandaj, ne u bëjmë thirrje autoriteteve serbe që të tregojnë gatishmërinë e tyre për të luftuar me vendosmëri kundër glorifikimit të kriminelëve të luftës dhe të fshijnë pa vonesë muralet që lavdërojnë kriminelët e luftës”, thuhet në mesazh.

Jelica Miniq, kryetare e Lëvizjes Evropiane në Serbi u bëri thirrje autoriteteve serbe që ta heqin muralin në Beograd me imazhin e kriminelit Ratko Mlladiq dhe të ndërmarrin “veprime të forta” kundër glorifikimit të kriminelëve të luftës, raporton gazeta serbe Danas.

Miniq vëren se ky është vetëm një nga një sërë mesazhesh që “arritën me këtë rast nga adresat që ne pretendojmë se janë të rëndësishme për ne”.

“Tashmë më 11 nëntor, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Ana Pisonero, theksoi se qëndrimi i BE-së është i prerë dhe i qartë. Ajo tha se një vend që aspiron anëtarësimin në BE pritet të përafrohet me vlerat thelbësore të BE-së – sundimin e ligjit, demokracinë dhe drejtësinë. Kjo sigurisht nuk përfshin glorifikimin e kriminelëve të luftës, mohimin e krimeve të luftës dhe mungesën e vullnetit për t’u pajtuar, gjë që u shfaq në rastin e muralit. Më pas, kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuel Ziofre, foli më 12 nëntor, në një bisedë me ministrin e Brenshëm, Aleksandar Vulin, duke përsëritur se BE-ja ka qëndrim të qartë dhe të vendosur për tejkalimin e të kaluarës dhe mosglorifikim e kriminelëve të luftës”, tha ajo.

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane në Serbi rikujton se ambasada amerikane tha se nuk shohin asgjë të ndershme në mbajtjen e muralit të një krimineli lufte dhe se “shpresojnë që Serbia të fokusohet në një të ardhme më të ndritshme dhe më gjithëpërfshirëse”.

“Nëntë eurodeputetë nga të Gjelbrit dhe Socialdemokratët reaguan gjithashtu me një mesazh shumë të qartë se është e papranueshme që një vend kandidat të anëtarësohet në BE, ta vendos policinë e tij për ta mbrojtur muralin e një krimineli të dënuar lufte, i cili është drejtpërdrejt përgjegjës për krimet, masive, vrasje dhe gjenocid”, thotë Jelica Miniq.

Ajo tha se kjo konfirmon rënien e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore të njeriut në Serbi, pikërisht për të cilën ata i referohen.

Sipas saj, Serbia tashmë ka hyrë thellë në ujëra të rrezikshëm. / KultPlus.com

Serbia po realizon serial për luftën në Kosovë, po e mbështetë Ministria e Brendshme e Serbisë

Se Serbia është duke përgatitur një serial për luftën në Kosovë, ka njoftuar ish ambasadori i Kosovës Lulzim Peci, i cili nëpërmet një statusi në rrjetet sociale ka thënë se ky serial po realizohet nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë e udhëhequr nga Vulini dhe Radio Televizioni i Serbisë.

“Serbia në vend që të turpërohet për të kaluarën e saj, ajo është krenare me të dhe e projekton si narrativ zyrtar shtetëror”, ka shkruar mes të tjerash Peci për këtë nismë të Serbisë.

KultPlus ju sjell të plotë reagimin e Pecit.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë e udhëhequr nga Vulini dhe Radio Televizioni i Serbisë po përgatisin një serial për luftën ne Kosove, qe nuk ka asnjë dallim prej narrativeve të Millosheviqit ndaj shqiptarëve.

Serbia në vend që të turpërohet për të kaluarën e saj, ajo është krenare me të dhe e projekton si narrativ zyrtar shtetëror.

Njëra ndër objektivat kyçe të Serbisë dhe Rusisë, është ndërrimi i narrativeve për luftërat në ish-Jugosllavi, dhe atë me theks të veçantë për luftën në Kosove, për shkak të intervenimit të NATO-s. Ky serial është pjesë e realizimit të kësaj strategjie./ KultPlus.com

Kurti për gazetën greke: Njohja do të ishte dëshmi e rolit udhëheqës që Greqia duhet ta ketë në rajon

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Greqia do të ishte dëshmi që Athina është e gatshme ta luajë një rol udhëheqës rajonal në Ballkan, ka thënë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një intervistë për gazetën greke, “To Vima”.

Kurti, i cili së fundmi ishte në Athinë për konferencën e “The Economist” dhe pati një takim të shkurtër me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, është qartazi kundër një shkëmbimi territorial me Serbinë dhe kundër rivendosjes së kufijve në Ballkan. Ai gjithashtu thekson se statusi i Kosovës është vendosur përgjithmonë dhe se dialogu me Beogradin ka të bëjë vetëm me marrëdhënien e ardhshme midis dy vendeve, shkruan “To Vima”.

Intervista e plotë:

“To Vima”: Kosova kaloi një periudhë të paqëndrueshme politike me zgjedhje të njëpasnjëshme, por duket se tani ka një qeveri të qëndrueshme. Cilat janë prioritetet tuaja kryesore si në aspektin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm? Sa i madh është problemi i korrupsionit?

Ne kemi qenë të fokusuar në dy prioritete themelore dhe më urgjente. Prioriteti i parë ishte fokusimi në menaxhimin e pandemisë me qëllim minimizimin e pasojave në shëndetin publik. Si rezultat, në 100 ditët e fundit, falë masave të duhura kundër COVID-19, përgjigjes së shkëlqyeshme nga qytetarët dhe vaksinimit masiv, numri i rasteve të reja ka rënë për 99%, numri i rasteve aktive për 97% dhe numri i hospitalizimeve për 86%.

Krahas kësaj, reformat tona në sistemin e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit dhe ruajtja e fondeve publike kanë pasur ndikim pozitiv në rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet publike. Në frontin ekonomik, në pesë muajt e parë të këtij viti kemi shënuar disa rezultate shumë pozitive dhe premtuese. Aktiviteti ynë ekonomik është rritur për 15%, të ardhurat e buxhetit tonë për 30%, eksportet për 66% dhe për këtë vit ne parashikojmë rritje ekonomike për 7.9%. Ne gjithashtu kemi hartuar një pako të ringjalljes ekonomike me 1.1 miliardë euro kontribute në ekonominë tonë.

“To Vima”: Bisedimet janë intensifikuar midis Serbisë dhe Kosovës në kontekstin e dialogut Beograd – Prishtinë, të lehtësuar nga BE-ja. A ka pasur progres kohët e fundit në këto bisedime? A është larguar nga tryeza e bisedimeve skenari i shkëmbimit territorial?

Kosova kërkon t’i zgjidhë çështjet e pazgjidhura me fqinjët përmes dialogut. Ne do të kemi mundësi t’i rregullojmë marrëdhëniet në Ballkan vetëm me një dialog parimor dhe të përgatitur mirë, të bazuar në vlerat evropiane. Pavarësia e Kosovës është trembëdhjetëvjeçare. Që nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 2010, që vërtetoi faktin se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, debati për shtetet është mbyllur.Unë nuk do të diskutoj statusin e Kosovës, as integritetin tonë territorial.  Është çështje e zgjidhur. Nuk mund të lejojmë ringjalljen e projekteve të dështuara për shkëmbimin territorial e as të atyre për bosnjëzimin e Kosovës. Serbia tani duhet të distancohet nga regjimi i Millosheviqit dhe të mos insistojë që në një farë mënyre të vazhdojë t’i arrijë qëllimet e vjetra, me mjete të reja. Tema e vetme është marrëdhënia ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“To Vima”: Ballkani duket se është kthyer në vëmendjen e të gjithë akterëve të mëdhenj globalë dhe më e rëndësishmja në vëmendjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, pas publikimit të non-papers që flasin madje edhe për rivendosjen e kufijve në rajon përgjatë vijave etnike, janë paraqitur disa skenarë. Si u përgjigjeni atyre që shqetësohen për mundësinë e një Shqipërie të madhe? A jeni kundër këtyre skenarëve apo do t’i konsideronit në rrethana specifike? A nuk është mundësia e një “Schengen-i Ballkanik” çështje më reale dhe konstruktive për të nxitur bashkëpunimin rajonal?

Unë vazhdoj të besoj se përgjigja më e mirë ndaj të gjitha këtyre “Non Papers” është “No comment” sepse përmes përgjigjeve, ato po përpiqet të sjellen në jetë. Ne duhet të shkojmë drejt integrimit evropian dhe euro-atlantik. Kosova nuk ka dilema. BE dhe NATO janë vlera tonat ashtu edhe destinacion i yni. Duke ditur që korniza aktuale rajonale nuk mund të na përgatitë për pranim në BE, në Samitin e Tiranës unë kam propozuar që të përditësojmë CEFTA-n në SEFTA (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Evropës Juglindore) bazuar në modelin EFTA – EEA, që do të lartësonte të gjithë rajonin dhe do të kapërcente pengesat aktuale. Ne sigurisht se shpresojmë që Komisioni Evropian mund ta konsiderojë seriozisht këtë propozim dhe të fillojë dialogun që do të çonte në rezultate konkrete. Ne jemi të bindur se nëse ecim së bashku në këtë rrugë, atëherë do të jemi në gjendje të adresojmë shumë sfida dhe të arrijmë objektivin tonë të përbashkët.

“To Vima”: Së fundmi, ministri i Jashtëm i Greqisë, Dendias, vizitoi Prishtinën. Zyra juaj ndërlidhëse në Athinë është avancuar, por ende mungon njohja zyrtare diplomatike. A jeni optimist që kjo do të ndodhë, a jeni në bisedime me palën greke për këtë? A ka ndonjë afat kohor?

Ne i jemi mirënjohës Greqisë për mbështetjen e saj dhe qëndrimin pozitiv ndaj Republikës së Kosovës në proceset e integrimit si në rajon ashtu edhe Evropë. Ne e vlerësojmë shumë qëndrimin konstruktiv ndaj vendit tonë, qëndrim të cilin Greqia e ka dëshmuar përsëri me mbështetjen e dhënë në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Greqia duhet të jetë me popullin e Kosovës dhe të ofrojë mbështetjen e saj. Greqia dhe Kosova duhet të forcojnë marrëdhëniet e tyre të pavarura për shkak të historisë së gjatë të përbashkët, qëllimit të përbashkët të stabilitetit dhe paqes në Ballkan dhe të ardhmes së gjatë të përbashkët.

“To Vima:” Përveç njohjes, cilat janë fushat kryesore në të cilat Athina dhe Prishtina mund të bashkëpunojnë qoftë në aspektin dypalësh ashtu edhe në atë rajonal? A e shihni Greqinë si vend që mund t’ju ofrojë asistencën e nevojshme teknike në rrugën tuaj drejt integrimit në BE? A jeni i shqetësuar se marrëdhëniet e ngushta të Turqisë me Kosovën mund të pengojnë bashkëpunimin me Greqinë?

Kosova dëshiron të ndërtojë mbi lidhjet historike midis popujve tanë dhe të forcojë marrëdhëniet vëllazërore afatgjata me Greqinë, një element i rëndësishëm i stabilitetit rajonal afatgjatë. Ne e vlerësojmë shumë mbështetjen e Greqisë. Duke pasur parasysh peshën e Greqisë në rajon, si dhe frymën e bashkëpunimit në rajon, ne do ta mirëprisnim vendimin për njohjen e Kosovës. Njohja do të ishte dëshmi thelbësore e rolit udhëheqës në rajon që Greqia duhet të ketë. Marrëdhëniet ekonomike Kosovë-Greqi janë duke u forcuar. Kjo dëshmohet nga forumi virtual ekonomik i organizuar nga dy MPJ-të përkatëse në muajin prill të vitit 2021. Ka ende hapësirë për rritjen e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve. / Express / KultPlus.com

Alon Ben-Meir: S’ka të ardhme perëndimore për Serbinë pa e njohur Kosovën

Profesori amerikan dhe eksperti i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Alon Ben-Meir nëpërmjet një shkrimi në Facebook edhe njëherë ka adresuar shqetësimet e afërsisë së Serbisë me Rusinë.

Nëpërmjet këtij shkrimi, Ben-Meir thotë se Serbia është zotuar të mos vendosë kurrë sanksione ndaj Rusisë, pavarësisht thirrjeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të qëndruar “larg Putinit”.

Ben-Meir thotë tutje se Brogradi zyrtar ka deklaruar se Rusia është aleati më i mirë i Serbisë dhe kryeparlamentari serb, Ivica Dcic ka thënë se nuk do t’i nënshtrohen presionit për t’i vendosur sanksione Rusisë.

“Megjithëse është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia u zotua të mos vendosë kurrë sanksione ndaj Rusisë. Pavarësisht thirrjeve nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që Serbia duhet të qëndrojë larg Putinit, Beogradi zyrtarisht deklaroi se Rusia është aleati më i mirë i Serbisë dhe mbron ‘integritetin e saj territoria;’, duke iu referuar pavarësisë së Kosovës. Ivica Dacic, kryetari i parlamentit serb tha se ‘pavarësisht presionist’, Serbia kurrë nuk do të vendosë sanksione kunder ‘mikut të vet Rusisë’.”, ka shkruar Ben-Meir.

Më tutje, ai shkruan se Serbia nuk do të ketë kurrë të ardhme perëndimore nëse ata vazhdojnë që nëpërmjet veprimeve të tilla t’ia kthejnë shpinën Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjithashtu, krejt në fund, profesori amerikan shkruan se Beogradi duhet ta njohë sa më shpejtë realitetin e pavarësisë së Kosovës dhe të kuptojë se nuk ka të ardhme në BE nëse qëndron krah Putinit.

“E vërteta është se Serbia nuk do të ketë të ardhme perëndimore nëse ata i kthejnë shpinën BE’së dhe SHBA’ve. Beogradi duhet sa më shpejt dhe jo vonë të njohë realitetin e pavarësisë së Kosovës dhe se një e ardhme në BE nuk është e mundur nëse qëndroni miq të ngushtë me Putinin.”, shkruan Ben-Meir.

Në anën tjetër, sot është raportuar në mediat serbe se vendimi i Beogradit për të dërguar ambasador në Siri, është kryekput vijë diplomatike e Rusisë e cila qëndron krah regjimit të presidentit jo-legjitim të Sirisë, Bashar-al-Assad dhe gjithashtu për faktin se Siria nuk e njeh Kosovën. /gazetametro.net / KultPlus.com

Nis procesi për dëmshpërblim nga Serbia për shkatërrimin e qindra monumenteve të Kosovës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku sot përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se Qeveria ka votuar themelimin e komisionit shtetëror për dokumentimin e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore të Kosovës gjatë luftës më 98/99, përcjellë KultPlus.

“Ky është moment i rëndësishëm, pasi zyrtarisht e nisim procesin për të kërkuar llogari dhe dëmshpërblim nga Serbia për shkatërrimin e qëllimshëm të qindra monumenteve të Kosovës”, ka shkruar Çeku.

Tutje ai ka bërë të ditur se anëtarë të komisionit do të jenë profesionistë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe profesionale, si dhe profesionistë ndërkombëtarë.

“Komisioni do të marr për bazë të gjitha dokumentimet që janë kryer deri sot, ndërsa do të ketë për detyrë hartimin e inventarit shtetëror me të gjitha monumentet e shkatërruara gjatë luftës në vitet 1998 dhe 1999. Mbi këtë dokument dhe në pajtim me standardet ndërkombëtare do të përpilohet edhe kërkesa për dëmshpërblim”, thuhet në njoftimin e tij. / KultPlus.com

Historianët e Deçanit për betejën e Kosovës: Serbia po tenton ta falsifikojë historinë

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, ka akuzuar Serbinë se duke e prezantuar si fitore të saj betejën e humbur të Kosovës të vitit 1389, po tenton ta falsifikojë historinë duke u bazuar në mite dhe gënjeshtra.

Në reagimin e tyre, historianët e Deçanit kujtojnë opinionin se historia nuk mund të shtrembërohet mbi Betejën e Kosovës.

“Beteja e Kosovës e 28 qershorit 1389, ka qenë disfata me e madhe që e ka pësuar aleanca ballkanike antiosmane e përbërë nga princat ballkanas, si dhe ndër fitoret më të mëdha që ka shënuar Perandoria Osmane në shekullin XIV”, thuhet në deklaratën e kryetarit të Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, Shkodran Imeraj.

Për më tepër, historianët e Deçanit thonë se humbja e aleancës ballkanike karshi forcave osmane, e cila festohet si fitore nga serbët, të cilët kanë qenë pakicë ushtarake në këtë aleance, nuk është asgjë tjetër së vetëm një mit dhe tentim për të falsifikuar historinë.

“Manovrat e tyre për të shndërruar Kosovën si “toke të shenjtë serbë” nuk qëndron, ngase serbet zyrtarisht ortodoksinë e kanë pranuar nga shqiptarët, të cilët në masë të madhe ishin të përkatësisë fetare ortodokse, ngase pjesa me e madhe e tokave shqiptare pas vitit 1054, kur ndahet kisha në dy rite, në atë katolike – perëndimore dhe në atë ortodokse – lindor, i kanë takuar kishës lindor, ngase ishin në administrimin e Perandorisë Bizantine, perandori e cila si fe zyrtare e kishte ortodoksinë. Historia serbe është e ndërtuar mbi mite dhe gënjeshtra. Ata, si popull gjithnjë kanë qenë uzurpator dhe si të tillë sillen qysh nga shekulli VII, kur kanë ardhur në Ballkan si fise barbare”, përfundon reagimi. / Gazeta Express / KultPlus.com

Qytetarët drejt Serbisë për vaksina, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se nuk janë përgjegjës

Derisa shumë qytetarë po marrin rrugën drejt Serbisë për t’u vaksinuar kundër COVID-19, për shkak që një gjë të tillë nuk po mund ta bëjnë në vend, nga Ministria e Shëndetësisë thonë se ata nuk janë përgjegjës për vaksinimin e qytetarëve në vendet tjera. Po kjo ministri kritikohet për mossigurimin e vaksinave të mjaftueshme, në mënyrë që të gjithë qytetarët të vaksinohen në vend, përcjell KultPlus.

 “Në mungesë të vaksinave kundër koronavirusit, qytetarët e Kosovës po detyrohen t’i drejtohen institucioneve shëndetësore të shtetit serb për tu vaksinuar. Sot, mora dozën e dytë të vaksinës Pfizer në Preshevë”, kështu është shprehur sot Arta Neziri-Nuhiu, asambliste në Kuvendin Komunal të Gjilanit nga radhët e AAK’së.

Ajo ka deklaruar se përveç se atje është vaksinuar thuajse e tërë popullsia, ata po mund të përzgjedhin edhe cilën vaksinë dëshiron ta marrësh.

Si Neziri-Nuhiu, Express ka mësuar se edhe shumë qytetarë tjerë po marrin rrugën për në Serbi, konkretisht në Rashkë e Novi Pazar, për t’u vaksinuar kundër COVID-19.

Për shkak që Qeveria e Kosovës e as Ministria e Shëndetësisë nuk kanë siguruar mjaftueshëm vaksina që edhe ata të vaksinohen, ata po vaksinohen në Serbi.

E kjo duket se nuk po e shqetëson Ministrinë e Shëndetësisë.

Nga kjo ministri kanë thënë se nuk janë përgjegjës për vaksinimin e qytetarëve në vendet tjera.

“MSh është përgjegjëse për vaksinimin e qytetarëve të saj në territorin e Republikës së Kosovës. MSh nuk është përgjegjëse për vaksinimin në vendet e tjera”, kanë thënë zëdhënës për media në këtë ministri për Express.

Nga MSH kanë deklaruar se fluksi i madh i të interesuarve sot për vaksinim në Prishtinë dhe vaksinimi i të moshuarve mbi 65 vjeç është lajm i mirë për qytetarët.

Sipas kësaj ministri, ky proces do të intensifikohet ditëve në vijim deri në arritjen e vaksinimit të 60 për qind të popullsisë.

“Fluksi i madh i të interesuarve sot për vaksinim në rajonin e Prishtinës dhe fillimi i vaksinimit me moshën 65 vjeç e lart është lajm i mirë për popullatën kosovare dhe në ditët në vijim ky proces do të intensifikohet deri në arritjen e objektivit për vaksinimin e 60% të popullatës”, është thënë nga MSH.

Ndërsa, Gazeta Express ka marrë vesh nga burime të veta se qytetarët po përdorin dokumente të vjetra, ato të Jugosllavisë për t’u vaksinuar kundër COVID-19 në Serbi. E këtë po e bëjnë pa asnjë problem.

Derisa Ministria e Shëndetësisë nuk po siguron vaksina për të gjithë qytetarët, deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë fajësuar atë për vaksinimin e qytetarëve në Serbi.

Kujtojmë që qytetarë të shumtë nga Kosova, që nga fillimi i këtij viti kanë marrë rrugën për në Serbi për t’u vaksinuar kundër virusit COVID-19.

Disa prej tyre tashmë kanë filluar ta marrin edhe dozën e dytë atje./gazetaexpress/ KultPlus.com

Një televizion në Serbi publikon hartën e Kosovës dhe të Sanxhakut të ndarë nga Serbia

Mediat në Serbi janë alarmuar pasi një televizion në këtë shtet e ka paraqitur hartën e Kosovës të ndarë nga Serbia, por edhe Sanxhakun gjithashtu të ndarë nga ky shtet.

Në një emision të televizionit “BN TV”, me temën “Luftë në paqe, apo bashkëpunim”, ku ishte myftiu i Sanxhakut Muamer Zukorliq dhe profesori universitar Çedomir Antiq, siç shkruan “Novosti” është paraqitur harta e Kosovës, e ndarë nga Serbia me vijë të kuqe, kurse Sanxhaku me vijë të kuqe të më të theksuar paraqitet i ndarë nga Serbia dhe Mali i Zi, përcjell Telegrafi.

Sipas gazetës serbe “ndonëse vija ndarëse [e Kosovës] nuk është sikurse ajo e ndarjes me shtetet e tjera që kufizohet Serbia, në hartë nuk figuron emërtimi ‘Kosova dhe Metohia’, por vetëm Kosova”. / KultPlus.com